Lituani-Shqipëri 0-0, kuqezinjtë nuk e gjejnë golin prej 270 minutash

113 563 lexime

124,178FansaPëlqeje

Ekipi i Kombëtares Shqiptare të Futbollit u ndal në një barazim pa gola në ndeshjen me modestët e Lituanisë. Komplikohet kualifikimi i mundshëm i Shqipërisë në një grup të lehtë.

Kombëtarja kuqezi luajti dje ndeshjen e katërt në kuadër të grupit të 4-t të Ligës së Kombeve të Evropës, duke u ndalur në një barazim 0-0 në Lituani përballë përfaqësueses vendase. Takimi i zhvilluar në Stadiumin e Federatës Lituaneze të Futbollit ka folur më shumë për kuqezinjtë, të cilët i kanë patur rastet e tyre për shënim, por pa arritur ta shndërrojnë atë në gol.

Dhe, sikundër pritej, trajneri Edi Reja ka vendosur të bëjë 3 lëvizje në formacion në krahasim me ndeshjen ndaj Kazakistanit. Kombëtarja është rreshtuar me skemën 3-5-2, por duke i vazhduar t’i besojë sërish treshes Gjimshiti, Dermaku dhe Kumbulla në mbrojtje, si dhe gjithashtu kapitenit Berisha në portë. Risitë e Rejës në këtë takim janë Lenjani, Laçi dhe Seferi, që startuan si titullarë ndryshe nga ndeshja e parë, duke zënë vendin e Trashit, Kallakut dhe Manajt.

Çerekora e parë e ndeshjes së luajtur në kryeqytetin lituanez, ka folur për kuqezinjtë, teksa Shqipëria e nis në sulm, duke depërtuar bukur nga e majta, por Lenjani rrëshket në momentet e fundit në minutën e dytë. Nisje e mirë e të besuerve të Rejës, që vetëm dy minuta më pas, provojnë me Laçin me një goditje fluturimthi në hyrje të zonës, pas gabimit të mbrojtësit mik, por topi shkon jashtë kuadratit. Shqipëria vazhdon të jetë më ngulmuese në krahun e majtë të sulmit, këtë herë me Seferin i cili gjen Lenjanin në hyrje të zonës.

Gjuajtja e këtij të fundit është e gabuar dhe largohet nga mbrojtja vendase në minutën e 7-të. Vetëm 10 minuta më pas bëhet e gjallë përfaqësuesja vendase, e cila është pranë golit me sulmuesin Laushkevis, i cili nuk ka arritur të gjejë kuadratin nga shumë pranë portës. Është me fat Shqipëria në këtë moment, por kundërpërgjigjet në minutën e 22-të, me një tjetër rast të rrezikshëm me Seferin, por gjuajtja e tij u ndal nga mbrojtësit e Lituanisë.

Dy minuta më pas, Qazim Laçi ndëshkohet me karton të verdhë dhe humbet ndeshjen e radhës për protesta. Shqipëria kërkon 11-metërsh, pas prekjes së topit me dorë brenda zonës nga futbollisti lituanez, nuk mendon kështu gjyqtari. Pamjet tregojnë qartë se topi është prekur me dorë. Në minutën e 32-të, Marash Kumbulla bëhet futbollisti i radhës i ndëshkuar me karton të verdhë për ndërhyrje të gabuar, pas një dyluftimi me futbollistin kundërshtar.

Tjetër moment shumë i mirë për Shqipërinë 6 minuta më pas, kur Seferi provon me një goditje fluturimthi, por portieri vendas ben mrekullinë duke i mohuar golin Kombëtares shqiptare. Përtej dy minutave shtesë, mbyllet me rrjeta të paprekura pjesa e parë e ndeshjes midis Lituanisë dhe Shqipërisë. Pjesa e dytë nis me zëvendësim te Shqipëria, pasi largohet Lenjani dhe vendin e tij e merr Trashi. Dhe është i sapofuturi në lojë për kuqezinjtë, Trashi, i cili, në minutën e 49-të, nis 3 harkime radhazi në zonë për Brojën, por ky i fundi nuk arrin as të kontrollojë e as ta godasë topin.

Minuta e 58-të sjell edhe dy zëvendësime të tjera te Kombëtarja, pasi largohet Broja dhe Kumbulla dhe në fushë hyjnë Vrioni dhe Mihaj. 4 minuta më pas, rrezikojnë lituanezët, por vendimtare është ndërhyrja e Berishës, i cili u mohon kështu golin vendasve. Minuta e 64-t sjell një tjetër zëvendësim tek Shqipëria, pasi largohet Laçi dhe vendin e tij e merr Endri Çekiçi, ndërsa në aksionin që vijon, është e pabesueshme çfarë humbet Seferi, i cili, i vetëm përballë portierit, pas pasimit të Veselit nuk arrin të shënojë.

Gjuajtja e sulmuesit është ndalur nga gardiani vendas dhe gjithçka mbetet në baraspeshë. Menjëherë më pas, edhe Keidi Bare ndëshkohet me karton të verdhë për faull në mesfushë. Vendasit do të zgjohen në minutën e 74-t, kur ka një rast i dyshimtë në zonën e Shqipërisë, vendasit pretendojnë për një 11-metërsh, por gjyqtari francez vazhdon lojën. 4 minuta më vonë vjen edhe zëvendësim i fundit tek Shqipëria, teksa largohet nga fusha Seferi dhe vendin e tij e zë Manaj.

Pavarsisht se forca goditëse ka rënë, provon edhe Vrioni me një gjuajtje nga larg 9 minuta para fundit të kohës së rregullt, por pasaktësisht. Sekondat e para të minutës së parë shtesë, nga 5 të tilla, teksa lituanezët bëjnë disa ndërrime, sjell edhe një rast të shkëlqyer për kuqezinjtë. Një harkim nga e majta gjen Trashin në zonë, i cili fiton hapësirë dhe godet, por duke qenë mbase i sigurt se do të shënonte, gabon krejtësisht dhe nuk e gjen kuadratin.

Një rast i shkëlqyer për të gjetur fitoren në kohën e duhur, por i shkuar dëm. Megjithatë, Shqipëria e mbyll në sulm, teksa e vë nën presion mbrojtjen dhe portierin vendas, por pa e gjetur dot atë gol të vyer, që do të nënkuptonte 3 pikë dhe kreun e grupit. Mbyllet kështu me rrjeta të paprekura ndeshja e kthimit midis Lituanisë dhe Shqipërisë dhe të dyja skuadrat ndajnë nga një pikë.

 

Reja: Më vjen keq për pikët e humbura, por më kënaq aktivizimi i të rinjve

Pas barazimi pa gola që Kombëtarja kuqezi arriti në Vilnius ndaj Lituanisë vendase, trajneri i Shqipërisë, Edoardo Reja, nuk e ka fshehur zhgënjimin për ato që ai i ka cilësuar si dy pikë të humbura. “Është një situatë që realisht më vjen keq, – ka deklaruar italiani, duke folur për mediat pas ndeshjes. – Në këtë ndeshje, krijuam shumë raste, na u mohua edhe një 11-metërsh. – Patëm dhe një rast në fund me Trashin, edhe Seferi pati një rast.” “Sidoqoftë, këto nuk janë justifikime, ne duhet të shënojmë, nëse nuk shënojmë, është faji ynë”, – ka pohuar ai. I pyetur për Lenjanin, Reja sqaroi: “Dha kontributin e vet në pjesën e parë, pastaj zgjodha Trashin se ka karakteristika disi të ndryshme.

Provova të ndryshoj për të dhënë një shtysë më shumë për sulmin. Anësorët harxhojnë shumë energji dhe për këtë arsye ndërrimet bëhen aty. Shpresoj të kem mundësi ta ribëj skuadrën dhe të rikuperojmë lojtarë.” “Provuam disa të rinj, që dhanë sinjale të mira, ndaj do të bëjmë vlerësimet tona për të ardhmen, – ka theksuar 75-vjeçari. –  Edhe Kallaku luajti mirë ndeshjen e shkuar.

Edhe sot të rinjtë luajtën mirë, krijuam raste në të dy ndeshjet, krijojmë raste për gol, por për fat të keq nuk shënojmë dhe na duhen lojtarë të ftohtë në zonën kundërshtare. Kumbulla ishte zgjedhje e imja, mendoj se ishte veprimi i duhur, pavarësisht se çdokush ka idenë dhe vlerësimin e tij.” “Edhe Broja bëri një ndeshje të mira, jo ndoshta aq të mirë sa kundër Kazakistanit, por bëri mirë, – ka vijuar analizën e tij trajneri kuqezi.

Lexo edhe :  Si ndikon përdorimi i Ozempic në shtatzëni?

– Detyra ime është të bëj rotacion, sidomos me të rinjtë, që të fitojnë eksperiencë dhe të kontribuojnë për ekipin. Jam munduar që të shfrytëzoj çdo hapësirë rotacioni. Të njëjtën gjë bëra dhe sot, me Manajn dhe Vrionin. Është e vështirë kur je në fushë të huaj, në një ndeshje pas 3 ditësh me udhëtime të gjata. Jo gjithmonë është zgjedhja ime, jam i detyruar të bëj ndërrime.”

Tanimë trajneri i Kombëtares e ka hedhur vështrimin tek dy sfidat e radhës, ku objektivi i Rejës është maksimal. “Dy ndeshjet që na presin, janë një mundësi që ne të marrim 6 pikë dhe të vijojmë me objektivin tonë, që të jemi në krye të grupit. Këto dy barazime që morëm, nuk më bëjnë të ndihem mirë, por në një farë mënyrë është një shtysë për të marrë më shumë”, – ka përfunduar Edoardo Reja.

 

Lituania, pika që zhgënjen, por basti i fituar i Rejës me të rinjtë kuqezi

Përtej dëshirës për të fituar, përtej rasteve të shkuara dëm, por edhe faktit se, përtej atij triumfi premtues në Minsk ndaj Bjellosurisë vendase, kuqezinjtë ende nuk e shijojnë golin, por edhe fitoren, teksa janë mundur një herë, por kanë marrë edhe dy barazime, barazimi i ftohtë i arritur të mërkurën në mbrëmje në Vilnius përballë Lituanisë vendase të ngrohte sa i përket Kombëtares.

Të ngrohte sepse, ndryshe nga ajo humbje e shëmtuar në Tiranë në shtator me baltikët, në Vilnius, Shqipëria e trajnerit Edoardo Reja bëri vëllim loje, ushtroi trysni ndaj kundërshtarit pikërisht në fushën e kësaj të fundit, duke bërë pikërisht atë që lituanezët bënë në kryeqytetin shqiptar ndaj kuqezinjve. Rastet i ndërtoi dhe i pati, por ca për mungesë fati, por edhe për mungesë përqendrimi, nuk arriti të gjente rrugën e rrjetës.

Megjithatë, edhe pse iu kritikuar për zgjedhjet e tij, Reja e fitoi bastin me të të rinjtë, teksa vetë veterani italian i stolit kuqezi ishte shprehur para ndeshjes optimist për lojtarët që po i vijnë Kombëtares dhe, që, po sipas tij, rrethanat po i diktonin që t’i fuste në lojë më herët se ç’e kishte parashikuar. Por ata ia përligjën besimin e dhënë dhe sidomos Seferi tregoi se është një kandidat i denjë për sulmin kuqezi.

Megjithatë, në futboll ato që bëjnë dallimin janë golat, pikët dhe fitoret dhe Shqipëria ka marrë vetëm 5 pikë në 4 ndeshje të deritanishme, por mund të marrë zemër nga fakti se dy ndeshjet e fundit, ndaj Kazakistanit dhe Bjellorusisë, do t’i luajë në fushën e vet dhe do të synojë 6 pikët e plota. Dhe në një grup si ky i 4-ti i Ligës C të Ligës së Kombeve të Evropës, ku të gjithë u kanë marrë pikë të gjithë, gjithçka është e hapur dhe gjithçka është e mundur.

 

Kumbulla: Ndërrimi i Rejës, i drejtë, i lumtur që luajta dy ndeshje si titullar kuqezi

“Ndërrimi i Kumbullës ishte zgjidhje e imja”, – deklaroi trajneri i Kombëtares, Edoardo Reja. – Mendoj që ishte vendim i duhur, çdo kush ka idenë e tij.” Dhe mendimin e trajnerit e mbështetur edhe vetë Marash Kumbulla, duke folur pas barazimit në fushë të ndaj Lituanisë me rezultatin 0-0. “Ishte një ndeshje e vështirë, – ka deklaruar i riu që cilësohet si premtimi i mbrojtjes kuqezi për të ardhmen.

– Luajtëm mirë, por nuk morëm 3 pikët. Kishim shumë raste, nuk mundëm të shënonim. Më vjen keq që nuk fituam. Trajneri bëri mirë që më ndërroi, nuk isha shumë në formë sot.” “Jam shumë më i kënaqur që luajta këto 2 ndeshje si titullar”, – ka shtuar ai. Po cila është më e fortë, Lacio e Strakoshës apo Roma e Kumbullës? “Është e vështirë të them, por besoj Roma është më e fortë”, u shpreh Kumbulla, duke iu përgjigjur gazetarëve.

Në fakt, Reja e theksoi disa herë në fjalët e tij idenë se duhet t’u japë mundësinë të gjithë të rinjve që të fitojnë përvojë, që të japin diçka në lojë dhe të kontribuojnë në ekip. “Të njëjtën gjë bëra edhe në sulm, me aktivizimin e Manajt dhe Vrionit, – ka thënë italiani i stolit kuqezi. Isha i kushtëzuar ti bëja këto zgjedhje.”

Ish-kapiteni Vata: Më pëlqeu Kombëtarja, por kemi mundësi për më tepër

Ish-kapiteni i Kombëtares, Rudi Vata, ka këmbëngulur që Kombëtarja kuqezi mund të japë shumë më tepër për kapacitetin që ka dhe zgjedhjet e shumta që trajneri Reja ka në dispozicion. Në një lidhje direkte me emisionin “Rubrika Sportive” në “RTSH”, Vata bëri edhe një analizë të barazimit në Vilnius. “Më pëlqeu shumë pjesa e parë, – ka deklaruar ai.

– E filluam ndeshjen si duhet, fituam dyluftimet. Ekipi rival befasua. Grintën sot e kishim, këta djem sot (dje) kishin mundësi dhe kanë mundësi të bëjnë mirë, – ka vijuar ish-qendërmbrojtësi shkodran. Sipas tij, Lituania lexohej thjesht, luante me një qendërsulmues dhe zgjodhi lojë të gabuar, sepse në qendër të mbrojtjes kemi lojtarë të fortë. “Por, humbëm dy pikë të rëndësishme.

Të jemi realistë, që Veseli pasoi top për Seferin, që humbi rast në mënyrë të çuditshme. Funksionuam më mirë se dy ndeshjet e fundit. Më pëlqeu Abrashi se ishte lider në mesfushë, dominuam për dyluftimet. Broja ka prolem psikologjik”, – ka theksuar ish-futbollisti i Sëlltikut, duke folur nga Skocia. – Është i ngarkuar shumë përgjegjësi. Nuk dilte te loja e tij, i zgjidhte duelet me forcë.

Donte të bënte golin e parë me Shqipërinë Seferi krijoi raste, mundësi, krahu i majtë Lenjani ishte super. Krijoi hapësira. Mbrojtja ishte solide përveç 2-3 rasteve. Mungoi goli, ajo është kryesorja në futboll. Me këtë kombëtare, me këta elementë me këto mundësi zgjedhjeje, pres më shumë.” “Nuk e di nëse dikush në një qoshe të Shqipërisë kënaqet me barazim, – ka theksuar Vata. – Me kapacitetet që kemi, kemi mundësi të arrijmë më shumë. Nuk kemi krijuar akoma një markë tonën në futboll.

Unë i kuptoj të gjithë. Ka pasur miq që pas Kazakistanit më merrnin në telefon dhe s’ishin të mendimit që kishim bërë ndeshje të keqe. Çdo gjë e mas me metrin e syrit tim. Këtë kombëtare e shoh më shumë larg, ndryshe nga ca të tjerë.” “Ka ardhur koha që këta djem dhe me këtë trajner me eksperiencë të arrijnë diçka më tepër. Kritika të bën mirë, është konstruktive. Në këtë zanat duhet të jesh i fortë të pranosh kritika”, – ka përfunduar ish-kapiteni i Kombëtares, Rudi Vata./Jo.Be/Fjala.al

 

Të fundit

Liverpool mposht Atalantën por eliminohet nga Europa, Leverkusen mbetet e pathyeshme

Atalanta nxjerr jashtë Europës Liverpoolin. Skuadra bergamaske u mposht 0-1 në shtëpi nga “The Reds”, por kualifikohen në gjysmëfinale...

Roma triumfon sërish ndaj Milanit dhe kualifikohet në gjysmëfinalen e Europa League

Roma kalon në gjysmëfinalet e Europa League, ndërsa eliminon Milan-in, pas fitores me rezultatin e përgjithshëm 3-1 të dy ndeshjeve çerekfinale. Pas takimit në “San...

Më 20 Prill, Dielli kalon në Dem, ja çfarë u ndodh këtyre 5 shenjave të Zodiakut

Më 20 Prill, Dielli kalon në Dem dhe fillon zyrtarisht sezoni i shenjës së dytë të kalendarit astrologjik. Kjo ditë do të sjellë ndryshime...

Çfarë është “mashtrimi i së ardhmes? Flamuri i kuq në një raport në çift

Është normale të imagjinoni një të ardhme me dikë që ju intereson, sidomos pasi takimi i parë ka shkuar shumë mirë dhe jeni në...

“Ajo që po bën Meta nuk është sjellje politike”/ Çani reagon ashpër: Ish-presidentit …

Gazetari Arian Çani në një intervistë për një emision televiziv ka komentuar deklaratat e kreut të Partisë së Lirisë ndaj SPAK. Ai theksoi se kjo...

Lajme të tjera

Web TV