Pjesa e parë e përballjes Dinamo Tbilis – Tirana ka përfunduar golin e Tiranës në minutën e 3-të shtesë. Për Tiranën ka shënuar Agustin Torassa.
Çerekora e parë e ndeshjes së luajtur në Stadiumin “Boris Paiçadze” të kryeqytetit gjeorgjian dhe të sjellë për sportdashësit drejtpërdrejt dhe ekskluzivisht nga Rrjeti i Radio-Televizionit Shqiptar në kanalin RTSH Sport, ka qenë kryesisht e barazpeshuar, dhe ka patur vetëm dy momente për t’u përmendur.
Ishin dy gabime portierit Ilion Lika, i pari që për fat nuk u shfrytëzua dot nga sulmi i vendasve, dhe i dyti, që për fat u neutralizua nga dhënia e një pozicioni jashtëloje në dëm të Dinamos.
Midis këtyre dy rasteve, për t’u përmendur është vetëm një goditje e lirë e Kobinasë, që kontrollohet pa problem nga gardiani i portës gjeorgjiane. Loja më pas do të bjerë në kllapi, me të dyja skuadrat pa ide për të ndërtuar aksione sulmuese dhe më tepër të përqendruara në shkatërrimin e lojës së njëra-tjetrës.
Megjithatë, vendasit janë më kërkues dhe shtatlarti togolez, Amusu, rrezikon seriozisht me një goditje brenda zone, por nuk e gjen dot katërkëndorin e Likës në minutën e 34-t. Përkundër rrjedhës së lojës, është Tirana që ka një rast të mirë për shënim 6 minuta para fundit të pjesës së parë, por, nga goditja e lirë, të ekzekutuar nga Batha, topi përfundon jashtë, ngjitur me shtyllë e djathtë pingule të portës gjeorgjiane.
Atëherë kur po mendohej se 45 minutat e para dhe ato shtesë po mbylleshin me shifrat 0-0, Tirana ka gjetur golin në sekondat e fundit, kur këmbëngulja e Torrasës shpërblehet dhe argjentinasi ia ka dalë, në mënyrë rokamboleske, ta çojë topin në rrjetë.
Me këtë epërsi minimale të ekipit shqiptar do të mbyllet pjesa e parë në Tbilisi.
Ja si ishte ecuria e ndeshjes:
40′ Drithërima në portën e gjeorgjianëve. Batha provon me një gjuajtje spektakolare nga goditja e dënimit. Topi shkon ngjitur me shtyllën.
38′ Kapiteni i Dinamo Tbilis, Papava, ndëshkohet me karton të verdhë për ndërhyrje të gabuar ndaj Kale. Goditje dënimi në pozicion të favorshëm për ekipin shqiptar.
35′ Pranë golit Dinamo e Tbilisit. Pas një harkimi nga këndi, mbrojtësi kongolez, Amousu, gjuan bukur me kokë, por topi shkon ngjitur me shtyllën e portës së Likës.
27′ Vazhdojnë sulmet e vazhdueshme të gjeorgjianëve në zonën e skuadrës shqiptare, por mungojnë goditjet drejt kuadratit. Të vendosur mirë mbrojtësit bardheblu.
23′ Lokozhvili ndëshkohet me karton të verdhë për faull ndaj Torasës.
16′ Dinamo Tbilis fiton goditjen e parë nga këndi, por kalon pa rrezik në portën e Likës.
13′ Tjetër moment i sikletshëm në zonën e Tiranës, pas një harkimi nga goditja e dënimit, por asistenti sinjalizon pozicion jashtë loje, duke qetësur kështu bardheblutë.
10′ Aksion mjaft i mirë për Tiranën, Kale pason për Kobina, por ky i fundit godet keq, duke e dërguar topin jashtë kuadratit.
8′ Goditje dënimi për Tiranën nga krahu i djathtë, Kobina provon me një goditje të befasishme në portë, por kontrollon gjithçka portieri gjeorgjian.
5′ Minuta të mira për vendasit, që kanë kontrollin e lojës, duke ushtruar presion të vazhdueshëm në zonën e Tiranës.
3′ Shpëton për mrekulli porta e Tiranës, pas një gabimi të Ilion Likës brenda zonës. Gardiani bardheblu për pak sa nuk iu dhuron një gol gjeorgjianëve.
La.Mi/Fjala.al