Video/Gruaja e Selman Stërmasit vërsnike me “Tiranën”, 1 shekull jetë, 82 vite në tribunë  

113 563 lexime

124,178FansaPëlqeje

Për brezat e rinj Selman Stërmasi mund të sjellë ndër mend më tepër stadiumin, sesa sportistin. Por bashkëshortja e tij, Nezihati, sapo ka mbushur 100 vjeç. Me kujtesën e fortë të bashkudhëtares së jetës, Nezihat Stërmasi rrëfen për gazetën “Fjala” vrapin e futbollistit më të mirë të të gjitha kohrave në Shqipëri, për t’i dhënë jetë dhe identitet skuadrës së Tiranës. I poshtëruar dhe i përndjekur nga regjimi komunist, Selman Stërmasi, krah së shoqes, doli fitimtar. Në një rastësi të bukur, Nehizati feston jo vetëm 100-vjetorin e saj, por edhe datëlindjen e 100-të të KF “Tirana”.

Nga Alessia Selimi

Në tribunë, mes burrash agresivë, njëherazi dashamirës futbolli, shihej gjithmonë ajo, e bija e tregtarit të njohur tiranas, Rustem Petrelës, e shoqja e legjendës bardheblu, Selman Stërmasi. Me portret të rrumbullakët dhe sy shprehës, Nezihati ndodhej aty, për t’i dhënë krah dhe mbështetje, jo futbollistit të preferuar, por bashkudhëtarit të jetës. Flokëthinjur, fytyrërrudhur, mban mbi supe 100 vite. E lindur më 22 shtator 1920, kjo grua e fisme, gëzon të njëjtin shikim, përtej syzeve xhamatrashë, si dhe dashuri të palëkundur nga koha për skuadrën e Tiranës. Nezihati ishte vetëm 14 vjeç kur njohu atë që konsiderohet si një nga lojtarët më të mëdhenj në vend. Në një kohë kur Selman Stërmasi ishte në kulmin e karrierës, fejesa mes tyre u shpall në vitin 1936, për t’u pasuar pas tre vitesh nga një martesë jetëgjatë. Kampion absolut i Shqipërisë me Tiranën në futboll, por edhe në atletikë.

Larg fushës së gjelbërt, brohorimave të tifozëve, kush ishte Selman Stërmasi? Në një rrëfim për gazetën “Fjala”, Nezihati e ka të pamundur të mos flasë për futbollistin, sepse ai gjendej edhe nën lëkurën e bashkëshortit, sikundër në atë të babait. “ Ishte një njeri i mrekullueshëm, si brenda ashtu edhe jashtë dyerve të shtëpisë, jo më kot kishte miq pa fund, sportistë e njerëz të thjeshtë. Ai spikaste për ndershmërinë dhe pasionin, për atë çka bënte, jetonte”, thotë Nezihati, tepër e ngjashme me të. “Miqtë e tij ishin edhe të mitë. Nuk kishte ditë që të mos gatuaja për ta, sidomos kur vinin të festonin fitoret e ndeshjeve. Me mundësitë që kisha, sigurohesha që të kënaqeshin.” – vijon ajo duke shtuar se nuk i lejonte kurrë sportistët e rretheve të flinin nëpër hotele.

“Në këtë dhomë ndenjieje, ku po flasim së bashku, kisha katër krevatë, dhe në dhomën ngjitur, po kaq shtretër për ta; në të vërtetë ishin familja jonë.” Nezihati tregon se pavarësisht gjendjes shëndetësore, të rënduar hera herës nga pleuriti, që shpesh herë e drejtonte për nga dhoma e gjumit dhe jo kuzhina, nuk hiqte dorë së shërbyeri. E edukuar nga e ëma me origjinë turke, rëndësi për të kishte lumturia e Selmanit, që shpesh zbehej kur nuk e shihte në tribunë. Asokohe, gratë shiheshin si rojtare portash, në pritje të mikut, kurrsesi si tifoze. Mirëpo, gjithçka ndryshoi. Nezihati filloi të merrte pjesë në çdo ndeshje, me brohoritje duartrokitje, mimika e pasthirrma. Dhe në të parën sfidë, kujton se ishte vetëm një 18-vjeçare, e dashuruar, kurioze. Madje, në të shumtën e takimeve, nuk i duhej një biletë. Sepse ajo njihej, ishte bashkëshortja e Selman Stërmasit. Nezihati mbetet një tifoze e çmendur e Tiranës, dhe kjo nuk kërkon shumë për t’u kuptuar. Hepohet përballë ekranit, vetëm për të parë sfidën e radhës.

“Me Tironën kam qen, me Tironën do vdes”, thotë e moshuara me dialekt të fortë tiranas, disi i pagdhendur, por i ëmbël. “Nuk lë ndeshje pa ndjekur. Fatkeqësisht jam e sëmurë për të ikur në stadium. Megjithatë, ka raste kur e harroj moshën, pengesat e saj… dhe ka raste kur s’dua veçse të më marrin me karrige dhe të më zhvendosin përballë një fushe të pamatë”, shprehet Nezihati pasi pohon se sërish përjeton ndjesi të poleve të kundërta me fitoren dhe humbjen e Tiranës. Pyetjes se kë ka pasur mik të mirë të mirë i shoqi, i jep një përgjigje të dalë nga zemra, shumë larg asaj që pritej të dëgjohej. “Ai ka qenë më i miri nga të gjithë”, thotë Nezihati me pafajësinë e një fëmije. Dëgjimin e ka të pakët, por në këtë rast nuk i bëhet pengesë. Përpos fitores radhazi të katër titujve, Selman Stërmasi punoi si presidenti i klubit Tirana mbi baza bashkëkohore perëndimore. Pajisi klubin me ligje e rregullore, dhe për herë të parë kreu merkaton e një futbollisti.

Lexo edhe :  Ngjarjet në Bashkinë e Tiranës/ Veliaj: Ndjesë dhe reflektim për vetting brenda llojit!

Emra si Riza Lushta dhe Naim Kryeziu nënshkruan me klubet e njohura të Barit dhe të Romës. Por si antikomunist, Stërmasi nuk mund të pajtohej me ndryshimin e emrit të klubit në 17 Nëntori. Kësisoj iu kundërvu regjimit, akt që i solli një jetë me tjetër fytyrë; iu mohua hyrja në stadium dhe mbijetoi si punëtor i thjeshtë në kombinatin e drurit “Misto Mame”, duke shtyrë karroca me tallash. Për brezat e rinj Selman Stërmasi mund të sjellë ndër mend më tepër stadiumin, sesa sportistin. Por ja që ka qenë një kohë, e pabesueshme në thelb, kur një ndër futbollistët më të mirë të Tiranës, realisht nuk lejohej të hynte në stadium. “Shoku Misto, përse t’i ndërrohet emri Tiranës? Vllaznia s’e ndërroi. Korça s’e ndërroi. Durrësi s’e ndërroi. Përse duhet ta ndryshojë Tirana”? – kjo ishte fjalia ndëshkuese, që u pasua nga braktisja e mbledhjes, përkrah një legjende tjetër të futbollit shqiptar, Foto Janku. Dosjet e zbuluara tashmë, tregojnë se Selman Stërmasi ishte nën survejim.

Dhe në “planin e masave agjenturale” për të shkruhej se ishte pjesë e një familjeje bejlerësh, që kishte përfituar në kohën e mbretit Zog jo pak toka, shtëpi, dyqane e bagëti, dhe se kishte bashkëpunuar me Ballin Kombëtar, duke i mbështetur emocionalisht dhe financiarisht. Nezihatit nuk i pëlqen të flasë për këtë periudhë të errët, imponuese kundrejt identitetit. Megjithatë, mes rreshtash e duar damardalë që vërviten në ajër, thotë: Shqiptarët kur të shohin se je mirë, duan të të rrjepin…. Kjo fjali të lë të mendosh se të shumtë kanë qenë ata që i kanë kthyer kurrizin, në kohën kur lipsej një dorë e zgjatur. Por ajo buzëqesh dhe e lë në ajri dhimbjen dhe atë çka porsa tha. “Në këtë shtëpi, kam pa fund kujtime, të mira, tmerrësisht të bukura”, thotë fill më pas Nezihati, 100-vjetori i së cilës përkon me përvjetorin e klubit të Tiranës.

“Është një kënaqësi e jashtëzakonshme!”- shprehet ajo në lidhje me këtë rastësi. Pasuritë dhe pronat, të ndara bujarisht me të tjerët dhe të vëna në dispozicion në të mirë të sportit, u sekuestruan nga regjimi komunist, ashtu siç nuk u rrëmbye kurrë dashuria e Selmanit dhe Nezihatit për futbollin. Qartazi, lidhja shpirtërore me këtë skuadër nuk njeh moshë. Nezihati nuk ka rendur kurrë pas një topi, por pas një futbollisti dhe lojës së tij. Lot të vërtetë, trishtimi e gëzimi, provon edhe sot, përpos emocioneve të panumërta të përjetuara ndër vite. Ajo pohon se po të kishte djalë, si tifoze e bashkudhëtare, do të rendte edhe pas tij. /Ra.My.Fjala.al/

 

Të fundit

Pse shkalloi Ilir Meta?

Nga Spartak Ngjela Goditja antikorrupsion për të korrupuarit e mëdhenj është tragjedia e tyre sot në Shqipëri. Por, më i akuzuari,...

Efektet mbresëlënëse të kafesë kundër rrudhave

Studimet konfirmojnë se kafeja është një aleat kundër plakjes së lëkurës falë vetive të saj antioksiduese dhe anti-inflamatore. Të apasionuarit pas kujdesit të lëkurës...

Nuk i dha 10 ditë raport mjekësor, pacienti bën për spital mjekun në Itali

Një ngjarje e pazakontë ka ndodhur në Mirandola të Italisë, ku një mjek është dhunuar barbarisht nga një pacient. Ai kishte kërkuar 10 ditë...

Nga rritja tek shpërndarja e bonusit/ Ndryshime që do sjellë skema e re e pensioneve

Shumë shpejt do të aplikohet një skemë e re për pensionet, por edhe për mbrojtjen sociale në tërësi. Duke qenë se reforma e bërë në...

Fashat e reja/ Rritet çmimi i energjisë për furrat e bukës që janë pastiçeri dhe bar-kafe

Enti Rregullator i Energjisë ka miratuar çmimet e reja të energjisë për furrat dhe për pastiçeritë, që do të hyjnë në fuqi më 1...

Lajme të tjera

Web TV