SHBA-ja, donatori më i madh në botë? Bill Gates dhe qasja për vaksinën antiCovid

113 563 lexime

77,309FansaPëlqeje

Nga Alessia Selimi

Pandemia COVID-19 ka tërhequr përpjekjet e shëndetit publik për disa muaj në Shtetet e Bashkuara. Por në një intervistë, filantropi i teknologjisë, Bill Gates, shprehu shpresën për rrugë të reja të ndihmës së huaj. Të hënën, fondacioni “Bill & Melinda Gates” lëshoi raportin e katërt vjetor, i cili ndjek përparimin e ngadaltë por të qëndrueshëm që bota ka bërë drejt më shumë se një duzinë qëllimesh të lidhura me shëndetin të përcaktuara nga Kombet e Bashkuara në 2015-n.

Ky vit ishte pa zhurmë dhe i zymtë. Pandemia e koronavirusit ka djegur vite pune: më shumë familje janë në varfëri të madhe, kequshqyerja po rritet, shumë më pak fëmijë po imunizohen. Vlerësimi vjen ndërsa Shtetet e Bashkuara, të goditura më shumë nga virusi se çdo vend tjetër, po tërhiqen nga shëndeti global dhe duket se po përqendrohen kryesisht në ruajtjen e vetvetes. A mund të kthehet ndonjëherë në rolin e saj si udhëheqëse e botës, si në kompetencë dhe bujari?

 

Në një intervistë me “The New York Times”, përkthyer nga “Fjala”, Bill Gates shpjegoi se përse është optimist. “Është dispozita ime”, tha ai. “Plus, unë kam për t’i thirrur këta njerëz që t’i nënshtrohen vaksinës.” Me “këta njerëz”, Gates u referohej figurave kryesore në Shtëpinë e Bardhë dhe Kongres, ku ai personalisht ka lobuar për këtë sipërmarrje: domethënë, shtoni një shumë prej 4 miliardë dollarësh në paketën e stimulit fiskal që tani diskutohet në Kongres, në mënyrë që vendet e varfra të mund të marrin vaksinat COVID-19.

Në fund të fundit, qëllimi i tij është shumë më ambicioz: të dyfishojë ndihmën e huaj amerikane nga më pak se 0,2 për qind e Prodhimit të Brendshëm Bruto në 0,5 për qind ose më shumë. Ai e sheh pandeminë si një mundësi për ta bërë këtë. “Siç thonë, qeveria e Shteteve të Bashkuara, pasi të ketë provuar çdo gjë tjetër, bën gjënë e duhur”, shtoi ai me gëzim. Siç bëri në Silicon Valley, ndërsa luftonte me konkurrentët dhe rregullatorët e antitrustit (ligjet e qeverisë federale dhe shtetërore), Gates mund t’i llogarisë shanset e tij për sukses me një logjikë të pamëshirshme.

Kjo ka qenë rrallë aq e vërtetë, sa ç’është tani, pasi një pandemi një herë në shekull shkatërron vendet e varfra ku ai përqendron kontributin. “Dëmi është bërë më pak nga virusi, deri më tani ai ka vrarë përqindje shumë më të vogla të popullsisë së Azisë dhe Afrikës, sesa të Amerikës dhe Evropës Perëndimore – ndikimi ekonomik ka qenë shumë më i madh në vendet ku njerëzit dhe qeveritë nuk kanë rezerva për t’u përdorur”, tha Gates.

Rënia e turizmit, rënia e dërgesave nga të afërmit që punojnë jashtë vendit, mbyllja e porteve, minierave dhe puseve të naftës, mbyllja e shkollave dhe problemet në sistemet e brishta të kujdesit shëndetësor, kanë krijuar vuajtje të mëdha. Jo që nga viti 1870, kaq shumë vende kanë qenë në recesion në të njëjtën kohë, sipas raportit të Goalkeeper.

Midis 1990 dhe 2020, përqindja e popullsisë në botë që jeton në varfëri ekstreme, e cila përcaktohet se jeton me më pak se 2 dollarë në ditë, u tkurr në më pak se 7 për qind nga 37 për qind.

Vetëm në muajt e fundit, 37 milionë njerëz kanë rënë përsëri nën vijë, vlerësoi raporti. “Sa më shumë të zgjasë pandemia, aq më keq do të jenë plagët e saj ekonomike”, shtoi Gates. Përqindja e fëmijëve në botë që morën të gjitha vaksinat e rekomanduara nga Organizata Botërore e Shëndetësisë u rrit vitin e kaluar në një rekord të lartë prej 84 për qind. Kjo shifër tani ka rënë në 70 për qind – prapa, ku ishte 25 vite më parë.

Vdekjet nga malaria, kequshqyerja, ndërlikimet e lindjes dhe sëmundjet, si fruthi e difteria, kanë filluar të rriten. Sidoqoftë, Gates ishte optimist se “toka e humbur” do të rekuperohej për dy deri në tre vjet. Tubacionet e parave nga turizmi, remitancat, huatë e Bankës Botërore dhe burime të tjera do të fillojnë të rrjedhin përsëri, sapo e gjithë bota të vaksinohet, duke i dhënë kështu fund pandemisë; ai pret që kjo të arrihet deri diku në vitin 2022. Deri atëherë, megjithatë, do të ketë një periudhë dhimbjeje të fortë dhe pabarazie edhe më të madhe midis vendeve të pasura dhe atyre të varfra.

Një nga përfundimet më të rënda në raportin e fondacionit, është se gati dy herë më shumë vdekje mund të parandalohen, nëse vaksinat COVID-19 do të shpërndahen në të gjitha vendet, bazuar në popullsinë e tyre, sesa në 50 vendet e pasura më parë. “Kjo nuk do të ndodhë së shpejti”, pranoi Gates.

Administrata Trump ka refuzuar publikisht të bashkohet me marrëveshjen bashkëpunuese ndërkombëtare, të njohur si Covax, në të cilën Organizata Botërore Shëndetësisë, GAVI, Aleanca e Vaksinave dhe Kolacioni për Inovacione të Gatishmërisë Epidemike kanë bashkuar forcat për t’u siguruar që vendet e pasura dhe të varfra t’i marrin vaksinat e koronavirusit njëkohësisht.

Në vend të kësaj, Operacioni Warp Speed, përpjekja e njëanshme e administratës Trump për të ndjekur me shpejtësi zhvillimin e vaksinave, ka paguar 11 miliardë dollarë në gjashtë kompani vaksinash, për të siguruar që të paktën 100 milionë doza nga secila kompani dhe opsionet për miliona të tjera, të jenë të destinuara ekskluzivisht për Shtetet e Bashkuara.

Megjithëse ai pozicion “duket egoist”, tha Gates, ai nuk e ndiente se ishte i pajustifikuar. Në të vërtetë, filantropi tha: Ju nuk do të keni sukses që t’i bëni Shtetet e Bashkuara të trajtojnë veten si vetëm një 5-përqindësh të rastësishëm të popullsisë së botës. Tatimpaguesit amerikanë, vuri në dukje ai, kanë paguar dy të tretat e kostove të provave klinike dhe të dozave të prodhimit edhe para se të mbarojnë provat.

Lexo edhe :  Moti për javën e ardhshme

Në mungesë të parave, të vetmet vaksina të disponueshme do të ishin ato nga Rusia ose Kina, të cilat Gates i konsideroi të paprovuara dhe potencialisht të dobëta. “Ju nuk mund të thërrisni Johnson & Johnson ose AstraZeneca dhe të thoni: Hej, këtu ka një shans për të humbur 500 milionë dollarë.” Nëse vetëm tri nga disa vaksina që Shtetet e Bashkuara po mbështesin të kenë sukses, tha ai, vendi do të kishte më shumë doza sesa mund të përdorte dhe pjesa tjetër mund të ndahej me botën.

Gjithashtu, Gates tha se ai priste që në fillim të vitit të ardhshëm, pavarësisht se kush i fiton zgjedhjet presidenciale, SHBA-ja do të paguajë pjesën më të madhe, të vlerësuar në shumën prej 4 miliardë dollarësh, për t’i marrë vaksinat për të gjithë të varfrit në botë.

Ai vuri në dukje se Kongresi kishte mbajtur në mënyrë të përsëritur fonde për AIDS, malarien dhe vaksinat e fëmijërisë në buxhetin e ndihmës së huaj, pavarësisht përpjekjeve të shumta nga Shtëpia e Bardhë gjatë dekadës së fundit për t’i shkurtuar; programet janë të njohura si nga liberalët, ashtu edhe nga konservatorët e krishterë. “Dhe ta bësh këtë është në interes të Amerikës”, tha Gates. “Në një botë të varur nga turizmi dhe udhëtimet e biznesit, asnjë vend nuk është i sigurt, derisa çdo vend të jetë i tillë.

Ekziston një argument global më i mirë për bujarinë se ky për HIV. ose malarien. ” Gates ka lobuar drejt sekretarit të Thesarit, Steven Mnuchin, ashtu edhe drejt Mitch McConnell, udhëheqësit të shumicës në Senat, për të vendosur 4 miliardë dollarë për vaksinat dhe tha se ai ishte “60 deri në 70 për qind i sigurt”, se qëllimi do t’u mbijetonte negociatave. “Udhëheqësit e Kongresit kanë ndjesinë se SHBA-ja ka një prani morale në botë dhe se shpagimi për atë investim do të jetë në triliona”, tha ai. Por ambiciet përfundimtare të Gates janë shumë më të mëdha.

Pasi kërcënimi i koronavirusit të zhduket, ai tha se “ne duhet të ndjekim buxhetin modest të ndihmës së huaj të SHBA-së dhe të përpiqemi ta dyfishojmë atë.” Sondazhet tregojnë vazhdimisht se amerikanët janë të vetëdijshëm se Shtetet e Bashkuara janë donatori më i madh në botë i ndihmës së huaj. Por kur u pyet për të vlerësuar se sa për qind e prodhimit të brendshëm bruto të vendit shkon për ndihmë të huaj, supozimi tipik është 5 për qind.

Në fakt, shifra reale është më pak se 0,25 për qind. Me atë masë, Britania dhe Gjermania shpenzojnë pothuajse tri herë më shumë, dhe Suedia e Norvegjia janë katër herë më bujare, duke shpenzuar plot 1 për qind të PPB-së. “Kjo pandemi ofron një shans për Shtetet e Bashkuara që të rriten”, tha Gates. Mundësia e fundit e tillë erdhi në vitet 1980 dhe 1990, me AIDS; sëmundja goditi Shtetet e Bashkuara aq shumë, sa që amerikanët zhvilluan njëfarë simpatie për viktimat e saj. Në 2003 George W. Bush e shfrytëzoi këtë ndjenjë dhe derdhi 15 miliardë dollarë në planin e presidentit për të luftuar AIDS-in, tuberkulozin dhe malarien.

Ai, madje, kërkoi t’i luftonte këto sëmundje edhe në Afrikë e gjetkë. Tani që amerikanët i kuptojnë më mirë kërcënimet e paraqitura nga viruset në shfaqje (Gates paralajmëroi rreth tyre në një TED Talk më 2015), ata mund të jenë të gatshëm të paguajnë më shumë për t’i eliminuar.

Arritja e kësaj do të ishte me kosto efektive. “Në fushën e shëndetit, ne vërtet dimë se si të shpenzojmë para dhe të kemi ndikim”, tha Gates. “Ne kemi mësuar shumë në 20 vitet e fundit.”Dy dekada të shpërndarjes së barnave të AIDS-it, vaksinave të poliomelitit, pajisjeve diagnostike dhe mallrave të tjera ka vendosur një infrastrukturë mjekësore – trupa mjekësh, infermierësh, punonjës shëndetësorë në komunitet, laboratorë, farmaci, qendra operacionesh emergjente – që me shpenzime dhe trajnime minimale të reja, mund të përdoren në luftimin e sëmundjeve të tjera. Gates tha se ai ndonjëherë ndihej “i vetëm” teksa vizitonte udhëheqësit e Kongresit për të mbështetur ndihmën e huaj.

Por ai ka arritur të bindë edhe disa konservatorë të ngurtë fiskalë, duke përdorur dy taktika të përdorura shpesh nga grupe avokimi që marrin grante nga fondacioni Gates. Njëra është që gjeneralët në pension t’u shpjegojnë anëtarëve të Kongresit se si qindarkat e shpenzuara për ndihmë humanitare mund të kursejnë miliarda dollarë që mund të nevojiten më vonë për të mposhtur lëvizjet militante që lulëzojnë kur vendet vdesin nga uria. Tjetra është dërgimi i anëtarëve të Kongresit dhe bashkëshortëve të tyre në Afrikë.

“Asgjë nuk tregon se sa efektive mund të jetë ndihma e huaj sesa të kesh një senator të ulët dhe të dëgjojë një grua të thotë se, porsa të korrat e saj të jenë më produktive, ajo do të jetë në gjendje të paguajë tarifat e shkollës për fëmijën e saj”, tha Gates duke shtuar se ata senatorë mund të llogarisin gjithashtu se është më e mençur të inkurajohen vendet e vogla. Gazetarët, nga ana tjetër, ndihmojnë ” në vendosjen e një fytyre njerëzore në histori.”

“Ju ( u referohet gazetarëve) mund të merrni të gjithë ata që janë mjekë, të gjithë ata që kanë qenë ndonjëherë në Korpuset e Paqes, të gjithë ata që janë prekur nga HIV, të gjithë ata që janë prekur nga kjo pandemi, dhe t’i tërhiqni ata së bashku për të thënë: Hej, ndoshta buxheti i ndihmës amerikane duhet të jetë 1 për qind apo edhe 2 për qind të buxhetit të qeverisë, përkundër asaj që është tani”, tha Gates./Jo.Be/Fjala.al

Marrë nga “The New York Times”

 

 

Të fundit

Stefan Zvajg, shkrimtari që ëndërroi botën pa kufij

Nga Bujar Meholli Zvajgu ka tërhequr vëmendjen e përkthyesve shqiptarë të cilët ndër vite kanë sjellë veprat e tij artistike,...

Tërmet tragjik në Turqi, dhjetëra viktima dhe qindra të plagosur

Tërmeti në Turqi me magnitudë 6,6 ballë të shkallës rihter shkakton dhjetëra viktima deri në mbrëmjen e djeshme dhe qindra të plagosur. Raportohet për...

Parandalohet vrasja në Shkodër, pas sherrit në lokal 20-vjeçari nxjerr armën e zjarrit

Një 20-vjeçar ka tentuar të vrasë me armë zjarri një 37-vjeçar në Shkodër pas një konflikti të çastit, por menjëherë ka ndërhyrë policia për...

Ndahet nga jeta kitaristi Mehdi Prodani, mësuesi i Vaçe Zelës

Ka ndërruar jetë në moshën 91-vjeçare kitaristi i njohur Mehdi Prodani. Lajmin e ka bërë të ditur nipi i tij, Kujtim Prodani, i cili...

Ekspertët amerikanë paralajmërojnë për përhapje ‘të vazhdueshme’ të virusit

Grupi i Punës i Shtëpisë së Bardhë për koronavirusin po paralajmëron për një përhapje "të vazhdueshme" të virusit, veçanërisht në gjysmën perëndimore të vendit. Sipas...

Lajme të tjera

Web TV