Një “Naim Frashëri” për “Buzukun”

113 563 lexime

77,309FansaPëlqeje

Nga Leonard Veizi

Ai mbërriti nga Prishtina në Tiranë pas një udhëtimi jo fort të gjatë, ndoshta vetëm prej tri orësh, duke futur edhe një kafe të shkurtër diku pas kufirit të përbashkët që ruhet me doganierë shqiptarë në të dyja anët. Shpura e tij shoqëruese përbëhej vetëm nga familjarët, por në Tiranë e prisnin plot miq të tjerë. Dhe në orën 11:30 të paradites u paraqit me kartën e identitetit pranë punonjësve të Gardës së Republikës, në hyrje anësore të godinës së Presidencës. I duhej të kalonte portën prej hekuri të institucionit dhe pamja e tij, gati e çartur, me një gjatësi impozante, mjekër të bardhë fisnikësh e flokë po aq të bardhë, si krifë luani që gati i derdheshin supeve, nuk e ndihmuan dot për t’ia hedhur pa një kontroll fizik, se mos ndoshta në çantë a në brez mbante ndonjë nagant pa leje, si Isa Boletini një herë motit. Por jo, ai ishte i “armatosur” veç me një libër, që do t’ia bënte dhuratë presidentit të Republikës, e ku në krye kishte emrin e tij si autor i veprës. Gjithsesi, prezantimi si botuesi i “Buzukut” dhe me emrin në kartën e identitetit, ku vërtetohej qenësia e tij bashkë me imazhin, i hapën portat e njëpasnjëshme për të mbërritur në hollin ceremonial të institucionit presidencial.

Abdullah Zenelli kishte lënë kryeqendrën e Republikës së Kosovës, – një vend krejtësisht shqiptarësh, – për të mbërritur në kryeqendrën e Republikës së Shqipërisë, – vetëm me shqiptarë gjithashtu – pas një ftese që i kishte bërë Ilir Meta si president, e ku stafi i shkëlqesisë së tij i pati komunikuar qysh më parë se duhej të tërhiqte një titull nderi. “Buzuku” kishte 30 vjet jetë si shtëpi botuese. U kishte ardhur në ndihmë shqiptarëve në ditët të vështira, duke u dhënë ushqimin e përditshëm të mendjes, pak letërsi artistike, ca filozofi, por dukshëm dhe histori. Në fund të ditës nuk ishte më pak. Ndërsa në krye të punëve Abdullah Zeneli kishte një kontribut të pamatë që nga dita e themelimit të saj. Letërsi shqipe dhe jo pak, por dhe letërsi të huaj, ardhur në shqipe, gjithashtu jo pak. Iniciuar në ditët e vështira kur Millosheviqi vringëllinte shpatat në Kosovë, me dëshirën e zjarrtë për t’i grirë vendasit me mortaja e zinxhirë tankesh, Abdullah Zeneli nisi të mendojë se këtij populli, veç armëve, municioneve dhe heronjve të domosdoshëm të një patriotizmi po aq të domosdoshëm, i duheshin dhe libra të mençur për t’i ndriçuar rrugën.

Dhe pas kësaj rruge të gjatë e plot pengesa, një ditë vjen dhe vlerësimi. Sepse diçka duhet marrë pas si kompensim. Aspak në vlerë monetare, por mirënjohje, sigurisht që po.

Propozimi për këtë dekorim vinte nga Qendra Kombëtare e Librit dhe e Leximit.

Presidenti Meta i dorëzoi botuesit të “Buzukut” urdhrin “Naim Frashëri” bashkë me moivacionin përkatës: “Në vlerësim të kontributit të çmuar si shtëpia botuese e parë dhe e pavarur me përmasa mbarëkombëtare e letërsisë bashkëkohore shqiptare. Botuese e shumë veprave artistike, historike të elitës intelektuale, duke paraqitur identitetin, kulturën, shpirtin krijues të kombit dhe vlerave të qytetërimit shqiptar”.

Urdhri “Naim Frashëri” është një dekoratë nderi e Republikës së Shqipërisë që jepet me dekret nga presidenti dhe që u akordohet qytetarëve shqiptarë e të huaj, punonjësve të shkencës, artit, kulturës dhe arsimit për vepra dhe veprimtari të çmuara.

Abdullai mori dekoratën, njëkohësisht dhe fjalën. Emocioni i ndihej. Falënderoi presidentin dhe rrëfeu një detaj kuptimplotë nga jeta e shqiptarëve nën sundimin serb. Në Kosovën e dikurshme, jo të lirë, 25 maji festohej sepse në një ditë të tilla na paskësh pasur datëlindjen marrshalli Tito. Strukturat e Partisë Komuniste Jugosllave, të përbëra nga serbë e shqiptarë dogmatikë ngrinin flamujt në nderim të kësaj dite. Edhe shqiptarët e tjerë e përkujtonin 25 majin, madje me shumë zell. Veç jo si datëlindjen e druzhe Titos të popujve sllavë, por si ditën e lindjes së Naim Frashërit të madh të shqiptarëve. Sepse paskësh qëlluar të lindnin të dy në një njëjtën ditë, por në vite të ndryshme, edhe pse njëri shqiptar e tjetri kroat. Dhe me siguri UDB-ja që futej të nuhaste ngado nacionalizmin e pashprehur të shqiptarëve, këtu e humbiste erën dhe raportonte në Beograd se tek e fundit shqiptarët e respektuan mareshallin, ca duke ngritur ndonjë gotë vere për shëndet të tij, e ca të tjerë duke shkundur ndonjë shishe me raki Rahoveci.

Lexo edhe :  Sophia Loren, fotot klasike të një ylli filmi

Në sallën e ftohtë ceremoniale duartrokitjet ishin të ngrohta. U dalluan mes të ftuarve plot njerëz të letrave: Besnik Mustafaj, Flutura Açka, Bujar Hudhri, Alda Bardhyli, Majlinda Rama, Behar Gjoka, Marjana Ymeri, Dan Ibrahimi, Anila Xhekalia, Mehmet Gëzhilli e Rexhep Hida, por dhe Nait Hasani, i cili është dhe ambasadori i Republikës së Kosovës në Tiranë.

“Buzuku” ka mbushur 30 vjet! Në këto 30 vite Abdullah Zeneli ka kaluar plot situata paradoksale, por punën për librin shqip nuk e ka ndalur asnjëherë. E, megjithatë, asnjë përvjetor nuk është shënuar si në vitin 2020. Kohë Covid-i e maskash. Por Abdullah Zeneli thotë se përvjetorët në vend të ceremonive festohen me punë, prezantime në panaire kombëtare e ndërkombëtare, por edhe me vizion e plane konkrete. Madje, për t’i dhënë një shtysë më të madhe letërsisë shqiptare në këto kushte, ai ka projektuar një konkurs për një roman të pabotuar në gjuhën shqipe, e ku çmimet në vlerë monetare marrin vërtet vlerë.

Përkrahje e plotë e krijuesve shqiptarë kudo që ndodhen, jetojnë e krijojnë: në Kosovë, Shqipëri, Maqedoni, Mal të Zi, Luginë të Preshevës, Greqi, Itali, Turqi dhe diasporë”, është motoja e kësaj shtëpie botuese mbarëshqiptare.

Ceremonia mbaron. Nis turi i fotografive ku në sfond fokusohen situata njerëzore mbi flamujt kombëtarë. Në mes tyre bust i heroit tonë, Gjergj Kastriotit. I vetmi që mbetet aty dhe është i pranishëm në çdo shkrepje aparati. Fotografia me simbolin e shqiponjës mbi gjoks, merr më shumë vlera.

Abdullah Zeneli është njeri me humor e hedh vazhdimisht batuta. E, megjithatë, emocioni vazhdoi t’i ndihej edhe pasi presidenti kishte lënë sallën dhe ishte ngjitur në katin e dytë për në zyrën e tij. Një “Naim Frashër” për të nuk është pak. Tek e fundit, e gjithë puna 50-vjeçare, nga të cilat 30 te “Buzuku” dhe ca më herët 20 vite të tjera te “Rilindja” si shtëpi botuese, është koncentruar te një dekoratë me emër të shenjtë. Dhe Besnik Mustafaj, tek dalim në oborrin e pasmë nga dhe hymë, na thotë se tek e fundit, nuk janë të shumtë burrat që e kanë marrë një dekoratë të tillë. Pra gjithsesi, nderi vlen.

Edhe pse jemi në epilog, asgjë nuk mbaron me kaq, sepse shefi i “Buzukut”, pasi kemi shijuar nga një gotë “shampanjë presidenciale”, – apo verë të gazuar ndoshta, – na fton për një kafe “Blloku” në një nga lokalet rreth Presidencës, ku në të vërtetë vetëm për pak metra gjë mbetëm në periferi pas vijës që dikur ndante vilat e Byrosë nga apartamentet modeste të kryeqytetasve. Por, gjithsesi, iu gëzuam faktit që kafen e pimë, tek “Tirana e Re” dhe folëm lirshëm mbi “news”-et më të fundit./Bl.Ba/Fjala.al

Të fundit

Elbasan/ Balla: Listat e hapura, një hap më pranë BE

Numri dy i PS-së Taulant Balla gjatë fjalës së tij nga aktiviteti “deputeti që duam” nga Elbasani ka folur...

Murtaja e Zezë u përhap shumë më shpejt në shekullin 17 se sa në shk.14

Katër herë më shpejt. Kështu u përhap Murtaja e Zezë në shekullin e 17-të, krahasuar me nivelin e transmetimit të sëmundjes në shekullin e...

Hoti: Nëse nuk arrijmë marrëveshje me Serbinë, rikthejmë reciprocitetin e plotë

Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti paralajmëron Serbinë se në rast se nuk arrihet një marrëveshje finale atëherë do të rikthehet reciprociteti i plotë. Këtë praktikë...

Horoskopi, 22 tetor 2020

Dashi Përpiquni t’u kushtoni vëmendje fjalëve që përdorni. Në frontin e punës, ndryshime të vogla janë në rrugë e sipër që mund të menaxhohen mirë....

Tentuan kalimin me dokumente false, në pranga siriani dhe dy të tjerë

Tre persona kanë përfunduar në prangat e policisë pas tentativës për të kaluar kufirin me dokumente të falsifikuara. Burime policore bëjnë me dije se një...

Lajme të tjera

Web TV