Nga Elvis Myrta
Operacionet për kapjen e personave në kërkim për vepra të rënda penale, shpeshherë janë dekonspiruar nga vetë efektivët apo drejtuesit e Policisë së Shtetit. Fenomeni i dekonspirimit të operacioneve policore nuk është i ri, pasi vitet e fundit forcat speciale kanë dështuar për kapjen e disa personave të cilët janë me rrezikshmëri të lartë shoqërore. Gazeta “Fjala” risjell disa raste kur persona të botës së krimit, apo zyrtarë të shpallur në kërkim, i kanë shpëtuar arrestimit, për shkak se kanë marrë informacion se do të ndërhyhet për ndalimin e tyre.
Numri dy i Operacionit Forca e Ligjit (OFL), Artan Shkëmbi, u pezullua menjëherë nga detyra, pasi një dosje e mistershme mbërriti nga Gjermania. Dyshimet janë se duke pasur akses në të dhëna tepër sekret për individë me rekorde kriminale, në një rast specifik ka informuar të dyshuarit për t’u larguar, duke iu shmangur kësisoj përballjes me drejtësinë.
Ky rast po bën bujë, pasi Shkëmbi përfshihet në drejtuesit e lartë të policisë, por ndër vite fenomeni i dekonspirimit të aksioneve të strukturave të rendit i ka shmangur krerët e krimit të organizuar nga përballja me drejtësinë. Çështja është në fazën e parë të hetimit dhe krahas materialeve që pritet të mbërrijnë nga partnerët gjermanë, SPAK-u ka nisur hetimet për rastin konkret.
Në disa raste ka edhe dënime të formës së prerë për efektivë që, edhe pse mbanin uniformën e Policisë së Shtetit, bëheshin “njësh” me krimin, kryesisht në trafikun e drogës, duke i informuar të dyshuarit për çdo hetim apo operacion të nisur nga kolegët e tyre. Gjatë viteve të fundit shpeshherë në media është folur për arrestime të bujshme dhe megaoperacione të policisë për goditjen e gurpeve kriminale, apo edhe të zyrtarëve të korruptuar, por këto akasione të nisura me bujë përfundonin pas sukses.
Zakonisht operacionet për arrestimin e personave me rrezikshmëri të lartë, ndërmerren nga forcat speciale RENEA dhe për këto operacione kanë dijeni shumë pak persona. Edhe pse informacionet për ndërhyrjet që bëjnë efektivët e këtij reparti janë të pakta, sërish të kërkuarit marrin informacion, duke u shpëtuar prangave. Fenomeni i dekonspirimit të operacioneve në Shqipëri nuk është i ri, pasi policë të caktuar, për shkak të lidhjeve të krijuara me grupe të ndryshme, abuzojnë me detyrën, duke vënë në rrezik edhe jetën e kolegëve.
Dekonspirimi i një operacioni mund të rezultojë fatal për grupin e ndërhyrjes, veçanërisht në rastet e kapjes së personave me rrezikshmëri të lartë. Në shumicën e rasteve aksionet dekonspirohen nga zyrtarë të policisë, apo shefat e komisariateve në rrethe. Rasti më i fundit ishte Artan Shkëmbi. Ai u pezullua nga detyra, pasi akuzohet për dekonspirim të operacioneve dhe përfshirje në korrupsion. Sipas burimeve të siguruara nga “Fjala TV”, dosjen me informacionet për Artan Shkëmbin e kanë sjellë autoritetet gjermane.
Gjykata e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, të dielën e 27 shtatorit, vendosi masën “pezullim nga detyra” për nëndrejtorin e Operacionit Forca e Ligjit, OFL, Artan Shkëmbi, për veprat penale “korrupsion pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike” dhe “zbulimi i akteve dhe të dhënave sekrete”. Burime nga SPAK-u bëjnë me dije për gazetën “Fjala” se Shkëmbi është vënë nën hetim për korrupsion dhe nxjerrje të sekretit hetimor.
Nga burimet e saj në SPAK, gazeta ka mësuar se policia gjermane disa muaj më parë kishte nisur një hetim pasuror për një shtetas shqiptar të përfshirë në aktivitete të paligjshme në Gjermani. Gjatë hetimeve autoritetet atje ngritën dyshime se numri 2 i OFL-së kishte informuar subjektin nën hetim. Prokuroria e Posaçme vijon hetimet ndaj Shkëmbit, ndërsa mësohet se masa e marrë ndaj tij është paraprake, për t’i hequr oficerit të policisë çdo kontakt me informacionet sensitive.
Shkëmbi u konfirmua në detyrë me shumicë votash më datë 28 shkurt 2020 nga Komisioni i Jashtëm i Kualifikimit, institucion, që po kryen procesin e vetingut në polici. Kryesuesi Alban Laska dhe anëtarja Mirela Ujkani në shumicë votuan për konfirmimin në detyrë të Shkëmbit, ndërsa relatori i çështjes Artur Baku, në pakicë shprehet në vendim se, Artan Shkëmbi duhej të ishte shkarkuar, për shkak se nuk arriti nivel të besueshëm në kriterin e pasurisë.
Nga hetimi administrativ i KJV u identifikua edhe fakti se Shkëmbi ka qenë me detyrë funksionale punonjës operativ, oficer në strukturat e ish-Sigurimit të Shtetit nga data 1 gusht 1990 deri më 1 tetor 1991, pasi është diplomuar në vitin 1990 në Shkollën e Lartë të Ministrisë së Punëve të Brendshme, Dega Sigurim. KJV-ja nuk e ka konsideruar penalizues këtë fakt, duke vlerësuar se periudha e ushtrimit të funksionit ka qënë e shkurtër dhe se nuk raportohen të dhëna për shkelje të drejtave dhe lirive themelore të njeriut nga ana e Shkëmbit.
Rastet
Shpeshherë Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit ka dyshime se operacionet e ndërmarra nga blutë janë dekonspiruar, duke mos u finalizuar. Në analiza të mbyllura, por edhe deklarime publike, zyrtarë të lartë të Policisë së Shtetit kanë folur për këtë fenomen, saqë është shkuar deri në atë pikë sa drejtori Veliu të heqë përdorimin e telefonave celularë nga policia gjatë orarit të punës.
Persona me rrezikshmëri të lartë shoqërore në disa raste u shpëtuan të gjitha operacioneve të ndërmarra nga policia për kapjen e tyre. Gjithashtu, edhe trafikantë droge, të shpallur në kërkim, kanë mundur “të zhduken” në momentet e fundit nga venndodhja e tyre, pavarësisht informacioneve të sakta që dispononin efektivët e ndërhyrjes. Një tjetër rast i bujshëm dekonspirimi të operacioneve policore është edhe operacioni për kapjen e tre drejtuesve të lartë të policisë së Vlorës, Jaeld Çela, Sokol Bode dhe Gjergj Kohila.
Për sa i përket mosfinalizimit me sukses të operacioneve për kapjen e personave në kërkim, i përfolur për dekonspirim ka qenë edhe ai për arrestimin e Klement Balilit, i cilësuar si “Eskobari i Ballkanit”. Pas caktimit të masës së sigurisë “arrest me burg” në mungesë, për ndalimin e tij u zhvilluan disa operacione, por asnjëherë nuk u bë i mundur arrestimi. Operacionet për kapjen e Balilit dyshohet se u dekonspiruan nga policia e Sarandës dhe e Delvinës.
Madje, në tri raste edhe efektivët e RENEA-s dolën “duarbosh”, pasi informatorët lokalë, edhe duke mbajtur veshur uniformën e policisë ktheheshin në shkatërrues të çdo nisme për ndalimin e individëve që vinin nga bota e krimit të organizuar. Për këtë arsye, në atë kohë, Shërbimi i Çështjeve të Brendshme dhe Ankesave në Ministrinë e Brendshme nisën hetime për të verifikuar veprimet e disa punonjësve të policisë lokale, pas dështimeve të njëpasnjëshme për arrestimin e Klement Balilit.
Autoritetet kishin indicie konkrete që oficerë të këtyre komisiariateve njoftonin Balilin për aksionet që do kryheshin për prangosjen e tij. Edhe pse specialistët e Çështjeve të Brendshme kaluan në sitë të gjitha veprimet e oficerëve të policisë, për të cilët ka dyshime konkrete se mund të kishin komunikuar me të afërm të Balilit, këto dyshime nuk u vërtetuan asnjëherë. Klement Balili, në janar të vitit 2019 vendosi t’u dorëzohej vetë autoriteteve. Ai u shoqërua për në kryeqytet nga vetë drejtori i përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Ardi Veliu.
Vitet e fundit në Shkodër janë dekonspiruar disa operacione
Në Shkodër janë ndërmarrë disa aksione për kapjen e “kokave” të grupeve kriminale që operojnë në këtë qytet. Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit për dështimin e operacioneve që ka kryer në këtë qark ka ngritur dyshime për dekonspirim e, për këtë arsye, ka kërkuar nisjen e një hetimi të brendshëm.
Dyshimet e policisë mbi dekonspirimet lidhen me faktin se kanë munguar arrestimet në të paktën 3 operacione që janë zhvilluar nga RENEA, FNSH-ja dhe policia e Shkodrës gjatë vitit 2019-2020. Megjithatë, burimet tregohen të rezervuara për të dhënë detaje, duke qenë se hetimet e brendshme të policisë kanë procedura specifike që përmbyllen me masa konkrete disiplinore ndaj efektivëve apo zyrtarëve me të lartë, eprorë të tyre.
Operacionet për kapjen e Laert Haxhiut
Laert Haxhiu, i akuzuar si autori kryesor i masakrës së Lushnjës, ngjarje e ndodhur rreth tri vite më parë, është një personazh i njohur i botës së krimit. Ai u ka shpëtuar disa operacioneve të RENEA-s. Edhe pse uniformat blu kanë pasur informacion për vendodhjen e tij, ai u ka shpëtuar prangave, duke u larguar nga vendi ku fshihej.
Aksionet janë zhvilluar në Lushnjë, Fier, Durrës, ndërsa i fundit ishte në kryeqytet, në zonën e “Freskut”, por, me sa duket, 28-vjeçari ka pikasur prezencën e policisë dhe ka mundur që t’u shpëtojë sërish. Gjatë këtij operacioni u vu në pranga Anterio Kaloshi i cili ishte i përfshirë në ngjarjen e Tushemishtit, të ndodhur rreth disa javë më parë, ku disa persona qëlluan me armë zjarri drejt një hoteli të mbushur me pushues.
Haxhiu dhe Kaloshi njihen si persona me rrezikshmëri të lartë shoqërore. Edhe në këtë rast, ndonëse njëri prej të dyshuarve u ndalua, sërish policia e kryeqytetit ngriti dyshime se për kapjen e Haxhiut janë dekonspiruar.
Talo Çela i ka shpëtuar 6 herë policisë
Tri ditë më parë Talo Çela i shpëtoi operacionit të gjashtë që RENEA zhvilloi për arrestimin e tij. I cilësuar si një nga personat e shumëkërkuar nga policia, Talo Çela akuzohet për vrasjen e vëllezërve Besmir dhe Viktor Haxhia në Durrës dhe grabitjen e 5,6 milionë eurove brenda Aeroportit të Rinasit.
Mbrëmjen e së shtunës, RENEA kreu një kontroll në një vilë pranë Elbasanit, pasi kishte marrë informacione se Talo Çela e përdorte si strehë. Por duket se një nga personat më të shumëkërkuar në vend kishte lëvizur nga banesa, pak para se të mbërrinin forcat speciale. Policia kishte marrë informacion se 49-vjeçari kishte lëvizur në këtë zonë, sidomos pas vrasjes së vëllait të tij Bujar Çela. Disa prej operacioneve të ndërmarra për kapjen e tij dyshohet se janë dekonspiruar.
9 efektivë nën hetim për dekonspirim
Dy vite më parë nëntë efektivë të policisë së Durrësit u vunë nën hetim nga SHÇBA-ja për dekonspirim të një operacioni të ndërmarrë në atë kohë për arrestimin e disa pjesëtarëve të një organizate të trafikimit të drogës, organizatë e cila ishte shtrirë në vendin tonë dhe në Italinë fqinje. Hetimet ndaj efektivëve nisën pasi ishin prerë 7 urdhërarreste për 7 anëtarë të bandës.
Dy prej të cilëve gjendeshin në në Tiranë, ndërsa pesë prej tyre ishin me banim në Durrës, apo Shijak. Ndërkohë që policia e Tiranës arrestoi dy të kërkuarit, policia e Durrësit nuk mundi të arrestonte asnjë prej 5 të kërkuarve. Edhe pse këta persona ishin nën vëzhgim nga agjentët në terren, në momentin e fundit ata nuk u arrestuan, duke u shpëtuar prangave.
Arrestimi i ish-efektivit të FNSH-së
Më 5 nëntor të vitit të kaluar në pranga përfundoi ish-efektivi i policisë, Ardian Loci. Ish-efektivi i FNSH-së u arrestua pasi akuzohej për dekonspirim të një operacioni për asgjësimin e bimëve narkotike në Shkodër. Në mars të vitit 2017 organi i akuzës paraqiti si provë një transkriptim telefonatash, mbi bazën e të cilit dyshohet se Loci dekonspironte aksionet e policisë.
Dekonspirimi i operacionit për kapjen e tre ish-drejtuesve të lartë të policisë së Vlorës
Pas shkatërrimit të bandës “Habilaj” nga autoritet italiane, në fund të vitit 2017, në vendin tonë u prenë 3 urdhërarreste për tre drejtues të policisë së Vlorës. Ish-Prokuroria e Krimeve të Rënda kishte firmosur urdhërarrestet për 3 ish-zyrtarë të policisë së Vlorës, si të përfshirë në këtë grup të strukturuar kriminal. Menjëherë pas dhënies së masës së sigurisë ndaj tyre policia ndërmori një operacion për kapjen e ish-drejtorit të policisë së Vlorës, Jaeld Çela, ish-komandantit të postës së kufirit në Dhërmi, Sokol Bode, si dhe ish-shefit të hetimit të krimit të organizuar në policinë e Vlorës, Gjergj Kohila.
Por tre ish-drejtuesit nuk u vunë në prangat e kolegëve të tyre në atë kohë. Ka dyshime se operacioni për arrestimin ndaj tyre u dekonspirua. Pas dështimit për arrestimin e zyrtarëve të lartë të policisë së Vlorës, Shërbimi për Çështjet e Brendshme dhe Ankesave nisën menjëherë hetim ndaj oficerëve që kishin dijeni për operacionin në fjalë. Në atë kohë për këtë çështje në Prokurorinë për Krime të Rënda u thirr edhe drejtori i Shërbimit për Çështjet e Brendshme dhe Ankesat në Policinë e Shtetit, post i cili mbahej nga Eduart Merkaj.
Prokurorët e çështjeve dhe drejtuesi i SHÇBA-së shkëmbyen informacione mbi efektivët e policisë që kishin dijeni për operacionin. Tre ish-drejtuesit, dy prej të cilëve janë në kërkim edhe sot, pasi ish-drejtori Çela u dorëzua disa muaj më parë, sipas prokurorisë, akuzohen se me mosveprimet e tyre i kanë lejuar vëllezërit Habilaj të kultivojnë kanabis sativa. Të tre ish-drejtuesit e policisë së Vlorës kanë drejtuar aty gjatë viteve 2014-2016. Për këtë dosje u mor i pandehur edhe ish-ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri. Ai u akuzua nga prokuroria si i përfshirë në grupin “Habilaj”.
Për Tahirin prokuroria kërkoi 8 vite burg, por ai u dënua me 3,5 vite burg shërbim prove, vetëm për shpërdorim detyre, vendim i cili u rrëzua nga Gjykata e Posaçme e Apelit, e cila e ktheu dosjen për rigjykim. Në vendimin e tyre togat e zeza të apelit të GJKKO-së, shprehen se nuk ka asnjë provë për akuzën e shpërdorimit të detyrës, për të cilën e Tahiri u dënua nga ish-Gjykata e Shkallës së Parë për Krimet e Rënda./Jo.Be/Fjala.al