Pse u përplasën, dy kolosët e letrave Kadare dhe Trebeshina

113 563 lexime

124,178FansaPëlqeje

Studiuesi Behar Gjoka shkruan për një nga përplasjet më të mëdha mes shkrimtarëve, gjeniut Ismail Kadare dhe disidenti Kazem Trebeshina.

Po pse ka ndodhur kjo përplasje, a lidhet ajo me veprën e tyre letrare apo me diçka tjetër. Fakti është se Trebeshina ka qenë pjesë e Shërbimit Sekret Shqiptar edhe pse u dënua.

Ndërsa Kadare ka vlerë morale sepse kurrë nuk u përmend apo të ketë të dhëna që Kadare të ketë spiunuar apo ti ketë bërë keq shokëve të tij.

Behar Gjoka ka publikuar në Facebook-un e tij shkrimin e realizuar nga Dhurata Hamzai më 13 Gusht 2013.

Nga DHURATA HAMZAI13 Gusht 2013 – 08:27 “Përplasja Kadare-Trebeshina
s’ka lidhje me veprat letrare”
Dy shkrimtarë të njohur të letërsisë shqipe, që komunizmi i ndau në rrugë të ndryshme mbijetese, mbajnë përjetësisht një qëndrim armiqësor kundrejt njëri-tjetrit. Ata janë Kasëm Trebeshina, i cili është tërhequr në “kullën e fildishtë”, thënë ndryshe i burgosur në shtëpinë e tij, dhe shkrimtari i madh shqiptar Ismail Kadare.

Nuk shpjegohet ende mëria e tyre tragjike, e cila merr shkas sapo hap gojën njëri, për të dalë kundër tjetrit. Armiq për vdekje me njëri-tjetrin, me një mënyrë të shkruari të ndryshme, ata megjithatë janë pjesë e universit të letërsisë shqipe. Ata do të jenë të ndarë nga njëri-tjetri për biografët dhe historianët, por përfundimisht bashkë në shtëpinë e madhe të letërsisë shqipe.

Studiuesi i letërsisë së dy autorëve Behar Gjoka, përkatësisht me veprat “Trebeshina-ajsbergu i letrave shqipe”, 2005, dhe “Kadareja i Rilexuar”, 2008, flet me rastin e heshtjes së institucioneve shqiptare të kulturës në përvjetorin e 87-të të lindjes së Kasëm Trebeshinës, që e kishte më 8 gusht 2013. Gjoka rrëfen misterin e përplasjeve mes dy figurave të shquara të letërsisë shqipe Trebeshina-Kadare.

Në datën 8 gusht Trebeshina kishte 87-vjetorin e lindjes. Si studiues i veprës së tij, a mud tw na thoni pse hesht Trebeshina. Ku është aktualisht?

-Aktualisht gjatë verës ai shkon në Turqi te djali. Në vjeshtë kthehet në Shqipëri. Me Trebeshinën tashmë është bërë e zakonshme që ai të udhëtojë mes legjendës dhe realitetit, mes pranisë dhe papranisë, mes ekzistencës dhe mosekzistencës, ndërkohë që është shkrimtari me më shumë tituj të dorëshkruar në historinë e letërsisë shqipe. Edhe në këtë ditëlindje u hesht për të. Nëse në Shqipëri do të qasen sërish në heshtje, duke e vijuar me atë filozofinë e lënies në mjerimin e njeriut që i duket sikur i ka mbyllur llogaritë, sipas teksteve të shkruara nga ai nuk rezulton kështu. Në Kosovë pritet të botohet në libër me tekste në prozë dhe me krijimtari letrare, një tekst që verifikon letërsinë e tij dhe do të thosha që ka ardhur momenti që duhet të çlirojnë mendjen që nga akademizmi shqiptar deri te lexuesi shqiptar që Trebeshina është pjesë e letërsisë shqipe. Së pari ai është një krijues që shkruan në gjuhën shqipe. Madje gjatë kësaj periudhe, për shkak të pamundësisë së komunikimit me lexuesin shqiptar, ai po i kthen vetë në anglisht librat e tij duke kërkuar komunikim me një lexues tjetër.

Por edhe institucionet shqiptare të kulturës nuk është se kanë në vëmendje ndaj tij…

-Unë e shoh të pagjasë qëndrimin e institucioneve shqiptare. Së paku i duhej njohur përvoja e dramave të 80 teksteve. Dhe që kjo krijimtari të mos kalojë në antologjinë e letërsisë shqipe dhe në tekstet shkollore është një krim i madh. Trebeshina është një nga autorët që ka lëvruar gjininë e dramës absurde moderne, dhe ngelet një nga mjeshtrit e penës shqipe. Për Trebeshinën, ndërkohë që shumë nga figurat e munguara të letërsisë shqipe janë rikthyer, ka nisur një tentativë, e bërë diku nga vitet 2004, 2005, 2006, e mohimit të Trebeshinës. Dhe që të arrihej me triumf të plotë, u hap menjëherë Kutia e Pandorës për të thënë të bërat e të pabërat e tij. Që nga ajo kohë vijon ende filozofia e leximit biografik e leximit jetëshkrimor të letërsisë se kush është Trebeshina si njeri se çfarë aktiviteti ka pasur. Për mua është dytësore në krahasim me tekstet.

Ju e keni takuar Trebeshinën nga afër, por tek lexuesi shqiptar mbetet në përshtypjen sikur është një nga ata shkrimtarët që kanë shkuar, por që kanë bërë një emër të mirë. Si e shpjegoni këtë ndjesi të përgjithshme në opinion?

-Koha ka bërë që ai në tërësi të jetë në leximin e teksteve, të jetë në atë kullën e fildishtë të krijuesit. Janë të paktë shkrimtarët që të kenë pasur këtë model, ku të ndajnë në tekstin letrar nga fati i Trebeshinës, që prej fatit të mërgimtarit, të burgosurit në kohën e diktaturës dhe të burgosurit në shtëpinë e tij edhe në kohën e demokracisë, sepse nuk ka hyrë në klimën e letërsisë së propaganduar. Të japësh përgjigje se kush është Trebeshina si njeri dhe se kush është si shkrimtar janë dy pjesë, dy momente. Leximi si biografi e letërsisë së tij ose si histori për mua ka qenë vazhdimisht në interes të atyre që duan të krijojnë një hierarki shkrimtarësh, i atyre që do të dalin pretendentë të çmimit Nobel, etj, etj. Tri gjëra për Trebeshinën do të jenë të pandryshueshme, sipas mendimit tim. Fakti që Trebeshina futi në letërsinë shqipe rrymën letrare të surrealizmit, të cilin sipas mendimit tim duke patur edhe një pohim nga studiuesi Robert Elsie ka ardhur si reagim dhe kundërvënie ndaj realizmit socialist. Surrealizmi është ajo shkollë, ai model, ajo rrymë letrare që është përtej realizmit konkret, është ajo shkollë imagjinare që ndërton një realitet më të tmerrshëm se ai që quhet realizëm konkret, dhe kjo shihet në tërë dorëshkrimin e tij. Kjo shihet në romanet në novelat e tij. Në përmasat kohore dhe hapësinore Trebeshina do të jetë guri më i rëndë i lëvrimit të epopesë shqiptare. “Kënga shqiptare”, romani i tij me pesë vëllime me 1554 faqe, të jep përgjigje se çfarë ishte lufta e dytë botërore, lufta vëllavrasëse për pushtet. Unë do të thosha se “Kënga shqiptare” është guri më i rëndë i krijuar në historinë e ekzistencës së epopesë, në kuptimin e linjave, të personazheve, të tablove në kuptimin estetik gjithëpërfshirës. Së dyti, dramatika e tij, teksti i eksperimentuar i tragjedisë, teatri absurd janë dëshmia më e qartë se dramaturgjia shqipe ekziston, dhe ekziston duke i pranëvënë Teki Dervishin, Anton Pashkun, Beqir Mysliun. Megjithatë, për sa kohë që shkolla shqiptare do vijojë leximin biografik, hapësira e komunikimit me Trebeshinën, me Arshi Pipën, me Anton Pashkun, me Martin Camajn do të jetë e vështirë.
Por përfshirja e kësaj letërsie të mohuar në letërsinë shqipe nuk po bëhet as nga studiuesit e saj?

-Unë këtë e them me dëshirën për të kuptuar se çfarë realisht po ndodh me Trebeshinën, që rri i mbyllur në vetmi, i përzënë nga letërsia njësoj si në mentalitetin monist, dhe në këtë kohë të mentalitetit demokratik. Me sa duket, ne jemi po ata në mentalitet. Në raport me letërsinë heshtja është më shumë se hipokrizi, është që të kontrollojmë liqenin e ndotur të letërsisë së realizmit socialist. Çdo pretendim për të lënë jashtë atmosferës së letërsisë Trebeshinën është një përpjekje për të ruajtur sinorët e sundimit të letërsisë së realizmit socialist.

Kjo që thoni pak a shumë është një perspektivë e atyre që kanë interesa politike për të ruajtur këto sinore. Po nëse ne kemi studiues letërsie dhe akademikë, çfarë kontributi duhet të japin ata që Trebeshina të zërë vendin e merituar në letërsinë shqipe?

-Unë po shpreh një ide të Trebeshinës: duhet të largohen spiunët, bashkëpunëtorët nga rrethet akademike. Kam parasysh emra personazhesh që ngaqë kanë dhënë kontribut të burgoset Trebeshina, nuk e di se ç’kontribut mund të japin tani që Trbeshina të rivendoset në letërsi, kur në fakt ata nuk kamë marrë mundimin as ta lexojnë. Problemi i Trebeshinës është provë e ndërgjegjes kombëtare, e ndërgjegjes qytetare, sepse herë pas here mundohen që Trebeshinën ta fusin në kontekstin e një autori që thotë se nuk jam shqiptar, jam turk, por ja që në një vepër ka thënë edhe se jam danez. Çfarë po ndodh me të, në një atdhe që të burgos dhe që tekstet e shkruara ia interpretojnë vetëm për ta goditur. Edhe pse Trebeshina e ka kryer misionin si shkrimtar, institucionet 22-vjeçare duhet të bëjnë përpjekje për t’u çliruar nga ky lloj mentaliteti. Problemi nuk është thjesht te Trebeshina. Kujtoj letërkëmbimin e Arshi Pipës me Martin Camaj, ku Camaj i thoshte atij se letrat shqipe do të marrin një impuls tjetër, kur të pranohen veprat e Arshi Pipës. Mjeshtri ia kthen se në momentin që Martin Camaj do të studiohet dhe do të kuptohet, pikërisht atëherë letërsia shqipe do të ketë një indicie tjetër. Pra, pse duhet të lexojmë botëkuptimin dhe të lëmë jashtë letërsinë e shkrimtarëve. Kjo është tragjike. Ne mund të falim që ka qenë dikush deputet i kuvendit popullor të komunizmit dhe nuk duhet të harrojmë që të gjykojmë qetësisht nevojën që ka letërsia shqipe që të jetë njëherë një e tërë, vijon arsyeja e ndarjeve absurde. Nuk e kuptoj kujt i intereson që letërsia shqipe të mos ketë Trbeshinën, nuk e kuptoj kujt i intereson që letërsia shqipe të mos ketë Arshi Pipën, Martin Camaj, kujt i intereson që letërsia të ketë vetëm Ismail Kadarenë. Unë jam lexues i secilit prej këtyre autorëve, studiues i secilit prej këtyre autorëve, po qielli i letërsisë shqipe nuk ka vetëm një yll, Kadarenw, apo vetëm një diell. Këtë larmi duhet ta pranojmë, studiojmë dhe zbulojmë, Trebeshina vazhdon të jetë një bibliotekë e heshtur që duhet ta zbulojmë.
Ju që jeni studiues i dy autorëve, a mund të na thoni pse lindi konflikti Kadare-Trebeshina?

-Më vjen keq që sa herë nisin këto përplasje ose jepet ndonjë opinion në media, Kadareja jep përgjigje dhe tregon se kush është Trebeshina me novelën “Mekami”. Të bësh këtë shpjegim për tekstin e një novele, do të thotë që te Kadareja ta shpjegosh romanin “Gjenerali” me diskreditimin që i ka bërë figurës së priftit. Problemi është se jemi në dy tekste letrare. Teksti letrar nuk mund të lexohet as si traktat, as si biografi. “Mekamin” e Trebeshinës e kam parë si letërsi dhe e shoh vetëm kështu. Në momentin që ne do të bëjmë studim sipas përvojës së një çasti të caktuar, ose disa çasteve të caktuara të shpjegimit të paragjykimeve që nuk lidhen me letërsisë dhe do vazhdojmë ta lexojmë letërsinë si biografi shkrimtarësh, nuk jemi në rregull me letërsinë.

Ata janë krijues të stileve të ndryshme, të distancuar nga njëri-tjetri edhe në marrëdhëniet mes tyre. Pse lind kjo përplasje kaq intensive?
Ky debat ka prepicituar në një debat joletrar. Ndërsa kur bëhet fjalë për debatin letrar kam lexuar me kënaqësi Trebeshinën dhe Kadarenë. Sa herë Kadareja ka nevojë me dalë në faqe të parë, iu kundërvihet shkrimtarëve me motivacion të pa thelluar në letërsi. Nuk më intereson se çfarë ka bërë Kadareja apo Trebeshina. Ka patur një debat mes gjermanëve për Gëten dhe Shilerin. Por ata e kanë zgjidhur kështu: ne kemi nevojë për të dy. Në rastin tonë, ndodh ndryshe; Trebeshina thotë Kadareja nuk ia vlen, Kadareja thotë Trebeshina nuk ia vlen….

Ja sapo kaloi një përvjetor i heshtur i Trebeshinës dhe papritur ndalemi tek një problem madhor i mënyrës së studimit të letërsisë shqipe?
-Të them të drejtën shumë përvjetorë kanë kaluar pa e përmendur Trebeshinën. Për mua ai vijon të jetë mes ekzistencës dhe legjendës. Në fakt ai është ende gjallë. Jeta e tij ka qenë më dritëhije, fatkeqësisht disa i lexojnë vetëm hijet, disa vetëm dritat, sepse ai në fillesat e tij ka qenë pjesë e detyrave të larta shtetërore, por në atë kohë të gjithë kanë dhënë prova, edhe Kadare sesi do t’i shërbenin sistemit. Agim Vinça thotë se Trebeshina kur ishte në Leningrad dhe studionte për aktor kërkoi që të hiqej nga estetika e artit Marksi, Engelsi, Lenini, Stalini. E përjashtuan nga shkolla dhe grupi i kursit të tij protestoi, derisa atë e kthyen në shkollë dhe detyrohen të heqin nga estetika Marksin, Engelsin, etj.

Është një histori e përsëritur gjykimi që i bënë Kadareja “Mekamit”. Si e shpjegoni?
-Kadareja me “Mekamin” është kapur me kohë. “Mekami” nuk ka të bëjë me traktatin fetar apo shkencor, as me besimin. Ai është moment fiction, është e tëra imagjinatë, letërsi. Dhe në këtë kuptim dëshpërohem nga leximi që i bëhet letërsisë me syze joletrare. Nëse neve do t’ia bënim edhe Kadaresë këtë, më thoni si do ta lexojmë te “Dimri” figurën e Enverit. Le ta pyesim Kadarenë si do të donte ta lexonim tjetër…

la.mi/Fjala.al

Lexo edhe :  Të mërkurën del dielli pranveror! Temperaturat do shkojnë deri në 25 gradë celcius

Të fundit

Rriten temperaturat në vend, në fundjavë rikthehen grimcat e pluhurit nga Saharaja

Gjatë ditëve të ardhshme vendi ynë do të jetë nën mbizotërimin e masave ajrore të ngrohta që vijnë nga...

Marrëveshja Shqipëri-Itali për emigrantët/ Nisin punimet në Lezhë për ndërtimin e kampit

Marrëveshja Shqiptari-Itali e nënshkruar nga kryeministri Edi Rama dhe homologia Giorgia Meloni, burime bëjnë me dije se kanë nisur punimet e para të ndërtimit...

Merret VENDIMI / Ja kush është kryetarja e re e Bashkisë Himarë

Pas tensioneve të larta dhe debateve, mbledhja e Këshillit Bashkiak të Himarës dhe pasi u shty për në orën 12:00, zgjodhi me 16 vota...

Si ta kuptosh nëse je i/e mirë në shtrat?

Si fillim, ekspertët theksojnë se trajtimi i seksit si një akt ku ka rëndësi performanca mbi gjithçka është shumë e gabuar sepse largon vëmendjen...

Analiza: Ja si mund të ndihmojë Shqipëria Ukrainën në përballimin e sulmeve ruse

Në muajin shkurt presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky i kërkoi Ballkanit Perëndimor të prodhojnë bashkërisht armatime. A mund të ndihmojë rajoni dhe a janë në...

Lajme të tjera

Web TV