Kriza/ Tragjedi shqiptare në kufirin grek, testi i COVID-19 bllokon mijëra emigrantë

113 563 lexime

124,178FansaPëlqeje

Prej pesë ditësh vijon kriza e emigrantëve shqiptarë të bllokuar në kufirin grek, për shkak të pandemisë. Pavarësisht përpjekjeve diplomatike dhe një lëshimi 24 orësh, pala greke nga sot nis masat e reja. Asnjë qytetar nuk e kalon kufirin pa testin negativ të COVID-19. Politika shqiptare përplasje deklaratash për përgjegjësinë e situatës.

Nga Blerina Gjoka

“Atje na thonë shqiptarë, këtej na thonë grekë”. Kjo shprehje indinjate e një gruaje shqiptare që ishte nisur në këmbë për të kaluar kufirin, pas pritjes së gjatë në radhën kilometrike pranë kufirit me Greqinë, është bërë tashmë simbol i gjendjes së mijëra shqiptarëve që po kërkojnë të kthehen në shtëpitë e tyre në Greqi, ku kanë emigruar prej vitesh. Të ardhur për pushime në atdhe, ose për të rinovuar dokumentet e identitetit, ata janë bllokuar në kufi prej pesë ditësh, pasi nxituan të kthehen të gjithë njëkohësisht, për shkak të rregullave të reja që nxori qeveria greke.

Kriza tashmë është kthyer në dramë. Dy ditë më parë një fëmijë 10 vjeç humbi jetën, duke pritur në radhë, pasi një aumbulancë e përplasi në rrugë. Një tjetër fëmijë që shtrëngon fort pasaportën shqiptare, por që thotë në greqishte duke qarë: dua të kthehem në shtëpi… Shteti shqiptar dhe ai grek nuk kanë arritur të gjejnë një zgjidhje të shpejtë, pavarësisht komunikimeve të vazhdueshme. Një lëshim nga pala greke u bë dje deri në orën 22:00, në mbrëmje, ku u lejuan të kalojnë qytetarët në radhë pa testin Covid, ndërsa u tejkalua dhe kuota ditore e vendosur prej 750 personash në ditë.

Kriza vijon

Duke nisur nga sot të gjithë qytetarët që kthehen në shtetin grek duhet t’i nënshtrohen testimit për COVID-19 në kufi dhe karantinës së detyruar. Por tentativa për t’i shpëtuar këtij rregulli që hyn në fuqi sot ka rezultuar dramatike për mijëra qytetarë, mes tyre gra, fëmijë e pleq, që po detyrohen të qëndrojnë nëpër makinat e tyre në mes të temperaturave të larta, pa kushtet minimale higjienike dhe pa ushqime e ujë.

Në mesin e atyre që presin të kthehen në Greqi janë shtetas shqiptarë me leje qëndrimi në Greqi që po kthehen për t’i shpëtuar rregullit që i detyron të karantinohen një javë. Pothuajse një e katërta janë shtetas grekë, shqiptarë që kanë fituar nënshtetësinë greke apo edhe minoritarë.

Kriza e një radhe është kthyer tashmë në një krizë humanitare, dhe në një konflikt politik, pasi opozita dhe presidenti Meta po akuzojnë qeverinë se i ka lënë qytetarët në mëshirë të fatit dhe po i trajton pa dinjitet. “Kontaktet me Greqinë të jenë konstante dhe vetëm në funksion të një zgjidhjeje të menjëhershme. Aktet e forcës janë të papranueshme!”, shkruan Meta. Kreu i shtetit shqiptar u ka bërë kërkesë edhe autoriteteve greke që të bëjnë të pamundurën për zgjidhjen e situatës, imazhet e së cilës turpërojnë të dyja vendet. E hëna do të sjellë një tjetër ndryshim për qytetarët që duan të kalojnë në Greqi. Ata duhet të kenë testin Covid negativ, por qyetarët thonë se nuk do të lëvizin nga aty dhe nëse do të duhet testi, shteti t’ua sigurojë në kufi.

Radhë edhe në Kapshticë

Kriza e radhëve të gjata zhvendoset edhe në doganën tjetër Shqipëri-Greqi, në Kapshticë. Drejtoria Vendore e Kufirit dhe Migracionit Korçë njoftoi se nga Pika e Kalimit Kufitar Kapshticë drejt Republikës së Greqisë lejohen të kalojnë vetëm 300 shtetas dhe kjo kuotë u plotësua mëngjesin e sotëm, por edhe këtu ka rinisur sërish puna. Qytetarët janë dyndur drejt sporteleve për të vazhduar me procedurat. Mjetet po lëvizin në 3 korsi. “Kam 3 ditë. Ishim në Kakavijë, u kthyem se na thanë është hapur Kapshtica, erdhëm na bllokuan prapë, këtu do të rri, çfarë të bëj. Nuk ka mundësi që për një orë të kenë kaluar 300 vetë. Kam që në orën 7:00 dhe s’po kaloj dot. Do të pres, nesër kam avionin për Gjermani.”- tha një qytetar që priste në radhë.

Njoftimi që dy pikat doganore do të mbyllen, për shkak të plotësimit të planit ditor, shkaktoi panik dhe acarim të qytetarëve shqiptarë të cilët u përplasën edhe me uniformat blu në pikën doganore të Kakavijës. Të dyja pikat doganore po vijojnë me kalimin e qytetarëve shqiptarë në drejtim të Greqisë. Radhët vijojnë të jenë kilometrike, ndërsa në ndihmë të qytetarëve ka shkuar edhe Drejtoria e Përgjithshme e Transportit Rrugor dhe Task-Forca e Transportit Rrugor që po ndjekin nga afër situatën në Kakavijë, duke asistuar qytetarët me ushqime dhe pije, për të përballuar këtë situatë jo të lehtë.

Kronologji e 24 orëve të fundit

07:00 Mijëra qytetarë të bllokuar

Mëngjesi i ditës së tretë të krizës së emigrantëve shqiptarë në kufirin me Greqinë ka gjetur mijëra të bllokuar në rrugë, duke pritur të kalojnë kufirin. Radha kilometrike po konsiderohet tashmë një krizë humanitare, pasi mijëra qytetarë, gra fëmijë e pleq, gjenden në mes të rrugës pa ushqim, pa ujë dhe pa kushtet bazë të jetesës.

Lexo edhe :  Alkooli e bëri të prekte dy herë fundin, Shpëtimi: Mendoja se do më bënte të fortë

10:00 Zhbllokohet për disa orë kufiri

Shqipëria dhe Greqia kanë arritur një marrëveshje për t’i lënë qytetarët në radhë të kalojnë gjatë ditës deri në orën 22:00, pa u këkruar testin negativ për COVID-19. Prej ditës së sotme do të vijohet me masat që kanë njoftuar autoritetet shëndetësore greke. Qytetarët që u lejohet të ikin në Greqi, duhet të kenë me vete domosdoshmërisht testin negativ të COVID-19 jo më të vjetër se 72 orë, vërtetimin e përkthyer në anglishte, si dhe formularin e plotësuar në adresën e autoriteteve greke.

12:00 Ministria njofton kufizimet

Ministrja Xhaçka konfirmon se veç Kakavijës edhe Kapshtica do të qëndrojë e hapur deri në orën 22:00 të ditës së djeshme. “Kakavija dhe Kapshtica do të qëndrojnë hapur deri në orën 22:00. Risjellim në vëmendje që nesër nis kufizimi i ri nga pala greke, duke vendosur kuota dhe kërkesa për formular dhe test negativ. Qytetarët të mos paraqiten nesër në Kakavijë e Kapshticë pa formularin dhe testin negativ”, ka thënë ministrja Xhaçka.

12:30 Pala greke rinis punën

Rreth mesditës është arritur kuota prej 750 personash që pala greke lejon për të kaluar kufirin, por pas urdhrit të dhënë nga pala greke ka rinisur sërish puna në doganën e Kakavijës. Qeveria greke njoftoi më herët se do të punohet deri në orën 23:00 të ditës së djeshme e, nëse nuk përfundohen procedurat, puna mund të zgjasë gjatë gjithë natës. Qytetarët që presin në radhë në Kakavijë kanë debatuar me efektivët e policisë dhe nuk pranojnë të lëvizin prej aty, edhe pas plotësimit të kuotave.

13:00 Reagon presidenti

Presidenti Ilir Meta, duke reaguar mbi situatën në Kakavijë, thotë se shqiptarët atje nuk mund të trajtohen si njerëz pa atdhe dhe pa shtet. Sipas Metës, qytetarët shqiptarë s’mund të trajtohen pa atdhe apo pa shtet, si dhe i konsideron si të papranueshme aktet e forcës. Më tej, presidenti i bën thirrje qeverisë për të qëndruar pranë qytetarëve dhe për të marrë të gjitha masat për informimin me transparencë, realizimin falas dhe në vendin ku ndodhen të tamponëve për COVID-19.

13:30 PD-ja propozon testim në kufi

Ish-ministri i Shëndetësisë në qeverinë e PD-së, Tritan Shehu, ka dhënë një propozim për zgjidhjen e krizës së emigrantëve në dy pikat kufitare të Kakavijës e Kapshticës. Tritan Shehu kërkon nga qeveria të aktivizojë të gjitha kapacitetet e mundshme laboratorike dhe të kryejë testime direkte 24-orëshe PCR në pikat kufitare. Shehu thekson se ky duhet të jetë propozimi i parë i palës shqiptare kundrejt asaj greke. Ndërkohë në radhë të dytë duhet edhe në shkallë kombëtare të paktën 2500 teste ditore, por edhe mijëra teste serologjike.

14:30 Reagon kryeministri

Kryeministri Edi Rama ka reaguar për krizën me emigrantët në kufi, duke theksuar se askush s’mund të jetë i lumtur në këtë situatë, por as koha që po jetojmë me COVID-19 nuk është normale. Rama thotë se ndërkohë që Shqipëria nuk beson në efektin e testimeve në kufi, si shumë vende të tjera, Greqia beson, por kjo nuk është arsye për të urryer fqinjin. Kryeministri thotë se kur është puna për të ngritur zërin në emër të Shqipërisë, nuk ia përton askujt asnjëherë, por ky nuk është rasti dhe arsyeja për ‘t’i rënë grekut’.

16:50 Xhaçka i përgjigjet Metës

Ministrja e Mbrojtjes, Olta Xhaçka, ka reaguar pas deklaratës së presidentit Ilir Meta, duke shprehur keqardhje për prononcimet e presidentit. Sipas ministres, “këta qytetarë nuk janë as pa atdhe e as pa shtet dhe prova për këtë janë të gjithë ata djem e vajza, burra e gra me uniformën e ushtrisë, të policisë apo të shëndetësisë, që janë pranë tyre ditë e natë, në këtë situatë vërtet shumë të vështirë. Pa llogaritur këtu strukturat e pushtetit vendor që nuk reshtin së ndihmuari nga ora e parë e radhës së gjatë. Është vërtet për të ardhur keq që në vend të një inkurajimi, e pse jo të një shprehjeje mirënjohjeje për punën që po bëjnë në kushte kaq të vështira, ju gjeni fjalët më të papërshtatshme për një kryetar shteti”.

22:00 Skadon marrëveshja

Më shumë se 1 mijë qytetarë e kanë kaluar kufirin grek deri në orën 22:00 në mbrëmje dje, sipas marrëveshjes së re mes dy vendeve. Prej orës 6 të mëngjesit kanë kaluar nëpërmjet pikës kufitare të Kakavijës më shumë se 1 mijë shqiptarë. Pala greke nuk ka kërkuar teste negative nga Covid deri dje në mbrëmje. Nga sot hyjnë në fuqi rregulla të reja, ku kërkohet testi negativ dhe karantinë në shtetin grek.

/En.Br./Fjala.al

Të fundit

“U largova nga futbolli pasi nuk e njihja më”,Klose: Të rinjtë e kanë mendjen tek makinat

Miroslav Klose është një nga ata që ka shkruar historinë me fanellën e kombëtares së Gjermanisë, por edhe Bayern...

Shtatzënia përshpejton plakjen, por ja çfarë ndhodh pas lindjes

Ndryshimet e thella fizike, hormonale dhe kimike që lidhen me shtatzëninë mund të bëjnë që ora e plakjes të kthehet më shpejt, duke i dhënë moshës biologjike të...

“Eglën e njoh shumë mirë…”/Hygerta Sako zbulon detaje për banoren jashtë shtëpisë së BBV

ot e ftuar në emisionin “Big Brother Radio” ka qenë gazetarja Hygerta Sako, për të bërë një analizë të lojës së banorëve dhe për...

Aktiviteti elektoral i presidentit Biden me ish-presidentët Obama e Clinton,shënon rekord

Shuma e dhurimeve është një demonstrim i mbështetjes së demokratëve për presidentin Biden në një periudhë kur anketimet vazhdojnë të tregojnë nivele të ulëta...

Ngacmimet nga interneti/ Tirana në vend të parë për numrin e denoncimeve

Bullizimi dhe dhuna përmes rrjeteve sociale po përhapet edhe në qytete të vogla. Kuçova, është qyteti i dytë pas Tiranës që ka raportimet më...

Lajme të tjera

Web TV