Ekskluzive/Ahmet Prençi: Vendimi im për të mos ndërhyrë në Lazarat

113 563 lexime

124,178FansaPëlqeje

Nga Roland Qafoku 

Ish-drejtori i përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Ahmet Prençi, në një intervistë për emisionin “HARD TALK nga Roland Qafoku”, analizon situatën e rendit në vend dhe adreson kritika mbi mënyrën e emërimeve në polici dhe, sidomos, ndaj fenomenit të kanabizimit të vendit. Përse Prençi vendosi të mos ndërhynte në Lazarat dhe çfarë pasojash u druhej, nëse do të kishte aksione policore në atë zonë.

-Gjatë viteve 2005-2013 kanë qenë ministra të Brendshëm Sokol Olldashi, Lulzim Basha, Bujar Nishani, Flamur Noka. Si e vlerësioni punën e tyre? 

Për të dhënë një vlerësim për ministrat është kryeministri ai që vlerëson punën e tyre. Unë kam qenë një menaxher i lartë, një teknicien, por unë jam ndier mirë me të tre ministrat që kam punuar. Po t’i thërrasim memories, që në kohën e ministrit Olldashi u bë një punë e jashtëzakonshme.

Mendoj që zoti Olldashi nga ministër i Brendshëm mori një ministri tjetër të rëndësishme. Zoti Nishani gjithashtu. Edhe zoti Basha gjithashtu. Kjo do të thotë që të tre ministrat me të cilët kam punuar unë, kanë performuar në mënyrë të shkëlqyer. Dhe unë kam qenë i privilegjuar që kam punuar me ta. Në punën time si drejtues i policisë, ministrat nuk kanë ndikuar për ta përdorur politikisht. Ne jemi ballafaquar me dështimet dhe sukseset.

-Zoti Prençi, çfarë nuk shkon me policinë sot? 

Unë mund të radhis disa gjëra që më dhembin dhe që nuk më vjen mirë që ndodhin. Duhet të kuptojmë që policia është një shërbim ndaj qytetarëve dhe jo forcë. Ky raport midis shërbimit dhe forcës është prishur dhe unë e shoh sot më shumë si një armë në duart e pushtetit për të realizuar qëllimet e veta, sesa një shërbim ndaj qytetarëve.

Është prishur raporti i besueshmërisë. Policia është keqpërdorur. Është larg misionit të saj të vërtetë. Polici po përdoret sot për të prishur shtëpitë e njerëzve. Nuk është punë e policisë kjo.

-Kur ishit ju drejtori i përgjithshëm i policisë kishte deri në 120 vrasje në vit. Sot kemi vetëm 50 të tilla.

Mua më intereson të mos ketë asnjë vrasje. Por luhet me shifrat dhe për mua janë joreale. Kur vriten në një ngjarje tre veta, ndaj autorit ngrihen tri akuza për tri vrasje. Kemi shumë episode vrasjesh ku janë dy dhe tri viktima dhe quhet një.

-Atëherë gënjen policia? 

Nuk i besoj. Po të hapësh faqen e policisë në kohën time statistikat mujore përveç statistikave operative ishin dhe i kishit në dispozicion. Qëllimi im ka qenë që të ishim transparentë me publikun, me mediat, me gjithçka. Sot gjen vetëm fjalimet e ministrit dhe kaq.

-Nëse gënjen ai që publikon shifrat, ai bën vepër penale.

Nuk e di, t’i verifikojmë.

-Ku ka gabuar policia? 

Policia nuk gabon, policia keqpërdoret. Keqpërdoret nga politika, pushteti. Për çdo ngjarje që ka ndodhur në vend, nuk kemi parë autoritetin e drejtësisë të dalë të japë shpjegimet për këto fenomene. Ne kemi dëgjuar shpjegimet e kryeministrit, të ministrit të Brendshëm, kurse drejtori i përgjithshëm nuk ka dalë publikisht.

-Ka dalë, ka dalë për shumë aksione edhe ndërkombëtare.

S’kam gjë as me Ardi Veliun dhe me asnjë drejtues policie. Ardi Veliu bën gjithë emërimet në polici. Pse del ministri dhe thotë “unë kam emëruar”. Ç’punë ka ministri i Brendshëm me emërimet? Ministri i Brendshëm të paralajmërojë arrestime?

-Sa besoni ju te SPAK-u dhe te BKH-ja? 

Unë, të them të vërtetën, deri tani jam shumë pesimist. Megjithëse duhet thënë që prokurorët janë pa krahë. Se pa hetuesit prokurori s’ka ç’bën. Ai është një proces që do ta ndjekim, do ta shohim, unë shpresoj shumë që të ketë efektivitet. Këtë e dëshirojnë të gjithë shqiptarët. Deri tani jam shumë i zhgënjyer me SPAK-un.

-Po tani ka filluar SPAK-u. Ju me zotin Kraja keni bashkëpunuar, e njihni personalisht.

Po, sigurisht.

-Çfarë vlerësimi keni për të? 

Vlerësim shumë të mirë, se unë kam punuar me të. Por deri tani nuk shoh asgjë. Unë po e them sërish, ata janë pa krahë. Vetëm një prokuror në zyrë çfarë do të bëjë? Kur të pajiset me Byronë e Hetimit, kur të ketë oficerët që t’i lëshojë për të bërë veprime të caktuara hetimore, atëherë mund të jap një vlerësim për efektivitetin dhe për produktin e tyre.

-Arben Rakipi, një nga shefat tuaj, tha para disa ditësh në emisionin tim se korrupsioni është pjesë e programit politik. A jeni dakord me këtë? 

Shembulli konkret i kanabizimit të vendit për mua është një platformë shtetërore për ta realizuar këtë gjë. Dhe policia ka bërë sehir në këtë projekt të qeverisë.

-Ka qenë projekt i qeverisë? 

Sigurisht!

-Kjo është shumë e rëndë zoti Prençi. Sepse ka pasur oficerë policie që nuk janë lejuar të dalin nga zyra për të kontrolluar territorin. Si e vërtetoni këtë? 

Unë jam në kontakt me oficerë policie, me oficerë të antidrogës që s’janë lejuar të dalin nga zyra.

Lexo edhe :  Princ Harry zgjedh SHBA si rezidencë të përhershme, heq dorë zyrtarisht nga Britania

-Ju i keni lejuar oficerët e policisë për të ndërhyrë në Lazarat?

Në vitin 2008, nga statistikat e policisë italiane janë sekuestruar gjatë gjithë vitit 4 kg kanabis sativa. Në 2009 që ka qenë vit elektoral janë kaluar 160 kg kanabis sativa, në mos gaboj. Se shtrohet problemi që ka qenë fenomen.

Të paktën në 6 ose 7 javë të vitit 2016 kanë kaluar 65 tonë kanabis sativa për në Itali. Tani gjithë këto të ardhura, ku shkojnë? Me këto të ardhura krimi i organizuar ble pushtet, ble drejtësinë, zgjeron hegjemoninë e vet në territore të caktuara të vendit. Dhe është një situatë e jashtëzakonshme për shqiptarët.

Sepse biznesi i ndershëm konkurrohet nga një trafikant droge. Lazarati ishte një vatër shumë problematike dhe për ne. 100 tonë që tha Saimir Tahiri, që u gjendën në Lazarat, pse ishin të magazinuar? Duhet të kishin vajtur në destinacion.

-Domethënë e keni penguar ju? 

Jo penguar. Aty është shtruar një problem për të bërë ndërhyrje në Lazarat, por unë në planin e operacionit kam parashikuar dhe pasoja që mund të vinin.

-Pasoja, domethënë vrasje? 

Vrasje policësh, vrasje qytetarësh, dhe u mor vendimi për të mos ndërhyrë.

-Kush e mori vendimin? 

Po sigurisht që unë e mora vendimin, në konsultë me ekspertët ndërkombëtarë.

-A quhet gabim ky? 

Unë nuk e konsideroj gabim.

-Pse? 

Sepse ne bëmë tjetër gjë. Izoluam gjithë zonën dhe çdo ngarkesë që ka dalë nga Lazarati është kapur nga Policia e Shtetit.

-21 tonë farë kanabis ka thënë presidenti në detyrë në atë kohë, Bujar Nishani, është futur në Shqipëri në vitin 2016. Nuk pati në Shqipëri ndonjë oficer policie të ndershëm që ta bënte publike këtë gjë?

E bëri pak Dritan Zagani, çfarë pësoi? U arrestua dhe sot është në azil. Punonjësit e policisë kanë informacione dhe i dinë më së miri lidhjet e krimit të organizuar me politikën. Ata duke i ditur mirë, dinë dhe pasojat që janë mbrapa. Kështu që ata nuk janë të paaftë, janë të tulatur. Nuk janë të pandershëm, janë të tulatur me kokën ulur, për të vëzhguar situatën dhe për të mos vepruar. Sepse të vijë gjithë ajo farë kanabisi, të shpërndahet në gjithë vendin, janë hapur toka të reja, 290 mijë hektarë.

-Tokë e re? 

Tokë që është mbjellë me kanabis. Janë hapur toka të reja, janë bërë impiante për t’i vaditur, janë hapur aerodrome, ku është kjo polici që kontrollon territorin në çdo cep?

-Ne kemi një fenomen në këto momente ku Shqipëria ka dy polici. Një polici në punë dhe një polici që pret të kthehet në punë. A është normale kjo? 

Unë me të gjithë ata që janë larguar kam punuar dhe të gjithë janë të aftë, të zotë dhe të ndershëm. Ai qe një diferencim gati racist. Sepse të përgojosh një punonjës policie që ka dhënë kontribut gjithë jetën, ta etiketosh me një parti të caktuar, nuk është mirë. Polici është një qenie politike sigurisht, sepse shkon voton, ka bindjet e veta, por profesionistët nuk janë ekspozuar politikisht asnjëherë. Kështu që ata janë të paragjykuar. U bë një ligj diskriminues që ata të mos kthehen më në polici.

-Nëse ju do të bëheni deputet, a do t’i ktheni? 

Urgjent ai ligj do të hiqet. Ne sot po paguajmë dy polici, sepse ata kanë fituar gjyqin të gjithë. Paguhen për heqje të padrejtë.

-Ata vazhdojnë të marrin rrogën akoma? 

Sigurisht.

-Çfarë do të bëjë për policinë Partia Demokratike, nëse vjen në pushtet? 

Besoj do të bëjë të njëjtën gjë që bëri në 2005. Shkëputi lidhjet e krimit me politikën. Vullneti politik i hekurt i kryeministrit vendos rendin dhe qetësinë publike në vend, por edhe për shumë pak ditë.

-“Anja” është romani i fundit i Ahmet Prençit. Pak fjalë për romanin, ju lutem.

Unë me letërsinë jam i lidhur që në fëmijëri. Në shkollën e mesme kam botuar në gazetë. Student kam qenë pjesë e stafit të gazetës “Studenti”. Pastaj më mori rrjedha e jetës me punët e vështira që kam bërë dhe u shkëputa nga e shkruara. Nuk i kam përzier asnjëherë pasionet e mia me detyrën dhe punën time shtetërore që kam bërë.

-Diçka për romanin Anja? 

Është një ngjarje e aktualitetit, është një dramë njerëzore që jam përpjekur ta kthej në art.

-Përveç krijimtarisë letrare, a keni projekte për botime të tjera të karakterit profesional, të kujtimeve… 

Kam goxha shënime, gjithë aktivitetin tim, por nuk dua të merrem tani me këtë. Sigurisht që do t’i shfrytëzoj.

-Kë vlerësoni nga romancierët dhe poetët shqiptarë? 

Janë disa. Unë dua të veçoj prozatorë, si Besnik Mustafaj, Agron Tufa, Fatos Kongoli, Zija Çela. Këta janë shkrimtarët që unë i lexoj me shumë qejf./Jo.Be/Fjala.al

 

Të fundit

Media franceze: Zbuloni Shqipërinë për një përvojë unike

E vendosur në Evropën Juglindore, Shqipëria, me 70% të territorit të mbuluar nga një reliev kryesisht malor, ende nuk i ka zbuluar të gjitha...

‘Nuk jam krenar!’ Rama fton Mark Markun në podcast e i kërkon ndjesë publike për ironinë

Mark Marku, ish-deputet i Partisë Demokratike aktualisht pedagog në gazetari ishte i ftuar sot në podcastin e kryeministrit Edi Rama. Rama kërkoi ndjesë publike për...

Çfarë po ndodh me monedhat e huaja? Ja me sa blihen dhe shiten euro dhe dollari sot

Sot, më 20 prill 2024, dollari amerikan blihet me 94.5 lekë dhe shitet me 95.4 lekë. Euro blihet me 100.8 lekë dhe shitet 101.6 lekë. Franga zvicerane...

Pas shiut të rrëmbyeshëm, moti merr kthesën e fortë, ja çfarë pritet të ndodhë sot

Ditën e shtunë pritet përmirësim i përkohshëm i kushteve atmosferike. Moti parashikohet të jetë i kthjellët deri në orët e pasdites më pas shtim gradual...

Lajme të tjera

Web TV