Shqipëria po plaket

113 563 lexime

124,178FansaPëlqeje

Nga Leonard Veizi

Nëse janë informuar në kohë reale, tanimë armiqtë tanë shekullorë po fërkojnë barkun. Nuk do t’u duhet të shpenzojnë para për të stërvitur trupa të rregullta që do t’i lëshojnë tej kufirit për një luftë frontale pushtuese. Edhe nëse ndodh vërtet, nga pala shqiptare thirrjes “nën armë” do t’i përgjigjen burra në moshë të cilët ca si zor ta mbajnë pushkën krahut dhe ta kenë “syrin pishë” sa të të lënë top në vend që me goditjen e parë. Le të mendosh se mosha e tretë do të luftojë me tanke, obus 150 milimetra dhe raketa tokë-ajër.

Shqipëria po plaket.

Lajmin e gjen në gjithfarë portalesh e faqe gazetash nga shtypi i përditshëm, ku i referohen një raporti të përgatitur nga Shoqata “Together for Life” me mbështetjen e Westminster Foundation for Democracy, e cila ka në qendër të vëzhgimit normat e ulëta të lindshmërisë dhe tkurrjen e popullsisë së Shqipërisë. Sipas statistikave zyrtare, mosha mesatare në vitin 2020 është 37,2 vjeç, por pas 10 vjetësh parashikohet të rritet në 42,1 vjeç.

Shqipëria po plaket.

Alarmi ka rënë në vesh të shurdhët. Askush nuk guxon të japë udhëzime për t’i kthyer gratë në fabrika të prodhimit të fëmijëve, ku çdo çift të këtë të paktën tre kalamaj e të mendojë për të ardhmen e prosperitetin e vendit.

Këtë e bëri një herë e një kohë Byroja Politike, por me orientim, jo me një vendim të vulosur në të njomë e në të thatë. Gjithsesi, për gratë që i tejkalonin parashikimet dhe rreshtonin në tavolinën e bukës më shumë se 7 fëmijë, kishte bonuse. Qeveria komuniste të jepte një lopë, që ta milje për qumësht e dhallë, dhe një teneqe në formë medaljeje ku shkruhej motivacioni: “Nënë heroinë”.

Në vitet ‘80 shoku Enver pretendonte se po e bënte Shqipërinë “lule”. Kishim dalë nga Lufta e Dytë Botërore nja 800 a 900 mijë shqiptarë, kush e dinte me saktësi, dhe kur u kap njëmilionëshi aty nga viti ‘45, kaloi pa shumë bujë e festime, sepse nuk e mori vesh njeri. Por që Shqipëria në vitin 1968 u bë me 2 milionë banorë, kjo u njoftua me saktësi. Lindja ishte bërë në maternitetin e Bulqizës dhe fëmija ishte një vajzë. Lajmi iu përcoll me shpejtësi Enver Hoxhës, i cili me cilësinë e komandantit të përgjithshëm vendosi ta pagëzonte qytetaren e 2-miliontë me emrin Drita. Sapo kishte përfunduar elektrifikimi i vendit dhe nëpër tavolinat e haresë thuhej se ky ishte emri më i përshtatshëm për një rast të tillë. Komandanti nuk kishte gabuar.

Tetëmbëdhjetë vite më pas statistikat shënuan një rekord të ri që tronditën zyrat e Komitetit Qendror. Në 27 shkurt të vitit 1986, në maternitetin e Memaliajt lindi banori i 3-miliontë i Shqipërisë. Ishte një djalë. Po bëheshim fuqi e madhe. Mosha mesatare ishte 27 vjeç. Kulmi i energjisë. E paparë në tërë Evropën. Këtë herë emri i pagëzimit i takoi shokut Ramiz, si Sekretar i Parë i Komitetit Qendror, meqenëse komandanti legjendar na kishte “lënë triskat” një vit më parë. Dhe ai e gjeti. Djali u quajt Gëzim. Në ato vite, Shqipëria kishte 65 mijë ushtarë të gatshëm dhe mund të thërriste nën armë për 72 orë rreth 800 mijë burra e gra. Sa për armatim, fishekë, tritol e mina s’kishte shtet që na e kalonte. Syri nuk na e bënte tërr nga armiqtë.

Në vitin 1989 regjistrimi zyrtar njoftonte se numëroheshin 3182400 njerëz brenda kufirit shtetëror. Dhe kështu siç e kishim nisur i 4 milionti do të na vinte shumë shpejt në derë. Largësia prej 18 vitesh që na kish munduar nga dyshi tek treshi duhej shkurtuar.

Shqipëria ishte në zenitin e pjellorisë.

Por në vitin 1990 kufijnë u hapën. Ca nga mali e ca nga deti shqiptarët u lëshuan nëpër Evropë si vaji në lakra. Pak vite më vonë, në një mungesë të plotë informacioni, thuhej vetëm një gjë: Shqipëria po hynte në ujë. Shqiptarët po e braktisnin me shpejtësi vendin e tyre. Toka kishte mbetur djerrë dhe ushtria nga 22 divizione kishte përfunduar me nja tre a katër brigada që nuk e plotësonin dot as organikën.

Në vitin 2011, pas censusit zyrtar, pa asnjë lloj entuziasmi këtë herë, u tha përmes televizorit se në Shqipërinë e tranzicionit kishin mbetur 2831741 veta. Kishin kaluar 22 vite nga shifra e 3 milionshit, dhe sipas rritjes së pretenduar demografike viti 2011 duhet të na gjente me të paktën 4,5 milionë shqiptarë gjithsej. Realisht ata ishin, veç nuk dihej se ku jetonin. Shumica në Greqi e Itali, por ata më finokët kishin kapur ekstremet e globit, o në Zelandën e Re, o andej nga Kepi i Shpresës së Mirë. Ku s’i gjen shqiptarët e shkretë që punojnë e derdhin djersën për investitorët e huaj. Por dhe për Shqipërinë kujtohen. Remitancat na mbajnë.

Lexo edhe :  Rama-Berisha bashkë për ligjet e cilësuara

Sot kemi vënë kujën. Shqipëria po plaket.

Veç emigrimit të familjeve të reja faktor tjetër i uljes së popullsisë janë dhe normat e ulëta të lindshmërisë së popullatës në vend. Studiuesit thonë se rënia e lindjeve është një pasojë shumë e rëndë sociale dhe ekonomike për të ardhmen.

Sot në Shqipëri nuk ka mjaftueshëm forca prodhuese. Në Shqipëri moshat e treta do të rrezikojnë pensionet nëse vazhdohet me këtë ritëm, sepse në arkën e Sigurimeve Shoqërore nuk hidhen aq para sa të sigurohet vazhdimësia.

Procesi i plakjes, pohojnë studiuesit, shoqërohet me rritjen e shpejtë të koeficientit të varësisë së të moshuarve. Nga rreth 20,5 të moshuar për 100 persona në moshë pune në vitin 2019, në rreth 35 të moshuar për çdo 100 persona në moshë pune në vazhdim.

Shqipëria po plaket. Nuk po e mbajnë më gjunjët. Statistikat duken të frikshme.

Të paktën specialistët na thonë të vërtetën. Nuk na ngopin me lugën bosh. Shqipëria po boshatiset. Kot flasin konspiracionistët se “Klubi i Romës” po merr masa për uljen e numrit të popullsisë në botë. Shqipëria aha, s’ngre kandar hiç. Veç nëse flitet për kalkulime andej nga Kina dhe India. Se Shqipëria me këtë numër popullsie nuk ka nevojë për “operacione” speciale. Këtu vetëm nëse shtohet numri i popullsisë në mënyrë artificiale, si në rastin e ligjit që u jep të drejtë të huajve, të vijnë e të na rrasen këtu në shtëpinë tonë, e të jetojmë së bashku të lumtur në jetë të jetëve.

Duke vazhduar me shpjegimet e tyre specialistët njoftojnë se plakja e popullsisë po sjell pasoja në ekonomi, sepse duhet rritur kapaciteti i kujdesit shoqëror dhe shëndetësor për më shumë persona; shpenzimet për pensionet rriten, por ulet numri i kontribuesve në skemën e sigurimeve shoqërore. Dhe si për t’i vënë kapakun të gjithës kësaj vazhdojnë: Shqipëria është vendi me plakjen më të shpejtë të popullsisë në rajon dhe një ndër vendet me plakjen më të shpejtë në Evropë. Dhe në këtë e sipër propozojnë një ndërthurje mes politikave të ngadalësimit të emigracionit masiv të popullsisë së re në moshë, duke rritur cilësinë e sistemit arsimor dhe cilësinë e jetesës në vend, dhe ndihmës për çiftet e reja, mamatë shtatzëna, kujdesin për rritjen e foshnjës para dhe pas lindjes.

Hajde kokë hajde. Për të dhënë mend japin të gjithë. Pse ju kujtoni se qeveritë, që vijnë e ikin, nuk i dinë këto punë?

Dhe qeveritë nuk kanë qëndruar në heshtje, kanë marrë masa në vazhdimësi. Ca vite më parë njëra nga qeveritë rriti moshën për të dalë në pension. Se kjo ishte mundësia më e shpejtë për t’i bërë ballë të keqes. Dhe kjo gjë dihet: përballë dy të këqijave do të zgjedhësh atë më të voglën.

Sot një burrë duhet të bëhet 68 vjeç pa të vendosë kapelën mbi sy. Një grua që të lidhi shaminë në kokë duhet të bëhet 63 vjeç. Por duket se dhe kjo nuk ka dhënë rezultatet e duhura. Ndaj ideja më gjeniale ishte propozimi tjetër: që burrat të dilnin 70 vjeç në pension e gratë 65. Pse jo? Kjo tregon vitalitet. Nuk e keni parë që jetëgjatësia po shkon pas të 80-ave dhe nuk po ndalet as tek 90-at. Kush është ai që do të dalë në pension e të marrë gjysmën e rrogës së dikurshme, kur mund të punojë, t’i japi shoqërisë të mira materiale dhe në fund të fundit ta ketë kuletën plot e të mos i dridhet dora të pijë një kafe. Madje, kuleta plot të ndihmon për një funeral model, nëse taksirati e zë duke punuar në zyrë, ose duke plehëruar tokën me qëllimin e një prodhimi të mbarë./Fjala.al/Ke.Ba

Të fundit

Si ta kuptosh nëse je i/e mirë në shtrat?

Si fillim, ekspertët theksojnë se trajtimi i seksit si një akt ku ka rëndësi performanca mbi gjithçka është shumë...

Analiza: Ja si mund të ndihmojë Shqipëria Ukrainën në përballimin e sulmeve ruse

Në muajin shkurt presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky i kërkoi Ballkanit Perëndimor të prodhojnë bashkërisht armatime. A mund të ndihmojë rajoni dhe a janë në...

Një në tre gjermanë i pakënaqur me ndryshimin e orës

Në Gjermani vetëm një e treta e qytetarëve besojnë se kalimi në orën verore ka një ndikim negativ në shëndetin e tyre, sipas një...

Kur do të zhvillohet/ Shtyhet mbledhja për zgjedhjen e drejtuesit të ri të Himarës

Është shtyrë mbledhja për zgjedhjen e drejtuesit të ri të Himarës pas tensioneve të krijuara në mbledhjen e Këshillit Bashkiak. Përplasjet në sallë erdhën pasi...

Sondazhi: 80% e të pyeturve mendojnë se java e punës me katër ditë përmirëson balancën

Një javë me vetëm katër ditë pune mund të sjellë një balancë më të mirë mes punës dhe jetës personale. Një sondazh i zhvilluar nga...

Lajme të tjera

Web TV