Tërmeti i shtatorit dhe ai i nëntorit i kanë shkaktuar dëme të mëdha Tiranës, por më shumë se kaq i shkaktoi pandemia e Covid-19. Në emisionin HARD TALK NGA ROALND QAFOKU Veliaj tha se turizmi është sektori që është dëmtuar më shumë.
Çfarë i shkaktoi pandemia Tiranës, jo vetëm në aspektin ekonomik, por edhe në aspekte të tjera sociale?
Një nga gjërat që më kujtohet kur kemi diskutuar në mandatin tim të parë, çështjen e turizmit nuk e kam përmendur fare. Atëherë ma priste mendja që një vend që nuk ka det apo kënaqësinë që ta jep riviera, turizmin e ka të rëndësishëm por nuk e ka prioritet.
Parisi nuk ka det por është qyteti më i vizituar në botë…
E kuptoj por në Tiranën që është qendër e madhe administrative, pra nuk kemi këtu amfiteatrin e Butrintit, nuk jemi qytet i Unescos, ndërkohë që ke shumë gjëra të mbrojtura në Paris po ashtu ke histori mijëra vjeçare të civilizimit. Ndërkohë për një qytet që sapo mbushi 100 vjeç….Unë vet isha i pavëmendshëm ndaj këtij sektori.
Megjithatë me rezultoi se me investimet që erdhën në Tiranë, jo vetëm për turistin klasik por edhe për atë që quhet turisti i eventeve, i seminareve, i konferencave. Disa institucione ndërkombëtare si Rajko u vendosën në Tiranë, si Fondi i Ballkanit Perëndimor, Shqipëria mori kryesinë e OSBE-së, Tirana është vitin tjetër kryeqyteti evropian i rinisë. U transformuan disa hapësira urbane; pazari krejt papritur nga një landfill mes qytetit u shndërrua në një pikë atraktive, kalaja nga një zgëqe, ferrishte…po ashtu sheshi. U prodhua kështu një produkt turistik dhe ne pamë që një pjesë e taksave po vinte nga ky sektor. Vetëm për të të ilustruar që diçka që nuk kishim në radar, u bë pjesë e rëndësishëm dhe krejt papritur sa u ngrit në këmbë mori një knockout.
Sa ka qenë numri i turistëve në Tiranë?
Ne në vitin 2018, për herë të parë, patëm në Tiranë më tepër turistë se sa banorë. Pra, kemi pasur në një vit në mbi një milion turistë që për ne ishte një rekord, nuk kishte ndodhur kurrë më parë. Ishte bërë rutinë që autobusët me turistë nuk ndalonin në bulevard. Megjithatë unë jam optimist nga natyra, shpresoj shumë që me menaxhimin e pandemisë, daljen e një vaksine, me rikuperimin e një normaliteti të ri të udhëtimeve dhe zhvillimeve….Tashmë e kemi vënë re hapjen ndaj turistëve.
Sa është numri aktual i turistëve?
Nuk është as 10% e asaj që kemi pasur. Padyshim është dallëndyshe e parë inkurajuese, që një ditë do të rikthehemi në normalitet por jemi shumë larg atyre hoteleve kur duhej futur kryetari i Bashkisë për mik kur vinte një delegacion sepse ishin plot. Nuk jemi tek ajo fazë. Përpos sektorit të hotelerisë, edhe ekonomia e natës është prekur. Unë gjithmonë kam pasur një kryetar të natës për të promovuar jetën e natës sepse besoj tek qyteti që jeton 24 orë. Pra duke i patur asetet në Tiranë, është gjynah të shfrytëzohen për tetë orë, siç po bëjmë shkollat apo palestrat të punojnë 16 orë, ashtu duhet që edhe infrastruktura e qytetit, rrugët, lokalet dhe baret të punojnë sepse prodhojnë ekonomi. Kemi marrë disa masa, ajo që ndodh tipikisht kur ekonomia lulëzon ti takson dhe bën investime të reja. Por kur ekonomia nuk lulëzon, sidomos ky sektor, edhe ti do pranosh një lloj humbjeje dhe ne kemi falur taksat dhe jemi përgatitur se nëse do të na duhet të bëjmë amnisti të tjera, do t’i bëjmë me kënaqësinë më të madhe.
Megjithatë, pandemia nuk është mbyllur. Ju keni një parashikim me këtë ecuri dhe të dhënat? Jeni i pari politikan që keni përmendur vaksinën dhe keni thënë se vetëm kryeministri Edi Rama do ta sjellë atë. Në fakt e kanë pronotuar…
Sepse dija faktin që po bëhej pronotimi. Ajo që ndodh tipikisht është se njerëzit gjykojnë me batuta jashtë kontekstit. Unë jam nga ata që kryesisht jam pjesë e këtij targeti, synimit për t’u nxjerrë jashtë kontekstit. U provua për pak orë që thashë sepse kryeministri është dikush që ka lidhje, jo vetëm sepse është kryeministër por edhe kryetar i OSBE-së, po ka edhe miqësi personale me një pjesë të madhe të drejtuesve botërorë. Në momentin e parë që do të kemi një vaksinë të aksesueshme për publikun , të certifikuar dhe që i ka kaluar të treja testet, Shqipëria do të jetë patjetër një nga vendet që do t’i aksesojë vaksinat që në valën e parë të prodhimit. Përsa kohë që e dija këtë informacion, nuk thashë asgjë elektorale, por vetëm një gjë që është në proces.