Rreth një muaj e gjysmë më parë Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar nisi hetimet për 10 ish-gjyqtarë të Gjykatës Kushtetuese dhe të Gjykatës së Lartë, të cilët u shkarkuan nga vetingu, për shkak të problemeve të tyre me pasurinë. Gjyqtarët e këtyre gjykatave po hetohen nga institucioni më i ri për akuzën e fshehjes të pasurisë.
Nga Elvis Myrta
Sipas SPAK-ut, nisja e hetimeve ndaj këtyre gjyqtarëve u bazua në kallëzimin penal kundër disa subjekteve, ish-gjyqtarë dhe ish-prokurorë të shkarkuar nga Komisioni Pavarur i Kualifikimit. Hetimet për gjyqtarët nisën pas kallëzimit të avokatit Fran Dashi.
Në prill të këtij viti avokati iu drejtua SPAK-ut me një kallëzim kundër 20 shtetasve me funksion ish-gjyqtarë dhe ish-prokurorë pranë gjykatave të shkallës së parë, apelit, Gjykatës së Lartë, Gjykatës Kushtetuese, si dhe prokurorive te ndryshme, për veprat penale të parashikuara nga nenet 143, 143/a/6,180, 181, 248 dhe 257/a të Kodit Penal. Objekt kallëzimi janë deklarimet e kryera nga këto subjekte para Komisionit të Pavarur të Kualifikimit dhe vendimet e shkarkimit të tyre nga KPK-ja.
Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka vlerësuar materialet e kallëzimit në raport me përcaktimet e neneve 75/a dhe 78 të Kodit të Procedurës Penale dhe ka arritur në konkluzionin se jo të gjitha subjektet e kallëzuara janë në kompetencë të Prokurorisë së Posaçme.
Nisur nga kjo u nda materiali kallëzues në ngarkim 10 të subjekteve, duke ua dërguar për kompetencë dhe vlerësim prokurorive Durrës, Tiranë dhe Elbasan. Ndërkohë për 10 subjekte, me funksion ish-gjyqtarë të Gjykatës së Lartë dhe të Gjykatës Kushtetuese, në Prokurorinë e Posaçme është regjistruar procedimi penal nr. 137/2020, për veprën penale “Refuzimi për deklarimin, mosdeklarimi, fshehja ose deklarimi i rremë i pasurive, interesave privatë të personave të zgjedhur dhe nëpunësve publikë ose i çdo personi tjetër që ka detyrimin ligjor për deklarim”, të parashikuar nga neni 257/a i Kodit Penal.
Njerëzit e drejtësisë që u kallëzuan në SPAK
-Adriatik Llalla, ish-Prokuror i Përgjithshëm;
-Bashkim Dedja, ish-kryetar i Gjykatës Kushtetuese – po hetohet nga SPAK-u;
-Fatmir Lushi, ish-prokuror në Prokurorinë e Elbasanit;
-Tom Ndreca, ish-gjyqtar në Gjykatën e Lartë – po hetohet nga SPAK-u;
-Luan Dervishi, ish-gjyqtar në Gjykatën e Apelit Shkodër;
-Shkëlzen Selimi, ish-gjyqtar në Gjykatën e Lartë – po hetohet nga SPAK-u;
-Gani Dizdari, ish-gjyqtar në Gjykatën Kushtetuese – po hetohet nga SPAK-u;
-Edmond Islamaj, ish-gjyqtar në Gjykatën e Lartë – po hetohet nga SPAK-u;
-Guxim Zenelaj, ish-gjyqtar në Gjykatën e Lartë – po hetohet nga SPAK-u;
-Marina Rraboshta, ish-gjyqtare në Gjykatën e Apelit Shkodër;
-Besnik Imeraj, ish-gjyqtar në Gjykatën Kushtetuese – po hetohet nga SPAK-u;
-Aleksandër Muskaj, ish-gjyqtar në Gjykatën e Lartë – po hetohet nga SPAK-u;
-Petrit Fusha, ish-drejtues i Prokurorisë Tiranë;
-Besnik Cani, ish-drejtues i Prokurorisë Elbasan;
-Besim Trezhnjeva, ish-gjyqtar në Gjykatën e Apelit Durrës;
-Arjan Balliu, ish-gjyqtar në Gjykatën e Apelit Durrës;
-Ferdinad Elezi, ish-drejtues i Prokurorisë së Apelit Durrës;
-Ema Gashi, ish-gjyqtare në Gjykatën e Rrethit Durrës;
-Besa Nikëhasani, ish-drejtuese e Prokurorisë së Apelit Shkodër.
la.mi/Fjala