Pse njohja ndërkombëtare e Mbretërisë Shqiptare?

113 563 lexime

124,178FansaPëlqeje

Nga Ekrem SPAHIU

Në 92-vjetorin e Mbretërisë Shqiptare dhe në kontekst të zhvillimeve të sotme shqiptare, në mënyrë legjitime mund të shtrohet pyetja: pse Mbretëria Shqiptare u njoh menjëherë nga aleatët natyralë të Shqipërisë? Në këto 108 vjet të shtetit shqiptar, spektri qeverisës i Shqipërisë në momente të veçanta ka qenë i paqëndrueshëm, madje dhe ka munguar plotësisht. Shqipëria provoi një qeverisje rreth njëvjeçare të themeluesit të saj, Ismail Qemalit, që ndërkombëtarët e pasuan me një qeveri gjashtëmujore të një princi joshqiptar të përzgjedhur prej tyre.

Në Luftën e Parë Botërore Shqipëria u gjet krejt pa qeveri kombëtare. Qeveria disamujore e Fan Nolit pothuajse nuk u njoh ndërkombëtarisht. Në Luftën e Dytë Botërore Shqipëria u gjet përsëri pa qeveri kombëtare. Qeveria e diktaturës komuniste 45-vjeçare u njoh vetëm nga vendet komuniste dhe, formalisht, edhe nga pak vende perëndimore, por asnjëherë nga SHBA-ja dhe Mbretëria e Bashkuar. Përkundër, qeveria disavjeçare e Ahmet Zogut si kryeministër e president dhe Mbretëria 11-vjeçare Shqiptare u njohën nga të gjitha shtetet perëndimore, më së pari nga SHBA-ja dhe Mbretëria e Bashkuar.

Njohja e shteteve është një ndër elementët më të rëndësishëm që përcakton vetē ekzistencën e shtetit si subjekt i njohur i të drejtës ndērkombëtare. Në këtë kuadër, njohja ndërkombëtare e qeverisë plotëson njohjen e shtetit dhe e jetëson atë. Njohja ndërkombëtare e shtetit kushtëzohet nga pranimi i të drejtës së një populli të ketë shtet. Njohja ndërkombëtare e një qeverie kushtëzohet nga shkalla e legjitimitetit të saj për të përfaqësuar shtetin.

Shteti mund të funksionojë edhe pa njohje, por një shtet i tillë ose e ka jetën të shkurtër, ose shndërrohet në diktaturë. Përvoja e Shqipërisë e konfirmon plotësisht këtë përfundim. Të gjitha vendet e Ballkanit midis dy luftërave ishin monarki, përveç Shqipërisë. Si të tilla ato përfaqësonin më mirë dhe përcillnin më me efektivitet interesat kombëtarë të vendeve të tyre. Mbretërit përfaqësonin gjithë kombin në krahasim me politikanët që përfaqësonin vetëm forcën e tyre politike.

Mbretërit ofrojnë përfaqësim afatgjatë, jo interesa afatshkurtër, siç përfaqësojnë politikanët. Mbretëritë, duke qëndruar mbi politikën, sigurojnë stabilitet politik, duke i dhënë të drejtën një figure qendrore të ndërhyjë për të mos e lënë vendin të bjerë në kaos politik. Politikanët bëjnë premtime për vendin, të cilat të nesërmen i komprometojnë, ndërsa mbretëria nuk është e interesuar ta zhvleftësojë veten. Shqipëria e vitit 1928 kishte ardhur në një domosdoshmëri të tillë. Pas vitit 1914, deri në Kongresin e Lushnjës, Shqipëria ishte pothuajse pa qeveri dhe kombi pa një shtet amë.

Kjo do të sillte pasoja të rënda kombëtare për shtetin dhe kombin shqiptar, deri në rrezikun e vënies në pikëpyetje të ekzistencës së tyre. Do të ishte kryesisht për meritë të filozofisë politike të presidentit amerikan, Uillson, që Shqipëria shpëtoi pa u goditur deri në shpërbërje. Një Shqipëri e shpërbërë do të ishte goditje fatale për kombin shqiptar. Një Shqipëri e shpërbërë do të ndryshonte gjithashtu të gjitha balancat gjeopolitike në Ballkan. Në këto kushte, Shqipëria e shqiptarët shpëtoheshin vetëm nga një dorë e fortë, e centralizuar. Nga një Shqipëri e centralizuar lehtësohej dhe Ballkani, madje edhe Evropa nga një konflikt të cilit nuk i dihej fundi.

Në funksion të këtyre imperativave gjeopolitike e kombëtare, si dhe në respekt të vlerave e kritereve për njohje ndërkombëtare, Mbretëria Shqiptare u njoh nga një numër relativisht i madh shtetesh për kohën. Por shumë më e rëndësishme sesa numri, është fakti që Mbretëria Shqiptare u njoh nga të gjitha shtetet me histori të gjatë demokratike, të cilat si kriter themelor kanë legjitimitetin.

Ndërkohë, Evropa ishte shumë e interesuar për një Ballkan të qëndrueshëm dhe, në këtë mes, edhe për një Shqipëri të qëndrueshme. Në këtë kuadër, do të ishte e rrezikshme që një vend me histori dhe përkatësí natyrale evropiane siç ishte Shqipëria, të pushtohej nga bolshevizmi. Në këto kushte kombëtare dhe ndërkombëtare, mbretëria ishte alternativa më e mirë e mundshme për të zgjidhur jo vetëm ngërçin kombëtar shqiptar, por edhe problemin ndërkombëtar që mund të shkaktonte shthurja e Shqipërisë. Ishin pikërisht këto domosdoshmëri të kohës që përbënë bazën e njohjes ndërkombëtare të mbretërisë.

Lexo edhe :  Rama mbledh sërish Asamblenë e PS-së/ Injoron opozitën

Ajo u njoh menjëherë nga aleatët natyralë të saj. Italia ishte e para që e njohu Mbretërinë Shqiptare. Brenda muajit shtator kur ajo u shpall, u njoh zyrtarisht nga Britania e Madhe, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Austria e Gjermania. Sigurisht, ishte një sukses diplomatik që u njoh edhe nga Greqia, Franca, Jugosllavia, Bullgaria, Rumania, Spanja e deri edhe Uruguaji, Japonia, Lituania etj.

Një njohës dhe pjesmarrës aktiv në zhvillimet politike në Shqipërinë të atyre kohëve, Eqrem bej Vlora, vlerësonte se: “Në këtë botë egoiste askush nuk të dhuron gjë badihava. Ahmet Zogu e ka merituar suksesin e tij me vështirësitë, mundimet dhe rreziqet që iu desh të përballojë”.

 

Nga letërkëmbimet për njohjet e Mbretërisë Shqiptare, po pasqyrojmë vetëm atë me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ku mbreti Zog i drejtohet presidentit të SHBA-së, Calvin Coolidge, dhe ministrit të Jashtëm amerikan, Frank B. Kellogg.

 

Sekretari i Shtetit për ministrin në Shqipëri (Hart)

Uashington 12 Shtator 1928

Sapo të merrni këtë telegram lutem adresoni një notë për ministrin e Punëve të Jashtme me përmbajtjen si më poshtë: “Qeveria ime ka marrë shënim veprimin e Asamblesë Kushtetuese të Shqipërisë për ndryshimin e formës së qeverisë së Shqipërisë, në atë të një monarkie kushtetuese dhe shpalljen e presidentit Ahmed Zogu, ‘Zogu i Parë, Mbret i Shqiptarëve”. Tani kam kënaqësinë të informoj Shkëlqesinë Tuaj, sipas udhëzimeve nga qeveria ime, se qeveria e Shteteve të Bashkuara i jep njohje Mbretërisë së Shqipërisë, duke kuptuar me këtë se shkëmbimi i notave të 22 qershorit 1922, midis Shteteve të Bashkuara dhe Shqipërisë dhe dispozitat e ligjit shqiptar të dekretuara në zbatim të tij, do të vazhdojnë të mbeten në fuqi.

Telegrami i mëposhtëm është dërguar sot nga presidenti për Mbretin e Shqiptarëve:

“Është kënaqësia ime t’ju çoj Madhërisë Suaj dhe popullit të Shqipërisë urimet me rastin e ardhjes tuaj në fron. Populli amerikan bashkohet me mua për të shprehur urimet më të mira për shëndet të mirë dhe lumturinë e Madhërisë Suaj dhe për prosperitetin e Shqipërisë”.

Departamenti do të komunikojë me ju më vonë lidhur me letrat e reja kredenciale.

Telegrami i mbretit Zog për presidentin Coolidge

Tiranë, 14 Shtator 1928

Thellësisht i emocionuar nga urimet dhe dëshirat e mira që Shkëlqesia Juaj ka shprehur kaq mirësisht me rastin e ardhjes sime në fronin e Shqipërisë, unë nxitem t’ju paraqes sigurimet e mirënjohjes sime më të thellë për këtë akt të miqësisë së përzemërt ndaj meje personalisht dhe për popullin shqiptar.

Me këtë rast, është kënaqësi për mua t’ju transmetoj shprehjen e ndjenjave të mirënjohjes, të cilat populli im vijon të ushqejë ndaj popullit fisnik të Shteteve të Bashkuara për asistencën humane që dhanë përmes Kryqit të Kuq Amerikan për popullin tim në një kohë kritike.

Për më shumë akoma, populli shqiptar është tepër mirënjohës për mikpritjen bujare që Republika madhështore e Shteteve të Bashkuara iu dha kaq lirshëm shqiptarëve në Shtetet e Bashkuara, duke iu ofruar atyre përfitimet e kulturës dhe mirëqenies amerikane.

Pranoni, ju lutem, Shkëlqesi, urimet e mia më të sinqerta për lumturinë tuaj dhe për prosperitet më të madh të popullit fisnik të Shteteve të Bashkuara. /Ra.My.Fjala.al/

Të fundit

Shi dhe shtrëngata/ Parashikimi i motit për ditën e sotme

Ditën e martë vendi ynë do të ketë kushte të paqëndrueshme atmosferike si rezultat i ndikimit të periferisë së...

Horoskopi, 19 Mars 2024/ Çfarë kanë rezervuar yjet për ju?

Dashi Hëna iu bën veçanërisht të ndjeshëm, por zgjidhni t'u jepni hapësirë ??emocioneve pozitive dhe jo atyre negative. Nëse jeni beqarë nuk do mungojnë takimet,...

Shkurt dhe qartë, këngëtari i njohur konfirmon pjesëmarrjen te “Ferma Vip”

Moderatori Robert Berisha ka zbuluar ekskluzivisht për një emision televiziv se do të jetë pjesë e reality show-t më të ri që do të...

Ktheu në Apel çështjen e vulës së PD-së, Gjykata e Lartë zbardh vendimin e plotë

Gjykata e Lartë ka zbardhur të plotë vendimin për të rikthyer për rishqyrtim në Gjykatën e Apelit çështjen për vulën dhe logon e PD. VENDIMI I PLOTË Pasi...

Lajme të tjera

Web TV