Ismail Kadare: Migjeni, Poradeci dhe Noli përballë Ahmet Zogut

113 563 lexime

124,178FansaPëlqeje

Migjeni nuk e ka zënë në gojë asnjëherë monarkun në veprën e tij . As Poradeci. Noli e ka përmendur vetëm për keq. Ndërkaq, marrëdhëniet e të treve me tiranin kanë qenë tejet të ndryshme.

Fan Noli ka qenë armiku i tij i shpallur në gjithçka, fantazma e tij e zezë, helmi i tij. Në përleshjen me të kishte fituar, e kishte përmbysur, e kishte dëbuar dhe kjo gjë, me siguri, i jepte herë-herë qetësi, e shëronte prej ankthit.

Por, sado të ngushtë ta kishte pasur vizionin e gjërave, turbull duhet ta ketë ndier tmenin që i shkakton përherë fitimtarit mendjengushtë mendja e ndritur e të mundurit. E kishte dënuar me vdekje në mungesë ose, më saktë, të dy e kishin dënuar me vdekje njëri-tjetrin, njëri me një juri gjyqësore, me nene të kodit penal, me plumb e konop tjetri me rrjetën e rëndë të vjershave.

Dihet se në një dyluftim të tillë të tiranit me poetin është gjithmonë poeti ai që fiton, ndonëse përkohësisht mund të duket i humbur. Noli e fitoi dyluftimin para kohe, në gjallje të të dyve (Zogu e humbi fronin, më 1939), pa pritur kohën eterne, atë që është përherë e poetëve.

Disa herë qe përpjekur ta afronte Lasgush Poradecin, këtë nosit sqimatar të poezisë shqipe, por nositi qëndronte larg. Merrej me qiejt e tij, me dashuritë, me ndërrimin e stinëve, yjet, vdekjen, pavdekësinë, duke u treguar shqiptarëve se ç`mrekullira mund të bëheshin në letërsi me gjuhën shqipe.

Universi poetik, që ai kishte krijuar, s’kishte të bënte fare me mbretërinë e zymtë arkaike, përbuzshëm ndahej prej saj, si për të pritur një kohë më të butë, çka zgjonte admirim te disa e një qortim te të tjerët. Mbreti Zog, si një pjesë e tiranëve, e kishte vështirë të kuptonte rrezikun e bukurisë. Së paku, ky s’më nget, do të ketë thënë shumë herë me vete. Ndaj as unë s’kam pse ta ngas.

Lexo edhe :  Makina e shkrimit e Agatha Christie dhe dorëshkrimi i romanit të saj dalin në ekspozitë

Mbreti, me siguri, nuk e ka njohur Migjenin. Mundet as e ka lexuar, veç në qoftë se ka parë raportin e censurës për ndalimin e tij. Por edhe sikur ta kishte njohur djaloshin e hajthëm nga Shkodra, do t’i dukej më pak i rrezikshëm nga të tre, ai që në të vërtetë ishte kundërshtari më total i tij.

Ndonëse nuk e kërcënonte drejtpërdrejt me shfronësim, si Noli (qershori i vitit 1924, kur poeti e kishte përmbysur tiranin, ende e tromakste në gjumë), ndonëse nuk e sfidonte tërthorazi, si Poradeci, që e kishte krijuar, ndërkaq, fronin e tij në mbretërinë e poezisë, Migjeni ishte shkrimtar që e rrezikonte më vdekshëm nga të gjithë. Sepse ai nuk synonte vetëm fronin, institucionet e rrangallat e tjera të regjimit, ai synonte fundajën mbi të cilën mbështetej ky regjim: mjerimin, injorancën, moralin, dogmat, maskat, idolet, gjithçka.

Sikur t’i njihte mirë që të tre, e kryesorja, sikur ta kapte saktë artin e fjalës, monarku do të kuptonte se nga mallkimet apokaliptike të Nolit mund të mos pësonte gjë (a s’kishte plot pesëmbëdhjetë vjet që ai veç e mallkonte?) e, aq më pak, mund të dëmtohej nga mospërfillja elegante e Poradecit. Kurse nga gërryerja e përgjithshme, e ditëpërditshme e Migjenit ai do të mbetej shumë shpejt pa fron, pa mbretëri, pa histori, shkurt, pa asgjë.

Të tillë shkrimtarë të tipit të ri po vinin, për fatkeqësinë e tij e të mbretërisë së tij, në letërsinë shqipe.
________
*Pjesë nga: ARDHJA E MIGJENIT NË LETERSINE SHQIPE, e shkruar nga shkrimtari Ismail Kadare, Tiranë, 1988-1989.

 

Të fundit

Disa mënyra se si të lehtësosh sikletin e alergjive në pranverë

Për shumë njerëz ardhja e pranverës është sinjali i parë i hyrjes në lojë të alergjive. Ata që i...

Pluhuri afrikan, Guri: Duhet të ishte parashikuar, qytetarët të painformuar

Të gjithëve iu ka rënë në sy këtë të mërkurë moti i pazakontë. Shqipëria u zgjua e mbuluar nga një re pluhuri që shumë...

A do rikthehet pluhuri saharian në Shqipëri? Sinoptikani zbulon çfarë pritet të ndodhë

Të gjithëve iu ka rënë në sy këtë të mërkurë moti i pazakontë. Shqipëria u zgjua e mbuluar nga një re pluhuri që shumë...

Shembja e urës në Baltimore/ Gjenden dy trupa të pajetë në një kamion të zhytur në ujë

Trupat e dy personave të pajetë janë nxjerrë nga një kamion i kuq, i cili ra në ujë ku u shemb ura e Baltimores...

Kauza reale e opozitës është ‘përfillja’ e Berishës

Nga Mero Baze Raportuesja për Shqipërinë në Parlamentin Europian, Isabel Santos, ishte në Tiranë dhe nuk pati asnjë dilemë për vlerësimet pozitive ndaj qeverisë sa...

Lajme të tjera

Web TV