Udhëkryqi i diplomimit master dhe dilemat e zgjedhjes së profesionit “të ardhshëm”

113 563 lexime

77,309FansaPëlqeje

Statistikat thonë se rreth 20% e të sapodiplomuarve bachelor përthithen nga tregu i punës. Diploma bachelor është kusht i nevojshëm, por, sidoqoftë, i pamjaftueshëm për t’u përthithur nga tregu. Pjesa dërrmuese e të diplomuarve bachelor ka dy mundësi: ose të vazhdojë të insistojë në kërkim të një vendi pune, ose të investojë në njërin nga programet master apo, siç quhen ndryshe, të specializimit.

Nga Orkida Ilollari*

Kapelet e hedhura përpjetë janë ende në ajër dhe akoma nuk është tharë boja e firmës së rektorit në kartonin e diplomës, kur studenti i sapodiplomuar në ciklin bachelor e gjen veten në udhëkryq. Nga njëra anë, tregu i punës dhe, nga ana tjetër, mundësia e thellimit të njohurive apo, siç thuhet, e specializimit dhe mjeshtërimit nëpërmjet programeve master. Ky është një udhëkryq ndryshe nga ai i diplomës së pjekurisë, ku maturantit i kërkohej vetëm një gjë: të zgjidhte se çfarë donte të bëhej. Të zgjidhte universitetin dhe fakultetin që do të bëhej pjesë e rrugëtimit të tij.

Tani nuk i duhet të zgjedhë, i duhet ta zgjedhin! Dhe sa më shpejt! Ta zgjedhin mes qindra diplomave të tjera, të cilat janë po aq të vlefshme sa edhe ajo e tij. Por tregu i punës i ka sytë e lidhur dhe përzgjedhja më tepër se çështje e të pasurit të të një diplome është çështje “fati”. Statistikat thonë se rreth 20% e të sapodiplomuarve bachelor përthithen nga tregu i punës. Diploma bachelor është kusht i nevojshëm, por, sidoqoftë, i pamjaftueshëm për t’u përthithur nga tregu.

Nëse je pjesë e 20%, koorporatat, kompanitë e prodhimit apo shërbimit, sistemi bankar, ai i sigurimeve etj., përzgjedhin një numër të vogël studentësh të ciklit bachelor, të udhëhequr kryesisht nga nevoja urgjente për staf, duke marrë përsipër dhe specializimin e tij. Kjo do të thotë se kompania po kryen një investim i cili për të është kosto e shtuar dhe me risk të lartë.

Atëherë pyetja është: Ҫfarë duhet të bëjë pjesa tjetër, pra pjesa dërrmuese e të diplomuarve bachelor? Mundësitë janë dy: ose të vazhdojë të insistojë në kërkim të një vendi pune, ose të investojë në njërin nga programet master apo, siç quhen ndryshe, të specializimit. Duke iu referuar edhe një herë statistikave të viteve të kaluara, studentët me master, pra mjeshëtr në një fushë më të specializuar, e kanë përqindjen e përthithjes nga tregu i punës tri apo edhe katër herë më të lartë sesa ata me diplomë bachelor. Këto shifra bëjnë sens, pra hyjnë në logjikën e tregut të punës, për vetë faktin e thjeshtë se kompanitë janë më të hapura ndaj diplomave master.

Dhe kjo për disa arsye: e para, përderisa i diplomuari bachelor ka investuar përsëri, për herë të dytë, po në atë fushë, për dije të thelluara si vazhdimësi e studimeve të mëparshme, indeksi në vlerësimin e riskut që pas punësimit ky punonjësi i ri i kompanisë të ndërrojë mendje, të themi të lërë ekonominë dhe të ndjekë pasionin për pikturën, është shumë i vogël.

Dhe kjo është një lloj kolaterali për kompaninë; e dyta, për formimin e tij profesional kompania nuk ka shpenzuar asgjë, pra është një situatë win-win për të dyja palët që nënshkruajnë një kontratë marrëdhënieje pune. Kompania punëson një know how, për të cilin nuk i duhet të investojë në formim, ndërsa i punësuari fiton punën, duke filluar të marrë kështu pjesë nga investimi i bërë. 

Bachelor apo master? Tregu i punës preferon më shumë master!

 

Atëherë edhe i sapodiplomuari bachelor duhet të zgjedhë programet master, për vetë faktin e thjeshtë se i duhet të sillet ashtu siç sillet tregu kërkesë- ofertë i punës dhe jo siç do të donte ai të rridhnin gjërat. Me fjalë të tjera, pas diplomimit bachelor çdo i diplomuar duhet të fillojë të mendojë ashtu siç mendon tregu i punës, duke bërë kujdes në leximin e statistikave që jepen dhe që ndryshojnë në mënyrë të vazhdueshme.

Programet master janë një zgjatim i studimeve bachelor, por kanë disa karakteristika të cilat i bëjnë të vlefshme për tregun e punës. Këto karakteristika kanë të bëjnë sidomos me atë që quhet “e aplikuar”.

Nëse një student i ekonomisë në ciklin bachelor ka studiuar mikroekonomi, makroekonomi, ekonometri…etj., në ciklin master, të themi në ekonomiks, këto lëndë rimerren, por kësaj here merren të aplikuara në situata nga realiteti i përditshëm i tregut të punës. Pra, nëse në bachelor studentit i duhet të mësojë gjuhën e realitetit të ekonomisë, në nivelin tjetër, atë të masterit, i duhet të punojë dhe të zgjidhë situata nga jeta e përditshme. Të dyja formimet plotësojnë njëri-tjetrin. Njëri në kontekstin teorik dhe tjetri në atë më praktik.

Duke qenë se shporta e ofertave master është e shumëllojshme, problemi është si të dallohet masteri që është “i prerë” për ty, por jo vetëm kaq, por edhe që të jetë i pëlqyeshëm për tregun e punës. Këtu duhen bërë dy gjëra: nga njëra anë duhet parë si është i strukturuar programi master i një viti më parë. Duke parë si është i strukturuar ky program, është edhe më e lehtë të shikosh pastaj sesa tërheqës është për tregun. Në të njëjtën kohë, duhet parë kush janë lektorët të cilët do të trajtojnë, do të aplikojnë dhe do të zgjidhin situatat reale. Nëse themi se masteri është në telekomunikacion apo financë bankë, lektorët duhet të vijnë nga eksperienca në kompani telekomunikacioni apo nga sistemi bankar. Kjo për vetë faktin se dinë për çfarë flasin dhe kanë lidhje me drejtuesit e kompanive. Kjo përkthehet në një mundësi internship nëpër kompani apo banka, praktika që hapin dyer punësimi të cilat, në situata të tjera, do të ishin të mbyllura.

Dy gabime për t’u evituar

Pas mbarimit të ciklit bachelor të studimeve, disave u krijohet ndjesia që nuk janë në fushën e duhur të studimeve dhe fillojnë e ushqejnë mendimin e vet me argumente në favor të kësaj ndjesie. Të themi se jam i diplomuar në Fakultetin Juridik, se figura e avokatit me pëlqente si figurë që mbron të drejtat e njerëzve apo bizneseve, apo akoma më tepër për të vënë drejtësi në një botë ku roli i drejtësisë është i jashtëzakonshëm. Por, në vazhdimësi, dalëngadalë, kjo flakë e parë fillon e zbehet dhe merr hov ndonjë pasion i fshehur. Është më se normale. Historia e figurave të shquara në fusha të ndryshme të aktivitetit njerëzor është plot shembuj ndryshimesh drejtimi në fusha të tjera, ku dhe kanë shkëlqyer.

Nëse eksperimenton këtë ndjesi të re dhe shikon rreth teje të tjerë, në konkurrencë me ty, të cilët jo vetëm janë më të aftë, pra më të natyrshëm në interpretimin e rolit, por janë edhe më të gatshëm të sakrifikojnë më shumë se ti, atëherë, në këtë pikë, të duhet të refktosh për t’i analizuar të dyja mundësitë. Në kuptimin që nëse studimet në fushën juridike nuk të thonë ndonjë gjë specifike, ndoshta pas disa viteve eksperimentimesh dhe interesi për pasionet e çastit apo të fshehura do të bien.

Edhe nëse pyet rreth e përqark, përgjigjja është e menjëhershme dhe sfiduese : “Kur ti nuk e di se çfarë do të bësh me veten tënde, mendon se këtë e dimë ne?!” Je vetëm, me veten dhe po lufton për veten. Nëse je i vakët edhe aty ku mendoje se mund të shkëlqeje, atëherë është një gabim për t’u evituar në kuptimin e investimit të bërë, braktisja e studimeve në fushën tënde për t’iu futur studimeve në fusha të tjera, në të cilat do të jesh po aq i vakët sa dhe më parë.

Lexo edhe :  Zgjedhjet presidenciale, Trump-Biden përplasen në distancë për koronavirusin

Gabimi i dytë për tu evituar: Ka qenë një kohë, në lindje të kohës nga ku kanë ardhur rrëfimet më të pabesueshme mbi qytete të mirorganizuara, me ndërtime publike dhe vepra arti të jashtëzakonsheme, njohuri të astronomisë, të gjeometrisë, të mekanikës sa edhe sot e kësaj dite kemi vështirësi t’i kuptojmë se si ka mundësi që këto qytetërime të hershme i kishin këto njohuri, kur mendonim se njerëzimi bënte një jetë primitive. Ky zhvillim ishte rezultat i një periudhe ku mjaft vende e popuj kishin krijuar një shkëmbim të paparë të informacionit. Për një kohë të gjatë, ato pak shkrime që u trashëguan nga kjo periudhë ishin të ndaluara për njerëzit e zakonshëm, lexoheshin e interpretoheshin vetëm nga një numër i vogël individësh.

Nga mesi shekullit XIX një informacion i jashtëzakonshëm fillon të bëhet publik për të gjithë. Pas daljes në dritë të këtyre informacioneve bota perëndimore futet në rrugëtimin e revolucioneve industriale, që nga ai industrial 1.0 ku fuqia punëtore filloi të zëvendesohej nga makinat me avull; vazhdon me revolucionin 2.0 ku fuqia e avullit zëvendësohet nga energjia elektrike; pastaj me revolucionin 3.0 me shfaqjen e kompjuterëve të cilët kishin shpejtësi kalkulimi dhe magazinimi të të dhënave të pakrahasueshme me ato të njeriut, deri te revolucioni 4.0 i kohës sonë, siç quhet i internetit ku shkëmbimet bëhen në kohë reale dhe janë globale.

Ky revolucion, kjo derdhje e njohurive në rrjet, është e dimensioneve të papara. Në rrjedhën e këtij “lumi” informacioni, çdokush, mund të marrë e të përpunojë dije që nga si përgatitet një kapuçino e deri tek teoritë e fundit mbi entropinë, që nga bimët çaji i të cilave bën mirë për shikimin e deri tek teoritë e fundit të dimensioneve paralele apo të inxhinierisë gjenetike. Ҫdokush që kërkon të dije, të njohë, ka vetëm problemin e numrit të madh të zgjedhjeve. Të nënvleftësosh këtë dije që po të jepet si dhuratë, ky është gabimi i dytë për t’u evituar. Koha e navigimit në internet varion nga disa minuta në orë të tëra.

Pyetja është: çfarë po kërkojmë?

Hyjmë në rrjet dhe kërkojmë p.sh, Davos 2021. Një nga informacionet që shfaqet është: e ardhmja e punës, transformimi digjital. Në prag të forumit botëror ekonomik të Davosit, kokat e ekonomisë botërore, të impenjuara në dizenjimin e punëve të së ardhmes, u gjenden para tre skenarëve të mundshëm: automatizimi si një mundësi për të optimizuar; bashkëpunimi me makinat dhe forca e punës, e tërhequr nga digjitali. Këto tri perspektiva u konkretizuan në disa profile profesionale. Disa prej këtyre profesioneve po ngjiten me shpejtesi në top listën e punëve më të kërkuara.

Për të parë profesionet më të kërkuara bëhet një kërkim ku përfshihen manaxher dhe imprenditor të mbi 300 kompanive globale, në të cilat janë të punësuar mbi 15 milionë punonjës. Sipas këtij kërkimi, katër janë driver-at kryesorë të ndryshimit, dhe të katërt janë të lidhur me teknologjinë: një prezencë më e përhapur e një interneti mobile super të shpejtë; inteligjenca artificiale; adaptimi gjithmonë e më tepër i istrumenteve të Big Data Analysis dhe cloud computing. Rezultati i këtyre proceseve do të jetë një ndryshim rrënjësor. Dhe ky ndryshim po kërkon figura të reja profesionale, të cilat do të jenë pa dyshim edhe më të paguarat.

Në vend të parë, në top listën e punëve më të kërkura është data analyst, pra ajo figurë profesionale që mbledh të dhëna nga rrjeti për të zbuluar trendin e kohës, për të ndërtuar më pas modele të cilat interpretohen nga aplikacione të ndryshme. Për ta bërë këtë punë duhet edhe një tjetër figurë profesionale që rënditet në vendin e dytë, figura e machine learning specialist. Kjo figurë profesionale bën atë që quhet “edukim” i makinës. E thënë ndryshe, në momentin që ka një numër të madh të dhënash, krijon kode të caktuara për software, në mënyrë që makina të kuptojë cilat nga këto të dhena janë të vlefshme dhe cilat jo. Në vendin e tretë të profesioneve më të kërkuara është general e operation manager.

Kjo figurë është ajo që lidh departamente të specializimeve të ndryshme, pse ka njohuri specifike për çdonjërin prej tyre në mënyrë që produkti final të jetë i një standardi të caktuar. Një tjetër figurë është sales&marketing professional, ose i ashtuquajturi agjenti 2.0, pra ai që optimizon procesin e shitjes së një lloji të caktuar produkti, duke vepruar si ndërmjetës mes prodhuesit dhe klientit, në mënyrë që secili prej tyre të ketë informacionin e nevojshëm. Është interesant fakti se para dy dekadave profesioni IT ishte në krye të top listës ndërsa në trendin e ri është diku në pozicionin e dhjetë.

Nga këto informacione krijohet përshtypja se figurat e reja profesionale vijnë të gjitha nga bota e teknologjisë. Dhe mund të thuhet se shoqëria njerëzore është komplekse dhe profesionet e dikurshme gjithsesi do të vazhdojnë të jenë. Kemi nevojë për to. Dhe kjo është e vërtetë. Por nuk po flasim për çfarë i duhet dhe çfarë do të vazhdojë t’i duhet shoqërisë njerëzore. Po mundohemi të kuptojmë se çfarë kërkon tregu i punës, cilat janë profesionet që do të përthithen menjëherë nga tregu i punës, që do të thotë akoma pa rënë kapelja në tokë dhe akoma pa u tharë boja e firmës së rektorit, i sapodiplomuari, të ketë hyrë në orbitën e interesit të disa kompanive, të cilat i kërkojnë të punojë për to. Dhe në këtë pikë është ai që zgjedh. Dhe diferenca mes situatës kur je ti që zgjedh dhe asaj kur janë të tjerë që të zgjedhin, nuk është e vogël.

Tregu i punës vetëm dy dekada më parë ishte si një ndërtesë me dy porta: me portën kryesore dhe një hyrje anësore. Në hyrjen kryesore, në çdo kohë, gjeje një radhë të gjatë të rinjsh me diploma në dorë, të cilët shtyhen për t’u futur brenda. Por, brenda nuk ka vend për të gjithë. Vetëm për disa. Porta anësore, ishte gjithmonë e lirë, pa radhë, por hapej vetëm për një numër shumë të limituar, që ishin të rekomanduarit. Historikisht të rekomanduarit e kanë pasur një hyrje preferenciale për të evituar radhën konkurruese.

Ky skenar i dy portave, ishte dominues. Tani jo më! Në skenë ka dalë skenari i tregut të punës me tri porta. Porta e tretë është ajo e internetit. Po t’i mësosh kodet, ajo është gjithmonë e hapur për ty. E thënë ndryshe, nëse diploma jote është master dhe nëse ke njohuri të botës digjitale, pavarësisht nga fakti që studimet janë në fushën e ekonomisë, juridikut, inxhinierisë, psikologjisë etj., pra e përsërisim, nëse ke njohuri të botës digjitale, tregu i punës nga një dem i egërsuar shndërrohet në një kafshë të zbutur shtëpiake.

*Pedagoge në Universitetin Mesdhetar  /Ra.My.Fjala.al/

 

Të fundit

Shërbimi sekret turk ka kërkuar ekzekutimin e politikanes në Austri

Berivan Aslan u mor në mbrojtje nga policia, që kur një person pranoi, se kishte porosi nga shërbimi sekret...

Dr.Kapisyzi: Virusi ka pësuar mutacion, është më i rrezikshëm

Ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu, në rubrikën e pyetjeve të ngritura nga qytetarët për agresivitetin e virusit, ka publikuar videomesazhin e Drejtorit të Spitalit...

Rama: Me 4 aeroporte hyjmë në një epokë të re

Kryeministri Edi Rama deklaroi sot se Shqipëria me 4 aeroporte hyn në një epokë të re. Në komunikimin e përjavshëm për ekonominë, Rama theksoi se...

Jehona Coka, futbollistja kuqezi që ka idhull amerikanen Morgan

Jehona Coka deri në moshën 13-vjeçare luante futboll me djemtë dhe vajzat e lagjes në Kukës, derisa në televizor pa një nga futbollistet tona...

Rama “surprizon”: Dita ime nis dhe mbyllet me Ballukun

Kryeministri Edi Rama ishte i pranishëm sot në një konferencë me gazetarët për të folur për infrastrukturën kombëtare rrugore, portuale, aeroportuale. Ai tha se ishte...

Lajme të tjera

Web TV