Aida Hajna, Byroja Kombëtare e Hetimit, “nën hetim”

113 563 lexime

124,178FansaPëlqeje

Zgjedhja e Aida Hajnës si drejtuese e Byrosë Kombëtare të Hetimit, institucionit që do të hetojë të ashtuquajturit “peshqit e mëdhenj”, u shoqërua me debate e akuza nga ana e opozitës, se zgjedhja e saj ishte e paracaktuar, meqë mazhoranca synon kapjen e këtij institucioni.

Po kush është Aida Hajnaj? Cila është karriera 30-vjeçare e saj dhe sektorët ku ajo ka qenë drejtuese në Policinë e Shtetit? Gazeta “Fjala”, në numrin e sotëm u jep një përgjigje të gjitha këtyre pyetjeve, duke hedhur dritë mbi profilin e drejtueses së institucionit më të rëndësishëm të drejtësisë re, zgjedhja e së cilës u shoqërua me mjaft polemika.

Nga Elvis Myrta 

Spaletat “e rënda” në supet e uniformës së një femre gjithnjë përbëjnë interes dhe kërshëri, por kur karriera është gjithnjë në ngjitje, ka edhe sulme dhe ngrihen pikëpyetje mbi personin që do të drejtojë një nga strukturat më të rëndësishme të drejtësisë së re. Emërimi i Aida Hajnës në krye të Byrosë Kombëtare të Hetimit solli mjaft debate dhe zhurmë në opinionin publik.

Fillimisht ishte Partia Demokratike, që dy ditë përpara zgjedhjes së saj paralajmëroi se procesi për zgjedhjen e drejtuesit të BKH-së, ishte i paracaktuar dhe se në krye të institucionit të ri, nga katër emrat që ishin në garë do të përzgjidhej Aida Hajnaj.

Në një konferencë për mediat, Edi Paloka akuzoi kryeministrin se me emërimin e saj në krye të BKH-së, do të kapej edhe ky institucion i ri i drejtësisë. Por, sulmet ndaj Hajnës vazhdojnë ende, duke e cilësuar atë si bijë komunistësh.

Një dokument i publikuar së fundmi në media tregon se mamaja e saj, Hatika Hajna, ka qenë pjesë e Partisë së Punës. Sipas këtij dokumenti, 51-vjeçarja që do të drejtojë institucionin më të rëndësishëm të drejtësisë së re, është vajza e drejtueses së ish-Komitetit të Partisë në Pogradec e Tepelenë.

Por sulmet ndaj saj nuk mbarojnë me kaq. Përpara se Hajnaj të zgjidhej nga SPAK-u, Partia Demokratike bëri një denoncim se Aida Hajnaj është nën hetim për shpërdorim detyre dhe se procesi për kreun e BKH-së duhet të fillonte nga e para.

Sipas PD-së, në vitin 2018, nga ana e SHÇBA-së ishin marrë informacione të besueshme dhe konkrete, se Hajnaj ishte e përfshirë në afera korruptive për dhënien e gradave policore, të cilat i jepte në mënyrë arbitrare dhe preferenciale.

Po duke iu referuar opozitës, mbi bazën e këtyre të dhënave, Prokuroria e Rrethit Gjyqësor Tiranë ka regjistruar procedimin penal nr. 9668, viti 2018, për korrupsion dhe shpërdorim detyre, ku Aida Hajnaj dhe disa oficerë të Drejtorisë së Përgjithshme dhe Akademisë së Policisë janë nën hetim.

Por në dokumentin e prokurorisë të cilin gazeta “Fjala” e disponon, thuhet se për rastin është regjistruar procedim penal pa autorë.

Sipas dokumentit, që mban firmën e drejtueses së institucionit të akuzës, shtetësja Aida Hajnaj nuk është regjistruar në asnjë procedim penal, dhe se në kuadër të këtij procedimi ajo nuk ka dhënë apo nuk është thirrur për të dhënë asnjëherë deklarime.

Kush është Aida Hajnaj 

Aida Hajnaj Veizaj, 51 vjeç e ka nisur karrierën e saj rreth tri dekada më parë. Përveç CV-së me një karrierë të gjatë si efektiv policie, Hajnaj u përzgjodh si drejtuese e BKH-së edhe për shkak të formimit të saj si juriste, profil i cili mund të sjellë lehtësira dhe partneritet të ndërsjellë mes dy institucioneve të reja të drejtësisë, SPAK-ut dhe BKH-së.

Drejtoresha e parë e “FBI-së shqiptare”, është lindur dhe rritur në Pogradec. Ajo është diplomuar si juriste në të drejtën civile me rezultate të larta. Karriera e saj nisi si hetuese në hetuesinë e Fierit, detyrë të cilën e ka ushtruar nga viti 1991 deri në vitin 1992.

Ndërsa deri në janar të vitit të mbrapshtë të ‘97 ajo shërbeu si oficere e policisë gjyqësore në komisariatin e Fierit. Gjatë këtyre viteve Hajnaj ka bashkëpunuar me prokurorinë për hetimin e disa ngjarjeve në qarkun e Fierit.

Më tej ish-zv. drejtoresha e Policisë së Shtetit nga viti 1998 deri në 2004 punoi si juriste pranë Këshillit të Ministrave dhe pranë departamentit juridik të Ministrisë së Brendshme. Gjatë kësaj periudhe ajo shërbeu edhe si lektore në Fakultetin e Drejtësisë.

Lexo edhe :  Zgjedhjet e 2025/ Alibeaj: Lista e kandidatëve për deputetë, gati brenda majit

Më pas 51-vjeçarja u ngrit në detyrë, duke drejtuar disa sektorë të rëndësishëm në Policinë e Shtetit. Nga viti 2004 deri në vitin 2013, Hajnaj ka punuar në përpunimin e të dhënave në drejtorinë e mbrojtjes së dëshmitarëve.

Në atë kohë shumë dëshmitarë të drejtësisë, si ata kundër bandës së Aldo Bares dhe kundër Lulzim Berishës, së bashku me të afërmit e tyre, u mbrojtën nga kjo drejtori. Nga viti 2013 deri në vitin 2017, 51-vjeçarja, e cila për 5 vitet e ardhshme do të drejtojë Byronë Kombëtare të Hetimit, u emërua në detyrën e shefes së sektorit të hetimit për pastrimin e parave.

Më pas ajo u bë drejtoreshë e departamentit të kufirit dhe migracionit. Në janar të viti 2019, Aida Hajnaj u emërua zëvendësdrejtoreshë e përgjithshme e Policisë së Shtetit, detyrë të cilën e mbajti deri kur u zgjodh drejtuese e BKH-së.

Për sa i përket fushës akademike, Hajnaj ishte mes hartuesve që përpiluan korpusin ligjor dhe mekanizmat për mbrojtjen e dëshmitarëve të drejtësisë.

Më 30 korrik, pas tetë muaj verifikimesh, Aida Hajnaj u emërua unanimisht nga KLP-ja si drejtuese e Byrosë Kombëtare të Hetimit. Për Hajnajn, anëtarët e KLP-së votuan me 9 vota pro. Ajo u propozua nga SPAK-u, pasi 3 rivalët e saj ishin skualifikuar.

Si u zgjodh Hanaj në krye të BKH-së

E vetmja femër që ishte pjesë e garës për të marrë drejtimin e Byrosë Kombëtare të Hetimit, nga verifikimet e SPAK-ut, doli e pastër në të tria kriteret, dhe për 5 vitet e ardhshme ajo do të jetë njeriu që do të luftojë korrupsionin e niveleve të larta dhe njerëzit më të fuqishëm të botës së krimit.

Dy javë më parë Këshilli i Lartë i Prokurorisë vendosi me unanimitet që Aida Hajna të jetë në krye të BKH-së. Numri dy i Policisë së Shtetit do të drejtojë për 5 vitet e ardhshme Byronë Kombëtare të Hetimit, që është një nga institucionet më të rëndësishme të drejtësisë së re.

Byroja Kombëtare e Hetimit është njësia hetimore e SPAK-ut (Strukturës së Posaçme Antikorrupsion dhe Krimit të Organizuar), një institucion i ri, i pavarur dhe i papolitizuar kushtetues, detyra e të cilit është të ndjekë penalisht korrupsionin, krimin e organizuar dhe krimet e kryera nga zyrtarë të lartë.

Në shumë mënyra BKH-ja është e ngjashme me FBI-në amerikane, e cila heton krime të nivelit të lartë në Shtetet e Bashkuara. Në fakt, hetuesit e BKH-së do të trajnohen në akademinë e FBI-së, në Virxhinia. Ligji mbi SPAK-un, po ashtu, kërkon që një komision ndërkombëtar të mbikëqyrë trajnimin dhe përgatitjet e hetuesve të BKH-së.

Pas 8 muaj verifikimesh SPAK-u dhe KLP-ja zgjodhën zyrtarisht mesditën e së enjtes drejtuesen e institucionit të ri. Nga 40 kandidatë që ishin në fillim në garën për të drejtuar Byronë Kombëtare të Hetimit, vetëm 4 prej tyre arritën të kalonin me sukses fazat e tjera, të cilat kishin të bënin me testet fizike, shëndetësore dhe teste me shkrim për njohuritë në krijimin e raporteve.

Për katër kandidatët finalistë vetë SPAK-u nisi një proces vetingu, duke bërë verifikime në të tria kriteret, atë të pasurisë; figurës dhe të karrierës. Mes kandidatëve Artur Beu, Ervin Hodaj dhe Idajet Fastaj, e pastër në të tria kriteret doli Hajna. Aida Hajna e cila tashmë do të drejtojë BKH-në.

Pikëzimi i përafërt e bëri të vështirë përzgjedhjen mes katër kandidatëve, ku pas gati 7 muajsh “luftë” mes tyre, fituese doli zv.drejtoresha e Policisë së Shtetit. Gara mes katër pretendentëve për të marrë drejtimin e BKH-së, ishte mjaft e fortë, pasi sipas informacioneve që gazeta “Fjala” ka mbledhur, të katër kandidatët gjatë këtij procesi morën pothuajse pikët maksimale në të gjitha testet e kryera gjatë kësaj gare, e cila ka zgjatur gati 7 muaj. Makina e së vërtetës ishte ajo që përcaktoi edhe fituesin mes 4 kandidatëve.

la.mi/Fjala.al

 

Të fundit

Do përjashtojë Kryemadhin nga partia?/ Meta: Kemi vuajtur pasojat e nepotizmit

Kryetari i Partisë së Lirisë, Ilir Meta, deklaroi mbrëmjen e djeshme se do të lufojë nepotizmin në parti, duke...

Ndryshimet klimatike po kontribuojnë në një rritje të goditjeve në tru

Ndryshimi i shpejtë i kushteve të motit, si dhe çekuilibri i temperaturave globale, për shkak të ndryshimeve klimatike, kanë një ndikim të rëndësishëm në...

Pse Berisha nuk u fut në grupin e PD? Kuvendi i përgjigjet Gazment Bardhit

Kërkesa për rikthimin e Sali Berishës në grupin parlamentar të Partisë Demokratike trazoi jo pak ujërat në politikën në fund të javës së shkuar. Gazment...

Zbulohet lëvizja e radhës e socialistëve

Pasditen e së martës, Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Socialiste, Blendi Klosi, do të mbledhë drejtuesit politikë të qarqeve në kuadër të procesit të...

“Gati për të mirëpritur gjithë botën”, Rama për turizmin: Po ngjitemi gjithnjë e më lart

Kryeministri Edi Rama ka vlerësuar se Shqipëria po përmirësohet sa i përket turizmit. Ndërsa krahason rezultatet me vitin 2019, Rama thekson se tashmë vendi po...

Lajme të tjera

Web TV