Para disa vitesh, kur shkrimtari Skifter Këlliçi më dhuroi librin e tij: “Festivali i 11-të” unë shkruajta recesion, mendimet e mija rreth librit, botuar në disa gazeta shqiptare.
Më vonë, gjatë bisedave telefonike me Skifterin dhe takimin tonë në Boston, Skifteri më tha se, Festivali i 11-të i Këngës në Radiotelevizionin Shqiptar, nuk është i pari festival që u dënua nga regjimi i kohës; nëntë vite para Festivalit të 11-të, ishte dënuar edhe Festivali i 2-të i Këngës në Radio.
(Thuhet, në radio, sepse në ato vite nuk kishin dalë akoma televizorët dhe transmetimi bëhej vetëm në radio) madje, ai vetë, Skifteri, kishte qenë prezantues i festivalit me partneren e tij, zonja e nderuar Margarita Xhepa.
Por, çfarë ndodhi me Festivalin e 2-të të Këngës në radio? Pse u dënua ai festival? Këto pyetje i shpjegon prezantuesi i Festivalit të 2-të të këngës në radio: Jovi Ferracaku nëpërmjet bashkëbisedimi para disa vitesh me gazetaren Julia Vrapi. Pra, në atë festival kanë qenë katër prezantues…
* * *
Julia Vrapi:
Festivali i dytë në Radio i zhvilluar më 1963 ishte padyshim aktiviteti më i rëndësishëm për kohën. Krijuesit dhe këngëtarët më të mirë bëheshin pjesë e festivalit. Festivali i Dhjetorit 1963 do të kishte si prezantues në dy net të tij edhe Jovi Ferracakun. Ish studenti i Shkollës së Bashkuar e kishte shumë në vëmendje artin, dhe ai ishte përzgjedhur si spikeri i festivalit më të madh të këngës, por ky aktivitet do ti sillte dhe arrestimin e tij nga organet e kohës.
Atë kohë student, Jovi Ferracaku kujton me detaje gjithçka që ndodhi atë vit, para dhe pas zhvillimit të festivalit. Edhe pse u pohua se arrestimi u bë për shkak se nuk iu përmbajt programit të festivalit të përcaktuar nga organizatorët, sot në moshën mbi 70 vjeçare Jovi Ferracaku shprehet se ishin të tjera shkaqe që sollën arrestimin.
Në intervistën dhënë për gazetën, spikeri i festivalit të dytë flet për një aktivitet ku punohej shumë, kishte artistë të mirë dhe shumë përkushtim. Jo vetëm festivali i këngës, por dhe jeta e tij ndër vite janë pjesë e kësaj interviste, ku oficeri xhenjer Jovi Ferracaku zbulon momentet më të vështira dhe të veçanta.
Festivali i dytë në Radio ka qenë aktiviteti më i rëndësishëm i muzikës në kohën kur zhvillohej. Ju si e kujtoni, pasi keni qenë spiker i tij në dy net?
Për publikun ai ishte një aktivitet i padëgjuar. Ishte një festival, që nga ana artistike qëndronte lart. Në qendër të Tiranës në ato vite kishte një altoparlant, qytetarët kur dëgjonin këngët e festivalit grumbulloheshin aty.
Këngëtarët ishin zërat më të mirë të atyre viteve. Ishin nga Tirana, ata që vinin nga rrethet qëndronin në hotel apo te të afrimit e tyre, si dhe në konvikte. Kam lexuar intervista të ndryshme ku, midis të tjerash,s hkruhen se, Artistja e Popullit Vaçe Zela nuk kishte mundësi të vishej dhe veshjen për festivalin e qepte vetë. Por kjo nuk qëndron, sepse në Mapon e Tiranës, kur futej Vaçja, Meliha Doda, Sofika Hodo, Rita Vako, etj, për të gjetur copa për të qepur fustane, për Vaçen thonin: merre se do ta paguajmë ne. Tek Sahati ishte dhe një rrobaqepësi model, dhe kur hynte Vaçja atje për të prerë rrobat, afrohej përgjegjësja dhe vihej në dispozicion të saj.
Festivali në atë kohë kishte shumë prova dhe punë. Ne bënim tre prova dhe dy ditë para festivalit përfundonte çdo gjë. Mendohej se festivali që në natën e parë të dilte një natë e madhe. Edhe pse ishte censura, përgatitja e këngëtarëve, veshjet e festivalit, etj, në ato kushte në ato vite ishte një luks i veçantë. Ishte një privilegj shumë i madh për ata që merrnin pjesë. Edhe për mua ishte privilegj i madh, sepse po të shikosh prejardhjen time dhe me atë uniformë që vesha unë, ishte një luks i paimagjinuar atë kohë. Prezantimi atë kohë kishte një formulë të saktë, pa lejuar komente apo fjalë të tepërta.
Në Festivalin e dytë të Radios keni qenë spiker në dy net të tij, nga katër sa zhvillohej atë kohë. Por ju jeni arrestuar pas natës dytë të festivalit. Pse?
Arrestimi im sipas hetuesve të kohës ishte për thyerje të rregullave skenike të festivalit. Unë u arrestova pas natës së dytë të festivalit më 1963 dhe jam kthyer në Shkollën e Bashkuar ku studioja pas një muaji, ishte janari i 1964. Festivali nisi më datë 22 dhjetor, dhe ishte 4 net. Në dy netët e para ishim prezantues unë dhe Margarita Xhepa dhe më pas dy netët e tjera ishte Skifter Këlliçi dhe Vera Zhenji. Ishte një akuzë prishja e programit të ndërtuar nga organizatorët e festivalit, i cili përmblidhte uniformën, pra veshjen, radhën e këngëtarëve, nuk lejohej që sipas programit këngëtarë që konkurronin të ktheheshin për të dytën herë në skenë, etj.
Këto unë i konsumova pa dashje dhe mora atë dënim. Me rikthimin në Shkollën e Bashkuar më çuan në Krastë të Elbasanit, ishte një praktikë mësimore që bëra. Që nga ajo kohë deri më sot unë kam dhe një bagazh shumë të madh materialesh të shkruara, janë mbi 5-6 mijë faqe. Ditarin e kam hapur në 5 shtator të 1958 dhe vijon dhe sot. Megjithatë kur e kujtoj atë moment, mund të them se arrestimi im nuk ishte sepse sipas tyre nuk iu përmbajtja programit të festivalit.
Sipas jush cila ishte arsyeja, që ju si spiker i festivalit arrestoheni natën e dytë duke bërë që aktiviteti më i rëndësishëm i muzikës në vend të sillte në skenë të tjerë prezantues?
Pas disa ditësh që unë isha arrestuar doli një tjetër problem, ai i grupit nudo. Unë nuk mund të them që nuk pata pikasur asgjë, sepse unë atje isha në Institutin e Arteve, në sallën e Institutit kjo ndodhi pas perdes. Ishte viti 1963 dhe për kohën këto ishin çudira. Unë këmbëngula, që të mos dekonspirohej asnjë nga ai grup. Pra e mendoj që arrestimi ishte që unë mund të dija më shumë rreth atij grupi nudo. Arrestimi im ishte shumë i rrufeshëm, dhe për mua ishte një patakje.
Edhe pas kaq kohësh, përderisa u këmbëngul rëndë që unë duhej të jepja emra konkretë të atij grupi nudo aq sa njihja, mendoj se ky ka qenë shkaku i vërtetë i arrestimit. Kujtoj që kjo gjë solli tronditje në atë kohë, pasi ai grup nudo në Institutin e Arteve u pikas që para zhvillimit të festivalit, ndaj ky ishte dhe shkaku kryesor që mua më pas më ndodhi arrestimi, sepse unë i kisha pikasur ata. Pjesë e këtij grupi ishin kuadro, artistë, gazetarë të kohës, pedagogë, ishin emra të rinj. Disa nga ata u stopuan dy apo tre vjet nga skena dhe më pas filluan të aktivizoheshin. Një nga ata edhe sot mbetet ikona e filmit shqiptar.
Pas asaj që ju ndodhi me festivalin, si vijoi jeta juaj?
Unë atë kohë isha në vit të dytë në Shkollën e Bashkuar dhe pas arrestimit unë e rifillova dhe e mbarova atë. Pas studimeve vajta në Gramsh dhe isha oficer. I jam përkushtuar shumë punës sime dhe kam sakrifikuar, por atje kishin dijeni për mua, por dhe kur vinin atë kohë nga Tirana si Todi Lubonja, etj, më takonin kur vinin me aktivitete në Gramsh. Kur vajta në Gramsh dhe më takonin, e kishin marrë vesh që unë isha spikeri i Festivalit të Dytë në Radio. Atë kohë në Gramsh ishte sekretar i parë Jani Dako, dhe ai më ngarkoi mua që të aktivizohesha për të krijuar një grup artistik. Unë e krijova grupin artistik, mora elementë shumë të mirë dhe nga Elbasani, arsimtare të pazakonta, që recitonin në mënyrë të shkëlqyer.
Me këtë grup artistik ne lëviznim fshatrave. Kur kemi shkuar në një zonë të thellë në korrik në Gramsh, ne na thanë që aty punonte Brigada e Arës dhe ne do të jepnim koncert. Punëtorët në vapë e ndërprisnin punën dhe vinin pasdite. Ne atje duke pritur dhe duke qëndruar nën hije, i gjithë grupi u shtri dhe i zuri gjumi. Kur vjen brigadieri, ne na quajti grup rebel. Këtë e merr vesh sekretari parë dhe më thërret mua në telefon, duke më thënë që të nisesh urgjentisht dhe duhej të shkoja të takoja atë. Që nga ajo kohë unë u shkëputa dhe nga grupi artistik dhe nuk u mora më.
Pas kësaj ngjarjeje që ndodhi në jetën tuaj, a e patët më në vëmendje festivalin e këngës?
Me aq mundësi sa kisha festivalet e këngës i ndoqa dhe atje ku isha. Pata vite më vonë një ofertë nga kompozitori Nexhmedin Doko, që të afrohesha në festival në Tiranë, por e refuzova në mënyrë kategorike. I thashë: “Unë nuk lëviz nga Gramshi, dhe jo të vij dhe të aktivizohem në festival”.
Po këngëtarët, në gjykimin tuaj si vijnë?
Kemi këngëtarë sot që kanë zëra të bukur, por veshja, ajo që dikur ishte uniforma e festivalit të këngës nuk është kombëtare E them këtë sepse ne shikojmë Alida Hiskun me atë uniformë të thjeshtë por me zë të madh, por sot shikojmë një uniformë shumë të larmishme ku ka dhe raste me zëra të vegjël apo zëra të çjerrë. Veshja, uniforma e festivalit nuk është kombëtare. Ndoshta kjo ndodh, sepse nuk ka shumë interes nga organizatorët e festivalit, por them se këtë duhet ta kenë nën kontroll. Shikuesit në sallë, publiku që e ndjek nga ekrani i televizorit të ketë mundësi të thithë zërin e këngëtarëve,e të mos rrëmbehet tek ngjyrat apo lëvizjet e tyre.
Ju keni qenë ndjekës shumë i mirë i artit dhe i muzikës. Për çfarë zërash shkon në këngë vlerësimi juaj në ato vite?
Në ato vite dihet që këngëtarja Vaçe Zela nuk diskutohej. Po flas për festivalin e dytë, dhe ishte edhe Besnik Taraneshi që fitoi çmim të dytë në festival, fitoi çmim të dytë Rita Vako, që ishin yje të këngës, Sofika Hodo po ashtu ishte një yll i atyre viteve. Ka pasur zëra, por një pjesë e tyre nuk arritën dot të shpalosin sa duhet zërin e tyre. Kishin mundësi dhe talent, por nuk kishin terren. Sot kohët kanë ndryshuar, dhe ka liri veprimi, por më pëlqen thënia e artistit Besim Zekthi: “Arti është i bukur, por duhet vënë dhe pak nën kontroll”. Edhe për mua nëse vihet nën kontroll ka më shumë cilësi.
Si ish spikeri i Festivalit të dytë të Radios, si e shkoni sot këtë festival?
Festivali i Dhjetorit i vitit 1963 me këtë sot ka një ndryshim thelbësor. Ai ishte një festival statik, ishte i ngurtë, festival që detyrimisht të gjithë pjesëtarët duhet gozhdoheshin që të respektonin rregullat që kishte. Por sot në Festivalin e Këngës në RTSH ka larmi, ka shumë llafollogji prezantuesi. Pse quhet festival? Sepse është konkurs. Por sot ka shumë lëvdata për një këngëtar pa mbaruar festivali, por, në kohën tonë nuk lejoheshin, edhe sot nuk duhen lejuar, sepse në një konkurs të gjithë duhet të jenë të barabartë. Duke i dhënë pluse një këngëtari në mënyrë të parakohshme, do të thotë që ai hyn si një element i privilegjuar.
Sot jeni në moshën mbi 70 vjeçare, ndërsa 19 vjeç u arrestuat. Nëse nuk do të ndodhte arrestimi më 1963, çfarë do të kishte ndodhur me jetën tuaj?
Përderisa unë që në rini fillova të merresha me artin, festivalin, nëse nuk do të kishte ndodhur ai arrestim mund të isha në rrjedhën e Verdi Takës. Unë do të kisha pasur mundësi që të ecja gradualisht dhe në fushën e artit nëse nuk do isha arrestuar. E them këtë, sepse deri sa unë dola dhe një person i pëlqyeshëm nga specialistë të mirëfilltë, ashtu si patën ecuri disa këngëtarë, orkestrues, etj, kështu do të isha dhe unë. Mbase nuk do të isha spiker i festivalit, por mund të shkoja dhe në estradën e shtetit apo në estradën e ushtarit, ansamblin e ushtrisë, etj. Nga viti 1964 deri më 2000 jetova në Gramsh, por me shpirt isha në Tiranë. Ndjeja mungesën e shkove, miqve./Bl.Ba/Fjala.al