Dy futbollistët e Kombëtares Shqiptare, Etrit Berisha dhe Ardian Ismajli, mund të jenë shokë skuadre në elitën e futbollit italian, duke nisur nga sezoni i ardhshëm.
Pasi spikati në Kroaci, duke u zgjedhur për dy vite pjesë e formacionit më të mirë të vitit, Ardian Ismajli kishte marrë disa oferta dhe menaxheri i tij ka pranuar arritjen e marrëveshjes me Spezia, si dhe faktin që po bisedonin edhe me Benevento.
Teksa ka mbetur vetëm të zyrtarizohet transferimi i mbrojtësit, portieri Etrit Berisha ka gjasa të mëdha që edicionin e ardhshëm të kalojë në Seria A, pasi gjithashtu ka ngjallur interesin e Spezias.
Gardiani kuqezi është shprehur se dëshiron të luajë ende në elitën e futbollit italian, pas rënies së SPAL-it në Serinë B.
Nga ana tjetër, mediat italiane kanë raportuar se Atalanta është e gatshme për të marrë sërish Berishën duke parë problemet që ka në portë dhe mungesën e gjatë të Golinit për shkak të një dëmtimi.
Me kalimin e Ismajlit dhe Berishës në Seria A, numri i lojtarëve të kombëtares që luajnë në elitën e futbollit italian shtohet.
Aktualisht Hysaj aktivizohet te Napoli, Dermaku te Parma, Gjimshiti tek Atalanta, Kumbulla tek Verona dhe Ramen Çepele tek moshat e Interit./Fi.Ak/Fjala.al