“Unë e kisha mik, ai jo mua”, Rama homazh Maks Velos: S’kishte diktaturë ideologjike që e fuste në rresht

113 563 lexime

124,178FansaPëlqeje
“Maks Velo u lind në 31 gusht të 85 vjetëve më parë. Kjo është e para ditëlindje pas ikjes së tij nga kjo botë, ku ai jetoi vetëm me hijen e tij, pa grua, pa fëmijë, pa miq”.
Kështu e nis homazhin e tij kryeministri Rama dedikuar artistit dhe arkitektit Maks Velo. Ndër rradhë Rama shprehet ai e kishte mik Maks Velon por që ky i fundit jo dhe shton që miqtë e tij i kishte gënjyer mëndja se ai mund të ishte miku i tyre.
“Unë e kisha mik Maksin, po jo ai mua dhe më vinte keq për disa si unë, miq të tij, që ngase s’e kuptonin që Maksi s’mund t’i kishte miq, hatërmbeteshin si t’i kishte tradhëtuar, shpërfillur, zhgënjyer. Po ç’faj kishte Maksi që miqtë e tij i kishte gënjyer mendja se ai ishte miku i tyre”, shkruan më tej Rama në postimin e tij.
Rama shkruan dhe për periudhën në burg të Maks Velos e thotë që s’kishte diktaturë ideologjike që e fuste në rresht artistin.
“Edhe jeta e tij, me burgun si një kulmim të saj, ishte një siklet i jetuar me pasionin e dashurisë të shfrenuar mes vetes dhe vetvetes, Maksit dhe hijes së vet. Prandaj edhe s’kishte diktaturë ideologjike a rend normash shoqërore, që e fuste dot në rresht Maks Velon, s’kishte lloj marrëdhënieje të kësaj bote që e mbante dot Maksin lidhur me çfarëdo filli.
Ai ishte një asket, po ama që nuk rrinte dot pa u dukur dhe ishte një ekzibicionist, që ama nuk rrinte dot pa u zhdukur. Maks Velo nuk e duronte dot mungesën e lirisë, po njeri i lirë nuk ishte. Sepse hija e tij nuk i’a lejonte.”, shkruan më tej Rama.
Postimi i plotë i kryeministrit Rama
?HOMAZH
MAKS VELO u lind në 31 gusht të 85 vjetëve më parë. Kjo është e para ditëlindje pas ikjes së tij nga kjo botë, ku ai jetoi vetëm me hijen e tij, pa grua, pa fëmijë, pa miq. Ishin si dy dashnorë xhelozë, që e donin njëri-tjetrin me gjithsej e që grindeshin sa herë dikush hynte në jetën e Maksit apo jeta e tij sillte diçka të re.
Unë e kisha mik Maksin, po jo ai mua dhe më vinte keq për disa si unë, miq të tij, që ngase s’e kuptonin që Maksi s’mund t’i kishte miq, hatërmbeteshin si t’i kishte tradhëtuar, shpërfillur, zhgënjyer. Po ç’faj kishte Maksi që miqtë e tij i kishte gënjyer mendja se ai ishte miku i tyre!
Kur Maksi vdiq nuk arrija dot t’i mbaja mend të qeshurën, as sot që përpiqem t’ia kujtoj nuk ia mbaj dot mend. Është e sigurtë që edhe kemi qeshur, por jo, duket sikur ai është kujdesur të fshijë me penelin e ujshëm çdo buzëqeshje nga akuareli i kujtesës sime për të. Edhe nja dy miq që kam pyetur, nuk e mbajnë mend të qeshurën e Maksit.
Hijen e tij po, e kam para syve dhe qyshse ai vdiq, ajo është e qartë dhe qartësisht shkaktarja e jetës vetmitare, e vuajtjeve të mëdha, e sherreve me miqtë, e xhirove natën nëpër qytet dhe e ikjeve të tij arratiake nëpër botë, e padiskutim është ajo frymëzuesja e artit dhe poezisë së tij. Edhe e shpërthimeve të tij publike, padyshim.
Maksi nuk ishte një talent si ata që e kanë artin në vena dhe ngjyrat, tingujt, fjalët u dalin si fryma që marrin. Kishte sforcim në artin e tij. Figurat e tij kanë një gjymtim sekëlldisës, ngjyrat e tij kanë një pengim lodhës, poezitë e tij kanë një ngërç sfilitës, opinionet e tij kanë një ton çjerrës. Arti i tij është si një pasqyrë e sherrit të xhelozisë mes tij dhe hijes së vet. Edhe jeta e tij, me burgun si një kulmim të saj, ishte një siklet i jetuar me pasionin e dashurisë të shfrenuar mes vetes dhe vetvetes, Maksit dhe hijes së vet.
Prandaj edhe s’kishte diktaturë ideologjike a rend normash shoqërore, që e fuste dot në rresht Maks Velon, s’kishte lloj marrëdhënieje të kësaj bote që e mbante dot Maksin lidhur me çfarëdo filli. Ai ishte një asket, po ama që nuk rrinte dot pa u dukur dhe ishte një ekzibicionist, që ama nuk rrinte dot pa u zhdukur.
Maks Velo nuk e duronte dot mungesën e lirisë, po njeri i lirë nuk ishte. Sepse hija e tij nuk i’a lejonte. Sot, kur ai s’është më dhe ndjej mall për mikun tim të penguar, që mik s’më kishte dot, fryma më lehtësohet nga ideja që së paku ai është ndarë nga hija e vet dhe ka shpëtuar. Nuk e di çfarë do të thotë historia e artit shqiptar për Maksin, po jam i bindur se kushdo do të ndeshet me pikturat e tij, do të pyesë: Kush ishte ky Maks Velo? Hija e tij do të jetë vërdallë, po nuk do të përgjigjet dhe Maksi do vazhdojë të jetojë përmes xhelozisë së saj.
#TëPAHARRUESHËM?/Jo.Be/Fjala.al


Të fundit

11 muaj plot lumturi dhe një bebe rrugës, Einxhel Shkira ndan fotot e ëmbla me Dagz

Einxhel Shkira dhe Dj Dagz po jetojnë dashurinë e tyre që nisi brenda shtëpisë së famshme të “Big Brother...

6 Dhjetori/ Vangjeli: E përfytyroj doktorin me sytë te telefoni dhe veshin te dera

Analisti Lorenc Vangjeli tha në emisionin “Log” në Abc, se protesta e thirrur nga Sali Berisha më 6 dhjetor ditë që përkon me Samitin...

Botuesit rusë frikë nga censura: Do kthehemi në epokën e librave sovjetikë

Ligjet e reja anti-LGBT dhe ato kundër të ashtuquajturve “agjentë të huaj” e kanë lënë artin në Rusi të pambrojtur nga censura. Shitësit besojnë se...

VIDEO/ Kameruni shokon Brazilin dhe duke marrë tre pikët e para në Botëror

Kameruni ka arritur të mposhtë Brazilin me rezultat 1-0 në ndeshjen e fundit të fazës së grupeve, por kjo nuk i mjaftoi për të...

Fitore e çmendur!/ Zvicra e Shaqirit dhe Xhakës i jep një “shuplakë” Serbisë

Xherdan Shaqiri dhe Granit Xhaka në fazën e 1/8-ave, ndërsa Serbia në shtëpi. Zvicra triumfoi 3-2 në ndeshje ne fundit në grup përballë përfaqësueses serbe,...

Lajme të tjera

Web TV