Intervista/Damian Gjiknuri: Meta, më problem sesa Basha

113 563 lexime

124,178FansaPëlqeje

Një nga bashkëkryetarët e Komisionit të Reformës Zgjedhore dhe deputeti i PS-së, Damian Gjiknuri, në një intervistë për emisionin “HARD TALK nga Roland Qafoku”, analizon situatën politike në vend dhe sqaron çështjen e “listave të hapura” dhe mënyrën se si do të votohet në zgjedhjet e 25 prillit të vitit të ardhshëm. Mendimi për presidentin Ilir Meta dhe kreun e opozitës Lulzim Basha…

Nga Roland Qafoku

-Zoti Gjiknuri, ju jeni fëmija i dy prindërve të nderuar, i prof. Lekës dhe zyshë Lirisë, e cila ka qenë më e mira e shkollës së mesme ku unë kam bërë mësim. Nuk e di tani se ç’mendon ajo për djalin, por këtu në intervistë nuk do të të fal.

Fole mirë për mamanë që, edhe po më sulmove, thua: të kam dalë borxhit.

-A janë të hapura listat e hapura?

Listat e hapura janë të hapura. Nuk janë të shqyera. Së pari, Kushtetuta e Shqipërisë thotë: Listat e deputetëve paraqiten nga parti politike dhe zgjedhësi ka mundësi të ushtrojë votën parapëlqyese. Do të thotë: Zgjedhësi ka dy vota; një votë për partinë dhe një votë për individin.

Pra, konkurrojnë partitë, por ti ke mundësi të zgjedhësh dhe brenda partive individin. Pragu u vu, sepse partitë konkurrojnë me ekip. Kur ti hyn me fanelën e partisë sime , pra ke marrë siglën e partisë sime dhe je kandidat i PS-së që ka një peshë në tregun elektoral, ti merr dhe benefitet e elektoratit.

Do të thotë që ti nuk mund të barazohesh vetëm me faktin që ke marrë disa vota më shumë se një tjetër, dhe mund të kapërcesh listën. Por ti duhet të demonstrosh që ke më shumë vota sesa vetë forca në tërësi.

Nga ekseprienca edhe botërore, 70% e zgjedhësve votojnë ekipin, votojnë partinë, nuk votojnë individin. Në qarkun e Vlorës unë kam vite që jam deputet, por ndërkohë Edi Rama ka bërë aq të mira për Vlorën, sa ata nuk mund ta vënë në diskutim. Por ndërkohë ka dhe deputetë të tjerë që janë shumë të lidhur me zonën.

Tani si do t’u them unë zgjedhësve vlonjatë? 70% e elektoratit zgjedh lidershipin e partisë, ose zgjedh siglën e partisë. Do të thotë që do të ndodhë një individ me një mijë vota na hidhka poshtë një ekip politik.

Ti duhet të demonstrosh që ke votat për një mandat. Dhe kjo ka dy të mira. Njerëzit duhet të kenë besim tek ekipet politike, nuk është thjesht lojë individësh. Ne kritikuam mazhoritarin për fenomenet që sillte. Ky është kaos.

-Si do të bëhet votimi?

Në fletën e votimit do të jetë lista e partive, renditja e partive dhe në krahun tjetër të fletës së votimit do të jetë lista e kandidatëve. Nëse nuk janë me emra, se mund të jetë e vështirë, do të kenë numër.

Për shembull, Damian Gjiknuri ka numrin 2. Individi zgjedh partinë, nëse do të zgjedhë njërin nga kandidatët, do t’i vërë shenjën një kandidati. Nëse një kandidat ka marrë numër votash më shumë se mesatarja për një mandat në një parti, për shembull në Tiranë, nëse një parti ka marrë 18 mandate, numri total i votave që ka marrë partia pjesëtuar për 18, por jo më shumë se 10 mijë, në rastin e Tiranës mund të qëllojë 9 mijë, nëse ka marrë 9001 vota, ai automatikisht hyn dhe zëvendëson atë që ka marrë më pak vota në listën fituese.

-Si ka qenë marrëdhënia juaj me telefonin që pas daljes së përgjimeve?

Unë nuk druhem me telefonin, se nuk kam bërë ndonjë shkelje ligjore edhe me telefonatat që ju keni dëgjuar. Nëse fjala “tërmet” përbën alegori për vepër penale e pranoj, por është një nga fjalët më të përdorura në politikë, sidomos në terminologjinë anglo-saksone.

-Që Damian Gjiknuri të përdorë fjalën “çuna problematikë”…

Po çfarë do të thotë “çuna problematikë”?

-Fjalor të fortësh.

Nuk e ke përdorur ti ndonjëherë këtë shprehje?

-Jo, kurrë.

Po atyre që janë gjaknxehtë si u thua? Unë kam thënë do të çoj vëzhgues partie. Disa nga ata mund të jenë tipa më gjaknxehtë. Janë disa kategori njerëzish. A pati ndonjë dhunë nga këta “çunat problematikë?”

-Ju e shikoni si jurist, në aspektin e pasojës.

Po, patjetër. Duhet të dalësh në zgjedhje, duhet të merresh me zgjedhje, duhet të jesh nën presionin e zgjedhjeve që të kuptosh pastaj se si është situata. Gjëja më e shëmtuar është përdorimi i Prokurorisë së Krimeve të rënda për vepra që nuk i takonin. Njerëzit në telefona çfarë nuk flasin.

-Përse këmbëngulni kaq shumë për një mandat të tretë?

Racionali i ekipeve politike është që të fitojnë zgjedhjet. Partitë politike janë që të luftojnë të marrin pushtetin. Dhe përmes pushtetit do të realizojnë ato që thonë. Ndryshe je opozitë, që mund të bësh rolin tënd, por nuk realizon dot asgjë.

-Keni ndonjë arsye të veçantë ju të PS-së që e kërkoni një mandat të tretë? Gjë që nuk ka ndodhur në këto 30 vite në Shqipëri.

Po 30 vjet nuk janë ndonjë gjë e madhe. Në botë ka ndodhur që kanë fituar nga 3 mandate. 30 vjet nuk janë asgjë për një demokraci.

Lexo edhe :  I pari që diplomohet në Parma, rrëfehet djali i verbër shqiptar që bëri historinë

-Nuk e kuptoni që po morët dhe mandatin e tretë jeni rëndë fare?

Po çfarë duhet të bëjmë, të dorëzohemi?

-Zoti Gjiknuri, ç’përgjigje keni ju, si një politikan i rëndëishëm i PS-së, kur raporti i KLSH-së ka përcaktuar si dëm ekonomik në 6 vjet 4 miliardë euro në arkën e shtetit?

Raportet e KLSH-së janë raporte që jo gjithmonë dalin të vërteta.

-Ia ka futur kot Bujar Leskaj?

Unë nuk e di kush e ka bërë atë, por patjetër dhe kot mund t’ia ketë futur. Për shëmbull, kur u akuzuam që kishin humbur 430 milionë euro për çështjen me CEZ-in, që duhej të futej tek ajo llogari, nuk është fare e vërtetë dhe u verifikua edhe penalisht që nuk është e vërtetë. Ka folur drejtësia për këtë.

Unë jam përballur me drejtësinë. Unë u akuzova, 600 milionë thoshin, një herë 430. Unë vajta, u hetova plotësisht, u panë të gjitha bisedimet dhe akuzat ranë, sepse negociata ishte zhvilluar me mbikëqyrje ndërkombëtare dhe nga ana ekonomike shteti shqiptar nuk humbi asgjë. Përkundrazi, mbylli disa hemorragji të rënda financiare.

-Zoti Gjiknuri, si ndiheni ju që në tetë vite keni minus 300 mijë shqiptarë?

Këto janë fenomene natyrore. Të mos i japim emblemë politike një tendence natyrore. Ky është një problem real, por nuk është një problem që thjesht konstatohet duke thënë “ububu”. Problemi është si do të bëjmë.

-Si është situata në Vlorë? Çfarë do të kërkosh për mandatin e tretë atje?

Do të vazhdojmë investimet që kemi bërë deri tani në Vlorë. PS-ja ka bërë vepra të dukshme.

-Çfarë për shembull?

Po rruga e Lumit të Vlorës. Lungomare është një nga shëtitoret më të bukura. Në Vlorë nuk shkonte njeri më parë, ishte një qytet totalisht kaotik. Sot interesi për Vlorën është rritur në mënyrë të jashtëzakonshme. Tani shumë e shumë njerëz nga Tirana shkojnë dhe kalojnë fundjavën në Vlorë.

-Sa deputetë do të marrësh në Vlorë?

Minimalisht do të mbajmë këta që kemi.

-Sa është numri?

-Sa morët më 2013?

Në vitin 2013 janë marrë 6, me gjithë aleatët 7, ndërsa në 2017 janë marrë 8. Minimalisht do të mbajmë 8 deputetë ose do të fitojmë 9.

-Në një intervistë që të kam marë në vitin 2013 ke thënë: “Gjyshin tim që është nga Bregu, nga Kudhësi, e pyetën si të duket Shqipëria pas ’90, tha: Unë e kam parë në tri epoka, e kam parë më keq, por më të çoroditur nuk e kam parë asnjëherë.

Këtu bëhet fjalë për epoka. E rëndësishme është që Shqipëria ka hyrë në rrugën e duhur për të ndaluar çorodinë ku pas viteve ’90 qe me okë dhe e katandisi Shqipërinë në nivelet më të ulëta të përfaqësimit të zhvillimit të respektit që kishte Shqipëria në nivelin ndërkombëtar.

Është rrugë e vështirë, se kemi deficite të mëdha historike dhe, natyrshëm, meqë i përmende fjalët e Panajotit, ai e merrte bagazhin negativ që kishte trashëguar, por Shqipëria e ka ndaluar atë hemorragjinë e shumë e shumë viteve dhe ka filluar një kthesë të madhe. Rruga do të jetë e gjatë, por çorodia ka mbaruar.

-Ju i hoqët kolaicionet. Mund të bëni koalicion me LSI-në?

E para, ka dhe koalicione parazgjedhore. Ligji i lejon. Koalicionet paszgjedhore janë çështje se si do të dalin votat dhe çfarë do të thotë vullneti i popullit.

-Ekziston mundësia që ju të jeni në koalicion me LSI-në?

Nuk dua të flas para kohe se me kë do të bëjmë koalicion, nëse nuk marrim 71 mandate, por unë mendoj që PS-ja do t’i marrë 71 mandate. Minimalisht 71 do t’i marrim.

-Pse Rama apo edhe ju më shumë keni frikë Metën sesa Bashën?

Meta reagon me tone më të larta dhe me një fjalor më të rëndë ndaj marrëveshjes.

-Ju tundi më 2 mars.

Bëri një miting të natyrshëm, që ata si opozitë kaq 5-6 mijë mbështetës i kanë gjithmonë. Asnjë s’e vë në diskutim. Këtu bëhet fjalë për një garë elektorale, ku synohet të marrësh 700-800 mijë vota. Unë flas për gjëra konkrete tani. Fakti pse ai është më i mërzitur, nuk do të thotë se ne e kemi frikë. Ai është i mërzitur, reagon. Përgjithësisht reagon ai që ka frikë.

-Reagon presidenti se ka frikë? Ilir Meta ka frikë?

Ore kush reagon si i harbuar përgjithësisht…

-Thuaj ndonjë gjë tjetër, por jo që Ilir Meta ka frikë. Mund të thuash Edi Rama e ka frikë Ilir Metën, po.

Po çfarë do të thotë frikë në këtë rast?

-Përmbysje.

Frika mund të jetë nga lloje të ndryshme, mund të jetë nga burime të ndryshme, nuk dua të komentoj.

-A do të pranohet rezultati i zgjedhjeve?

Nga ana e Partisë Socialiste, nuk diskutohet që do të pranohet.

-Po nëse humbisni ju, a do ta pranoni?

Po, patjetër. Edhe në 2005, kur ka humbur PS-ja, e ka pranuar rezultatin.

-Ishte Fatos Nano atëherë.

Po dhe tani, Edi Rama e ka deklaruar që në momentin që nuk e voton shumica e shqiptarëve, nuk ka pse rri në këtë pozicion. E ka thënë.

-Po nëse PS-ja humbet, Edi Rama duhet të ikë nga kryetar?

Kjo analizë do të bëhet pas zgjedhjeve.

la.mi/Fjala.al

Të fundit

I lumtur deri në… budallallëk

Nga Leonard Veizi Të lumtur në jetë të jetëve... Epo kjo është sentencë krejt folklorike. Sepse realiteti nuk do shumë mund...

Investimet e huaja/ Rama projekton rritje me 4 miliardë dollarë

Kryeministri Edi Rama në fjalën e tij në mbledhjen e Këshillit Ekonomik Kombëtar, e sheh dialogun mes qeverisë dhe sipërmarrjes, si një nga rrugët...

Dosja “5 D”/ Korrupsion dhe shpërdorim detyre, SPAK  lëshon 9 masa sigurie

Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar dha detaje për arrestimin e 9 personave, zyrtarë dhe ish-zyrtarë të Bashkisë së Tiranës nën...

Horoskopi për ditën e sotme, 29 Mars 2024

Dashi Mund të keni bërë shumë shpenzime në të kaluarën dhe tashmë mund t’ju duhet të përballeni me pasojat. Si rezultat, mund ta gjeni veten...

Lajme të tjera

Web TV