Turqia mbështet Azerbajxhanin në konfliktin në Nagorno-Karabak

113 563 lexime

124,178FansaPëlqeje

Tuqia thotë se do të mbështesë Azerbajxhanin me të gjitha mjetet e nevojshme, ndërsa luftimet u futën në ditën e dytë të hënën mes forcave azere dhe atyre armene lidhur me enklavën e debatueshme të Nagorno-Karabakut. Kjo është një shenjë se konflikti mund të zgjerohet.

Të hënën, forcat e Azerbajxhanit dhe të Armenisë shkëmbyen zjarr me armë të rënda artilerie, ndërsa të dy palët akuzuan njëra-tjetrën për fillimin e luftimeve të dielën. Vëzhguesit i quajtën luftimet e fundit mbi Nagorno-Karabakun, një enklavë brenda Azerbajxhanit që drejtohet nga armenët etnikë, më të rëndat që nga vitet 1990-të.

Sipas dëshmitarëve, numri i të vdekurve përfshirë popullsinë civile ka shkuar në më shumë se 20 njerëz dhe me të paktën 100 të plagosur.

Presidenti i Turqisë Recep Tayyip Erdogan nuk vonoi për të shprehur mbështetjen për Azerbajxhanin, duke e etiketuar Armeninë si “kërcënimi më i madh ndaj paqes në rajon”. Udhëheqësi turk bëri thirrje që, “e gjithë bota duhe të mbështesë Azerbajxhanin në betejën e tyre kundër pushtimit dhe mizorisë.”

Ministria e Jashtme e Armenisë tha të hënën se “ekspertë” të ushtrisë turke po “luftonin krah për krah me Azerbajxhanin”. Zyrtarë të qeverisë turke nuk pranuan të komentonin lidhur me akuzat.

“Trupat turke nuk do të jenë në vijën e frontit, forcat azere nuk kanë nevojë për to”, tha analisti turk Ilhan Uzgel. Por ai thotë se Ankaraja mbetet aleati kryesor ushtarak i Bakut.

“Turqia po mbështet tashmë ushtrinë e Azerbajxhanit përmes ndihmës teknike dhe shitjes së armëve si dhe duke ofruar mbështetje kritike ushtarake, kryesisht në drejtimin e dronëve të armatosur dhe ekspertizës teknike. Pragu i pakapërcyeshëm për përfshirjen e Turqisë është përfshirja e Rusisë, aktualisht kjo është vija e kuqe për Turqinë. Turqia nuk dëshiron një përballje të drejtpërdrejtë me Moskën”, tha analisti turk Ilhan Uzgel.

Moska është një mbështetës jetik për Jerevanin dhe ka një bazë ushtarake në Armeni. Ministria e Jashtme e Rusisë u bëri thirrje Armenisë dhe Azerbajxhanit që të tregohen të përmbajtur.

Dr. Zaur Gasimov është ekspert i çështjeve ruse në Universitetin e Bonit në Gjermani.

“Marrëdhëniet armeno-ruse janë të qëndrueshme dhe të forta. Ndërsa përballet me viktima në vijën e frontit, Jerevani do të kërkonte më shumë mbështetje nga Moska.”

Para shpërthimit të luftimeve të dielën, Baku akuzoi Moskën se po i jepte guxim Jerevanit me dërgesa të konsiderueshme armësh që nga muaji korrik.

Hikmat Hajiyev, i cili drejton departamentin e punëve të jashtme të Azerbajxhanit, foli për shtypin e huaj në Turqi në fillim të muajit.

Lexo edhe :  Mirditë/ Dhunoi faturinon e një autobusi dhe i grabiti xhiron ditore, pranga 25-vjeçarit

“500 mijë tonë ngarkesa ushtarake janë dërguar në Armeni. Le të jemi të qartë, nga Rusia.”

Zoti Hajiyev theksoi rëndësinë e ndihmës ushtarake turke.

“Kemi parë mbështetje të qëndrueshme dhe të fortë të Turqisë për Azerbajxhanin. Çdo vit ne zhvillojmë 10 manovra të përbashkëta ushtarake që nga operacionet me trupa tokësore, operacine të forcave speciale të anti-terrorit dhe manovra të forcave ajrore.”

Në atë që vëzhguesit e interpretuan si mesazh për Armeninë, avionët luftarakë turq kryen një manovër mbi Azerbajxhan pak pas një përleshjeje mes forcave armene dhe azere në korrik.

Interesat energjitike

Luftimet e korrikut në rajonin Tovuz të Azerbajxhanit u zhvilluan pranë tubacioneve të rëndësishme energjitike që i sherbejnë Turqisë, duke alarmuar Ankaranë.

“Kjo është një çështje shumë e rëndësishme për sigurinë energjitike të Turqisë”, tha një zyrtar i lartë i ministrisë së energjisë së Turqisë ndërsa foli për gazetarët në kushte anonimiteti. Zyrtari tha se Turqia “do të marrë çdo masë të nevojshme” për të vazhduar furnizimin energjetik nga Azerbajxhani.

Ankaraja ka mbështetur prej kohësh Bakun në përpjekjet e tij për të rimarrë rajonin Nagorno-Karabak. Zori Erdogan pohoi të hënën se, nëse Armenia largohet menjëherë nga territori që ka pushtuar, siç u shpreh ai, rajoni do t’i kthehet paqes dhe harmonisë.

Rivendosja e Nagorno-Karabakut nën kontrollin e Azerbajxhanit ka mbështetje të fortë nga nacionalistët turq, një bazë e rëndësishme për zotin Erdogan.

“Dy kombe, një popull” është mantra popullore që përdoret nga Baku dhe Ankaraja për të përshkruar marrëdhëniet e dy vendeve.

Seperatistët armenë morën nën kontroll Nagono-Karabakun nga Azerbajxhani në një luftë të përgjakshme në vitet 1990-të ku u vranë rreth 30 mijë njerëz.

Analistët thonë se Turqia duket e gatshme të thellojë marrëdhëniet me Azerbajxhanin.

“Por është një zonë mjaft e rrezikshme. Rajoni i Kaukazeve është një prej zonave më të afërta gjeografike me Rusinë dhe pjesë e influencës së saj. Ata mund të mos tolerojnë veprimet ushtarake turko-azere kundër Armenisë që çon në humbje të mëdha në anën e Armenisë. Nëse Turqia dhe Azerbajxhani po planifikojnë të kenë një sukses të madh përmes mjeteve ushtarake, kjo mund të vërë në një rrezik të madh marrëdhëniet mes Turqisë dhe Rusisë,” thotë një analist.

Gjatë viteve të fundit, Ankaraja dhe Moska kanë thelluar marrëdhëniet e tyre, duke bashkëpunuar në Siri si dhe ndërtimin e lidhjeve tregtare që madje shkojnë deri në blerjen e pajisjeve të sofistikuara ushtarake ruse./VOA

Të fundit

Horoskopi për ditën e sotme, 29 Mars 2024

Dashi Mund të keni bërë shumë shpenzime në të kaluarën dhe tashmë mund t’ju duhet të përballeni me pasojat. Si...

“U largova nga futbolli pasi nuk e njihja më”,Klose: Të rinjtë e kanë mendjen tek makinat

Miroslav Klose është një nga ata që ka shkruar historinë me fanellën e kombëtares së Gjermanisë, por edhe Bayern Munich. I tërhequr nga futbolli...

Shtatzënia përshpejton plakjen, por ja çfarë ndhodh pas lindjes

Ndryshimet e thella fizike, hormonale dhe kimike që lidhen me shtatzëninë mund të bëjnë që ora e plakjes të kthehet më shpejt, duke i dhënë moshës biologjike të...

“Eglën e njoh shumë mirë…”/Hygerta Sako zbulon detaje për banoren jashtë shtëpisë së BBV

ot e ftuar në emisionin “Big Brother Radio” ka qenë gazetarja Hygerta Sako, për të bërë një analizë të lojës së banorëve dhe për...

Aktiviteti elektoral i presidentit Biden me ish-presidentët Obama e Clinton,shënon rekord

Shuma e dhurimeve është një demonstrim i mbështetjes së demokratëve për presidentin Biden në një periudhë kur anketimet vazhdojnë të tregojnë nivele të ulëta...

Lajme të tjera

Web TV