“100 vjet vetmi”, mrekullia në dy versione shqip, nga Meksi dhe mjeshtri Shvarc

113 563 lexime

124,178FansaPëlqeje

Shkrimtari dhe përkthyesi i njohur, Elvi Sidheri, thotë se parimisht çdo vepër letrare do të ishte më mirë të përkthehej nga gjuha burimore

Nga Leonard Veizi

Debati mund të thellohet edhe më shumë, nëse në të përfshihen njerëz që e njohin mirë romanin “100 vjet vetmi” dhe e kanë lexuar në të dyja versionet e ardhura në shqipe, nëpërmjet përkthimit të Robert Shvarcit dhe atij të bërë së fundi nga Mira Meksi, i cili daton 20 vjet pas përkthimit të parë. Nga komentet e deritanishme rreth këtij debati, vihet re se ata që kanë lexuar versionin “Shvarc”, janë dhe më fanatikët në mbrojtje të punës së tij si përkthyes. Por jo të paktë janë zërat në mbështetjen e Mira Meksit, pasi duket se kontakti i parë i tyre ka qenë pikërisht me përkthimin e saj. Pa dashur të vëmë në shënjestër të kritikës punën e përkthyesve tanë të nderuar, i gjithë debati lidhet më shumë me disa pasaktësi të ardhura nga përkthimi në shqipe jo prej origjinalit, por me ndërmjetësimin e një gjuhe tjetër, siç ishte gjermanishtja, në rastin e Shvarcit.

…Si përkthyes, ai ka sjellë në shqipe mbi 50 romane. Edhe pse gjuha e tij e parë dhe më e dashur është spanjishtja, Elvi Sidheri ka përkthyer gjithashtu prozë dhe poezi edhe nga anglishtja, frëngjishtja, portugalishtja, italishtja, kroatishtja, bullgarishtja, rusishtja, duke përkthyer njëkohësisht disa herë nga shqipja në disa gjuhë të huaja. I pyetur nga gazeta “Fjala”, rreth debatit më të fundit, Elvi Sidheri nuk ngurron t’u përgjigjet pyetjeve, edhe pse shton se nuk e kishte bërë më parë një gjë të tillë, që të shprehej për punën e kolegëve.

 

-A është shqipja një gjuhe e varfër, ku përkthyesit e kanë të vështirë t’i gjejnë fjalët e duhura në shqipe ndaj janë të detyruar t’u kërkojnë ndihmë turqizmave ose latinizmave

Shqipja nuk është kurrsesi një gjuhë e varfër në fjalor, e mendoj sakaq se ky “pretendim” ofrohet veç në rastet kur dikujt i mungon fjalori, qoftë në përditshmëri apo aq më tepër, në përkthim, dhe mungesën e njohurive të tij lidhur me fjalorin e pasur të shqipes, rreket t’i justifikojë me gjasme “varfërinë” e shqipes. Më ka rastisur, në përkthimet veçanërisht të autorëve, si Patrick Modiano, Nobelist i vitit 2014, ose me Profetin e Kahlil Gibran-it, që të has në disa raste 3-4 a më shumë sinonime për të njëjtën fjalë, në gjuhën origjinale, frëngjisht apo anglisht, dhe duke rrëmuar thellë në dijet e mia të shqipes, por edhe me durim në fjalor, kam arritur të gjej tërë sinonimet përkatëse në shqip.

E njëjta gjë vlen edhe për autorë apo gjuhë të tjera nga të cilat kam përkthyer, e mund të pohoj nga përvoja me disa gjuhë, se shqipja i përgjigjet fare mirë sfidës së përkthimit dhe fjalorit kundrejt gjuhëve të tjera. Çështja e fjalorit turk e latin ka disa degëzime. Fjalori latin ka hyrë në shqip që para më tepër se dy mijë vitesh, nga koha e romakëve, gjë që na ndihmon të dëshmojmë edhe vjetërsinë, autoktoninë dhe vijimësinë tonë në këto troje, pikërisht falë zhvillimit apo mbetjes origjinale në shqip të shumë fjalëve dhe termave latine, që shpesh nuk gjenden as në gjuhët e sotme neolatine. Pastaj kemi prurje venedikase, si fjalori detar, por edhe sigurisht italianizma, falë fqinjësisë dhe kontaktit kulturor-televiziv me Italinë. Shumica e fjalëve latine, janë të rrënjosura në shqipe prej mijëra e qindra vitesh, e nëse nuk teprohet me to, nuk ka asnjë problem, ndonëse thjesht ndodh që fjalorin e vobekët, shumëkush orvatet ta mbulojë (si diellin me shoshë), duke përdorur fjalë që tingëllojnë bukur, të huazuara kuturu nga italishtja kryesisht.

Ndërsa fjalori turk është gjithashtu fort i pranishëm në shqipen e sotme, fjalor përgjithësisht osman në fakt, sepse edhe këtu kemi të bëjmë me fjalë që në turqishten e sotme, të reformuar thellësisht nga Ataturku mbas vitit 1924 (kur u qërua nga mbetjet arabe kryesisht, po edhe nga shumë persizma), nuk gjenden thuajse askund, ndërse mbijetojnë në shqipen e rrëgjuar që përdoret nga shumëkush që nuk e njeh fjalorin e mirëfilltë të gjuhës sonë. Fjalët anakronike turke, dhe nuk nënkuptoj këtu fjalët e pazëvendësueshme, të cilave u mungon fjala përkatëse në shqipe, por fjalët turke që përdoren rëndom pa kriter, duke u etiketuar edhe në mënyrë qesharake “si gjuhë popullore”, përdoren pikërisht nga njerëzit që kanë mangësi të theksuara në njohjen e fjalorit të mirëfilltë të gjuhës shqipe, duke gjetur gjithmonë strehë tek turqizmat, me arsyetimin se flasin “si populli”.

Lexo edhe :  “Ngrijnë” monedhat e huaja/ Kursi i këmbimit, 24 Mars 2024

-Sa është humbja e një materiali letrar, nëse nuk përkthehet nga origjinali, por nga një gjuhë e dytë?

Varet. Unë parimisht jam përherë ithtar i përkthimit të një vepre nga gjuha origjinale. Por, ky mund të cilësohet edhe si njëfarë deformimi profesional në rastin tim, falë gjuhëve të shumta që unë njoh, flas dhe përdor rregullisht, duke pasur fatin që thuajse asnjëherë mos të kem nevojën ta përkthej një vepër nga një gjuhë e dytë, por veç nga origjinali. Është e kuptueshme që një vepër “lë rrugës” një pjesë të burimores së saj, kur përçohet në një gjuhë përmes një gjuhe tjetër, duke iu larguar sadopak thelbit të saj rrjedhimisht. Gjithsesi, kemi plot raste kur përkthimi i një vepre në një gjuhë tjetër ka qenë mjeshtëror, si rastet e veprave të shkrimtarit tonë të shquar Kadare, që në frëngjishte janë sjellë mjeshtërisht nga Jusuf Vrioni, duke e sublimuar veprën e autorit, dhe duke u ofruar lexuesve të huaj një depërtim të vyer në universin e shkrimtarit, megjithëse veprat e tij qenë shkruar fillimisht në shqipe.

-“100 vjet vetmi”, a mendoni se për shkak të përkthimit nga gjermanishtja përkthimi i Shvarcit çalon në disa raste, dhe përkthimi i Mira Meksit nga gjuha spanjolle është më afër origjinalit?

Duke mos dashur të anoj në këtë debat thelbësisht letrar, që shpresoj të kontribuojë në të mirë të debatit lidhur me përkthimet në shqip, siç e thashë më sipër, parimisht jam që përkthimi të bëhet nga gjuha burimore, ndaj vlerësimet më të çiltra për përkthimin e ri të kësaj vepre madhore të Marquez-it që vjen në shqipe nga origjinali në spanjishte. Spanjishten (dhe Spanjën) e kam pikë të dobët si hispanofil që jam, por ndërkohë, do të doja të shtoja se për mua, edhe nëse mjeshtri Robert Shvarc do ta kishte përkthyer këtë vepër nga aramaishtja e lashtë e kohës së Krishtit, sidoqoftë shqipërimi (sepse ky term meriton të përdoret veç për të cilësuar punën, mundin, gjeninë, mjeshtërinë dhe harlisjen mendore të këtyre kolosëve, pikërisht si Robert Shvarci apo Jusuf Vrioni, ndër të tjerë) i tij, do të ishte i paçmuar.

Jam rritur duke lexuar kryeveprat e Remark-ut, Fojhtvanger-it, të përkthyera nga Robert Shvarci, dhe gjej gjithmonë frymëzim nga shqipja e epërme, e pasur, e larmishme, e lëvruar nga ky njeri në shqipërimet e tij. Prandaj, duke i dhënë Cezarit çfarë i takon, nëse kemi fatin që “100 vjet vetmi” ta shijojmë në dy versione, nga origjinali dhe nga mjeshtri Shvarc, aq më mirë.

 

-Ky roman i Markezit, si është përkthyer në shqipe nga përkthyesit e Prishtinës?

Nuk kam dijeni nëse është përkthyer edhe nga përkthyesit e Prishtinës, ndërsa profesor Sabri Hamiti ka një libër me këtë titull.

 

-Ju vetë çfarë veprash të Markezit keni përkthyer?

Unë vetë ndërkohë nuk kam pasur akoma rastin të përkthej ndonjë vepër të Gabos, kurse nga spanjishtja, pa dyshim gjuha ime e zemrës, ashtu si edhe kultura spanjolle dhe hispanike, kam përkthyer tri novela të pabotuara më parë të Miguel de Cervantes-it nga origjinali në spanjishten mesjetare, Shtëpinë e Bernarda Albës të Federico García Lorca-s, por edhe shumë poezi të shkrimtarëve dhe shkrimtareve të shquar/a hispanikë/e, nga César Vajello, tek Octavio Paz, Pablo Neruda, gjithashtu edhe poetin tim më të dashur në botën hispanike, uruguajanin Mario Benedetti, deri te poetja dhe shkrimtarja e momentit në Spanjë dhe Amerikën Latine, Elvira Sastre. Kam fatin që njëherësh të jem prej vitesh i pranishëm në shtypin spanjoll me shkrimet e mia, të fushës letrare, historike dhe kulturore, dhe Spanja është gjithmonë e pranishme edhe në romanet e mia si shkrimtar./Ra.My.Fjala.al/

Të fundit

Ndryshon paga për disa kategori/ Sa do jetë rritja për mjekët, infermierët dhe mësuesit

Reforma e ndërmarrë nga qeveria gjatë vitit 2023 për rritjen e pagave do të finalizohet deri në fund të...

‘Zien’ toka, dy lëkundje të forta tërmeti në vendin fqinjë, ja sa ishte magnituda

Një tërmet është ndjerë në Athinë, në brigjet e Peloponezit, pranë ishujve Strofades. Sipas informacioneve të para, intensiteti i lëkundjeve ka qenë 5.6 e shkallës...

Nëse keni probleme me gjumin, ju mund të vuani nga këto 5 çrregullime

A e keni vënë re sesa keq ndiheni të nesërmen, pasi keni fjetur keq një natë më parë? Djersë të ftohta, minuta të tëra...

“3 fakte qesharake”/ Luarasi-Bardhit: Do të të kisha ngelur në klasë

Akuzat e kreut të PD Gazment Bardhi ndaj vëllait të kryeministrit Olsi Rama kanë ngjallur debat  në studion e “Opinion” në Tv Klan. 3 elementë...

“Në Tiranë, 40% e trafikut shkaktohet nga…”/Shefi i qarkullimit zbulon shkaqet e kaosit

Rreth 40% e trafikut në Tiranë krijohet nga parkimet e gabuara në rrugë. Kështu u shpreh, shefi i qarkullimit rrugor, Besmir Qibni në një...

Lajme të tjera

Web TV