Artan Fuga posaçërisht për “Fjala”/Sëmundjet afatgjata të shoqërisë së sotme shqiptare

113 563 lexime

124,178FansaPëlqeje

Nga Artan Fuga

Epidemia e COVID-19 na ka dëmtuar shumë si shoqëri, por jo vetëm ne. Sado e rëndë dhe e vështirë të jetë ajo për ta përballuar ekonomikisht dhe nga ana shoqërore, veç aspektit të shëndetit publik, një ditë do të kalojë sigurisht. Mirëpo, shoqëria e sotme shqiptare ka futur në gjenet e veta viruse edhe më të rënda sesa virusi në fjalë, pra ka të sëmurë “ADN”-në e vet socioekonomike dhe asaj nuk ka se çfarë i bën asnjë vaksinë që mbyll shpejt problemin. Nëse shoqëria shqiptare do të shërohet një ditë, kjo do të merrte një proces afatgjatë, të vështirë, me reforma shumë të thella, të dhimbshme, por më mirë të nisë shërimi, sesa të lëngojmë kështu ekonomikisht në gjendje kalbëzimi.

Gjithsesi, tabloja që paraqitet kur ndërmerren studime në terren, është se kërkohen reforma sa afatshkurtra dhe të menjëhershme, aq edhe afatgjata e strategjike. Kush thotë të kundërtën, do të bënte njësoj si ata që sot, të nginjur në luksin e vjedhjes dhe të mosmeritës, kujtojnë se Shqipëria është në ditët e veta më të mira.

Prej kohësh shqyrtoj në terren dhe në statistika gjendjen e strukturës sociale dhe ekonomike të shoqërisë sonë, çka e kam paraqitur edhe në botimin tim të fundit “Origjinat e Pushtetit, Pronës, Pasurisë në Shqipërinë pastotalitare”, nxjerrë në tregun e librarive nga shtëpia botuese Papirus. Mirëpo, sa herë kryhen studime, edhe për çështje të tjera, bëj kujdes të verifikoj që të dhënat që kam paraqitur atje, a verifikohen ose jo nga studime të tjera që bëhen jo me llafe ideologjike, jo nga zyra partish apo nga agjenci shtetërore të cilat, në vend që të fotografojnë realitetin, e mbulojnë atë me dafina ideologjike, por me matje që frymëzohen nga të qenit sa më të saktë.

Rasti e ka sjellë këto ditë kur shihja rezultatet e një studimi në terren, të bërë nga kolegë të departamentit të komunikimit në UT, ku kam marrë pjesë edhe unë, të vendosesha përballë të dhënave që janë shumë serioze dhe vlejnë të rivihen në vëmendjen e qytetarit, të vendimmarrësve dhe të të gjithë atyre që pretendojnë se interesohen për përmirësimin e shoqërisë sonë.

Dua të them se të dhënat që më dolën papritur, si në një radiografi, janë rezultat i një studimi që në fakt bëhet për probleme të tjera dhe jo për strukturën socioekonomike të shoqërisë. Mirëpo, sikurse thekson për shembull një nga metodistët më të njohur në botë të kërkimit shkencor, Paul Feyerabend, të dhënat shkencore që përbëjnë dukuri të njohura ose të rinjohura rishtazi, vijnë disi papritur, atëherë kur kërkuesi shkencor nuk e di se çfarë do të gjejë. Pra, gjetjet janë gjithmonë të papritura, përndryshe nuk do të ishin gjetje.

Këto të dhëna vijnë si rezultat i një anketimi kombëtar që është bërë mbi 800 të anketuar, të përzgjedhur me një kampionim, i cili bën një riprodhim në miniaturë përafërisht të saktë të strukturës sociale të shoqërisë shqiptare sot. Nga Veriu në Jug, në qytete të mëdha, si Tirana, Durrësi, Shkodra, Dibra, Fieri, Korça, Elbasani, dhe në nja 20 e më shumë bashki a komuna qytezash a zonash rurale anembanë vendit. Gjysma e tyre janë gra dhe gjysma burra, është ruajtur përpjesëtimi sipas grupmoshave në shoqëri; rreth 70 për qind e të anketuarve janë pjesë e popullsisë urbane dhe 30 për qind vijnë nga zonat rurale të vendit. E theksoj me shumë veçanësi që të anketuarit, sikurse edhe anketuesit, janë marrë me çështje të tjera, kurse të dhënat e nxjerra dhe të paraqitura më poshtë vijnë në mënyrë të tërthortë, pra i kanë shpëtuar ndonjë keqinteretimi ose keqreferimi të vullnetshëm. Sigurisht, ato, si çdo e dhënë sociologjike, shprehin prirje dhe nuk mund të trajtohen sikurse nuk duhet, naivisht, pra nuk mund të diskutohet për atë se shifra mund të ishte me këtë apo atë shkallë gabimi. Sikurse e theksova në fillim, puna është se këto prirje, këto “fotografime” sociologjike të pjesshme, shkojnë në një koherencë faktologjike dhe logjike me të dhëna të tjera, të përftuara në studime të tjera, nga vëzhgimet në terren, sikurse edhe nga prirje që dalin nga baza të dhënash statistikore, që shpesh janë të pranuara edhe zyrtarisht, por edhe më shpesh të mbajtura në heshtje, të pashpallura publikisht, e ç’është më e keqja, të paintepretuara me seriozitetin e duhur. Këto të dhëna në këtë studim mund të jenë me qindra e me mijëra, por unë po ndalem vetëm në disa diagrama kryesore.

Strukturë socioprofesionale vendesh të prapambetura

Por le të shohim më parë tabelën e fillimit që tregon se ç’njerëz gjetën anketuesit në mejdiset e anketimit për t’iu përgjigjur pyetësorit të anketës. Theksoj se këta njerëz, sipas kuotave, u gjetën rastësisht në mjedise pak a shumë ku mund të haseshin me mundësi të barabarta pothuajse, individë nga grupet sociale përkatëse.

Ja se çfarë gjetëm në rrugë:

Çfarë kuptimi kanë të dhënat statistikore të gjetura?

Ajo që vihet re menjëherë është fakti se individët, 800 sikundër theksuam më lart, kanë statuse socioprofesionale të lidhura me aktivitete ekonomike të një ekonomie të vogël dhe të shpërndarë, e cila gjeneron pak ose aspak zhvillim cilësor, që jep pak taksa për shtetin dhe buxhetin publik, që punëson pak, që ka shkallë të ulët ose shumë të ulët akumulimi kapitali dhe që e ka shumë vështirë të përballojë kërkesat e kohës për inovacione.

Nga 800 të anketuar 9,4 për qind e tyre ishin individë që deklaruan se kanë ndonjë biznes të vogël ose shumë të vogël në zonën urbane. Por kjo shifër duhet rritur edhe më së paku me një të tretën e saj, sepse realisht në zonën urbane u intervistuan vetëm 70 për qind e numrit total të të pyeturve. Pra, mund të konsiderohet se janë pak a shumë nja 13 për qind, nëse 800 pyetësorët do të ishin shpërndarë mesatarisht dhe në mënyrë rastësore në zonën urbane të vizituar.

Çfarë janë këta? Shumica janë shitës ose individë që kanë ndonjë biznes të vogël familjar në shërbime etj. Me ato aktivitete që kanë, mbulojnë të ardhurat për të gjithë familjen në cilësi të ulët, si shërbime dhe plotësim nevojash. Por, janë në parim dhe në fakt ekonomi pothuajse të falimentuara, sepse nga vëzhgimet sheh se vetëm në ndonjë rrugicë mund të ketë nja dhjetë a më shumë pika shitjeje me pakicë për ushqime, ta zëmë. Klientela pra është pjesëtuar me dhjetë dhe të gjithë konkurrohen nga sipërfaqet tregtare të mëdha.

Tregtinë e vogël nuk e mbylli Covid-i, por e mbyti sipërfaqja e madhe tregtare aty afër, që i ka marrë natyrshëm krejt klientelën.

Do të ishte një rrugë afatgjatë krejt e gabuar, nëse këtyre njerëzve do t’u premtohej se gjendja e tyre do të rregullohej duke ndenjur e pritur klientët e paqenë pas banakut. Ata duhet të kalojnë në sfera të tjera të një ekonomie që ende nuk është strukturuar si duhet. Me shitës të vegjël Shqipëria ekonomikisht mund të ketë një model indian zhvillimi, ose pakistanez, nepalian, ose afgan, por evropian jo njëherë! Varfëria aty bashkohet me vuajtjen shpirtërore, por edhe me dembelizmin. Ata njerëz duhet ta kuptojnë se dëshirat e tyre për një punë të rehatshme pas banakut, shoqëruar me premtime elektorale, sikur ajo ekonomi mund të ndreqet, janë burimi i të këqijave ekonomike për familjen dhe fëmijët e tyre.

Janë afërsisht nja 8 për qind të individëve të gjetur në “rrugë” që deklarojnë se janë pronarë ekonomish të vogla në zonën rurale. Të mos harrojmë se në këtë zonë janë shpërndarë afërsisht 30 për qind e pyetsorëve. Pra, nëse të 800 pyetësorët do të ishin shpërndarë atje, do të kishim nja tri herë më shumë pra, nja 20 ose 25 për qind individë si pronarë të vegjël ruralë.

Lexo edhe :  Big Brother Italia “hakmerret” ndaj Heidi Baçit

Por, dihet që edhe prona shumë e vogël fshatare se çfarë energjie zhvillimi mund të ketë!!! Pa mekanizimin, zgjerimin, kulturat e mëdha, plehrimin, vendosjen nën ujë të një ekonomie të mesme dhe të madhe bujqësore, le ta harrojmë se na mjafton ai eksport i dobët dhe i padrejtë produktesh bujqësore si deri më tani.

Jo vetëm shkalla e pronësisë është krejtësisht e një ekonomie të vogël pa shpresa rinovimi, nëse nuk kryhen reformat e duhura strategjike , por edhe profesionet janë të tilla që gjenerojnë një individ, i cili ka të ardhura të pakta, është vendosur anash progresit të teknologjive dhe të dijes dhe, përgjithësisht, janë punë pa zanat ose pa ndonjë kualifikim të veçantë. Këta njerëz e kanë të vështirë edhe të konvertohen në degë të tjera të një ekonomie tjetër, sepse nuk kanë ndonjë mjeshtëri të qëndrueshme dhe me shkathtësi specifike që duhen.

17 për qind e tyre na dolën se punojnë pra si kamerierë, roja, shoferë taksish, pastrues etj. Të ardhurat e tyre janë tmerrësisht të kufizuara. Shtoju këtyre edhe një 13 për qind pensionistë, të cilët dihet se çfarë pensionesh kanë, dhe do të na dalë se një në katër nga individët e “ndeshur” në rrugë janë në gjendje jo vetëm shumë të ulët profesionalisht, por edhe me të ardhura shumë të pakta.

Për të mos folur për 16 për qind e ca e “robëve të Zotit” që u hasën dhe e thoshin qartazi: Jam i papunë! Pra, i nxjerrë jashtë nga procesi i punës dhe i integrimit socioprofesional! Të paktën, pra, një në pesë vetë e ndien veten të papunë, dhe këtu të mos e prekim papunësinë e fshehur te pensionistët, te studentët, si edhe tek ata që hidhen nga një punë te tjetra, duke lënë periudha boshllëku integrimi në punë.

Të ardhura të pakta të një klienti pa fuqi blerëse

Duke përfituar nga çiltërsia e të anketuarve u gjendën “në rrugë” individë të cilët në shumicën dërrmuese të tyre i kanë “xhepat e shpuar”:

19 për qind e tyre deklaruan se jetojnë falë asistencës sociale. Imagjinoni që ata as kontribuojnë në prodhimin e përgjithshëm bruto të vendit, as krijojnë vlera të reja, por edhe marrin nga buxheti i shtetit, se përndryshe i bie “të vdesin për bukë”. Ja se ku është plaga e ekonomisë sonë, që nuk kërkon vjersha ekonomistësh, fejtone akademikësh, pallavra, utopira politike, propagandë manipuluese, por hapje sysh dhe pranim të realitetit. Ekonomia nxjerr të papunë dhe individë me asistencë dhe, nga ana tjetër, buxheti i shtetit paguan pikërisht atë që politikat publike krijojnë, pra masën e parazitizmit të detyruar dhe të varfërisë që matet si lëmoshë e shtetit. Imagjinoni se sa lehtë mund të manipulohen elektoralisht këta njerëz, kur vihen para dilemës: a do të ardhmen e dyshimtë të ndritur nuk dihet se kur, apo dëshiron asistencën sociale në fund të këtij muaji, ta zëmë, të prillit 2021. Këtu iluzionet janë tmerrësisht të rrezikshme!

Të mendojmë se edhe ata kamerierët, pastruesit, shitësit, rojat etj., kanë të ardhura minimale.

Imagjinoni që mbi 40 për qind e atyre që iu përgjigjën anketës thonë se në familjet e tyre kanë të ardhura nën 40 mijë lekë të rinj në muaj!!! Një familje me katër veta mesatarisht me 250 euro ose 300 euro në muaj! Kjo mund të pranohet në Indi, por në Shqipëri, në mes të Evropës, me një shtet që “të bie kokës” me tarifat e ujit dhe energjisë, me taksa dhe me një shoqëri me çmime firifiu, për arsye që do t’i trajtojmë një herë tjetër, sigurisht që lekët e kafes gjenden duke ua hequr librave, teknologjisë familjare të informacionit, kujdesit për trupin dhe shëndetin, ngritjes kulturore dhe artistike etj.

Kur sheh strukturën e harxhimit të buxhetit familjar në ekonominë familjare shqiptare të merr të qarët! Shuaj urinë, shih ndonjë film realisoc në televizion, dil për ndonjë kafe a birrë, veshje te Gabi a aty afër, dhe asgjë tjetër. Ky reduktim i thjeshtëzuar i qenies njerëzore na jep pastaj agresivitetin, injorancën, krimin në shkallë masive.

Por, t’i lëmë këto anë. A mund të ketë zhvillim një shoqëri, nëse klienti masiv ka këtë fuqi blerëse skandaloze?

Kujt do t’ia shesin produktet tregtarët e mëdhenj, nëse shqiptari masiv ka një listë javore ushqimesh që shkon deri te domatja, speci, fasulja, makaronat, vaji, kripa e kjo kategori ushqimesh që i gjen thjesht te cepi i pallatit, ku biznesi i komshiut përpiqet t’i sjellë?

Një ekonomi me klient të varfër masiv, sidomos kur numerikisht është shumë e vogël si e jona, nuk jep asnjë shans progresi, nëse nuk ndryshon modelin e vet ekonomik. Prodhuesi i vogël prodhon për vete dhe pak shet në treg. Prandaj nuk ka likuiditete, as hua bankare nuk merr dot, as investime nuk bën dot. Tregtari i madh ka nevojë të marrë tenderë nga shteti dhe e gjithë bota e madhe e biznesit pastaj do të ushqehet nga PPPP-të, sepse ndryshe falimenton. PPPP-të janë marrja e lekëve tanë si konsumatorë, lekë të padhënë, por të marrë me dhunë nga shteti që pastaj u jepen bizneseve. Ne jemi klientë të dhunuar.

Mungesë optimizmi masiv, të gjithë qahen e ankohen

Kujdes, sado moroze të duket situata, nuk është se nuk gjen individë të kënaqur ose pothuajse të tillë. Ne gjetëm nja 20 për qind të të intervistuarve si të tillë. Por gjetëm edhe nja 25 për qind pothuajse që mendojnë se situata ekonomike është sikurse ka qenë, dhe kështu do të vazhdojë të jetë. Të gjithë këta bëhen rreth 40 – 45 për qind e popullsisë që u intervistua.

Por çfarë bëhet me 45-përqindshin tjetër?

Këta janë të pakënaqur ose shumë të pakënaqur, ndofta një ndër dy të intervistuar pohoi se jeton më keq ose shumë më keq se më parë, dhe kjo duket edhe nga shifrat financiare të familjeve, nuk është thjesht një përjetim subjektiv. Kanë humbur besimin, dhe të mos harrojmë se në një ekonomi tregu nuk është thjesht një kategori e psikologjisë sociale. Është një mekanizëm zhvillimi. Një konsumator me besim të mirë investon, harxhon, ndërmerr rrisqe, merr hua, zhvillon iniciativën e lirë të tregut, voton për ndryshim, pra bëhet bartës progresi. Kurse një konsumator që është i zgërlaqur shpirtërisht, pa entuziazëm, pa shpresë, ai bëhet apatik si politikisht, ashtu edhe ekonomikisht.

+++

Si përfundim, ne jemi një shoqëri plebejsh të shekullit të 21-të dhe këtë duhet ta pranojmë hapur. Se të këqijat tona janë ngurtësuar në “gjenet” e shoqërisë ku jetojmë, në strukturën socioprofesionale dhe socioekonomike të saj, pra nuk janë rregullime që bëhen me premtime elektorale fluturake, sikur brenda një kohe të shkurtër ne mund të dalim nga kjo gjendje, duhen perspektiva edhe afatgjata. Nuk mund ta mbrojmë njeriun pa ndërtuar progresin, sikurse as progresi nuk ka kuptim, pa mbrojtur ekonomikisht njeriun e pasbanakut, i cili pret klientët që nuk i vijnë. Ne jemi shoqëri e xhepagrisurve, e të pakënaqurve, e atyre që kanë dalë jashtë vrundullit të punës, të asistuar ekonomikisht, me buxhete familjare të rrudhura.

Nëse nuk çlirohet njeriu, nëse qytetari me të drejta nuk vihet në qendër të ekonomisë, sikurse nxënësi në shkollë, gazetari në media, studenti në universitete, i sëmuri në spitale etj., ne kurrë nuk do të bëhemi një shoqëri evropiane. Do të dihasim të ngecur në baltë në qytete e fshatra, me njerëz të veshur keq, me vetura të vjetra, që nuk investojnë në kulturë, të trembur që gjithë ditën ankohen e shajnë, por nuk lëvizin.

Të fundit

“Në Tiranë, 40% e trafikut shkaktohet nga…”/Shefi i qarkullimit zbulon shkaqet e kaosit

Rreth 40% e trafikut në Tiranë krijohet nga parkimet e gabuara në rrugë. Kështu u shpreh, shefi i qarkullimit...

Përpjekjet për të justifikuar ‘marrëveshjen’ që shuajti revolucionin

Nga Mero Baze Për të identifikuar personat të cilët donin të fitonin besimin tek Berisha kur ai po përpiqej të rikthej në pushtet në vitet...

Ledjona tregon për të atin pas daljes nga “BBV3”: Ka pasur probleme shëndetësore

Në një intervistë të dhënë në “Ftesë në 5”, Ledjona ka folur për herë të parë për familjen e saj dhe mënyrën sesi ata...

EMRAT/ Kush janë të arrestuarit nga SPAK në Bashkinë e Tiranës

Emrat e dejtorëve të Erion Veliajt në Bashkinë e Tiranës të arrestuar ditën e sotme nga SPAK janë bërë publike. Mësohet se në pranga kanë...

Rryma e oqeanit përshpejtohet me nxehtësinë. Problem për akullin e Antarktidës

Shkenca Rryma Rrethore e Antarktikut intensifikohet me rritjen e temperaturave: është e destinuar të rritet në shpejtësi dhe të hajë akullin.   Elisabetta Intini   Çfarë mbart më...

Lajme të tjera

Web TV