Çmimi Nobel në ekonomi përballë sfidave të qeverisjes dhe ekonomisë shqiptare

113 563 lexime

124,178FansaPëlqeje

Përse “teoria e lojës” dhe “teoria e ankandeve” e nobelistëve Paul Milgrom & Robert Wilson është e rëndësishme të njihet dhe të aplikohet gjerësisht në Shqipëri, në kuadrin e prokurimeve publike, tenderimeve, praktikave të PPP-ve, koncesioneve, investimeve publike, shfrytëzimit të burimeve natyrore etj.? 

Nga Adrian CIVICI 

Brenda 26 viteve të fundit, çmimi Nobel në ekonomi ka laureuar për të katërtën herë – vitet 1994, 2005, 2012, 2020 – shtatë ekonomistë të shquar – John F. Nash, John C. Harsanyi dhe Reinhard Selten; Robert J. Aumann dhe Thomas C. Schelling; Lloyd Shapley dhe Alvin Roth; Paul Milgrom dhe Robert Wilson – për punimet dhe arritjet e tyre në një fushë shumë të rëndësishme të shkencave ekonomike, siç është “Teoria e lojës”.

26 vitet që ndajnë katër datat e rëndësishme të çmimeve Nobel në ekonomi, dedikuar ekskluzivisht “teorisë së lojës”, janë shembulli më i qartë për të vlerësuar rëndësinë dhe evolucionin e kësaj teorie në funksion të zgjidhjes së problemeve fondamentale në aspekte të ndryshme të analizës ekonomike, mirëqeverisjes ekonomike dhe eficencës së të mirave publike.

Ardian Civici

Përse një vëmendje kaq e madhe për teorinë e lojës? Çfarë përfaqëson teoria e lojës dhe cilat janë aplikimet ose kontributet e saj në shkencat e ekonomike dhe proceset e vendimmarrjes? Përse gjithë kjo vëmendje e vlerësim nga Akademia e Shkencave dhe Banka Qendrore e Suedisë, në kuadër të çmimit më prestigjioz në shkencat ekonomike? Cili është kontributi, mesazhet “speciale” dhe dobia e teorisë së lojës në kushtet e rritjes së pasigurisë dhe të të panjohurave në marrjen e vendimeve, aq më tepër në kushtet specifike të vendimmarrjes në kuadrin e pandemisë së COVID-19?

A është i vlefshëm dhe i domosdoshëm aplikimi i kësaj teorie në zhvillimin e ankandeve, prokurimeve, tenderëve, koncesioneve edhe investimeve publike edhe në Shqipëri? A kemi struktura dhe ekspertë të specializuar në këtë drejtim? Sa prezentë dhe efikasë janë ata në të gjitha këto procese të rëndësishme për shëndetin e ekonomisë shqiptare?

Çmimi Nobel në ekonomi për vitin 2020 iu akordua dy ekonomistëve të shquar amerikanë, Paul Milgrom dhe Robert Wilson, për punimet e tyre në “teorinë e lojës” dhe kontributit specifik në “teorinë e ankandeve”. Dy laureatët e rinj e kanë nisur karrierën e tyre dhe janë shquar si ekonomistë të “specializuar për teorinë e lojës”.

“Përse “teoria e ankandeve” e ekonomistëve nobelistë Paul Milgrom dhe Robert Wilson për vitin 2020 është e vlefshme dhe shumë e domosdoshme të kuptohet dhe të zbatohet sa më shumë edhe në Shqipëri?

Sepse ajo do të na ndihmonte së tepërmi në eficencën e prokurimeve publike, do të shtonte përfitimet reciproke të shtetit dhe operatorëve privatë gjatë tenderimeve të ndryshme e praktikave të PPP-ve, do të minimizonte korrupsionin dhe klientelizmin, do të ndihmonte për një ekonomi më të shëndetshme e respekt më të madh për taksapaguesit shqiptarë, do të eliminonte “kapjen e shtetit”, do t’i jepte vendin e duhur dhe eficencën maksimale konkurrencës së ndershme e transparencës së tregjeve; përfituesit e ankandeve nuk do të jenë ata që ofrojnë vlerën financiare më të vogël, por përfitimin social, ekonomik dhe financiar më të lartë etj”.

Ashtu siç nënkuptohet dhe nga emërtimi, “teoria e lojës” është studimi i modeleve matematike i ndërlidhjes strategjike ndërmjet vendimmarrësve, racionalë apo jo, objektivi i së cilës është maksimizimi i një funksioni të dhënë, fitimi sa më i madh i mundshëm në “kuadrin e një loje”, e cila i nënshtrohet një tërësie rregullash eksplicite të njohura nga të gjithë “lojtarët” pjesëmarrës. Koncepti “lojë” nuk është kufizues: mund të jetë lojë shahu, dominoje etj., por edhe procese ekonomike, financiare, juridike, elektorale, strategjike, ushtarake etj., si dhe çdo lloj tjetër aktiviteti njerëzor që ndjek dhe respekton një seri rregullash të sakta dhe të përcaktuara paraprakisht.

“Teoria e lojës”, që shpesh cilësohet edhe si “matematika e vendimmarrjes”, ka gjetur e vazhdon të gjejë gjithnjë e më shumë aplikime të suksesshme e konkrete në të gjitha fushat e shkencave ekonomike e sociale, veçanërisht në teorinë e sjelljes, në logjikë, në shkencat dhe sistemet e informacionit. “Teoria e lojës” konsiderohet “si shkenca e vendimmarrjes logjike te njerëzit, kafshët dhe kompjuterët”. Ajo u shfaq për herë të parë në punimet e John von Neumann-it (1903-1957), matematikanit dhe fizikanit amerikan me origjinë hungareze, me kontribute të shumta në mekanikën kuantike, analizën funksionale, informatikë, strategjitë ushtarake dhe shkencat ekonomike.

Në vazhdim, “teoria e lojës” u kompletua me një artikull të famshëm “Theory of Games and Economic Behavior (1944)” shkruar nga John von Neumann dhe Oskar Morgenstern, një nga doktorantët më të shquar të Ludwig von Mises, i cili e revolucionarizoi analizën ekonomike. Shumë shpejt “teoria e lojës” u bë interesante dhe në fushën e strategjive dhe vendimmarrjen ushtarake dhe “artin e luftës”, për të modeluar luftën atomike në mënyrë që të minimizoheshin pasojat eventuale nga një konfrontim i mundshëm shkatërrues ndërmjet Lindjes komuniste dhe Perëndimit kapitalist.

Në vitin 1994, çmimi Nobel në ekonomi, në kuadrin e vlerësimit për “programin e kërkimeve të John F. Nash”, iu dha tre ekonomistëve të njohur, amerikanëve, John F. Nash, John C. Harsanyi dhe gjermanit Reinhard Selten, me motivacionin: “Teoria e lojës – për analizën e tyre pioniere të ekuilibrit në teorinë e lojës jobashkëvepruese”. Ideja e Nash-it bazohej në “teorinë e negociatave”, në zgjidhjen dhe përballimin e situatave bashkëvepruese, në të cilat agjentët ekonomikë, socialë, politikë, elektoralë, ushtarakë, mjedisorë etj., mund të gjenin një marrëveshje me anën e modeleve të negociatave komplekse, edhe në kushtet e mungesës së një bashkëveprimi direkt ndërmjet tyre. Ekonomia industriale, ekonomia ndërkombëtare, tregjet financiare, biznesi dhe korporatat, zgjedhjet politike, marrëdhëniet institucionale etj., ofrojnë shembuj të panumërt në këtë drejtim.

Për ekspertët e fushës, vështirësitë më të mëdha qëndrojnë në “gjetjen e pozicionit të ekuilibrit” dhe fitimit optimal në situata të shumëllojshme që mund të shfaqen gjatë transaksioneve të ndryshme. Shumë shpejt, menjëherë mbas “teorisë së ekuilibrit” të John F Nash-it dhe fitimit të së “drejtës së qytetarisë” së teorisë së lojës, teoria dhe praktikat e negociatave ndërmjet aktorëve apo “lojtarëve” ndryshuan dhe u pasuruan shumë në favor gjetjes së ekuilibrit dhe fitimit optimal në të gjitha fushat ku ato mund të aplikoheshin, veçanërisht në fushën ekonomike e financiare.

Në vitin 2005, çmimi Nobel në ekonomi iu dha ekonomistëve Robert J. Aumann dhe Thomas C. Schelling për teorinë e tyre të “vendimmarrjes interaktive”, e cila krijon mundësitë e një kuptimi më të qartë e transparent të konflikteve dhe bashkëpunimit në biznes dhe tregti. Kjo konsiderohet si hapi i dytë i rëndësishëm në shtrirjen dhe përmirësimin e “teorisë së lojës” për shpjegimin e konflikteve me natyrë ekonomike e financiare, luftën e çmimeve dhe monedhave, optimalitetin e administrimit të burimeve natyrore dhe të mirave publike etj.

Gjatë periudhës së “Luftës së Ftohtë” ndërmjet Lindjes komuniste dhe Perëndimit kapitalist të ndarë nga Muri i Berlinit, Thomas Schelling u mbështet gjerësisht në këtë teori për të shpjeguar çështje vitale strategjike, si “siguria botërore”, “ekuilibri i fuqisë ushtarake” apo “gara e armatimeve”, ndërsa Robert Aumann e përdori analizën matematike për të nënvizuar diferencat e mundësive që disponon shteti dhe qeveria gjatë periudhave të konflikteve dhe krizave të natyrave të ndryshme. Studimet e tyre i zgjeruan shumë “kufijtë” e veprimit të shkencave ekonomike e atyre sociale, duke “modeluar sjelljet e tyre” në funksion të gjetjes së ekuilibrave dhe optimaliteteve të synuara.

Në vitin 2012, çmimin Nobel e fituan ekonomistët amerikanë Alvin Roth dhe Lloyd Shapley, me motivacionin “ Teoria e lojës – për teorinë e tyre të alokimeve të qëndrueshme dhe praktikat e konceptimit të tregjeve”, për mënyrën specifike të sjelljes e vlerësimit të kërkesë-ofertës në treg, për gjetjen e zgjidhjeve praktike për problemet e ekonomisë reale. Pyetja fondamentale dhe problemi ekonomik që shtruan dhe zgjidhën këta ekonomistë në kuadrin e teorisë së lojës është: “cila është mënyra më optimale e bashkëveprimit të agjentëve të shumtë e të ndryshëm ekonomikë në treg?”.

Lexo edhe :  Investimet e huaja po rriten/Nga blerjet e pronave, frenohen në energji, bien në industri

Në teorinë ekonomike klasike, kërkesa dhe oferta axhustohen nëpërmjet mekanizmit të çmimeve, por sipas tyre, kjo procedurë nuk funksionon për të gjitha tregjet. Nëpërmjet teorisë së lojës, ata kërkuan të përcaktojnë kushtet specifike që u krijojnë mundësi agjentëve ekonomikë e socialë për të qenë sa më eficentë dhe sa më të stabilizuar në tregjet ku ata veprojnë.

Alvin Roth dhe Lloyd Shapley e përdorën teorinë e lojës për të studiuar dhe krahasuar metoda të ndryshme në lidhje me sjelljen e kërkesë-ofertës, jo vetëm në sferën ekonomike e financiare, por dhe në atë sociale, në sektorin e shëndetësisë dhe arsimit, marrëdhëniet juridike civile e penale, në tregjet e veprave artistike, në sport, në modë, te rekrutimet dhe procesi i negociatave të punësimit dhe hartimit të kontratave etj.

Gjatë periudhës 1994-2020 problematika e gjetjes së ekuilibrave optimalë në kushtet e një numri gjithnjë e më të madh “aktorësh në lojë”, zuri një vend të rëndësishëm në evolucionin dhe sfidat e “teorisë së lojës”. Tashmë nuk bëhet fjalë vetëm për “gjetjen e një zgjidhjeje teknike”, por për të kuptuar “pozicionimin e lojtarëve”, në kushtet kur ata e dinë apo kujtojnë se e dinë situatën në të cilën veprojnë.

Në këtë kuadër, ekspertët e teorisë së lojës ofrojnë tri këndvështrime të ndryshme, të cilat mund të adaptohen sipas kushteve konkrete dhe llojit të problemit që duhet zgjidhur: “eksperimentimit”, i cili krijon mundësi për observimin e sjelljes së individëve, agjentëve ekonomikë apo institucioneve, e reagimit dhe mënyrës së negocimit të tyre për zgjidhjen e një problemi apo ndarjen e përfitimeve; “analiza e mendimeve dhe vlerësimeve” që “lojtarët” kanë për njëri-tjetrin gjatë zhvillimit të negociatave apo kontratave të ndryshme, pasi janë pikërisht këto vlerësime reciproke që kushtëzojnë, frenojnë apo lehtësojnë marrjen e vendimeve reciproke; aplikimi i koncepteve të “neurologjisë konjitive”, “teknikave të imazherisë celebrale” dhe “neuroekonomisë” së aplikuar të cilat drejtojnë arsyetimin dhe logjikën e individëve gjatë procesit të negocimit.

Të tria këto këndvështrime konvergjojnë në një pikë të përbashkët: tentativën për të shpjeguar se si individët trajtojnë informacionin që zotërojnë, si e transformojnë atë në njohuri efektive gjatë ndërveprimit në negociata të ndryshme. Ato po ndikojnë çdo ditë e më tepër në pasurimin e “teorisë së lojës” dhe aplikimeve konkrete të saj, duke i shtrirë programet e kërkimit dhe sferat e bashkëpunimit me disiplina të tjera, si logjika, psikologjia, neurologjia etj.

Në 2020, çmimi Nobel iu dha dy ekonomistëve amerikanë, Paul Milgrom dhe Robert Wilson, përsëri në sferën e “teorisë lojës” dhe kontributeve të veçanta në “teorinë e ankandeve”. Megjithëse “ankandet” nuk duken si element tipik i teorisë së “lojës”, ato konsiderohen si një garë ndërmjet agjentëve të ndryshëm ekonomikë që ndjekin një grup të caktuar rregullash të përbashkëta të “lojës”. Një ankand ka disa shitës, shumë blerës potencialë dhe një shitës dhe një blerës përfundimtar. Procesi është një shkëmbim normal ekonomiko-financiar ndërmjet tyre. Komiteti i dhënies së çmimit Nobel nënvizon në vlerësimin e dy nobelistëve në ekonomi se Milgrom dhe Wilson kanë gjetur forma dhe formate të reja për shitjet në ankand të shumë objekteve dhe shërbimeve të ndërlidhura ndërmjet tyre, në emër të një përfitimi më të madh për shoqërinë, sesa thjesht dhe vetëm fitimi maksimal, në përfitim të shitësve, blerësve dhe taksapaguesve.

Robert B. Wilson dhe Paul Milgrom e revolucionarizuan studimin e sistemit të ankandeve duke u përqendruar në aspekte të ndryshme të “lojës” gjatë ankandeve: rregullat e reja të formatimit të tregjeve, shpërndarjen e informacionit në procesin e ankandeve, vlerësimi i “kundërshtarit” dhe kuptimi e njohja e mendimeve/sjelljeve të tij etj. Zhvillimi i teorisë së ankandeve u bë në drejtim të ndërtimit të modeleve matematike që të çojnë drejt arritjes së rezultateve të dëshiruara, pa prishur rregullat e tregut.

Nëse në fillimet e saj teoria e lojës konceptohej si një lojë në të cilën fitimet e një lojtari ishin të barabarta me humbjet e lojtarit tjetër, aktualisht, teoria e lojës synon “gjenerimin e vlerave të reja ekonomike dhe përfitime për të dy lojtarët”. Paul Milgrom dhe Robert Wilson treguan se “konsumatori fiton një “të ardhur shtesë”, që është fitimi monetar si pasojë e çmimit të ankandit, i cili është më i vogël se se çmimi maksimal që ai ishte i gatshëm të paguante në fillim të ankandit; e njëjta gjë dhe për shitësin, që fiton një “të ardhur shtesë” në rastet kur çmimi i shitjes është më i lartë se çmimi minimal që ai paraqitet në fillim të ankandit. Në këtë kontekst, ankandet krijojnë të ardhura shtesë, si për shitësit, ashtu dhe për blerësit.

Kontributi i veçantë i punimeve të Paul Milgrom-it dhe Robert Wilson-it mbi ankandet qëndron në aftësinë e tyre për të evidentuar dhe parashikuar pjesën e të “ardhurave shtesë” për shitësit dhe blerësit, për pengimin e përplasjes ndërmjet këtyre aktorëve (lojtarëve) dhe maksimizimin e përfitimeve reciproke të tyre. Ata sugjerojnë organizimin e ankandeve në mënyrë frekuente në televizion, radio, telefoninë celulare 3G, 4G dhe 5G dhe në të gjitha format e tjera alternative të komunikimit masiv.

Teoria e tyre e ankandeve krijon një format të ri shitje-blerje gjatë ankandeve, i cili mund të përdoret me sukses në një format ankandesh të një lloji të veçantë, siç është blerja dhe shitja e shërbimeve të ndryshme publike, të drejtat e shfrytëzimit të burimeve natyrore, ujërave dhe peshkimit, shpërndarjes dhe kuotave të elektricitetit, aplikimin e patentave të ndryshme, shfrytëzimin e porteve, aeroporteve, autostradave, zonave ekonomike, dhënies së licencave operatorëve privatë, tenderëve të ndryshëm, prokurimeve publike etj.

“Në të gjitha këto aspekte të rëndësishme, Shqipëria ka mungesa e mangësi të mëdha. Nëse tenderët e prokurimet publike, licencat e shfrytëzimit të burimeve natyrore, projektet dhe financimet në kuadrin e partneritetit publik-privat, koncesionet e ndryshme etj., do të realizoheshin në përputhje me rekomandimet e teorisë së lojës, apo më konkretisht me “teorinë e ankandeve” të nobelistëve Paul Milgrom dhe Robert Wilson, eficenca dhe rezultatet e tyre do të ishin shumë më pozitive për të gjithë “aktorët” pjesëmarrës.

Sa më shpejt që metodikat dhe metodologjia e zhvillimit apo akordimit të tyre të ndryshojë në funksion të rregullave të teorisë së ankandeve, aq më të mëdha do të jenë përfitimet për ekonominë tonë, aq më të vogla do të jenë mundësitë për korrupsion, klientelizëm, mungesë transparence, përfitime okulte, informalitet të lartë, keqqeverisje, kapje të shtetit, përfitime për grupe të vogla “klientësh të privilegjuar” etj.

Ekspertët dhe specialistët kompetentë në “teorinë e lojës”, përfshirë këtu në mënyrë më specifike edhe “teorinë e ankandeve”, duhet të jenë pjesë organike e strukturave dhe institucioneve që trajtojnë gjerësisht tenderimet, prokurimet, partneritetin publik-privat, koncesionet, investimet publike etj. Sistemi ynë universitar dhe profesional duhet t’i japë hapësirë më të madhe njohurive dhe specializimeve në këtë fushë të rëndësishme të menaxhimit dhe vendimmarrjes, të eficencës, standardeve dhe cilësisë së ekonomisë shqiptare. “

 

Të fundit

‘Zien’ toka, dy lëkundje të forta tërmeti në vendin fqinjë, ja sa ishte magnituda

Një tërmet është ndjerë në Athinë, në brigjet e Peloponezit, pranë ishujve Strofades. Sipas informacioneve të para, intensiteti i lëkundjeve...

Nëse keni probleme me gjumin, ju mund të vuani nga këto 5 çrregullime

A e keni vënë re sesa keq ndiheni të nesërmen, pasi keni fjetur keq një natë më parë? Djersë të ftohta, minuta të tëra...

“3 fakte qesharake”/ Luarasi-Bardhit: Do të të kisha ngelur në klasë

Akuzat e kreut të PD Gazment Bardhi ndaj vëllait të kryeministrit Olsi Rama kanë ngjallur debat  në studion e “Opinion” në Tv Klan. 3 elementë...

“Në Tiranë, 40% e trafikut shkaktohet nga…”/Shefi i qarkullimit zbulon shkaqet e kaosit

Rreth 40% e trafikut në Tiranë krijohet nga parkimet e gabuara në rrugë. Kështu u shpreh, shefi i qarkullimit rrugor, Besmir Qibni në një...

Përpjekjet për të justifikuar ‘marrëveshjen’ që shuajti revolucionin

Nga Mero Baze Për të identifikuar personat të cilët donin të fitonin besimin tek Berisha kur ai po përpiqej të rikthej në pushtet në vitet...

Lajme të tjera

Web TV