Monedhat shqiptare të periudhës 1945 – 1991

113 563 lexime

124,178FansaPëlqeje

Nga Adrian Civici

Pasqyrim tipik i politikës dhe ideologjisë së kohës – ngjashmëria/dallimet me vendet e ish-bllokut komunist lindor

 Kur shkruhet apo flitet për paranë dhe lidhjen e saj me historinë, artin, kulturën, jetën publike, sistemet politike ose ideologjinë dominuese, ndeshesh shpesh me një vlerësim që i ka bërë “monedhës”, Magdi Hanafi, studiues i historisë së monedhave, sipas të cilit “Gjatë shumë shekujve, monedhat, qofshin këto metalike ose letër, dëshmojnë për gjithçka që ka ndodhur, përfshirë këtu edhe ngjarje apo personazhe që janë neglizhuar ose nuk kanë ngjallur interes edhe për vetë historianët. Ato luajnë një rol të dorës së parë në sferën politike e diplomatike, ekonomike dhe artistike”.

Në shumë raste monedhat cilësohen si “media më e mirë e epokës”, si libri më i rëndësishëm ku mund të “lexosh” dhe kuptosh lehtësisht historinë politike dhe historinë e ideve, ideologjinë sunduese dhe propagandën që e ka shoqëruar atë, historinë financiare dhe ekonomike, historinë kulturore e fetare etj.

Nëse nuk ke kohë dhe mundësi të lexosh dhe studiosh historinë, idetë, utopitë dhe ngjarjet më të rëndësishme të një kombi, të mjafton një album ose enciklopedi e monedhave të tij, për të kuptuar esencën e rrugëtimit të tij historik dhe problematikën politike, ekonomike e sociale që e ka shoqëruar atë në periudha të ndryshme historike.

Është interesante të shihet pasqyrimi që i kanë bërë monedhat e ndryshme, metalike apo letër, ideologjisë dhe periudhës historike të “ndërtimit të socializmit dhe komunizmit” në “bllokun lindor” dhe satelitët e tij, të udhëhequr nga Bashkimi Sovjetik.

Analiza e “rolit të parasë në socializëm” nuk synon të trajtojë funksionet specifike dhe të cunguara të parasë në një sistem politiko-ekonomik me planifikim të centralizuar, por të ndalet vetëm në dy aspekte më specifike që kanë të bëjnë me monedhën: a mund të “lexohet” dhe kuptohet socializmi dhe komunizmi “lindor marksist-leninist” nëpërmjet pamjeve të monedhave? …a mund të kuptohen qartë mesazhet teorike, ideologjike e politike të pushtetit dhe drejtuesve komunistë nëpërmjet imazheve të monedhave?

Autorë të shumtë, sidomos studiuesit e historisë dhe të simbolikës së monedhave, mendojnë se realiteti socialist apo komunist reflektohet mjaft qartë në evolucionin e pamjeve dhe simbolikës së monedhave. Ato shprehin në mënyrë besnike historinë komplekse të vendeve ish-socialiste, sidomos atë të viteve 1945 – 1991.

Mjaft interesant është edhe studimi i kartëmonedhave shqiptare të kësaj periudhe, të cilat, me disa specifika të vogla, në krahasim me kartëmonedhat e vendeve të tjera të bllokut komunist, duket se kanë ndjekur të njëjtën logjikë e qëllim madje, në mjaft raste, edhe konceptimi grafik, simbolika ose ngjyrat janë pothujase të ngjashme me monedhat e vendeve si Bashkimi Sovjetik, Gjermania Lindore, Bullgaria, Kina etj.

 Përmbajtja dhe «mesazhet» e monedhave në Rusinë sovjetike dhe “bllokun komunist lindor” – 1919 – 1991

Ndërtimi i socializmit

Rusia e pasrevolucionit të tetorit dhe më vonë Bashkimi Sovjetik janë pasqyra më evidente e shteteve dhe e sistemit socialist dhe komunist. Duke qenë qendra ideologjike dhe politike e “bllokut lindor komunist, Rusia dhe BS-ja janë shembulli më domethënës edhe në “sjelljen” e tyre kundrejt monedhës. Fryma dhe stili sovjetik i kartëmonedhave u bënë pika referimi dhe udhërrëfyese për të gjitha vendet e tjera me të njëjtin model politik.

Pamja dominuese e ilustrimit të monedhës ruse, rublës, në periudhën 1880 -1914 kishte në qendër figurën e Carit, të “Nënës Rusi” dhe simbolet perandorake, ku mbizotëronte shqiponja me dy krerë, me kurorën perandorake, siç dëshmohet dhe në monedhën e prerjes 500 rubla të vitit 1910.

Pas fitores së Revolucionit të Tetorit, përmbysjes së regjimit carist, monedhat e para të emetuara nga qeveritë e reja ruse, nuk shquhen për ndonjë karakteristikë ose mesazh të veçantë, por tentojnë thjesht të dëshmojnë se tashmë, me “epokën e re politike e shoqërore”, ka filluar edhe një epokë e re në sistemin monetar e bankar. Monedhat ruse të periudhës 1919 – 1922 kanë të stampuar vetëm simbolin e shqiponjës dhe shënimin e Bankës së Rusisë për monedhën e re dhe vlerën e saj, siç duket edhe në monedhën me vlerë 10000 rubla, prerje e vitit 1919.

Gjatë periudhës 1919 – 1991, monedhat e emetuara në Rusinë sovjetike, (por edhe në të gjitha vendet ish-socialiste e komuniste të kohës), reflektojnë besnikërisht situatat që kalonte shteti i sapoformuar komunist, ankthet dhe shqetësimet e tij, mesazhet kryesore që donte të përcillte, diferencat politike, ideologjike e kulturore me armiqtë kapitalistë perëndimorë.

Pothujase në çdo dekadë, monedhat e reja që emetoheshin, prodhonin besnikërisht “fjalët çelës” të regjimit, mesazhet bazë të tij, nevojat e tij për të evidentuar sukseset, për të treguar forcën ushtarake, qëndrueshmërinë e sistemit dhe besnikërinë ndaj marksizëm-leninizmit dhe udhëheqësve komunistë, diferencat ndaj vendeve borgjezo-kapitaliste.

Edhe tendencat për ndërmarrjen e disa reformave liberalizuese, në vitet 1960 -1970, gjejnë shprehje në përmbajtjen e monedhave, duke tentuar t’i çlironin dhe zhveshur ato nga ideologjia komuniste tradicionale konservatore, duke i zëvendësuar pamjet e deriatëhershme të monedhave me skena e imazhe më piktoreske, si “pamje nga Kremlini”, “kulla Spasskaia” etj.

Me gjithë këto nuanca e tipare të përbashkëta, karakteristika më e qëndrueshme e monedhave sovjetike gjatë periudhës 1931 – 1991, është prezenca e portetit të Leninit që nuk mungonte në asnjë lloj prerjeje. Pushteti sovjetik ndiente vazhdimisht nevojën për të evidentuar besnikërinë ndaj ideologjisë marksiste-leniniste dhe liderit të saj, Leninit. Figura e Leninit u zhduk nga monedhat ruse pas vitit 1991.

Duke filluar nga viti 1924 e deri në fund të viteve ‘70, monedhat ruse filluan të pasqyrojnë besnikërisht ideologjinë komuniste dhe dogmat ose parimet bazë të saj për ndërtimin e socializmit dhe komunizmit, diktaturën e proletariatit dhe luftën e klasave, kooperativizimin e bujqësisë dhe ndërtimin e socializmit, procesin e industrializimit socialist, rolin e klasës punëtore dhe aleatit kryesor të saj, fshatarësisë punonjëse, ndërtimi dhe fuqia e Ushtrisë së Kuqe, si garantuese e fitoreve të socializmit. Një vend të veçantë zinin “personazhet” tipike të ndërtimit të socializmit dhe “garantuesit e mbrojtjes së atdheut socialist”, siç ishin punëtorët e uzinave dhe fabrikave, kooperativistët, minatorët, inovatorët dhe rinia vullnetare, aviatorët, tankistët, ushtarët etj.

Element tjetër i evidentueshëm në monedhat e kësaj periudhe janë dhe pamjet që dëshmojnë “transformimin socialist të Bashkimit Sovjetik, nën udhëheqjen e Partisë Bolshevike”, të ilustruar në monedha me pamje nga hekurudhat, lokomotivat dhe trenat; fushat plot me autokombajna e traktorë, uzinat e çelikut dhe fabrikat me oxhaqe të larta, parada ushtarake ku dëshmohen armët moderne të Ushtrisë së Kuqe, avionë luftarakë në fluturim etj.

Në prerjet e viteve 1980 – 1990 shfaqen elemente që përpiqen të dëshmojnë sukseset e Bashkimit Sovjetik në raport me SHBA-në dhe vendet e Evropës Perëndimore, armët moderne me efekte ndërkontinentale, zotërimi i deteve dhe hapësirës, teknologjitë moderne etj. Pas vitit 1991 monedhat ruse dëshmojnë fundin e një epoke – epokës komuniste të Bashkimit Sovjetik – dhe rikthimin në Rusinë e vjetër tradicionale, duke hequr përfundimisht Leninin nga monedhat.

Heronjtë revolucionarë

Një nga elementet e rëndësishme dhe tiparet dalluese të ilustrimit të monedhave ishte dhe “kulti i individit” të figurave më shquara të “liderëve të socializmit”. Përveç Rusisë sovjetike që e çoi deri në ekstrem kultin e individit me figurën e Leninit dhe Stalinit, edhe në shumë vende të tjera socialiste e komuniste të kohës, monedhat e reja të emetuara vihen tërësisht në funksion të kësaj dukurie.

Në monedhat e viteve 1950 – 1990, në vende si Republika Demokratike Gjermane, Bullgaria, Rumania, Jugosllavia, Kuba, Vietnami, Kina etj., të viteve 1960 – 1990, shfaqen monedha me portretet e klasikëve të marksizëm-leninizmit, Marksit, Engelsit, Leninit dhe Stalinit, baballarëve themelues të komunizmit, drejtuesve të partive komuniste marksiste-leniniste, heronjve të revolucioneve në vende të ndryshme etj. Monedhat e këtyre vendeve janë të mbushura me portretet e Karl Marksit, Leninit, Çe Guevarës, Ho Shi Minit, Mao Ce Dunit, Josip Broz Titos, Çausheskut, Dimitrovit etj.

 Heronjtë e vërtetë – “njeriu i ri” socialist

Lexo edhe :  Ja ç’duhet të bësh për të pasur një lëkurë me shkëlqim

Me gjithë tendencat dhe thelbin e ideologjisë komuniste që glorifikonte frymën e barazisë shoqërore, “njeriu i ri” socialist, që përbënte synimin kryesor të teorisë marksiste-leniniste dhe sistemit komunist, u pasqyrua gjerësisht në monedhat e kohës, duke u personalizuar në heronjtë e sistemit, të ndërtuar sipas logjikës “personazhe tipike, në rrethana tipike”.

Këta heronj, që shërbenin si “model” për t’u vlerësuar dhe ndjekur nga e gjithë shoqëria, mishëroheshin në figurën e punëtorit të industrisë ose metalurgjisë, kooperativistit të dalluar me kallinj gruri në dorë, të rinjve revolucionarë që kryenin punë vullnetare në fusha ose fabrika, femrave me krahë dhe fizik mashkullor, që punonin në torno ose drejtonin traktorin etj.

Por, pavarësisht frymës dhe përmbajtjes së përbashkët, monedhat e viteve 1945 – 1990, kategoritë e zgjedhura për t’u përfaqësuar në monedha, varionin nga njëri vend socialist në tjetrin, në funksion të strategjive dhe traditave historike të zhvillimit, prioriteteve industriale, sektorëve ekonomikë dominues etj.

Kështu p.sh., Polonia, e lidhur ngushtë me një traditë të industrisë navale, të kantiereve të ndërtimit të anijeve dhe tregtisë detare, paraqiste në monedhat e saj kantiere detare, anije tregtare, peshkatarë, vinça që ngarkonin e shkarkonin anijet plot me mallra etj.

Monedhat bullgare, vend ku mbizotëronte prodhimi bujqësor, u ilustruan me kooperativiste të dalluara me shporta të mbushura me prodhime të ndryshme, duke tentuar të përcjellin mesazhin e fshatarësisë së lumtur dhe bollëkut ushqimor të Bullgarisë socialiste. E njëjta logjikë u përdor dhe për monedhat rumune, shqiptare, ukrainase, jugosllave, kineze, vietnameze etj.

Në një fazë të mëvonshme, që korrespondon me periudhën 1960 – 1980, vendet e ish-bllokut komunist lindor ndienin vazhdimisht nevojën të dëshmonin sukseset e tyre në fushën e industrializimit socialist, modernizimit të ekonomisë dhe krahasimit dinjitoz me industrinë dhe nivelin e zhvillimit të vendeve perëndimore, veçanërisht të SHBA-së. Në monedhat e këtyre viteve filluan të shfaqen dendur pamje uzinash moderne, puse dhe uzina gjigante të prodhimit dhe përpunimit të naftës dhe gazit, fabrika të prodhimit të makinave etj.

Evokimi i të kaluarës së lavdishme

Megjithëse sistemi komunist kishte heronjtë e tij që duheshin glorifikuar, në shumë nga vendet socialiste e komuniste të periudhës 1945 – 1990, bankat dhe autoritetet politike të këtyre vendeve u kujdesën t’u linin një vend të veçantë edhe figurave historike të cilat vlerësoheshin se “ishin të denja të kujtoheshin” e të respektoheshin nga shteti komunist.

Kjo tendencë ishte veçanërisht e dukshme në vendet satelite të ish-Bashkimit Sovjetik. Hungaria përkujtonte me respekt në monedhën e saj me prerje 100 fiorinta të vitit 1983, kompozitorin hungarez Béla Bartok, Banka Kombëtare e Polonisë zgjodhi të përkujtonte personalitete të shquara, si astronomin Nikolla Koperniku, kompozitorin e famshëm Shopen, shkencëtaren Mari Kyri.

Gjermania Lindore pasqyroi në monedhat e saj në vitet ‘70 figura, si Johan Volfgang Gëte, avokaten e shquar, me prirje të forta komuniste, Klara Zetkinin, Karl Fridrih Gausin ose Tomas Muncerin; Rumania zgjodhi Mihai Emineskun, Ion Luka Karaxhalen etj; Hungaria zgjodhi mbretërit e saj Robert Karoli, mbretin Matia, mbretin Stefan etj.; Çekosllovakia zgjodhi personalitete, si Jan Ziska, Ludovit Stur ose Klement Gotvald etj.

Tiparet dhe karakteristikat kryesore të monedhave shqiptare në vitet 1945 – 1990

Deri në vitin 1912 Shqipëria përdorte si monedhë lirën turke, valutën e Perandorisë Otomane. Pas Pavarësisë, nga viti 1912 deri më 1926, kur doli për herë të parë valuta kombëtare, në Shqipëri qarkullonin monedha të huaja, veçanërisht ato të një periudhe kaosi politik që e vonoi paraqitjen e një valute kombëtare deri më 1926. Gjatë kësaj kohe, shumë valuta të jashtme qarkulluan, veçanërisht ato të unionit monetar latin, d.m.th., monedhat italiane, franceze, greke, zvicerane dhe belge.

Historia e monedhës shqiptare fillon në një kohë me ngritjen e Bankës Kombëtare të Shqipërisë, e kostituuar në 2 shtator 1925. Ky mund të quhet institucioni emetues kombëtar i parasë. Leku shqiptar për herë të parë është futur në përdorim nga mbreti Zog, në vitin 1926. Emërtimi vjen për nder të Aleksandrit të Madh. Prerjet e kësaj kohe ishin prej ari, argjendi dhe bronzi. Sipas biografëve të Myfit bej Libohovës, ka qenë pikërisht ai që ka propozuar emrin Lek gjatë kohës që ushtronte detyrën e ministrit të Financave.

Pamjet e para të monedhave shqiptare, deri në vitin 1939, ilustroheshin me portretin e mbretit Zog, portretin e Skënderbeut, shqiponjën dykrenare, anije ilire, kostume popullore etj. Gjatë pushtimit fashist, në monedhat shqiptare mbizotëronte portreti i mbretit të Italisë Viktor Emanuelit III. Me mbarimin e Luftës së Dytë Botërore, të gjitha funksionet e Bankës Kombëtare të Shqipërisë pushuan së ekzistuari. Banka u shtetëzua dhe në vitin 1945 u formua Banka e Shtetit Shqiptar. Me dekretligjin e datës 7 korrik 1947, si njësi monetare caktohet Leku, i cili zëvendësoi Frangun.

Në periudhën 1944 – 1990, në Shqipërinë “socialiste”, “komuniste” apo të “diktaturës së proletariatit”, monedhat metalike dhe kartëmonedhat filluan të pasqyrojnë besnikërisht “doktrinën marksiste-leniniste”, “ndërtimin e socializmit”, “njeriun e ri revolucionar” dhe “sukseset e zhvillimit dhe modernizimit të vendit, nën udhëheqjen e PPSH-së”. Duke ndjekur në mënyrë kronologjike kartëmonedhat shqiptare të kësaj periudhe, është e lehtë të ndërtohet apo ravijëzohet fryma revolucionare e kohës, shqetësimet dhe mesazhet kryesore politike e ideologjike që PPSH-ja kërkonte të përhapte apo glorifikonte.

Kartëmonedhat e para të emetuara pas vitit 1947, dominohen nga dy simbole të rëndësishme që dëshmonin legjitimitetin dhe forcën e Republikës së re Popullore të dalë nga Lufta Nacionalçlirimtare: figurën e partizanit fitimtar dhe stemën e Republikës. Deri në vitin 1950 këtyre simboleve filluan t’u shtohen edhe imazhe që dëshmonin filllimin e procesit të ndërtimit të ekonomisë socialiste dhe hapave të parë drejt industrializimit të vendit, në qendër të të cilave ishte figura e “punëtorit” si simbol i pushtetit të klasës punëtore dhe diktaturës së proletariatit.

Në periudhën 1950 – 1980, në kartëmonedhat shqiptare konstatohet një ndryshim i orientimi drej simboleve që kanë të bëjnë me “ndërtimin e socializmit”, “modernizimin e bujqësisë socialiste”, “heronjtë e punës socialiste”, “veprat madhështore të planeve pesëvjeçare”, “mbështetja në forcat e veta”, “mbrojtja e atdheut”, “i gjithë populli ushtar”, “emacipimi i grave dhe vajzave shqiptare”, “lufta kundër burokracisë”, “aleanca e ngushtë revolucionare ndërmjet klasës punëtore, fshatarësisë punonjëse, kuadrove dhe intelektualëve”, “drapri, çekani, kazma dhe pushka” si simbole të ndërtimit dhe mbrojtjes të shoqërisë së re socialiste etj.

Në sfond të kësaj situate, në disa prerje, sidomos ato të emetuara në kuadrin e 25 dhe 30-vjetorit të çlirimit të atdheut, qëndron gjithmonë figura e partizanëve dhe portreti i heroit tonë kombëtar, Skënderbeut. Në këtë periudhë, Shqipëria dhe PPSH-ja vazhdonin të qëndronin, bile dhe ta shpallnin botërisht e me krenari “besnikërinë ndaj mësimeve të marksizëm-leninizmit dhe stalinizmit”. Kartëmonedhat e kësaj periudhe ngjajnë në shumë elemente me kartëmonedhat e Bashkimit Sovjetik të viteve 1940 -1970. Simbolika dhe imazhet e tyre janë mjaft të përafërta me këto monedha.

Një element i veçantë i kartëmonedhave shqiptare është mungesa e figurës së Enver Hoxhës në to. Ndryshe nga shumë vende të tjera komuniste të kohës, si Jugosllavia, Bullgaria, Bashkimi Sovjetik, Kina, Vietnami apo Kuba, në Shqipëri megjithëse ekzistone kulti i individit, i mishëruar tek Enver Hoxha, kjo nuk u reflektua asnjëherë në imazhet e kartëmonedhave.

Ndryshe nga fryma deri diku liberale që u shfaq në shumë vende të ish-bllokut komunist, ku kartëmonedhat u ilustruan me personalitete të shquara të shkencës, artit, letërsisë ose historisë, Shqipëria, në kartëmonedhat e saj, gjatë kësaj periudhe, nuk e reflektoi një tendencë të tillë. Deri në vitin 1991, kartëmonedhat shqiptare dominoheshin nga “heronjtë e socializmit” dhe të “diktaturës së proletariatit”. Personalitete të shquara të historisë sonë, si Ismail Qemali, Fan Noli, Naim Frashëri, mbreti Gent, Pjetër Bogdani etj., filluan të shfaqen në monedhat shqiptare vetëm pas përmbysjes së sistemit të diktaturës së proletariatit dhe vendosjes së demokracisë, d.m.th., pas vitit 1991./Jo.Be/Fjala.al

 

 

 

 

 

 

 

 

Të fundit

Jam i Kuq

Nga Edison Ypi Kam kujtu se jam i zi. Por kam rrejt veten. Nuk jam i zi. Jam i kuq....

Blerina Bala kryetare e komanduar, analisti bën paralajmërimin e bujshëm: Nëse Beleri…

Këshilli Bashkiak i Himarës, me 15 vota pro dhe 4 kundër komandoi Blerina Balën si drejtuese të bashkisë Himarë. Juristi Kreshnik Spahiu tha në një...

E keni menduar ndonjëherë? Zbuloni çfarë i ndodh trupit nëse konsumoni çdo ditë supë

Edhe pse supa konsiderohet si një ushqim i mirë për rastet kur keni temperaturë ose ndonjë sëmundje tjetër, duhet të dini se kjo varet...

U pështy në fytyrë, Tavo: Interesat e vogla kanë marrë peng komunutetin himariot

Prefekti i qarkut të Vlorës, Vangjel Tavo u përball me një incident në mbledhjen e Këshillit Bashkiak ku do zgjidhej drejtuesja e komanduar e...

Diabeti, ndotja e ajrit dhe konsumimi i alkoolit 3 faktorët e rrezikut të demencës

Diabeti, ndotja e ajrit dhe konsumimi i alkoolit mund të jenë faktorët më të mëdhenj të rrezikut të demencës, sipas një studimi të ri. Studiuesit...

Lajme të tjera

Web TV