Nga Roland Qafoku posaçërisht për “Fjala”/ Media shqiptare një vit para zgjedhjeve, 10 veçori që tregojnë sa do të ndikojë

113 563 lexime

124,178FansaPëlqeje

Nga Roland Qafoku

Media shqiptare ndodhet përpara një sprove të fortë. Për vetë natyrën e tyre, zgjedhjet parlamentare të vitit 2021 do të jenë një bast i fortë i medias shqiptare për të treguar shumë. Do të tregojnë nëse media jonë është profesioniste ose jo. Do të tregojnë se si media do të funksionojë në raport me një betejë politike nga më të rëndësishmet në këto tri dekada. Do të tregojnë nëse media do të ndikojë në fituesin e këtyre zgjedhjeve dhe do të tregojnë edhe vetë konfigurimin e saj në raport me politikën. Gjithkush mund ta kritikojë një media përse ajo mbështet qeverinë dhe të tjerë akoma përse mbështet opozitën. Një gjë e tillë ndodh vetëm në Shqipëri. Është e habitshme se si ky mentalitet i prapambetur vijon të mbisundojë edhe pas 30 vjetësh. Një gazetar dhe një media quhet e lirë atëherë kur ajo mbështet një çështje politike apo çfarëdo që ajo mendon se është e drejtë, me të vetmin kusht që këtë mbështetje ta bëjë në rrugë profesionale. Por në Shqipëri vijon të quhet herezi për një media përse mbështet një forcë politike dhe kjo sjell që media të jetë e ndarë në dy pjesë: media e qeverisë dhe media e opozitës. Dhe këtu nuk bën dallim asnjë. Por përse media shqiptare ndodhet në këtë udhëkryq dhe përse zgjedhjet parlamentare të vitit që vjen do të përcaktojnë edhe konfigurimin e spektrit mediatik në Shqipëri? Përgjigjja e këtyre pyetjeve mund të jepet në 10 veçori që karakaterizojnë median shqiptare aktualisht.

Së pari – Media shqiptare është e ndarë në llogore lufte, njësoj si politika. Ne sot e dimë shumë mirë për çdo medie se cilën parti mbështet, cili politikan është star i saj, çfarë çështjesh trajton dhe çfarë jo, e deri tek interesat që ajo mbron. Jemi në atë fazë që përpara se flasë dhe të shkruajë një gazetar, ne e dimë se çfarë do të thotë ai, sepse e dimë se kujt i përket, cilën forcë politike mbështet dhe cili politikan është beniamini i tij. Ky pozicionim i skajshëm tregon edhe një herë se media shqiptare nuk është shkëputur nga mentalietet e vjetra të tipit “o me ne, o me ata, rrugë të mesme nuk ka”. Dhe një pozicionim i tillë sjell dëme në profesionalizëm, rrjedhimisht ulje të pushtetit dhe fuqisë mediatike. Është një veçori që do ta dëmtojë jo pak pasqyrimin e zgjedhjeve të vitit 2021.

Së dyti – Edhe pse kanë kaluar 30 vjet, media shqiptare ende nuk ka krijuar pavarësinë e saj ekonomike. Është fakt që biznesi është ai që e ndihmoi median, duke u futur në të. Gazetarët nuk ishin në gjendje të mbanin vetë gazeta dhe televizione. Me raste përjashtimore, sot media shqiptare ka pronarë vetëm biznesmenë. Madje, edhe ndonjë gazetar që është pronar medieje, është konvertuar në biznesmen e kaluar biznesmenit. Por futja e biznesit në media solli edhe atë që çdo problem i biznesit u transferua në media. Duhet ta themi se një pjesë e medias është kthyer në gjobëvënëse. Përballë tyre ndodhen media që vërtet mund të kenë më pak fuqi ekonomike, sepse janë të ndershme. Por ama mediat e ndershme do të jenë më jetëgjata. Portale me 2 gazetarë, të hapura vetëm për vendosje gjobash apo për të mbrojtur veten nga çështje dhe probleme juridike që mund të kenë njerëzit, nuk do të jenë një ditë pjesë e medias, por aktualisht ato i shkaktojnë një dëm të madh profesionalizmit. Edhe pse janë në minorancë, modeli më i mirë për median shqiptare duhet të jenë ato media që janë të ndershme, që bëjnë punën e tyre dhe nuk janë pjesë e gjobëvënieve dhe makinacioneve shantazhuese deri në politikë. Në zgjedhje këto lloj mediash do kenë një ndikim negativ.

Së treti – Gazetarët në Shqipëri ende nuk kanë krijuar pavarësinë e tyre editoriale. Ka shumë pak gazetarë që shkruajnë çfarë mendojnë ata vetë. Jo vetëm media, por edhe gazetarët vetë janë të ndarë në llogore lufte dhe identifikohen nga përkatësia partiake. Aq e përhapur është kjo, saqë nuk besohet shumë nëse një gazetar nuk është pjesë e këtyre llogoreve. Në Shqipëri kemi media të lira, por jo gazetarë të lirë.

Së katërti – Presioni i politikës është tipari më i rëndësishëm në media. Është fakt që media shqiptare nuk u ka shpëtuar presioneve të djathta dhe të majta, pa dallim kjo. Kush bën një palë më të mirë se tjetri, jo thjesht gënjen, por thjesht interesin personal e përcjell në formë të pështirë. Politika në këto 30 vjet e ka ushtruar këtë sport pa asnjë dallim, dhe ka mundur ta arrijë synimin, atje ku e ka gjetur median të dobët dhe lehtësisht të thyeshme.

Së pesti – Beteja mes gjeneratave të gazetarëve do të ishte një gjë e bukur në median shqiptare, por kjo pothuajse nuk ekziston. Gjenerata e gazetarëve është e tillë tashmë që ne vërtet kemi një brez gazetarësh senatorë, që kanë afro 30 vjet si gazetarë profesionistë. Por janë ata dhe vetëm ata që sundojnë tregun mediatik shqiptar. Brezi i ri ende nuk po e gjen veten. Justifikime se të vjetrit nuk u lënë hapësira të rinjve, është si të ankohesh se nuk më botojnë një shkrim që unë ende nuk e kam shkruar, por ama e kam në mendje. Dhe të mendosh se redaksitë gëlojnë nga gazetarët me moshë të re, por shefat dhe drejtuesit i përkasin gjeneratës së vjetër. Dhe mosha e mesme nëpër redaksi mungon. Rendja pas synimit për të qenë doemos shef e ka ndarë median në dy pjesë: të vjetrit dhe të rinjtë. Një ndarje që sigurisht që ndikon jo pak në vlerat profesionale.

Lexo edhe :  A do të ripushtohen hapësirat e çliruara publike?

Së gjashti – Teknologjia është ajo që po e transformon median. Të jemi të qartë, teknologjia nuk po e shaktërron, por po e transformon median. Ne tashmë jemi në një epokë kur media on line është kthyer në një mbretëreshë të medias. Nuk ka më gazetari klasike print e, madje, edhe televizioni po konkurron kokë më kokë me median on line. Gazetat on line janë kthyer në televizione dhe televizionet janë kthyer në media opn line. Në këtë aspekt media shqiptare është duke u përpjekur dhe sforcuar aq shumë, se ende nuk po e merr veten nga ritmet e ndryshimeve dhe rritjeve teknologjike. Duke qenë një media e re profesioniste, me vetëm 25 vjet jetë, nga shtypshkronja me plumb në instagram janë vetëm3 dekada. Si e tillë, të kalosh kaq shumë etapa në kaq pak vjet, kur bota i ka kaluar me shekuj, do të thotë që të jesh më shumë i hallakatur sesa profesional. Dhe media shqiptare duket vërtet e tulatur në këtë drejtim. Zgjedhjet e vitit 2021 do të tregojnë shumë në këtë drejtim.

Së shtati – Politika brenda medias është tipari më specifik i medias shqiptare. Në median perëndimore ka shumë politikanë që shkruajnë, japin opinione dhe botojnë libra. Por vetëm në Shqipëri ndodh që një politikan të ketë një këmbë edhe në media edhe në politikë. Në faqet e gazetave print dhe në versionet on line shikojmë si editorialistë më shumë deputetë, ish-deputetë, ministra, ish-ministra sesa gazetarë. Japin mendime për ato që janë angazhuar, por nuk përtojnë të shkruajnë edhe për pandeminë, e deri për zbulimet e fundit në galaktikë. Shikojmë pastaj gazetarë që kalojnë në politikë dhe pastaj nga politika në media. Kjo hallakatje dhe mungesë qëndrushmërie është më shumë si një hapësirë për ta shfrytëzuar me idenë “ta kem edhe unë këtë dritare” sesa një kontibut. Këta soj as i lexon kush dhe një Zot e di përse i botojnë. Dëgjojnë diku një fjalë këtu dhe një fjalë atje dhe falë një vullneti në përpjesëtim të zhdrejtë me aftësitë intelektuale dhe hop botojnë një shkrim, një shkrim që duhet thënë që sot është e lehtë ta botosh, kur numërohen 900 portale.

Së teti – Ende në Shqipëri nuk është ndarë media dhe komunikimi. Pothuajse çdo gazetar pretendon se është edhe specialist komunikimi, edhe pse nuk ka studiuar asnjë ditë për këtë curricul. Por ama ka edhe specialistë komunikimi që pretendojnë se janë yje të gazetarisë. Po përse duhet ta reklamojnë që e kanë një gjë, që në fakt nuk e kanë dhe, për më tepër, që nuk e kanë mësuar. O njerëz, mos u sforconi! Nëse nuk ke bërë asnjë ditë punën e reporterit dhe jetën e newsroom-it, mund të thuash se je gjithçka mbi dhe, por gazetar nuk je kurrë. Mund të jesh specialist shumë i mirë i midhjes dhe i peshkut, por gazetar jo, kurrë. Këta lloj janë ata që po e dëmtojnë jo pak median shqiptare, sepse më shumë po japin një model se papritur, falë ndonjë mbështetjeje interesi mund të vetëshpallesh gazetar, specialist komunikimi, specialist Public Relation, e të tjera e të tjera.

Së nënti – Media shqiptare po humbet reporterin. A e vini re se janë me gishtat e dorës ata që raportojnë nga vendngjarja, qoftë ajo politikë, kronikë e zezë e deri te kultura? A e vini re se reporterët me autoritet gjithnjë e më pak duken. A e vini re se është një specie në zhdukje dhe gati të jesh reporter duket sikur ke një cen. Në median shqiptare ka më shumë shefa sesa gazetarë. Ka më shumë drejtorë sesa reporterë terreni. Ka drejtues medias që kjo është e vetmja punë që kanë bërë në media. Nuk kanë raportuar asnjëherë nga një vendngjarje, nuk kanë bërë asnjë shkrim në jetën e tyre e, megjithatë, ata vazhdojnë të drejtojnë redaksitë, duke u mësuar gazetarëve të rinj se si bëhet kjo punë. Një sëmundje që nuk dihet se si erdhi, por i ngjiti shkallët dhe tashmë është kthyer në pandemi. O sa e dëmshme është kjo!

Së dhjeti – Media shqiptare ka humbur rolin e kryeredaktorit dhe drejtorit. Me përjashtime, drejtuesi i një medieje në Shqipëri është zhvlerësuar. Për të mos përmendur ata drejtues të mediave që nuk njihen fare se janë aty, se i ka vënë babi, mami dhe miku, shumica e drejtuesve të mediave janë thjesht përçues të asaj që u thonë pronarët. Sigurisht që kjo jo thjesht e dëmton, por deformon hierarkinë e vlerave brenda medias, por më shumë se kaq bëhet një model shumë i keq për gazetarët e rinj. Imagjinojeni vetë se si do të jetë ndikimi i këtij problemi në zgjedhjet e vitit 2021.

Të fundit

Gjermani! 37-vjeçari vret gruan, merr foshnjën dhe vetëvritet

Një 37-vjeçar gjerman kreu vetëvrasje me foshnjën e tij 3-muajshe duke e përplasur makinën drejt në një makinë tjetër,...

OKB dënon vrasjen e 5 gazetarëve të Al Jazeera në Gaza

Sulmi ajror izraelit në Gaza që vrau pesë gazetarë të rrjetit të Al Jazeera dhe një gazetar tjetër të pavarur është dënuar ashpër nga...

“Kodi i ri Penal do të rrisë stokun e dosjeve nëpër gjykata”

Kreu i Dhomës së Avokatisë në Durrës, Lorval Petani, ka komentuar në studion e Syri Tv ndryshimet në Kodin e ri Penal. Petani u...

Bisedat në SKY fundosën grupin, Balla blinte te Çela

Nga nisja e kokainës prej vendeve të Amerikës Latine, te vështirësia për të transportuar shumat e mëdha të parave e deri te nofkat që...

Zjarr në ‘Kombinat’, flakët duken edhe nga qendra e Tiranës

Një tjetër vatër zjarri është aktivizuar këtë të hënë në Tiranë. Zjarri ka rënë në zonën e Kombinatit në kryeqytet. Flakët janë aktivizuar gjatë ditës,...

Lajme të tjera

Web TV