Tërmeti dhe pandemia orientojnë kërkesën drejt rezidencave elitare dhe vilave

113 563 lexime

124,178FansaPëlqeje

Pas tërmetit të 26 nëntorit dhe pandemisë, kërkesa për të jetuar në rezidenca ku janë të përqendruara apartamentet në ndërtime trekatëshe dhe vila është rritur ndjeshëm.

“Në zonat elitare, ku ka rezidenca me apartamente në ndërtesa trekatëshe dhe vila po blihen nga individë që duan të banojnë, pas ngjarjes së tërmetit. Shumë tregojnë se nga tërmeti kanë përjetuar panik dhe kjo është arsyeja pse po zgjedhin të jetojnë në ndërtesa të ulëta. Kërkesa për këto objekte banimi u rrit edhe pas pandemisë”, shpjegon Dritan Caka, drejtues i agjencisë “Devinf”.

Frika për të jetuar në ndërtesa të larta, pas tërmetit dhe karantina për shkak të pandemisë, janë të njëjtat arsye që  pohon edhe  drejtoresha e marketingut dhe shitjeve në kompaninë “Edil Al”, Ermira Brozi, për rritjen e kërkesës për banim në këto zona elitare.

“Trendi aktual i kërkesave për objekte banimi është i përqendruar në vila dhe apartamente në pallate trekatëshe me oborr dhe gjelbërim në zonat elitare rurale. Kërkesa për objekte banimi në këto zona, u rrit sidomos pas tërmetit të 26 nëntorit dhe përfundimit të karantinës.  Distancimi social dhe karantina për shkak të Covid-19, tregoi se të jetuarit në këto zona nuk është i njëjtë, si në pallatet shumëkatëshe, ku njerëzit vuajtën izolimin, mungesën e natyrës dhe aktiviteteve. Këto ishin arsyet që rritën kërkesën, kryesisht nga blerës të shtresës të mesme dhe të shtresës të pasur”.

Zhvendosja e jetesës nga qendrat urbane drejt zonave elitare rurale ka ndodhur edhe për shkak të tendencës për të jetuar në vila individuale, apo pallate me pak kate. “Zhvillimi i zonave rurale, duke nisur që me degëzimin e rrugëve, zbatimi i projektit të Unazës të Re, që do të lidhë autostradën e Elbasanit me zonën e Dajtit, shmangia e trafikut, gjelbërimi, ajri i pastër, ndërtimi i shkollave të reja, qendrave tregtare janë ndër arsyet kryesore pse  njerëzit po zgjedhin të jetojnë në to. Tashmë jeta është transferuar nga qendrat e zhurmshme urbane, drejt qendrave rurale që krijojnë lehtësi dhe komoditet për të jetuar”.

Zonja Brozi thotë se kërkesa më e lartë për blerje në zonën pranë liqenit të Farkës është për apartamente në pallate trekatëshe dhe më tepër, për vila të thjeshta, sesa mondane apo luksi. “Interesi më i lartë është për vila me më pak shpenzime, por në një zonë që garanton sigurinë, parkimin, relaksin, shkollimin e fëmijëve. Duhet theksuar se është rritur kërkesa për këto objekte edhe nga shtetasit e huaj, të cilët po kërkojnë të largohen nga shtëpitë me qira të shtrenjtë në qendër të Tiranës”

Sipas Rudina Muratit, përfaqësueses të kompanisë “Orion Construction”, kërkesa e lartë për shtëpi banimi në pallate të ulëta dhe vila nga të pasurit është edhe për te zona pranë Parkut të Liqenit. Arsyet janë ofrimi i standardit të lartë të jetesës dhe privatësisë.

“Në rezidencën ‘Porta e Gjelbër’, përbri Parkut të Liqenit dhe Pallatit të Brigadave ku ndërtimet e kompanisë janë përqendruar për apartamente dhe vila ‘premium’, interesimi për to ka qenë i lartë që në fazat e para të ndërtimit. Ky projekt i konceptuar synon pjesën e tregut me të ardhura të larta, pasi jo të gjithë e kanë mundësinë të blejnë shtëpi në këtë fashë. Kërkesa është e lartë si për vilat dhe për apartamentet ‘premium’ në objekte trekatëshe, me vetëm dy apartamente në kat.”

Klajdi Memajdini, nga real estate “Devinf”, parashikon se kërkesa do të vazhdojë të rritet për këto zona, për shkak të vendndodhjes dhe të cilësisë së mirë të ndërtimit.  “Gjatë periudhës pas karantinë, dy muajt e parë ishin pak të vështirë për pallatet rezidenciale, sidomos ato që janë aktualisht në ndërtim, por me kalimin e kohës, kërkesa nisi të rritej dhe shitblerjet kanë vazhduar me ritme periudhale.

Lexo edhe :  Ndryshimet klimatike mund të rrisin inflacionin

Çmimet nuk kanë ndryshuar. Sigurisht, në pallatet në ndërtim, çmimi ndryshon, pasi ato kanë fazat e tyre të ndërtimit dhe sa më shumë zhvillohet objekti, çmimi rritet deri në përfundimin e plotë të tij. Megjithatë, zonat elitare të kryeqytetit kanë pasur, kanë dhe do të kenë gjithmonë kërkesa. Objektet e reja në këto zona, aktualisht në ndërtim, janë shumë të mira dhe kanë  arkitekturë moderne, që kryeqytetit i nevojiteshin për t’i dhënë një zhvillim tjetër”.

 

Rritet kërkesa për vila te Gjiri i Lalëzit

Për shkak të pandemisë, kërkesa për blerje apartamentesh dhe vilash në bregdet u rrit 30% krahasuar me një vit më parë. “Njerëzit dëshironin të qëndronin larg smogut, zhurmës. Zgjodhën më shumë të jetonin në bregdet. Kërkesa të shumta pati edhe nga shqiptarët e Kosovës dhe maqedonasit” janë arsyet që jep drejtuesi i agjencisë imobilare, “Devinf” për shtimin e shitjeve.

Klajdi Memajdini, agjent i shitjeve në këtë agjenci, thotë se pati një bum kërkesash sidomos për vilat në zonën e Gjirit të Lalëzit, gjatë periudhës post-karantinë. “Pranvera është stina më e mirë për të shitur pronat në bregdet, por edhe gjatë periudhës së karantinës,  njerëzit e kuptuan rëndësinë e një shtëpie të mirë në bregdet. Rreth 80-90% të vilave në komplekset më të mira në zonën e Lalëzit janë shitur. Sigurisht, tani në këto momente nuk është periudha më e mirë për pronat në bregdet, kërkesa gjithsesi mbetet thuajse e njëjtë, por jo me të njëjtin agresivitet”.

Për çmimin e qirasë, Memajdini thotë se në zonën e Gjirit të Lalëzit varion  5,000 – 10,000 euro për vilat me vlerë deri në 350,000 euro. Për vilat me vlerë 1 milion euro, të ngritura në vijën e parë të ndërtimeve, mendohet që çmimet të shkojnë nga 10,000 deri në 17,000 euro në muaj.

Edhe sipas kompanisë “Edil-Al”, pas karantinës, volumi më i madh i shitjeve të planifikuara është kryer në resortin “San Pietro”, në Gjirin e Lalëzit. Drejtoresha e shitjeve, Ermira Brozi, thotë se kërkesa vjen si nga vendasit, ashtu edhe të huajt. Pas pandemisë, pati një rritje të lartë të kërkesës, pasi shumë familje, me karantinën e provuan që jeta në Gjirin e Lalëzit ishte më pak e kufizuar se në apartamentet e zonave urbane.

Kërkesa të larta për blerje ka pasur edhe nga të huajt, por edhe nga vendasit që tashmën zonën e ‘San Pietros’ e kanë vlerësuar për banim të shtëpisë të parë. Kërkesë në rritje ka pasur edhe nga ata klientë që po shesin apartamentet në Tiranë dhe po blejnë shtëpi në bregdet, si dhe nga shqiptarët e Kosovës.”

Arsyet pse individët po zgjedhin të blejnë vila në këtë resort është për shkak të standardit të lartë të kushteve të jetesës, por edhe perspektivës së zhvillimit të zonës.

“Në zonën e ‘San Pietros’, ku është përqendruar ndërtimi i vilave dhe apartamenteve në objekte të ulëta, është modeli i parë i ndërtimit të një resorti me 5 yje, banorët e këtij komuniteti do të mund të përdorin edhe shërbimet e ofruara nga hotel ‘Melia’, një nga brandet më të njohura ndërkombëtare në shërbimin e hotelerisë.

Projekti i rrugës që do të lidhë rreth-rrotullimin e Thumanës me Gjirin e Lalëzit, shumë shpejt do të shkurtojnë kohën e përshkrimit të rrugës Tiranë-Gjiri i Lalëzit.  Çmimet e vilave dhe apartamenteve edhe për këtë resort variojnë, si në zonën e Farkës”, pohon zonja Brozi. Në këtë resort, çmimet e vilave sipas agjencive imobiliare variojnë nga 600,000 euro deri në 1 milion euro. /Monitor/

Të fundit

Balluku në Lushnje: Nuk ka rritje të çmimit të energjisë për furrat e bukës

Çmimi i energjisë për furrat e bukës do të vijojë të mbetet i pandryshuar, duke mos rritur kostot e...

Të mungon dikush? Si ta përballosh ndjesinë e vetmisë

Njerëzit janë nga natyra krijesa shoqërore. Shumica e njerëzve dëshirojnë intimitet, shoqëri dhe lidhje të qëndrueshme me të tjerët. Megjithatë, në anën tjetër të...

Doganat greke paralajmërojnë grevë 48-orëshe/ Paralizohet lëvizja në pikat kufitare

Doganat greke kanë paralajmëruar një grevë 48 orëshe nga data 2 prill në orën 08.00 të mëngjesit dhe deri në 04 prill në 08.00...

Dita e gjyqit për “portalet”/ Rama: Komision për dezinformimin!

Shqipëria do të ngrejë një Komision Parlamentar për dezinformimin. Ky Komision i Posaçëm parlamentar vjen pas marrëveshjes ndërmjet Shqipërisë dhe SHBA-ve, rekomandimet e BE-së...

Aktorja thotë se e ka humbur virgjërinë në moshën 35-vjeçare: Prisni derisa të jeni gati

Rebel Wilson, në një intervistë për People, i tregoi botës e e ka humbur virgjërinë në moshën 35-vjeçare. Ajo tha se më shumë rreth...

Lajme të tjera

Web TV