Në 90-vjetorin e lindjes/Prof. Hulusi Hako, 65 vjet në “dyluftim” me Zotin

113 563 lexime

124,178FansaPëlqeje

Nga Bashkim Koçi

“Toleranca fetare në Shqipëri nuk është atribut i feve dhe as i klerikëve. Ajo është një produkt i ndërgjegjes kombëtare të shqiptarëve. Madje presioni i feve, mbështetur në autoritetin e kohës, i instrumentalizuar dhe nga pushtuesit e fqinjët tanë, e kishte mbushur kupën e durimit, ndaj shqiptarët shpallën:”tjetër është kombësia, e tjetër feja.” Nga padurimi shpërtheu edhe ideja lapidare: “Feja e shqiptarit është shqiptaria.” Pra ishte ndërgjegjja popullore që “zdrugoi” fetë dhe ua vuri klerikëve këmbët në një këpucë.”

Teksa ulem të shkruaj diçka për pedagogun tim të filozofisë, prof. Hulusi Hakon, ndihem paksa keq, i pazoti për të realizuar portretin e një njeriu i cili, si pakkush, “e shpërdoroi” jetën e tij të gjatë për t’i bindur njerëzit për falsitetin e dogmave fetare ose, e thënë drejtpërdrejt, i gjendur në një jetë të tërë “në dylufim” me Zotin.

Por njeriu kthjellohet e trimërohet për të “ndëshkuar e demaskuar” Zotin, ashtu si edhe unë, jo vetëm nga një njeri, siç është i shumëdituri, prof. Hulusi Hako, po kur njeh dhe përvetëson historinë e njerëzimit, të gjykimit dhe të qëndrimit të personaliteteve të mëdha të mendimit njerëzor, të shkencëtarëve që kanë bërë përmbysje revolucionare në shërbim të jetës dhe jo të dogmës “ekziston apo jo ai lart në qiell”.

Këtë çka po them dëshiroj ta ilustroj me qëndrimin rreth kësaj çështjeje, të mendimtarit të madh greko-sirian, Lukiani i Samosatamit (120-180). Ai, këtu e 1800 vjet më parë, është shprehur kështu për besimtarët ndaj fesë: “Mjeranët e shkretë i kanë mbushur mendjen vetes se do të jenë të pavdekshëm dhe do të rrojnë në përjetësi, nëse adhurojnë atë sofistin e kryqëzuar e nëse jetojnë sipas ligjeve të tij… E i marrin këto doktrina goja-gojës pa ndonjë provë të qartë. Kështu, kur mashtruesit e sharlatanët hyjnë mes tyre, kaplojnë menjëherë pasuri të mëdha, duke sunduar mbi këta leshko.” Kaq thotë shkurt, por me bindje, guximtari dhe mendjehapuri Lukian.

Tani le ta lëmë Lukianin e Samosatamit, i cili në pak rreshta i ka thënë “të gjitha” për atë çka ka menduar e ndëshkuar, ata që i quan “mjeranë të shkrtetë”, dhe të shkruajmë për “Lukianin” shqiptar, prof. Hulusi Hakon. Prof. Hulusi Hako u lind në Delvinë, më 10 Tetor të vitit 1930.

Fëmijërinë e kaloi në mjerim, ashtu si “Luli i vocërr” i Migjenit, e madje ashtu si ai, si të kenë qenë vëllezër për kushtet e jetesës dhe të mjedisit ku u rritën. Shkollën fillore e nisi dhe e mbaroi po aty, në Delvinë, mes moshatarëve krejt të drobitur, barkbosh e që përgjëroheshin për kafshatën e bukës. Por, duke u rritur, shumë gjëra i ranë në sy për çka ndodhte rreth e rrotull, në Delvinë e ca më tutje Delvinës.

Informacionet që i sillnin ca të rinj, më të rritur se ai, e që në muhabete burrash thoshin se ishin partizanë, mori vesh që ata luftonin me të huajt pushtues, me ca përbindësha të pangopur për të pushtuar hapësira që s’ishin të tyret. Ishte vetëm 13 vjeç kur Hulusi Hako iu bashkangjit, sipas mënyres së tij, atyre që i mendonte të ishin, jo si ai, por guximtarë, nga ata që nuk kishin frikë nga vdekja.

Ishin njësitet guerile, formacion luftarak, që edhe sot e kësaj dite, pas 76 vjetësh, pjesëtarët e njësitit i përfytyron si heronj, “të ngrirë” ashtu si ishin, e që mbetën, të rinj e të bukur, pa u tjetërsuar, në historinë tonë më të lavdishme. Në atë luftë Hulusiu “luftoi” edhe si korrier partizan, por që asnjëherë nuk iu mbush mendja për të merituar emrin luftëtar.

Sidoqoftë nuk ka njeri që t’ia mohojë atë që ai mori pjesë në atë betejë të madhe, si një lojtar “i vogël” në luftë, por që gjithçka e bëri me zemër. Vitet pas çlirimit ishin vite që kërkonin një “luftë” tjetër, atë të rimëkëmbjes së vendit, por për atë që ishte më kryesorja, “rimëkëmbja’ e arsmit, e kujdesit ndaj brezit të ri, i porsadalë nga lufta çlirimtare, për t’u armatosur me armën e diturisë. Hulusi Hakos iu dha e drejta, me bursë nga pushteti i ri popullor, të studionte në gjimnazin famëmadh “Asim Zeneli” të Gjirokastrës.

Aty dërgoheshin nxënësit e zellshëm, gjë që e vërteton fakti që nga ajo shkollë dolën figura të shquara në fusha të caktuara të jetës, të artit e të shkencës, me kontribute të mëdha për kombin. Hulusi Hako mban mend të kishte shokë klase Dritëro Agollin, Ylvi Vehbiun, Mite Gugën dhe Kujtim Beshirin. Mban mend, gjithashtu, të kishte shok gjimnazi edhe Ismail Kadarenë, por ai ishte një vit më poshtë, thotë Hulusiu.

Por Hulusi Hako mikun dhe shokun më të mirë të gjimnazit kishte Dritëro Agollin. E donin dhe e respektonin shumë njëri-tjetrin. Thuhet se pak njerëz kanë në natyrë këtë: të nderojnë pa zili mikun e tyre të lumtur. Nga kjo shoqëri e tyre, e çiltër dhe e sinqertë, mësova se shkrimtari i madh i ardhshëm, Driteroi, në vitin 1951, i ka kushtuar një poezi mikut të tij, Hulusi Hako, e cila është botuar në numrin e muajit prill të atij viti, në revistën “Pionieri”. Për kuriozitet të lexuesit po sjell tri strofa nga ajo poezi: “Me bukë e pa bukë/ Dhe pa hi në vatër/ Urinë, mjerimin/ Dhe s’kishe gjë tjatër. Dhe si thëthin bleta/Mbi lulet me erë/Mjaltin e kulluar/Në pranverë e verë. Ashtu edhe tinë/ Thëthin Diturinë/ Plot me ëmbëlsi/ Shok o shok Hulusi!”

Pas mbarimit të gjimnazit, matura e vitit 1952, Dritëro Agollit i doli e drejta e studimit për në Fakultetin e Letërsisë të Universitetit të Leningradit, ndërsa Hulusi Hakos për në universitetin “Lomonosov”, në Moskë, në Fakultetin e Filozofisë. Universitetin “Lomonosov” (1952-1958) studenti nga Shqipëria, Hulusi Hako, e përmbylli me nota të shkëlqyera, si më i miri mes shokësh e shoqesh.

Dhe pas këtij “udhëtimi” për t’u armatosur mjaftueshëm si filozof, në shkencën që studion ligjësitë me të përgjithshme të zhvillimit të natyrës, të shoqërisë e të mendimit njerëzor, si një nga format e ndërgjegjes shoqërore, ai kthehet për të qenë një ndër pedagogët e parë të Universitetit të Tiranës dhe të shkollave të tjera të larta në vend. Si pedagog Hulusi Hako u mor kryesisht me lëndën e Ateizmit Shkencor, me lëndën mësimore disi të vështirë për kohën, për shkak të botëkuptimit anakronik e anadollak të shoqërisë shqiptare.

Por ai për këtë vështirësi të përkohshme nuk u ndie kurrë keq, mes studentësh të etur për dituri, sepse ishte i ndërgjegjshëm, i bindur shpirtërisht e mendërisht se për çka shpjegonte ishte i kthjellët, se thoshte vetëm të vërtetën rreth besimit të njerëzve te zoti, të çdo feje, mysliman, ortodoks apo katolik.

Në përpjekjet e tij si ateist shpesh thotë se nuk është faj i madh të mos dish të vërtetën në lidhje me besimin te zoti, por është faj i madh ta përbuzësh, pasi ta kesh mësuar. Feja, thotë profesori, është thjesht kontroll i mendjes së njerëzisë. Ai, për të qenë korrekt me veten, më citon disa vlerësime e mendime për fenë, të thëna nga mendimtarët dhe filozofët më të shquar të botës. Ja disa prej tyre:

“Bota mban dy kategori njerëzish: njerëz inteligjentë pa fe dhe njerëz fetarë pa inteligjencë”. Abdul al Maari

“Tërë problemi me botën është se idiotët dhe fanatikët janë aq të sigurt ndaj vetes, ndërsa të mençurit plot me dyshime.” Bertrand Rasëll

“Feja është kryevepra e artit të stërvitjes së kafshëve, sepse stërvit njeriun në atë se çfarë duhet të mendojë.” Artur Shopenauer

“Kleriku i parë ishte mashtruesi i parë që takoi idiotin e parë.” Volteri

“Tërë fetë janë themeluar mbi frikën e të shumtëve dhe zgjuarsinë e të paktëve.” Stendali

“Feja konsiderohet prej popullit të rëndomtë si e vërtetë, prej të mençurve si e rreme dhe prej sunduesve si e dobishme.” Seneka i Riu

“Besim do të thotë të mos duash të mësosh çka është e vërtetë.” Fridrih Niçe

“Feja është nga sendet më të mira për të heshtur popullin e rëndomtë.” Napoleon Bonaparti

Lexo edhe :  Ilir Meta prezanton ekipin e tij në Partinë e Lirisë

Dhe pasi m’i lexoi këto thënie të nxjerra me kujdes nga thesari i mendimit njerëzor, profesori më pa drejt e në sy e tha: Hë, si thua, të besojmë këta, apo të dëgjojmë baballarët e dervishët e tu?

Prof. Hulusi Hako tashmë sapo mbushi 90 vjeç, një jetë e gjatë nga mund të sjellësh ngjarje e episode, të cilat në vetvete përmbajnë histori të punës së tij si pedagog të disa breza studentësh nga e gjithë Shqipëria. Për fat të mirë, ai ende është me plot shëndet, por edhe me plot humor të hollë, një “pasuri” tjetër e tij, të cilën është e vështirë ta dallosh, qoftë edhe në biseda serioze. E tregojnë ende studentët e atyre viteve një dialog të sinqertë midis tij dhe një studenteje të Insitutit të Lartë të Arteve. Ajo, pra studentja, pasi i ishte përgjigjur tezës së provimit ishte afruar te profesori dhe i kishte pëshpëritur në vesh:

-Profesor, doni të dini ç’kam thënë me vete para se t’i përgjigjesha tezës?

-Pa tjetër!

-O zot, më fal mëkatin!

-Ashtu mbaje, përderisa unë s’qesh i zoti një vit të tërë të të mbushja mendjen se zoti është iluzioni më tragjik i njerëzimit. Ti vazhdo të endesh në mjegullën tënde fatkeqe!

Prof. Hulusi Hako është mjeshtër i fjalës dhe i forcës së argumentit. Ai e shfaq këtë veti të tij të çmuar në bashkëbisedim me njerëzit e thjeshtë, në auditorë ku i jepet rasti të ligjërojë për çështje të ndryshme të fushës ku ai është kompetent, siç është ateizmi shkencor, por dhe për probleme shoqërore, nga ato që janë objekt pune për sociologët.

Një ndër polemikat, gjë që mbetet “çudi” për botën, është toleranca fetare, bashkëjetesa midis feve në Shqipëri; myslimanëve, ortodoksëve, katolikëve e bektashinjve. Profesor Hulusi Hako ka mendimin e tij sa origjinal, por edhe aq shkencor. “Jo, toleranca fetare nuk është atribut i feve dhe as i klerikëve. Ajo është një produkt i ndërgjegjes kombëtare të shqiptarëve dhe u kultivua kundër feve kryesore.

Madje, është përdorur si antikorp, si imunitet atdhetar ndaj një diversioni përçarës e asimilues antishqiptar të feve, të cilat, prej natyre dhe pretendimeve të veta, janë thellësisht intolerante, sikurse janë instrumentalizuar nga klerikët për t’u mohuar shqiptarëve alfabetin, shkrimin, gjuhën, shkollën dhe krejt identitetin kombëtar.

Presioni i feve, arsyeton profesori, mbështetur në autoritetin e kohës, i instrumentalizuar dhe nga pushtuesit e fqinjët tanë, e kishte mbushur kupën e durimit ndaj shqiptarët shpallën: ‘tjetër është kombësia, e tjetër feja.’ Nga padurimi shpërtheu edhe ideja lapidare: “Feja e shqiptarit është shqiptaria.” Pra, ishte ndërgjegjja popullore që “zdrugoi” fetë dhe ua vuri klerikëve këmbët në një këpucë.”

Prof. Hulusi Hako është intelektual i shquar dhe me kontribute të veçanta si filozof-ateist. Falë punimeve të tij teorike, të cilat janë të njohura edhe ndërkombëtarisht, në vitin 1978 iu dha titulli “Doktor i Shkencave” e disa vite më pas mori titullin Profesor (1985).

Ai e konsideron parim të madh demokratik çështjen e lirisë së ndërgjegjes. Nisur nga kjo ai ka plotësisht të drejtë, madje është e drejta e tij të mos besojë në zot. Sipas tij, janë faktet jetësore kokëforta, ligjet e shkencës dhe një përvojë shekullore e njerëzimit, që flasin gjithnjë e më fuqishëm dhe e çojnë ujin në mullirin e ateizmit.

Bindja e tij se “ateizmi është kulturë dhe aspiratë e popujve” mbetet e pakontestueshme dhe e parevokueshme. Profesori, edhe pse në moshë të thyer, nuk është lodhur apo tërhequr kurrë për t’u thënë besimtarëve pa drojë, publikisht: “|Duajeni fenë sa qielli, por jo në kurriz të ateizmit, përndryshe do të bënit figurën e fanatikut, ndrydhësit të ndërgjegjes dhe monistit e imponuesit për lirinë e besimit.” Në këtë luftë disi të vështirë, jo vetën në Shqipëri, por në mbarë botën, prof. Hulusi Hako ka përdorur armën më efikase, atë të trajtimit të botëkuptimit fetar nëpërmjet librave.

E ç’janë këta libra, mund të pyesë lexuesi? Ato janë botime ku shpaloset botëkuptimi i tij ateist, ku është përpjekur të thotë të vërtetën. Por e vërteta, thotë me dëshpërim profesori, është gjithnjë e rrezikshme për pushtetin e maskarenjve, të shfrytëzuesve, të grabitësve. Ja, këto janë disa nga arsyet pse e shtypin të vërtetën.

Ai pastaj tregon për sjelljen e politikanëve tanë me fetë, të cilët, sipas tij, janë demagogë të pështirë e që nuk i lidh asgjë me besimtarët, me ata që shkojnë qorrazi të falen në xhami, kisha e teqe. Madje, falsitetin e politikanëve ndaj feve në Shipëri, momentet kur ata shfaqen në krah të klerikëve në ditë të shënuara, i ironizon në mënyrën më therëse: “Dëgjo mirë moj Gjeraqinë, ç’thonë ca që venë e vijnë: Zoti e do Shqipërinë!”

Librat, me të cilët ai ka një jetë të tërë që shpjegon se sa gënjeshtare e mashtruese është feja, janë shumë, por mund të sjellim disa tituj si “Feja e parë në dritën e shkencës.” (1962). “Feja opium për popullin” (1954); “Bazat e ateizmit Shkencor” (1966), “Akuzojmë fenë” (1968); “Gruaja dhe fëmijët, viktimat më të ndjeshme të ideologjisë fetare” (1969), “Gjyq zotit” (1972), ”Vatikani paraziti shekullor i planetit” (1984), “Ateizmi shkencor” (1988), “Flet Xhon Lok” (2005).

Për të gjithë këtë veprimtari “armiqësore” ndaj zotit dhe për pozicionin e tij aktiv si ateist janë përhapur edhe thashetheme sikur Vatikani e ka dënuar me vdekje, ashtu si Galileo Galilei që u ndëshkua si “më kokëforti i heretikëve” nga Kisha Katolike. Të gjithë këtë thashethemnajë profesori e merr me shaka. Për mua, thotë ai, ka fjalë se më ka dënuar po kaq rëndë edhe Patriarkana, por, për fat të mirë, ky vendim nuk më ka rënë në dorë akoma.

Prof. Hulusi Hako ka edhe një veprimtari të gjërë si lektor, brenda e jashtë vendit. Janë me dhjetëra kumtesa, tema shkencore dhe artikuj me tematikë të caktuar, të cilat kanë gjetur vend në organet e shtypit brenda dhe jashtë Shqipërisë. Ai, si pjesëmarrës në veprimtari ndërkombëtare, ka ligjëruar në disa konferenca shkencore, si në seminarin “Filozofia në Ballkan” (1992), Konferenca Botërore për Filozofinë Klasike Greke (Rodos, gusht, 1993) Somos, (gusht, 1994), Kos, (1997). Në 60-vjetorin e fitores mbi nazifashizmin iu dha rasti të ishte pjesëmarrës në një konferencë të rëndësishme, e cila u mbajt në Romë, më 7 Maj të vitit 2005.

Profesor Hulusi Hako është njeri idealist, atdhetar, njeri që ka trajtuar çështje kombëtare shqiptare, probleme madhore që nuk janë zgjidhur ende drejt në Ballkan. Këtë ai e ka trajtuar dhe vazhdon ta trajtojë me gjithë forcën e mendjes dhe të shpirtit. Prej vitit 2007 e deri vonë ai kryesoi “Shoqatën Atdhetare për Identitet e Bashkim Kombëtar”. Pas largimit nga drejtimi i saj, është zgjedhur kryetar nderi i përhershëm.

Për çështjet kombëtare ky plak i urtë ka mendimin e fjalës së argumentuar e bindëse për mbajtjen gjallë të aspiratës shekullore dhe amanetit të të parëve tanë, të cilët kanë derdhur lumenj gjaku për Nënën Shqipëri. Atë e gjejmë në Manastir për 100-vjetorin e Kongresit të Dytë të Alfabetit shqip, në shkollën “Skënderbej”, në Krajë të Malit të Zi, në Institutin Albanalogjik të Prishtinës për promovimin e librit “Shqiptarët dhe grekët”, në Skënderaj të Drenicës në përurimin e shtatores të Adem Jasharit, në Prishtinë në festimin e përvjetorit të Pavarsisë së Kosovës e në sa e sa ngjarje të tjera të karakterit mbarëkombëtar.

Dhe prapë e prapë ai është në lëvizje, edhe pse i mbushi 90 vjeç. Në Tiranë, më 1 tetor të këtij viti, në Ditën e të Moshuarve, Forumi Rinor Eurosocialist Shqiptar (FRESSH-i) e nderoi prof. Hulusi Hakon me “Kullën e Sahatit”, simbolin e kryeqytetit.

E pyeta me humor profesorin: Jetëgjatësinë, freskinë, kthjelltësinë në mendim, të qeshurën si të jesh “djalë i ri”, si është e mundur që Zoti nuk t’i merr, si nuk hakmerret ndaj teje? Dhe profesori tha: Ai nuk mund ta bëjë këtë, sepse nuk mundet. Jo se zoti është i pazoti, por nuk ekziston. Ta gëzosh datëlindjen e 90-të prof. Hulusi Hako!

Jo.Be/Fjala.al

 

 

Të fundit

Bienalja ndriçon ‘natën’ e të burgosurve femra

Pavioni i Selisë së Shenjtë në shtëpinë e burgut femëror Guidecca Nga Roberto Nardi Dy këmbë të stërmëdha dhe të ndotura...

Përkthimi psikologjik i magjisë së eventit Miss & Mister Durrësi 2024

Nga Fatmir Minguli     Të shkruash për ngjarjen e natës së 5 prillit 2024 që u zhvillua në Pallatin e sportit ‘Ramazan Njala” në Durrës  nuk...

Ramazan Hushi me një libër që të vë në mendime

(Rreth romanit “Përmendorja e Djallit”) Shpendi Topollaj Po të nisesh nga ngjarjet që rrokin jo vetëm një qytet tonin pas rënies së komunizmit, por krejt Shqipërinë...

Një “Engjëll” vdekje, ylli argjentinas që vriste gjithkënd me gjakftohtësi

Nga Leonard Veizi Atij i pëlqente aq shumë rreziku, sa mund të rrezikonte deri në fund pa iu dhimbsur asgjë. Nuk ish në peshore as...

20 Prill 1775/ Lind Philippe Pinel, themeluesi i psikiastrisë moderne

Për shkak të kontributeve të rëndësishme në klasifikimin e çrregullimeve mendore, mjeku francez është përshkruar nga disa si “babai i psikiatrisë moderne”.  Philippe Pinel,...

Lajme të tjera

Web TV