Parlamenti miraton Kodin Zgjedhor, Rama-Meta nisin “kodet” e kërcënimeve

113 563 lexime

124,178FansaPëlqeje

Mes shumë debatash dhe akuzash, me 97 vota pro, u miratua në Parlament Kodi i ri Zgjedhor. Kreu i shtetit, Ilir Meta, premton “daljen në shesh”, Rama e krahason Metën me ish-kryeministrin Berisha. Lideri i opozitës e pret disi më qetë. Reagojnë edhe ndërkombëtarët, duke shprehur keqardhje që nuk u ruajt fryma e marrëveshjes së arritur më parë mes mazhorancës, opozitës parlamentare dhe asaj jashtëparlamentare. Ambasada e SHBA-së: Marrëveshja e 5 qershorit nuk është shkelur.

Me 97 vota pro, 15 kundër dhe 5 abstenim, Parlamenti miratoi dje mes shumë debatesh Kodin Zgjedhor, duke lënë shteg tashmë e në vijim për një përplasje të fortë politike mes mazhorancës dhe opozitës jashtëparlamentare. Me nismën e mazhorancës kodi shkoi në Parlament me siguri të plotë se do të kalonte, pasi për miratimin e tij nevojiteshin 84 vota, por arriti të merrte 97 vota, duke kaluar edhe “normën”, e cila u tejkalua me ndihmën e votave të opozitës parlamentare. Akuzat për shitje e blerje nuk munguan edhe në debatin para votimit, por fundi vulosi diçka që kishte kohë që diskutohej dhe thuajse ka rënë përfundimisht edhe marrëveshja e 5 qershorit mes mazhorancës dhe opozitës jashtëparlamentare.

Me Kodin e ri Zgjedhor, i cili tashmë ka marrë formën ligjore dhe pret vetëm dekretimin nga kreu i shtetit (që me gjasë nuk do ta dekretojë), përjashtohen koalicionet parazgjedhore, ndërsa listat janë gjysmë të mbyllura, duke u lënë sërish dorë të lirë kryetarëve të subjekteve politike për t’i caktuar kandidatët për deputetë në zgjedhjet parlamentare të radhës që do të mbahen më 25 prill të vitit të ardhshëm. E vetmja e re për t’u shënuar ishte vendosja e pragut 1% nga 3% që ishte më parë, që subjekteve politike u duhet të kalojnë për të qenë parti parlamentare. Kjo ishte vetëm ngjarja e ndodhur dje telegrafikisht, por përplasja mes kreut të shtetit, Ilir Meta, dhe kryeministrit Edi Rama duket se nuk do të mbyllet vetëm me deklarata të ashpra të nisura prej ditësh, por të kulmuara pak para se në Parlament të votohej Kodi Zgjedhor.

President-kryeministër, në arenën e “kërcënimeve”

Ndërsa në Parlament gjithçka ishte gatitur që drafti i paraqitur nga PS-ja të kalohej, sinjalet e para të kundërshtimit erdhën nga kreu i shtetit, Ilir Meta. Ai i kërkoi kryeministrit që të mos bënte asnjë hap për ta zhbërë marrëveshjen e 5 qershorit, duke premtuar edhe “dalje në shesh” në rast të kundërt. “Po e preke 5 qershorin, Ilir Metën do ta kesh në çdo shesh të Shqipërisë dhe ti do të ëndërrosh fatin e shokut tënd që ngeli dhe pa parti.” – deklaroi presidenti Meta. Këtë qëndrim të kreut të shtetit Rama e relativizoi në Parlament, teksa tha se Meta ende kërkon të marrë nga vendi, ndonëse i është dhënë më shumë nga ç’i takon, duke shtuar se “shembullin më negativ sot e jep presidenti, që nuk ka kapacitetin moral dhe mendor të përmbahet, të paktën kur ka një përfaqësues të huaj në krah. Këtë nuk e ka bërë as Saliu.” – tha Rama. Nuk janë fare çudi qëndrimet e ashpra mes dy më të pushetshmëve në vend, por deklaratat e djeshme janë sinjali se në ditët në vijim ashpërsia politike është e garantuar.

Presidenti Ilir Meta në javët e fundit ka qenë shumë më kritik se opozita jashtëparlamentare, duke i kujtuar Ramës se shkelja e marrëveshjes së 5 qershorit do të ishte fatale për vendin. Ndër kauzat kryesore që ka ngritur Meta është se pikërisht ndryshimet kushtetuese dhe të Kodit Zgjedhor në mënyrë të njëanshme do të pengojnë integrimin e vendit dhe rrezikohet seriozisht hapja e negociatave të Shqipërisë me BE-në në javët në vijim. Përtej “debatit integrim”, çështja më e ndjeshme për politikën në vend është pushteti. Me ndryshimet kushtetuese dhe ato të Kodit Zgjedhor, më shumë duket se e pëson LSI-ja, e cila mbetet forcë e tretë, por rrezikon të humbasë ndikimin, gjithnjë nëse dy partitë kryesore, PS dhe PD, arrijnë të marrin mbi 70 mandate. Këto kalkulime të nisura që tani, duket se kanë armiqësuar edhe më shumë dyshen Rama-Meta, e cila tashmë i ka kapërcyer përplasjet institucionale, duke i kthyer edhe në personale, por gjithnjë në interes të subjekteve që përfaqësojnë.

PD-ja kundërshton kodin, por luan taktikisht

Meta paralajmëron daljen në shesh, duke mbajtur veshur ende kostumin presidencial, ndërkohë nga ana tjetër, opozita i ka pritur më ftohtë ndryshimet në Kodin Zgjedhor, kjo edhe për arsye taktike. Opozitës i interesonte të mbaheshin koalicionet parazgjedhore, pasi duke qenë në bllok PD, LSI dhe PDIU, si tri parti me potencial (duke iu referuar zgjedhjeve të fundit), do të thotë maksimalizim votash dhe automatikisht edhe numër më të madh deputetësh. Por duke dalë kundër Kodit Zgjedhor e duke vendosur ultimatum, PD-ja indirekt do të pranonte se rrezikon që të mos jetë parti e parë në zgjedhjet e ardhshme. Për këtë arsye përfaqësuesit politikë të PD-së kanë nisur të artikulojnë se: “cilado të jetë lëvizja e Ramës, fitoren e kanë të garantuar”. Kjo mbetet një formë për të mbajtur në alert pjesën militante, por, nga ana tjetër, kërkon të injektojë frymë në elektorat se ndryshimi i poshtetit do të vijë nga zgjedhjet e 25 prillit. Bombardimi i vazhdueshëm për fitore të opozitës pas tetë vitesh pushtet të një subjekti politik, ka funksionuar në të shkuarën, ku pikërisht për shkak të frymës së krijuar janë përbysur raportet në votime. Këtë manovër aktualisht po e luan PD-ja, e cila më shumë se me kundërshtarin po merret me riorganizimin e saj.

Lexo edhe :  Protagonizmi bosh, shërbimi më i mirë që mund ti bësh Ramës’! Kryemadhi e ka me Metën?

Rama, nuk ka votime të njëanshme

Ndërsa në Kuvend miratoheshin ndryshimet kushtetuese për Kodin Zgjedhor, kryeministri Rama iu përgjigj interesimit të gazetarëve. I pyetur nëse me këtë votim shkelej “nderi” i marrëveshjes së arritur në selinë e ambasadës së SHBA-së, e njohur ndryshe si marrëveshja e 5 qershorit, Rama tha: Kjo është bisedë e tejkaluar sot votohet, dhe më lejoni të them se nuk ka votime të njëanshme . Vota që jepet në Parlament është e vlefshme në bazë të mandatit. Ata deputetët atje i morën nga Luli dhe Monika mandatet, nëse i dëgjojnë apo jo, apo bëjnë me kokën e tyre, nuk është puna jonë. Detyra jonë është të çojmë Kodin në Kuvend, siç e tha Bundestag-u”, – tha Rama. Në lidhje me mungesën e dakordësisë me opozitën jashtëparlamentare, Rama u shpreh: “Koha e votimit pas një konsensusi 100% ka vdekur që në ’90, nuk arritëm ta bënim, por si t’ia bëjmë, apo siç thotë palestra e shtangës në Presidencë? Bujrum, të vijë, aty është sheshi të vijnë e të marrin vota, të vijnë në Parlament me mend të tjera”.

Deklaratat para dhe pas votimit të Kodit të ri Zgjedhor

Kryeministri Edi Rama

“Nuk ka asnjë problem të më sulmoni mua, jam mësuar me origjinalin, kopjet s’më bëjnë fare përshtypje. Dëgjova një zonjë këtu që fliste me një gjuhë që një grua nuk mund ta ketë, një nënë nuk mund ta ketë, një përfaqësuese e Parlamentit nuk mund ta ketë. Por çfarë faji mund t’i vë unë kësaj zonje, kur shembullin më negativ sot e jep presidenti, që nuk ka kapacitetin moral dhe mendor që të përmbahet, të paktën kur ka një përfaqësues të huaj në krah. Këtë nuk e ka bërë as Saliu. Është një histori që zhvillohet prej kohësh, nuk është hera e parë, as e fundit që pakica kërkon t’i imponohet shumicës me forma dhe me një gjuhë që nuk ka asnjë lidhje me çka secili këtu në këtë sallë u mëson fëmijëve të vet. Fatkeqësia 30-vjeçare e këtij Parlamenti është në radhë të parë që u jep atyre që e ndjekin dhe, mbi të gjitha, më të rinjve, për të cilët flitet shumë dhe në ajër, shembullin më të keq të edukatës elementare. Duke u kthyer te ligji, nuk ka një kompromis, ku një palë i fiton të gjitha. Kompromiset e mira janë ato ku të gjitha palët kanë një arsye për t’u mërzitur”.

Kryetari i PD-së, Lulzim Basha

“Shkatërrimi i institucioneve të Shqipërisë është një nga arsyet që kjo bandë e ka vjedhur dhe e ka kërdisur Shqipërinë. Hapat që duan të hedhin sot në Kuvend janë tërësisht antikushtetues dhe tregojnë tmerrin dhe frikën e Edi Ramës dhe të atyre që e rrethojnë nga procesi zgjedhor. Nuk ka formulë që ta shpëtojë Edi Ramën nga ndëshkimi popullor. Sikur vetëm për premtimet e pambajtura dhe efektin që kanë pasur, Edi Rama do të largohet me votë plebishitare. Çdo hap antikushtetues do të kontestohet në të gjitha format. Kjo s’ka asnjë diskutim. Çdo gjë në kundërshtim me 5 qershorin dhe standardet e OSBE-ODIHR-it, do të kontenstohet. Nuk ka formulë që ta shpëtojë këtë bandë nga ndëshkimi i njerëzve. Njerëzit shumë shpejt do ta japin verdiktin e tyre, sepse e bëjnë fare qartë kontrastin midis opozitës dhe një bande që e trajton Shqipërinë si çifligun e saj”.

Presidenti Ilir Meta

“Mister 1 Prilli, ti gënjen, edhe kur s’e hap gojën. MOS GUXO të vësh dorë mbi marrëveshjen e 5 qershorit! Po e preke 5 qershorin, Ilir Metën do ta kesh në çdo shesh të Shqipërisë dhe ti do të ëndërrosh fatin e shokut tënd që ngeli dhe pa parti. Nëse ndonjë mik i huaj të është ankuar për mua, kërkoji leje se e publikoj unë se çfarë i kam thënë, që ta dëgjojë mbarë bota se për ç’miq bëhet fjalë. Meta ka përforcuar më tej akuzat duke deklaruar se “Shqipëria kurrë s’ka njohur trafikant më të papërgjegjshëm sesa ti, peng i bandave dhe i armiqve të Shqipërisë”.

Ambasada amerikane: Marrëveshja e 5 qershorit nuk është shkelur.

-“Sot, partia qeverisëse ndaloi diskutimet në Këshillin Politik dhe votoi për të miratuar ndryshime domethënëse të rregullave që do të qeverisin zgjedhjet e 25 prillit. Ndërkohë që ishte brenda kompetencave të Parlamentit për t’i miratuar këto ndryshime, dhe ndërkohë që këto ndryshime janë shtesë – dhe jo shkelje – të marrëveshjes së 5 qershorit, është për të ardhur keq që shumica dështoi të respektonte përkushtimin e deklaruar prej vetë asaj, për të kërkuar emërues të përbashkët në Këshillin Politik”.

Ambasadori britanik, Duncan Norman

“Marrëveshja e 5 qershorit ishte një hap i rëndësishëm përpara, bërë i mundur përmes dialogut dhe negociatave. Na vjen keq që ndryshimet e sotme në Kodin Zgjedhor janë bërë pa marrëveshjen e Këshillit Politik dhe pa përpjekje për të gjetur konsensusin.”

Përfaqësuesi i PPE-së, Michael Gahler

Duke votuar sot shkeljen e marrëveshjes së 5 qershorit, të negociuar nga Bashkimi Evropian me opozitën, kryeministri shqiptar Edi Rama hodhi një hije të errët mbi zgjedhjet e ardhshme të prillit, të cilat duhet të ishin të lira e të ndershme, dhe më të mira se të mëparshmet. Me këtë veprim Rama qartësisht pengon integrimin evropian të Shqipërisë. Më saktësisht, shkelja e marrëveshjes së 5 Qershorit rrezikon të bllokojë dhe të shtyjë Konferencën e parë Ndërqeveritare, si hapin e parë për fillimin e negociatave të pranimit në BE.  /Ra.My.Fjala.al/

Të fundit

Liverpool mposht Atalantën por eliminohet nga Europa, Leverkusen mbetet e pathyeshme

Atalanta nxjerr jashtë Europës Liverpoolin. Skuadra bergamaske u mposht 0-1 në shtëpi nga “The Reds”, por kualifikohen në gjysmëfinale...

Roma triumfon sërish ndaj Milanit dhe kualifikohet në gjysmëfinalen e Europa League

Roma kalon në gjysmëfinalet e Europa League, ndërsa eliminon Milan-in, pas fitores me rezultatin e përgjithshëm 3-1 të dy ndeshjeve çerekfinale. Pas takimit në “San...

Më 20 Prill, Dielli kalon në Dem, ja çfarë u ndodh këtyre 5 shenjave të Zodiakut

Më 20 Prill, Dielli kalon në Dem dhe fillon zyrtarisht sezoni i shenjës së dytë të kalendarit astrologjik. Kjo ditë do të sjellë ndryshime...

Çfarë është “mashtrimi i së ardhmes? Flamuri i kuq në një raport në çift

Është normale të imagjinoni një të ardhme me dikë që ju intereson, sidomos pasi takimi i parë ka shkuar shumë mirë dhe jeni në...

“Ajo që po bën Meta nuk është sjellje politike”/ Çani reagon ashpër: Ish-presidentit …

Gazetari Arian Çani në një intervistë për një emision televiziv ka komentuar deklaratat e kreut të Partisë së Lirisë ndaj SPAK. Ai theksoi se kjo...

Lajme të tjera

Web TV