Edhe drejtësia e re ka frikë nga politikanët? Ja çfarë deklaron ish-presidenti Alfred Moisiu

113 563 lexime

124,178FansaPëlqeje

Ish-Presidenti Alfred Moisiu thotë se reforma në drejtësi pritej të ishte një revolucion, por që nuk ka ndodhur.

Moisiu hedh dyshime se mos vallë edhe drejtësia e re ka frikë nga politikanët.

Në një shkrim të botuar sot në Gazeta Dita, Moisiu sqaron se nëse nuk është kjo arsyeja pse rezultatet po mungojnë, të paktën të fillojnë të japin një shenjë që ia ka vlejtur ajo që ka ndodhur deri më tani, thotë ish-Presidenti.

SHKRIMI I PLOTE

Të gjithë ishim të bindur se duhej një reformë e thellë dhe e vërtetë në drejtësi dhe e kemi quajtur që në fillimet e saj, një “revolucion”.
Që në shtator të vitit 2015, në një nga tryezat e Forumi Civil 2010, është vënë në dukje se magjistrati ekzistues duhet të skanohej, duke larguar nga sistemi ata që nuk do të ishin të përshtatshëm për më tej.

Këtë po e bën VETTINGU, që po kryhet sipas ligjit të miratuar nga Kuvendi i Shqipërisë.

Hartimi, miratimi dhe realizimi i kësaj reforme, u bë i mundur në sajë të këmbënguljes dhe mbështetjes së SHBA-së dhe BE-së, për çka ne shqiptarët duhet t’i jemi thellësisht mirënjohës. Si defekt dhe domosdoshmëri, të gjithë ishim të bindur dhe e kërkonim, por vullneti dhe impenjimi i politikës shqiptare, për fat të keq ishte dhe mbetet ende më shumë në stadin e fjalëve dhe propogandës.

Por deri tani reforma ka ecur me ritme të ngadalta, duke krijuar edhe vakume të rëndësishme, që kanë dëmtuar shumë ecurinë e proceseve gjyqësore. Për pasojë ka pasur shumë largime nga sistemi i drejtësisë, që kanë krijuar një boshllëk për të cilin duhet menduar dhe punuar më seriozisht që të mbushet me shpejtësi.
Është e tepërt të thuhet se besimi i shqiptarëve te drejtësia ekzistuese është tejet i dëmtuar. Problemi është sesi duhet ta rikthejmë këtë besim. Sipas reformës, në letër, realizimi i rikthimit është i mundur, tani duhet të presim dhe të shohim.

Nisur nga pritshmëritë e parashikuara, duhet ta themi hapur, se ka një ngadalësi shqetësuese në realizimin e saj. Megjithëse kohë pas kohe na është thënë që reforma po ecën normalisht, faktet flasin të kundërtën. Mesazhe dhe premtime për realizimin e saj në kohë ka pasur, por më shumë kanë qenë deklarata politike qetësuese sesa ndërrmarje që të bindin për seriozitetin e tyre.

Procesi i vettingut është larg afateve të kërkuara. Afati ligjor i ONM -së dhe i KPK përfundon në 2022. Deri tani e kanë kaluar këtë proces afërsisht 1/3 e magjistratëve, pra mbetet ende pothuajse 2/3-tat. Ndërsa koha që ngelet është më pak se dy vite. Qartë që me këto ritme është e sigurtë se vettingu nuk mbaron në afatin e caktuar.

Rrjedhimisht kërkohet të rritet së tepërmi ritmi i vettingut. Për pasojë duhet që Kuvendi, Qeveria, sikurse dhe miqtë tanë ndërkombëtarë, veçanërisht ambasada e BE dhe ajo e SHBA, duhet të marrin të gjitha masat për të përshpejtuar procedurat dhe për të vënë njerëzit e tyre në pozita më punuese dhe kërkuese që të arrihet me çdo kusht plotësimi i detyrës ligjore.

Me të drejtë Kryetari Kuvendit, disa ditë më parë, vuri objektiv për të arritur plotësimin e Gjykatës Kushtetuese brenda vitit, por kjo kërkon një mobilizim të gjithanshëm të të gjitha strukturave që merren me këto çështje.

Gjykoj se në ecurinë e reformës ka një gjë që po çalon, kjo është kërkesa e llogarisë që objektivat e caktuara nga ligji të ndiqen në mënyrë sistematike dhe skrupuloze.
Institucioni i caktuar për ndjekjen e realizimit të reformës në drejtësi, i cili quhet Komisioni i Pavarur për Koordinimin, Monitorimin dhe ndjekjen e zbatimit të ligjit, deri tani nuk është ndjerë dhe pse, nuk dihet e nuk kuptohet, pra duhet që ky organizëm të vihet në efiçencë. Personat e caktuar duhet të vihen në lëvizje për përgjegjësinë ligjore që kanë, deri sa kanë pranuar të bëhen pjesë e kësaj strukture, ndryshe Kuvendi duhet të marrë masa t’i zëvendësojë.

Lexo edhe :  Shqipëria 15 vjet në NATO, Peleshi: Vlerësim për kontributin e përfaqësuesve tanë

Krijohet përshtypja se për këtë detyrë jemi të interesuar të gjithë, por në këtë gjendje përgjegjësia është tepër e shpërndarë, duket si jetime.

Ditët e kaluara u fol për demokracinë dhe besimin tek ajo, por çfarë po bëhet që ai besim të rivendoset. Për mendimin tim, guri themeltar për vendosjen e këtij besimi në masa është drejtësia. Pa drejtësi të vërtetë, nuk mund të ketë demokraci të vërtetë. Kjo është vërtetuar katërcipërisht me ecurinë e Shqipërisë, këto 30 vite të ashtuquajtura të demokracisë.

Deri tani, asgjë reale dhe konkrete nuk është bërë, për të kërkuar llogari për këtë humbje kohe si dhe dëmet që i janë bërë këtij vendi. Nuk e kam fjalën për llafollogji, ato i dëgjojmë në komente, emisione dhe shkrime. E kam fjalën për veprimtari konkrete.

Nuk është problemi të vendosim para drejtësisë një mjek, një polic apo një taksambledhës. Kjo gjithnjë ka ndodhur dhe do të ndodhë. Ata që janë strumbullari i të këqijave tek ne janë politikanët e rëndësishëm. Pra ka rëndësi që të paktën të fillohet nga dikush.

Çështje ka plot që përmenden shpesh, si psh: Gërdeci, Rruga e Kombit 21 janari, Marrëveshja e Detit, Unaza, etj. por deri tani nuk po lëviz gjë.
Institucionet e reja të drejtësisë, ka ardhur koha të japin të paktën shenjat e para, se e gjithë kjo që ndodhi ia vlejti. Nëse njerëzit e ngarkuar nuk e kanë kuptuar detyrën dhe rolin e tyre historik, atëherë del nevoja që ata të rishikohen, të gjenden njerëzit e duhur për këtë detyrë.

Ligji kërkon që në përzgjedhjen e kandidaturave në institucionet e reja të sistemit të drejtësisë, të kihen parasysh kriteret si kontrolli i pasurisë, kontrolli i figurës morale, aftësitë profesionale. Por më duket se ka një kërkesë të domosdoshme, që duhet vlerësuar mbi të gjitha, kurajoja civile dhe vendosmëria për t’i shkuar gjërave deri në fund, pa asnjë frikë.

E theksoj këtë, pasi ka rëndësi të madhe që tek personeli që aktualisht do të punojë në sistemin e drejtësisë së re të vritet frika dhe oportunizmi me politikën. Realizimi i detyrave të reja kërkon guxim dhe shpirt sakrifice.

Dua të theksoj në mënyrë të veçantë se, shkëputja nga ndikimi i politikës, nuk është një gjë shumë e lehtë. Pasi hija e politikanëve kryesorë gjatë këtyre 30 viteve është rrënjosur thellë në ndërgjegjen e njerëzve. Por edhe politika është kujdesur shumë që ajo të rritet e të mbahet gjallë.
Ka qenë një gabim që gjatë miratimit në Kuvend, politikës iu lejua që të gjejë momentin të ndërhyjë në zbutjen e disa kërkesave të projektit, të cilën unë e quajta në atë kohë këtu në DITA si veprim “RAKISË IU HODH UJË”. Kjo zbutje krijoi shtigje për të pasur një farë ndikimi në përzgjedhjen e kandidaturave, çka e mban gjallë në një farë shkalle ende hijen e tyre.

Pra është e domosdoshme që organet që janë zgjedhur, aq sa janë, duhet të fillojnë të japin rezultatet e duhura, të tregojnë se po vjen vala e duhur për të shplarë një herë e mirë ata që deri tani na kanë futur në këtë qorrsokak, që i kanë shkaktuar këtij vendi gjithë këto prapësi. Njerëzit, veçanërisht rinia, po humbasin shpresën dhe po largohen, sikur në këtë vend të ketë rënë murtaja.

Institucionet e reja si SPAK dhe BKH, duhet të fillojnë punën sa më parë dhe të japin rezultatet që priten, vetëm kështu do të bindemi se e gjithë kjo që ndodhi ia vlente, ndërsa ata që ende vazhdojnë të sillen me popullin dhe pasurinë e tija si trimosha, ta kuptojnë se ka ardhur një kohë e re.

La.Mi/Fjala.al

Të fundit

Shkurt dhe qartë, këngëtari i njohur konfirmon pjesëmarrjen te “Ferma Vip”

Moderatori Robert Berisha ka zbuluar ekskluzivisht për një emision televiziv se do të jetë pjesë e reality show-t më...

Ktheu në Apel çështjen e vulës së PD-së, Gjykata e Lartë zbardh vendimin e plotë

Gjykata e Lartë ka zbardhur të plotë vendimin për të rikthyer për rishqyrtim në Gjykatën e Apelit çështjen për vulën dhe logon e PD. VENDIMI I PLOTË Pasi...

“A jam hot Heidi?”, Egla lëvizje sensuale nën ritmet e muzikës ndërsa lahet në vaskë

Egla ka shijuar disa momente vetëm në shtëpinë e Big Brother VIP, duke u larë në vaskë. Nën ritmet e muzikës, ajo ka nisur të...

E frikshme/ Shpërthen vullkani në këtë vend, shpallet gjendja e jashtëzakonshme

Një tjetër shpërthim i fuqishëm vullkanik në gadishullin Reykjavik ka bërë që të shpallet gjendja e jashtëzakonshme në Islandën Jugore. Shpërthimi sipas autoriteteve lokale është...

A e dini se iPhone ka një “buton sekret”?

Ka një sërë veçorish inteligjente të integruara në softuerin iOS të Apple, por shumë njerëz nuk e dinë se ka një tjetër “buton sekret”...

Lajme të tjera

Web TV