Më mirë Saliu se Salianji

113 563 lexime

124,178FansaPëlqeje

Nga Lorenc Vangjeli

Është debati tipik i një panairi të vogël kotësish. Verë, vapë e det, por edhe pandemi, pasiguri e panik. Mes ketyre dy trekëndëshave barabrinjës që i mbivendosen njëri-tjetrit, shkëlqen në marrëzinë e tij kulmi i shqetësimit opozitar: do të kandidojë PD-ja Sali Berishën si deputet?! Mjafton ky detaj për të kuptuar sesa falso është edhe skena politike dhe mëtonjësit opozitarë për pushtet, edhe protagonistët e saj të larguar nga pushteti. Dhe këtu nuk bëhet fjalë për Rulin, inteligjenca vetjake e të cilit është kusht i mjaftueshëm për ta lejuar të tallet me dynjanë edhe kur flet për gjëra serioze. Çerek shekulli mbasi ai i pohonte Berishës në distancë se nuk ishte dele që ta linte kokën në sini argjendi, ai ka luksin të provojë revanshin estetik ndaj Saliut. Një revansh që nuk e humb kurrë shijen.

Nuk është fjala as për Besnik Mustafain, të cilin letërsia e lejon t’i shohë njerëzit realë si personazhe libri dhe të vlerësojë se fatet e tyre kanë më pak rëndësi sesa ai i jep një personazhi libri. Në një roman shkrimtari është vetë Zoti, që nëse e gjykon, mund të provokojë me gjyq edhe vetë Zotin. Të dy ata, në mënyra të ndryshme nxitën këtë debat duke u bërë padashur shkas për të parë se cilët do të zhyteshin në lumë për të nxjerrë mbi ujë Berishën: ca nga besnikëria për të mos e lënë të mbytet, dhe ca nga dëshira për të mos e parë Saliun si gur në këmbët e PD-së.

Vetë Doktori nuk është në gjëndjen që të tjerët kanë mundësi ta mbysin në dy gisht ujë dhe aq më pak, nuk është në pozitën që të shohë nëse të tjerët janë në gjendje për ta nxjerrë mbi ujë. Debati është thjesht keqkuptim sa kohë që brohoritësit dhe urrejtësit e zotit Berisha besojnë se prania apo mungesa e tij në Kuvend nga lista e PD-së, e mban ose e nxjerr atë nga politika; i jep ende pushtet apo e zhvesh nga pushteti; e lejon të ndikojë apo i shmang ndikimin nga partia e tij. Pushteti ndikohet nga forma e karriges zyrtare, por nuk është vetë karrigia.

Ndikohet nga hierarkia zyrtare, por nuk vendos hierarki reale. Në 30 vjet në këtë vend kanë pozuar pushtet shumë njerëz që kanë pretenduar pushtet për hir të karriges. Shumica dërmuese janë harruar. Të përkohshëm, të papërshtatshëm dhe të paditur, ata janë vërtetimi i aksiomës që pushteti është moral dhe vetjak. Ai është tërësisht i përkohshëm, tretet e humb kur imponohet nga rrethanat, fiks sapo ndryshojnë rrethanat. Sali Berisha si fenomen, është e kundërta e tyre.

Pavarësisht si erdhi në politikë, me porosi si i dërguar i komunistëve, si rastësi situatash të krijuara nga vullneti i Ramiz Alisë apo si trill i fatit që shërben vetëm të fortët dhe fatlumët, ai nuk mund të dalë nga politika sot me vendim nga komisioni i Lulzim Bashës. Për arsyen e thjeshtë se ai nuk është nëpunës politik siç janë pothuaj në tërësi të gjitha prurjet në politikë të dekadës së fundit. Nuk është as produkt i produktit të tij Basha, i cili tre vjet më parë, kur pandehu se deti ishte kosi që priste vetëm lugën e tij, u soll si David Koperfildi. Por ndryshe nga magjistari i famshëm, ai nxorri nga mënga e tij një buqetë njerëzore, një tërësi grash e burrash totalisht të papërshtatshëm për atë punë.

Lexo edhe :  Me kë e ka betejën Berisha?

Lista e tij që e dogji vjet në shkurt dhe cfarë ka mbijetuar më pas nga katet e poshtme të saj sot në kuvend, njëlloj si shumica dërmuese e listës së Ramës në të majtë, dëshmojnë të njëjtën gjë: nëpunës të emëruar në politikë dhe që me politikën i lidh vetëm borderoja e Kuvendit. Politika është zanat. Politikani nuk është rrjedhojë dekreti apo liste. Sali Berisha është i tillë dhe do të jetë i tillë, pavarësisht se cfarë vendos nesër Basha në listë. I mirë apo i keq, i dobishëm apo jo, kjo është çështje tjetër. Nesër, përkundër çfarë thonë ata që kërkojnë ta çlirojnë Bashën nga Berisha si alibi për gabimet e tij, Doktori do të ketë po të njëjtin pushtet fjale me apo pa mandat deputeti.

Basha nuk fiton asnjë gram më shumë pushtet apo epërsi në zonën e tij me mungesën e Doktorit. Ai nuk rritet nëse i shkurtojnë këmbët Doktorit. Ndryshe nga sa i pëshpërisin në vesh, Doktori është aset i çmuar i tij. Edhe kur i shërben si magazinë për të mbyllur me kyç zgjedhjet e tij të gabuara. Eshtë krejt tjetër hesap të flitet dhe të gjykohet për peshë, vlerë, traditë, risi apo makiazh. Për momentin mund të thuhet vetëm se boshllëku që ka lënë në të djathtë Berisha është aq i madh sa edhe boshi që solli Basha nuk po e mbush dot. Ky debat që po shkumëzon opozitën që pret të dëgjojë se çfarë do të thotë Doktori dhe që po argëton pozitën duke hedhur spica mes Doktorit dhe Bashës, nuk ka asnjë vlerë sa kohë që edhe vetë Rama tashmë është i bindur se ja vlen më shume Saliu se Salianji si kundërshtar përballë. Sepse nëse i pari ishte dramatik edhe kur vriste, edhe kur i nënshtrohej korrupsionit, edhe kur e vë përfund marrëzia e denoncuesit të tij dixhital, i dyti si simbol dhe jo si individ, është komik edhe kur flet seriozisht për drama. PD sot është shumë ndryshe nga 2005-a kur përgatitej të vinte në pushtet përballë një Nanoje arrogant si adoleshent nën furi hormonesh.

Ajo nuk ka as ide të reja dhe as portret të ndryshëm. Nuk ka frymë, por frymon uri për pushtet. Nuk pohon, por vetëm mohon. Nuk gjykon, por vetëm ekzagjeron. Shan, por nuk sheh. Nuk arrin të japë sinjale rinije edhe pse lideri i saj garanton se edhe në pleqëri të thellë nuk do të thinjet. Eshtë e papërgatitur për të marrë vota “dashurie” për Lul Bashën, por shpreson vetëm tek vota e urrejtjes për Ed Ramën. PD është sot një grua në mesomoshë dhe menopauzë, që jeta e shkumëzuar, shtretërit e gabuar me klientët e gabuar, cigaret, alkooli dhe abuzime të tjera me trupin dhe drama njerëzore me shpirtin, i kanë trashur zërin, rrudhur fytyrën e rrëzuar vithet. E dëgjojnë të gjithë kur flet. Prania e saj është mjaft e dukshme në këtë kohë vere, vape e virusi. Të gjithë ja dinë adresën ku ndodhet, por askush nuk i troket në derë.

Të fundit

Kriteret e pranimit në Mjekësi, në vitin e ri akademik

Universiteti i mjekësisë shpall kriteret e pranimit për maturantët që duan të nisin studimet për mjekësi në tetor. Zhurma e...

A do mbetemi pa çokollatë?/ Çmimi i kakaos arrin vlerën më të lartë në histori

Çmimi i kakaos është rritur me shpejtësi gjatë muajve të fundit. Një ton kakao të martën arriti vlerën e mbi 10.000 dollarë në treg,...

Binjaku i tij martohet sot, çfarë po përgatit Donaldi për Romeon? (FOTO)

Sot në darkë në shtëpinë më të famshme në Shqipëri, “Big Brother VIP3”, do të ketë dasmë. Vëllai i Madh u ka kërkuar banorëve...

Tensionet në Himarë/ Rama: Zgjedhja e Blerina Balajt, zhvillim pozitiv

Kryeministri Edi Rama ka reaguar për zgjdhjen e Blerian Balajt për drejtimin e Bashkisë Himarë. Në një postim në rrjetet sociale, Rama nënvizon se zgjedhja...

Mënyra për të përfituar pension për të moshuarit që nuk figurojnë në regjistra

Indeksimi i pensioneve këtë vit pritet që të bëhet në muajin tetor. Në tetor pensionistët do të marrin ca para më tepër në pagesën...

Lajme të tjera

Web TV