Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan ka sulmuar presidentin e Francës, Emanuel Macron duke e akuzuar se synon të lajë hesapet me Islamin dhe muslimanët.
Erdogan tha se retorika antiislame dhe antimuslimane sot është mjeti më i përdorshëm i politikanëve perëndimorë për të mbuluar dështimet e tyre. Ai i ka dërguar një video-mesazh mbledhjes së Organizatës së Bashkëpunimit Islam (OBI) të organizuar nga Kryesia e Çështjeve Fetare të Turqisë (Diyanet).
“Nga Jemeni në Siri, nga Afganistani në Libi, në shumë rajone të territorit tonë gjeografik me të cilin kemi lidhje shpirtërore, fatkeqësisht mbizotëron gjaku, loti dhe paqëndrueshmëria. Në veçanti racizmi, ndarja në baza nacionaliste, sektarianizmi dhe fitneja e terrorizmit janë bërë probleme që po e rrënojnë përbrenda botën islame.
Retorika antiislame dhe antimuslimane sot është mjeti më i përdorshëm i politikanëve perëndimorë për të mbuluar dështimet e tyre. Konceptet si ‘Islami francez’, ‘Islami evropian’, ‘Islami austriak’ janë shembujt më të fundit të kësaj. Qëllimi i iniciativave të udhëhequra nga Macron është të lajnë hesapet me Islamin dhe muslimanët. Përkundër luftës me terrorin nën petkun e ‘luftës me ekstremizmin’; synohet profil i qytetarit musliman pasiv, frikacak, i thjeshtë, që nuk ngre zërin kundër mizorit, nuk reagon ndaj mizorisë”, u shpreh Erdodan ndër të tjera.
Kjo nuk është hera e parë që Erdogan del kundër kreut të shtetit francez. Ky i fundit ka dalë hapur në mbështetje të Greqisë në konfliktin me Turqinë dhe kjo gjë e ka acaruar jo pak presidentin Erdogan, i cili ka sulmuar disa herë Macronin.
Pa.Va/Fjala.al