test

Nisja e vitit të ri shkollor, prindërit të shqetësuar për kushtet

113 563 lexime

124,178FansaPëlqeje

Gazeta “Fjala” u drejtohet prindërve, kryesisht atyre që do të çojnë për të parën herë fëmijët e tyre nëpër shkolla, për të marrë përshtypje, mendime, ndjesi, pak muaj pas daljes nga izolimi dhe zhvillimi i mësimit “on line”.

Nga Alessia Selimi

Mijëra nxënës nisin sot një vit të ri shkollor, të pahasur më parë, kaotik. Pandemia COVID-19 ka prodhuar një tjetër realitet, edhe në ambientet e arsimit parauniversitar. Ndonëse rikthimi i nxënësve nëpër klasa shihet si një vendim pozitiv për shumë figura në vend, prindërit shfaqen të shqetësuar dhe në ankth për atë se çka pritet në të ardhmen, sidomos ata që do t’i çojnë fëmijët e tyre për të parën herë në shkollë. Tre skenarët e përgatitur nga Ministria e Arsimit për mënyrën se si do të zhvillohet mësimi në kohë pandemie, shkaktojnë konfuzion. Dhe më të penalizuara në këtë situatë mendohet të jenë shkollat e mëdha në kryeqytet, kjo për shkak të numrit të lartë të nxënësve, zhvillimit të mësimit me turne dhe orare të reduktuara. Pak ditë përpara se fëmijët t’u riktheheshin bankave të shkollës,

“Fjala” iu drejtua prindërve, në përpjekje për të marrë përshtypje, mendime, ndjesi. Anton Dukagjini thotë se në shkollën 9-vjeçare publike “Edith Durham” (ish-“11 Janari”) prindërit po përballen me mungesë informacioni. “Nuk dihet asgjë tjetër, përpos faktit që nxënësit do të ndahen në grupe, me orare të ndryshme, dhe se do të jenë vetëm në bankë”, shprehet i ati i vajzës që do të nisë klasën e parë. “Ime bijë do ta nisë shkollën në orën 08:00 dhe do ta përfundojë në orën 10:30. Kjo fashë orari më duket qesharake”, vijon Dukagjini. “Kjo situatë është kaotike dhe më shqetëson shumë ideja se ata që do ta pësojnë, do të jenë pikërisht fëmijët.”

Alketa Shehu pohon se i trembet vitit të ri shkollor dhe rrezikut që mund t’i kanoset të birit, sidomos pas lajmit se në shkollën 9-vjeçare publike “Jeronim de Rada” kanë rezultuar pozitivë me koronavirus 10 mësues, dhe se pjesa tjetër dyshohet se mund të jetë infektuar nga kolegët. “Ky numër i mësuesve të prekur, i bërë publik vetëm një ditë përpara se të nisë viti i ri shkollor, s’tregon gjë tjetër veçse papërgjegjshmëri nga ana e autoriteteve, dhe se probabiliteti që të ketë mësues të tjerë të prekur nga koronavirusi, është i lartë.” Kësisoj, 35-vjeçarja po e mendon seriozisht anulimin e vitit mësimor.

“Po e shqyrtoj seriozisht mundësinë që ta shkëpus tim bir nga mësimet, për t’i rifilluar vitin tjetër. Nuk ka një plan konkret për rihapjen e shkollave, dhe kjo më tremb. Sikundër më bën të mendoj se përpara jetës së tim biri, nuk ia vlen të marrësh përsipër një rrezik të tillë; ta dërgoj në një ambient ku shtrohen shumë pikëpyetje”, thotë Alketa, e cila, gjithsesi, nuk e mohon entuziazmin e djalit e saj për të filluar shkollën dhe për të zënë miq të rinj. “Ai do të nisë klasën e parë në shkollën 9-vjeçare “Kushtrimi i Lirisë”. Siç mund të kuptohet, nuk është aspak në dijeni të seriozitetit që kërkohet në këtë situatë të vështirë.

Ndonëse e kam pajisur me masat mbrojtëse, si maskë apo dezifektant, jam e bindur se nuk do t’i shfrytëzojë”, shprehet ajo. Të njëjtin shqetësim ndan edhe Ilda, me profesion avokate, ndonëse thotë se i biri është shumë i përgjegjshëm për situatën aktuale.

“Sigurisht, nuk ka merakun që kemi ne prindërit. Ai ka gëzimin e pafajshëm të fëmijëve, si çdokush tjetër që do të shkojë në klasë të parë. Megjithatë, e kam të pamundur të mos mendoj për kushtet në të cilat djali do të hyjë në shkollë”, thotë Ilda. “Fëmijët janë mësuar disi me rregullat e higjienës, mbajtjes së dezinfektantit dhe përdorimit të tij në çdo rast, por jo me maskën. Ajo do të jetë një vështirësi permanente për ta. Ose ndoshta më shumë për ne prindërit”, vijon ajo. I biri i Ildës do të shkojë në të njëjtën shkollë private që ka ndjekur edhe parashkollorin dhe në të, sipas 34-vjeçares, ndiqen me rigorozitet të gjitha udhëzimet që janë vendosur nga Ministria e Arsimit, ashtu sikurse nuk ka munguar informimi i prindërve.

Lexo edhe :  Vula e PD-së iu dha Berishës, zbardhet vendimi i plotë i Gjykatë së Apelit

Linda Kasmi, djali i së cilës do të shkojë në klasë të katërt, nuk e mohon se e gjithë kjo periudhë ka qenë strapacuese për të. Të pasurit e një biznesi privat kërkon angazhim maksimal, dhe përpjekjet e vazhdueshme për ta bindur të birin që të përqafonte mësimin on line, duket se ia kanë shteruar energjitë. “Është e tmerrshme kjo që do të them, por ka ardhur koha që im bir t’i rikthehet procesit normal mësimor. Frika ekziston, nuk ka dyshim për këtë, por përditshmëria jonë gëzon një ritëm të papërballueshëm…”, thotë Linda, e cila nuk ngurron të shprehë ankesat për mënyrën se si po procedohet me tekstet shkollore.

“Është komike kur mendon se në një regjim të rreptë parandalimi të përhapjes së virusit, shpërndahen tekste falas dhe u kërkohet fëmijëve t’i ruajnë dhe t’i kthejnë në fund pa i dëmtuar”, shprehet Linda. Armand Hasa e sheh vitin shkollor 2020-2021 si një vit të humbur. “Po investohet në rritjen e analfabetizmit funksional. Nuk e kuptoj se si mund të bëhet mësimi nëpër shkolla nga ora 08:00 e mëngjesit deri në orën 19:45 të mbrëmjes. Këto shkolla, praktikisht, nuk do të kenë mundësi të dezinfektohen, pasi do të largohet një grup nxënësish dhe me një diferencë prej 15 minutash do të vijë grupi tjetër”, thotë Armandi, të cilit i është krijuar përshtypja se brenda dy muajve nxënësit do të kalojnë sërish në formën e mësimit on line.

“Do të rikthehemi sërish në pikën zero, kur shkollat u mbyllën dhe fëmijët tanë iu nënshtruan mësimit përpara kompjuterit.” Nuk e kursen revoltën, dhe është i sinqertë kur thotë se djalit të tij po i zhduket ai pak vullnet që gëzonte dikur. Esmeralda Çaça, nëna e dy vajzave, përkatësisht 10 e 13 vjeç, reagon ashpër për formularin e deklarimit të shëndetit që do t’u kërkohet çdo ditë prindërve pasi të përcjellin fëmijët në oborrin e shkollës. “Kjo është çmenduri! Do ta konsideroja një rregull të paprecendent. Thjesht nuk e kuptoj, si mund të perceptohet që përhapja e virusit nëpër shkolla do të kontrollohet përmes formularëve?!”, thotë Esmeralda duke shtuar se deklarimin mund ta bëjnë mjaft prindër dhe nxënës, por ata ndoshta nuk janë në dijeni të mbartjes ose jo të virusit, pasi nuk kanë simptoma dhe as nuk e kanë bërë testin. Sipas saj, një formular i tillë ushtron rëndesë psikologjike te nxënësi, pasi e ngarkon me një përgjegjësi të cilën nuk ka moshën e duhur për ta mbajtur.

Mbyllja e shkollës, si një nga masat shtrënguese për të parandaluar përhapjen e koronavirusit, ka krijuar një problematikë të re për nxënësit dhe dhe prindërit, që duket se vijon edhe me hapjen e saj. Në muajt e mëparshëm mësimi “on line” u ofrua si mënyra për të qëndruar “i lidhur” me shkollën në kohën e izolimit. Sot, fëmijët u rikthehen klasave të mëdha, bankave dhe karrigeve prej druri. Sa do të jetë e mundur t’i përshtaten protokollit strikt dhe rregullave të reja që tanimë po duken në çdo sferë të jetës? Kjo mbetet për t’u parë! E vetmja gjë e sigurt mbetet frika, që mbizotëron më shumë se kurrë më parë te prindërit dhe mënyra e tyre e prindërimit.

Të fundit

Shanset 50-50 për Itali-Shqipëri, modeli statistikor i parashikon 58%-42%

Nga Eduard Zaloshnja Nga një model simulacionesh statistikore që kam ndërtuar qysh në dhjetor për “Panorama Sport” (dhe që e...

Dorëheqja e Ceno Klosit/ Elidjana Çela drejtoreshë e përgjithshme e Tatimeve përkohësisht

Elidjana Çelaj është emëruar përkohësisht drejtoreshë e përgjithshme e Tatimeve, pas lirimit nga detyra të ish-drejtorit të përgjithshëm Ceno Klosi. Në urdhrin e Ministrit të...

Grafite në muret e ambasadave hungareze e sllovake, mesazhe nga gjenocidi në Srebrenicë

Grafite me numrin 8.372 - që është numri zyrtar i viktimave të gjenocidit në Srebrenicë më 1995 - u vendosën  dje (14 qershor) në...

Sheshi ‘Skënderbej’ i zënë për Evropianin/ Ja ku do falen nesër besimtarët myslimanë

Komuniteti Mysliman i Shqipërisë ka njoftuar besimtarët myslimanë se falja e Kurban Bajramit do të jetë në datën 16 qershor, ditën e diele, në...

Sokol Mëngjesi doli nga koma, reagon e motra: Sytë e tij u zgjuan nga një ëndërr e keqe

“U zgjua nga ëndrra e keqe” Avokati Sokol Mëngjesi  I cili ishtë në gjëndje kome prej 29 majit është zgjuar nga koma ndërsa vijon...

Lajme të tjera

Web TV