Ekskluzive/ Ndarja e detit, kostitucionalisti Agron Alibali: “Vijat e kuqe që duhet të mbrojë Shqipëria”

113 563 lexime

124,178FansaPëlqeje

A do të përfundojë delimitimi i kufirit detar mes Shqipërisë dhe Greqisë në një gjykatë ndërkombëtare dhe sa shanse ka që vendi ynë të mos dalë i humbur nga një proces i tillë?

Analizon për gazetën “Fjala” studiuesi i së drejtës detare, Agron Alibali, njëri prej ekspertëve që e kundërshtoi marrëveshjen detare të vitit 2009, e cila u rrëzua nga Gjykata Kushtetuese. Shqetësimi serioz për Zonat Ekskluzive Ekonomike (ZEE), Alibali: Marrëveshja e 9 qershorit 2020 midis Italisë dhe Greqisë për delimitimin e ZEE-së përbën një akt jomiqësor ndaj Shqipërisë dhe është në shkelje të frymës dhe germës së konventës UNCLOS.

Nga Blerina Gjoka

Delitimimi i kufirit detar dhe shfrytëzimi i Zonave Eskluzive Ekonomike në hapësirën detare mes Shqipërisë dhe Greqisë me shumë gjasa do të përfundojë në një gjykatë ndërkombëtare, për një vendim final. Ideja u hodh nga kryeministri shqiptar, Edi Rama, gjatë qëndrimit në Athinë në mesin e javës që shkoi, ku mori pjesë në Forumin e revistës “Economist”, me temë “Ballkani, përtej 2020”. Pas një darke me homologun grek, Qirjakos Micotaqis, Rama ofroi dy alternativa për arritjen e një marrëveshjeje Shqipëri-Greqi për ndarjen e hapësirave/zonave detare mes dy vendeve në detin Jon. “Kur bëhet fjalë për zona detare, ta zgjidhim çështjen me të tjerë, nëpërmjet një pale të tretë apo edhe gjykatave ndërkombëtare.

Kjo do të jetë një zgjidhje e drejtë dhe objektive. Shpresoj sa më shpejt të arrijmë dakordësi. Jemi në rrugën e duhur,”- tha ai. Çështja e ndarjes së hapësirave detare u rikthye si temë qendrore pas deklaratës së kryeministrit grek, Qirjakos Micotaqis, se qeveria e tij “synon t’i zgjerojë hapësirat e saj detare edhe në detin Jon, deri në 12 milje, sipas të gjitha konventave ndërkombëtare”. Por zgjerimi me 12 milje është i pamundur në kufirin me Shqipërinë, ku i duhet një marrëveshje ndërshtetërore. Konventa e të Drejtës së Detit, e miratuar në Montego Bay në vitin 1982, e ratifikuar nga të dyja vendet fqinje, u jep vendeve që e kanë ratifikuar të drejtën t’i zgjerojnë ujërat e tyre territoriale deri në 12 milje, nëse këtë e lejojnë rrethanat gjeografike.

Por në detin Jon hapësira është e kufizuar dhe kështu kërkohet një marrëveshje e pranuar nga të dyja palët. Në mungesë të një dakordësie, futet në lojë një gjykatë ndërkombëtare. Rihapja e çështjes ka rikthyer debatin politik, pasi opozita dhe presidenti e akuzuan kryeministrin se po kryen bisedime sekrete me Micotaqisin në disfavor të Shqipërisë dhe i kërkuan atij transparencë. Shqipëria dhe Greqia ndajnë në detin Jon tri hapësira: det territorial, shelf kontinental dhe zona ekonomike ekskluzive. Këto dy të fundit kanë të bëjnë me shfrytëzimin e hapësirës dhe pasurive nëndetare, si kërkimet për gaz, naftë etj. Për të tria këto hapësira do të negociohet dhe do të vendoset nga arbitri ndërkombëtar. Çështja e ndarjes së detit ishte lënë në heshtje që nga viti 2018, kur negociatat mes dy vendeve u pezulluan, edhe pse kishte shumë optimizëm për një marrëveshje të re.

Një marrëveshje e mëparshme, e firmosur zyrtarisht në vitin 2019, mes qeverisë Berisha dhe qeverisë së Ciprasit në Greqi, u hodh poshtë nga Gjykata Kushtetuese e Shqipërisë, e vënë në lëvizje nga një kërkesë e Partisë Socialiste nën drejtimin e Edi Ramës. Këtë kërkesë e mbështetën fort ekpertë të së drejtës ndërkombëtare, të cilët u bënë pjesë aktive e këtij procesi, duke dërguar madje pranë Gjykatës Kushtetuese pikëpamajet e tyre juridike nëpërmjet “amicus curiae”. Një prej tyre ishte dhe Agron Alibali, studiues i së drejtës detare, i cili në vitin 2009 u angazhua fort në debatin profesional në lidhje me projektmarrëveshjen detare mes Shqipërisë dhe Greqisë. Alibali paraqiti një amicus curiae për Gjykatën Kushtetuese të Shqipërisë, e cila më vonë njëzëri e deklaroi projektmarrëveshjen si jokushtetuese. Në një intervistë shteruese për gazetën “Fjala”, Alibali sqaron pse një gjykatë ndërkombëtare do të ishte objektive për këtë çështje dhe se pala shqiptare duhet të shkojë në arbitrazh ndërkombëtar me disa “vija të kuqe”, të cilat ia imponon vendimi historik i Kushtetueses, i vitit 2010.

 

Është paralajmëruar se çështja e ndarjes së detit mes Shqipërisë dhe Greqisë do të zgjidhet në një gjykatë ndërkombëtare, ose arbitrazh ndërkombëtar. Si e konsideroni këtë nismë? Përse palët nuk mundën ta zgjidhnin mes tyre? Ndarja paraqet vështirësi në teknitalitete, apo dy qeveritë nuk dëshirojnë të mbajnë kosto politike, për shkak të notave nacionaliste që merr një marrëveshje e tillë? 

pari, falemnderit për intervistën te Fjala më e re e gazetarisë shqiptare. E kam shprehur edhe më herët se delimitimi i hapësirave ujore në Jonin Verior është ndër më të ndërlikuarit, për shumë arsye, faktorë e rrethana historike e të veçanta. Rruga që parashikon e drejta ndërkombëtare është zgjidhja e mosmarrëveshjeve të delimitimit përmes negociatave. Mirëpo, kur këto nuk arrijnë rezultat, palët i drejtohen së bashku një forumi gjyqësor, ose arbitrazhit ndërkombëtar.

Pra, që çështja t’i përcillet një forumi ndërkombëtar së pari duhet të ketë mospajtim midis palëve, dhe së dyti, të dyja palët duhet të bien dakord që do t’i drejtohen këtij forumi. Pra, palët nuk pajtohen për thelbin e çështjes, por pajtohen për zgjidhjen e saj gjyqësisht ose me arbitrazh. Për mua, rruga më e mirë është përcjellja e mospajtimit dhe trajtimi i delimitimit të hapësirave detare në Jonin Verior para Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë ose Tribunalit të së Drejtës Ndërkombëtare të Detit në Hamburg. Pajtohem plotësisht me prof. Zaganjorin se Gjykata Permanente e Arbitrazhit në Hagë duhet shmangur krejtësisht, sidomos për fiasco-n e saj në çështjen Slloveni – Kroaci, apo në ndonjë çështje tjetër.

 

Në Shqipëri ka disa zëra ekspertësh se zgjerimi i Greqisë nga 6 në 12 milje nuk është në favorin tonë, në momentin që do të përballemi me një palë të tretë, si gjykatat ndërkombëtare, pasi qeveria shqiptare nuk ka lobimin e duhur që do t’i siguronte pozita të favorshme në një arbitrazh ndërkombëtar. Ju si e konsideroni? 

Këtu nuk është çështje lobimi, por përgatitjeje dhe paraqitjeje të argumenteve. Veçanësia e bukur e mospajtimeve në të drejtën ndërkombëtare të detit është se konventa i shikon të gjitha palët si krejtësisht të barabarta. Ka mjaft raste kur ishuj-shtete fare të vogla e të parëndësishme, për shembull në Paqësor, negociojnë krejt si të barabarta me shtete si Britania e Madhe, Franca etj., madje nuk ngurrojnë aspak t’i drejtohen gjykatës apo arbitrazhit ndërkombëtar, madje edhe me sukses. Pra, shqetësimi i ngritur, edhe pse vjen nga zëra të respektuar, nuk qëndron. Nëse flasim pastaj për rolin e BE-së dhe vendeve të veçanta të saj, atëherë puna ndryshon. Fatkeqësisht, BE-ja, instancat e saj dhe vende të ndryshme anëtare kanë treguar një mungesë të çuditshme paanshmërie, objektiviteti dhe qëndrimi racional në mosmarrëveshje dypalëshe në të drejtën ndërkombëtare të detit, ku – me thënë të drejtën – BE-ja ka pak ose aspak rol.

 

Në përballjen me gjykatën ndërkombëtare do të marrin shumë vlerë dokumentet që do të paraqiten, pretendimet e palëve, bazuar mbi studime etj. A e kemi ne ekspertizën e duhur për të pasur një ndarje sa më të drejtë të detit mes dy vendeve? 

Nuk dua të përmend emra të përveçëm, por kam mendimin se vendi ka ekspertë të zot, e të përgatitur në këtë fushë sa delikate, aq edhe të ndërlikuar të së drejtës ndërkombëtare të detit dhe të praktikës përkatëse. Ajo çka mungon është qartësia e klasës politike në njohjen e të drejtave dhe detyrimeve të Shqipërisë që burojnë nga konventa UNCLOS dhe nga e drejta ndërkombëtare e detit. Do të shtoja se nuk është momenti për akuza e kundërakuza, por për përcaktimin e një qëndrimi të unifikuar nga institucionet e shtetit shqiptar, si dhe nga spektri politik, për atë çfarë i takon vendit, sipas së drejtës ndërkombëtare dhe konventës UNCLOS.

Në këtë kuadër, kam mendimin se ka ardhur koha e ngritjes së një Drejtorie të Posaçme të së Drejtës Ndërkombëtare të Detit pranë Ministrisë së Punëve të Jashtme, e cila të shërbejë si qendra e përcaktimit të qëndrimit zyrtar shqiptar dhe e formulimit të hapave proceduralë se ku, kur dhe si duhen mbrojtur interesat e vendit që burojnë nga e drejta ndërkombëtare dhe konventa UNCLOS. Të mos harrojmë se Shqipëria, si vend bregdetar, ka deri tani vetëm një marrëveshje delimitimi të hapësirave detare, dhe pikërisht atë me Italinë për shelfin kontinental të 18 dhjetorit 1992. Përveç përcaktimit të kufirit në detin Jon, mbeten për t’u delimituar ZEE-ja me Italinë në Adriatik dhe, çka është edhe më e rëndësishme, dhe urgjente, delimitimi i hapësirave detare me Malin e Zi.

Lexo edhe :  Italia hap tender, si do të garantohet ushqyerja dhe menaxhimi i emigrantëve në Shqipëri

 

Nga ana tjetër, në Shqipëri ka një vendim të Gjykatës Kushtetuese, e cila rrëzoi marrëveshjen e vitit 2009 të ndarjes së detit me Greqinë. A mund të jetë përcaktues ky vendim për negociatat që do të zhvillonte Shqipëria në një gjykatë ndërkombëtare, që do të përcaktonte në një farë mënyre edhe “vijën e kuqe” në këto negociata? 

Vendimi historik i Gykatës Kushtetuese, i prillit 2010, përbën “vijë të kuqe” në rrafshin e negociatave me Greqinë për sa i takon palës shqiptare. Ai vendim është bazuar fort në praktikën shtetërore dhe jurisprudencën e gjykatave dhe arbitrazhit ndërkombëtar. Rrjedhimisht, argumentet e shpalosura aty, edhe pse nuk kanë forcë detyruese ndaj palës greke në kuadrin hipotetik të negociatave, kam bindjen se do të gjenin një mjedis mirëkuptues në forumin ndërkombëtar, nëse çështja do t’i paraqitej atij.

Më shumë sesa thjesht përcaktimi i një vije ndarëse kufitare në det, duket se loja e madhe luhet me përcaktimin e zonave ekskluzive ekonomike (ZEE). Çfarë janë ZEE-të dhe si është vepruar për ndarjen e tyre në praktikat e mëparshme të gjykatave ndërkombëtare dhe çfarë duhet të kërkojë Shqipëria?

ZEE është një ndër institutet e së drejtës ndërkombëtare të detit që mbulohet nga pjesa V e konventës UNCLOS, që ka të bëjë kryesisht me të drejta ekskluzive të shtetit bregdetar në hapësirën apo shtyllën ujore përmbi shelfin kontinental. Bëhet fjalë kryesisht për të drejtat e shfrytëzimit të pasurive detare, peshkimit etj., sa u takon burimeve minerare, ato mbulohen nga shelfi kontinental. Shtetet kanë të drejtë të deklarojnë ZEE deri në 200 milje detare nga fillimi i brezit të detit territorial.

Deti Mesdhe – dhe për pasojë, edhe nënndarjet e tij, Adriatiku dhe Joni, janë hapësira detare relativisht të ngushta, dhe ZEE-ja si e tillë realizohet pjesërisht ose, nuk realizohet fare. Në Adriatik asnjë shtet nuk ka deklaruar ZEE. Çdo hap në këtë drejtim duhet bërë në bashkëpunim me të gjitha shtetet bregdetare relevante, siç parashikon neni 123 i Konventës për Detrat e Mbyllur. Në këtë kuadër, sikurse e kam theksuar tjetërkund, Marrëveshja e 9 qershorit 2020, midis Italisë dhe Greqisë, për delimitimin e ZEE-së, përbën akt jomiqësor ndaj Shqipërisë, dhe është në shkelje të frymës dhe germës së konventës UNCLOS.

Në gjykimin tuaj, ku duhet të përqendrohen ekspertët tanë hartografë dhe të së drejtës ndërkombëtare për ndarjen e detit? Kujtojmë që ka raste të ngjashme të vendeve të tjera thuajse identike mes Shqipërisë dhe Greqisë (edhe në çështje teknike) të cilat i kanë zgjidhur në gjykata ndërkombëtare. A vlejnë precedentët e vendimeve të tjera për t’u marrë si shembuj dhe, nëse po, në dijeninë tuaj, cilët mund të jenë?

Ekziston tashmë një jurisprudencë e konsoliduar që ndihmon në delimitimin e drejtë dhe të ndershëm të hapësirave detare në Jonin Verior. Tri janë forumet kryesore: Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë në Hagë; Gjykata e Përhershme e Arbitrazhit po në Hagë; dhe Tribunali i së Drejtës Ndërkombëtare të Detit në Hamburg. Ky i fundit parasheh edhe fonde që mund të përdoren si asistencë për vende me mjete të kufizuara. Thelbi i mospajtimit në Jonin Verior është se cilat parime prevalojnë, kur hapësirat ujore të ishujve të shtetit A. konkurrojnë apo mbivendosen ndaj atyre të dheut kontinental [land territory] të shtetit B. Pikëpamja e palës greke – mbështetur edhe në një interpretim të ngushtë të nenit 121 të konventës UNCLOS – është se ishujt i përfitojnë të gjitha hapësirat detare që parashikon konventa UNCLOS, siç janë deti territorial, shelfi kontinental dhe ZEE-ja.

Jurisprudenca e konsoliduar e të tria forumeve që përmenda saktëson se ishujt i gëzojnë plotësisht ato hapësira për sa kohë që nuk cenojnë projeksionin detar të bregdetit të dheut kontinental, për shembull, kur ndodhen në një rajon oqeanik. Përndryshe, ishujve u njihet vetëm det territorial, dhe sa u takon hapësirave të tjera, ishujt marrin efekt të pjesshëm ose efekt zero. Pra, ato hapësira ose u njihen atyre pjesërisht, ose nuk u njihen fare. Ka një prirje në vijimësi të palës greke për qëndrime maksimaliste, jo vetëm ndaj Shqipërisë, të cilat nuk janë pranuar nga shtete të tjera. Duhet theksuar, së fundi që, edhe pse jurisprudenca përkatëse është e bollshme – mjafton të përmendim këtu delimitimin midis Bangladeshit dhe Mianmarit, ku rasti i ishullit të Shën Martinit ka analogji me situatën në Jonin Verior – prapëseprapë çdo proces delimitimi ka veçoritë e veta, dhe çdo rast është i veçantë dhe duhet trajtuar si i tillë.

Ka një perceptim në publik, por edhe në instancat e politikës greke, se Turqia ka një rol ndikues te Shqipëria, lidhur me këto negociata me Greqinë. Ndoshta ky perceptim u ushqye dhe nga një vizitë e kryeministrit Rama në Turqi vetëm 2 ditë para se të darkonte me kryeministrin grek. Sipas jush, çfarë interesi ka Turqia në një marrëveshje mes dy vendeve fqinje dhe si mund të ndikojë në këtë çështje?

Kam mendimin se insinuatat për kinse një rol të Turqisë janë të pabazuara. Shqipëria është shteti i pavarur, me politikë të jashtme paqësore e bashkëpunuese. Turqia, Greqia, Italia – për të përmendur vetëm këto, janë vende mike dhe aleate në NATO. Si shtet i pavarur dhe sovran, kurrkush nuk mund t’i kërkojë llogari Shqipërisë se pse takon iksin apo pse darkon me ypsilonin.

Duke lënë mënjanë këtë “thashethemnajë boshe”, mund të theksohen këto dy momente: së pari, mospajtimi në Egje dhe në Mesdheun Lindor midis Greqisë dhe Turqisë ka të bëjë ekskluzivisht me rolin e ishujve grekë përkundrejt dheut territorial turk. Pra, parimisht dhe objektivisht, pozicioni grek ndaj Turqisë është i njëjtë me atë ndaj Shqipërisë. Nëse dy shtete bregdetare që kanë përballë bregut të tyre ishuj “alienë”, si Turqia dhe Shqipëria, dhe jo vetëm këta, qëllojnë në të njëjtën anë për sa i takon interpretimit përkatës të së drejtës ndërkombëtare, ç’të keqe ka këtu? Çdo shtet sovran mbron interesat e veta, në përputhje me Kartën e OKB-së dhe të drejtën ndërkombëtare. Nëse Greqia mike dhe fqinje, vërtet është e interesuar për zbatimin rigoroz të së drejtës ndërkombëtare, sikurse edhe pretendon, përse nuk abrogon ex tunc, d.m.th. sikur të mos ketë ekzistuar asnjëherë, dekretin 2636/1940 për Gjendjen e Luftës me Shqipërinë?

Kush është Agron Alibali

Agron Alibali, njihet si ekspert i së drejtës ndërkombëtare dhe studiues. I arsimuar në drejtësi në Shqipëri, Itali dhe në Shtetet e Bashkuara. Alibali është përqendruar në një sërë çështjesh mbi të drejtën bankare dhe financiare, të drejtën ndërkombëtare publike, zgjidhjen alternative të konflikteve, të drejtën kushtetuese, reformën ligjore dhe shtetin e së drejtës, të drejtën ndërkombëtare të mjedisit dhe të drejtat të njeriut e pakicave etnike. Ai e filloi karrierën e tij juridike në Ministrinë shqiptare të Drejtësisë në Tiranë, ku u përfshi në projektin për kodifikimin dhe reformat ligjore të ndërmarra në fillim të viteve 1990. Ai u specializua në të Drejtën Tregtare Ndërkombëtare dhe të Drejtën Ndërkombëtare të Zhvillimit në Itali, respektivisht në 1992 dhe 1994.

Ekperiencën e tij juridike e ka vënë në jetë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës ku jeton dhe punon prej vitit 1998. Ai ka ndihmuar pro bono organizatat e ndryshme të shoqërisë civile në Shqipëri në çështjet e së drejtës ndërkombëtare publike, të drejtës ndërkombëtare të mjedisit dhe legjislacionit të BE-së për menaxhimin e integruar të mbetjeve. Në vitin 2005 ai ka përfaqësuar me sukses Aleancën Qytetare për Mbrojtjen e Gjirit të Vlorës para Komitetit të Përputhshmërisë të Konventës së Aarhusit në Gjenevë. Në vitin 2009, ai u angazhua në debatin profesional në lidhje me projektmarrëveshjen detare mes Shqipërisë dhe Greqisë dhe paraqiti një amicus curiae për Gjykatën Kushtetuese të Shqipërisë, e cila më vonë njëzëri e deklaroi projektmarrëveshjen si jokushtetuese. Alibali është autor i një libri dhe disa artikujve në shumë organe e botime të ndryshme, duke përfshirë edhe revistat e specializuara në Amerikën e Veriut dhe Evropë. /Ra.My.Fjala.al/

 

 

Të fundit

Arrestimi i dy kryebashkiakëve, sot zgjidhet kryetari i ri i Himarës

Pas arrestimit dhe dorëheqjes së Jorgo Goros nga posti kryebashkiakut në detyrë të Himarës, vendi ka mbetur pa drejtues. Përpos...

Universiteti i Harvardit heq kopertinën prej lëkure njeriu nga një libër i 1800-s

Universiteti i Harvardit thotë se pronari i parë i librit të një romancieri francez ia mori lëkurën një pacienteje femër të vdekur pa pëlqimin...

Dallimet mes fëmijëve që lexojnë në letër dhe atyre që lexojnë në ekrane digjitale

Në një kohë dhe epokë ku gjithçka po shkon drejt digjitalizimit, studuesit kanë vendosur të kuptojnë si ndikon leximi te fëmijët duke parë rezultatet...

Ndryshon paga për disa kategori/ Sa do jetë rritja për mjekët, infermierët dhe mësuesit

Reforma e ndërmarrë nga qeveria gjatë vitit 2023 për rritjen e pagave do të finalizohet deri në fund të 2024. Vendimi “Për miratimin e...

‘Zien’ toka, dy lëkundje të forta tërmeti në vendin fqinjë, ja sa ishte magnituda

Një tërmet është ndjerë në Athinë, në brigjet e Peloponezit, pranë ishujve Strofades. Sipas informacioneve të para, intensiteti i lëkundjeve ka qenë 5.6 e shkallës...

Lajme të tjera

Web TV