“Rrëfehet” prifti italian për 12 vitet në Shqipëri

113 563 lexime

124,178FansaPëlqeje

Nga Raziela Myslimaj 

Duhej të transferohej shumë larg nga vendi dhe familja, për diku që kishte shumë nevojë për kontributin dhe përvojën e tij. Vendimin për transferim e priti shumë mirë. Ishte i vetëdijshëm që e priste një punë dhe sfidë e madhe, por kjo nuk e pengoi të bënte atë për të cilën ishte zotuar. Asokohe ishte 55 vjeç.

Në një moshë kur përgjithësisht njerëzit nuk kërkojnë eksperienca të reja, por përpiqen të mbajnë fort atë që kanë krijuar ndër vite, don Giuseppe vendos të vijë në Shqipëri. Kishte shërbyer si prift për 26 vite me radhë në disa komunitete të Italisë, për t’u pasuar me plot 12 vite të tjera në Shqipëri.

Në vitin 2007 don Giuseppe vendoset në qytetin e Lushnjës, për të vazhduar misionin që kishin nisur prej vitit ’94 vëllezërit dhe motrat e tij të kishës katolike, të ardhur po nga i njëjti vend, Italia. “Në Shqipëri jam transferuar pas 14 vitesh shërbim në Krotone, njëri prej qyteteve më të rëndësishme të Kalabrisë dhe mund të them që përveç gjuhës nuk ndryshonin shumë gjëra.

Të njëjtat zakone dhe deri diku e njëjta mënyrë jetese e vështirë që unë e njihja shumë mirë, edhe sepse në Kalabri kishte shumë arbëreshë”, – tregon për fillimet e tij në Shqipëri don Giuseppe. Në ambiente që pak e nga pak kishin filluar të merrnin formën e një qendre të mirëfilltë edukimi, do të fillonte dhe puna e vështirë me fëmijët dhe familjet e komunitetit.

Shqiptarët, të cilëve prej shumë vitesh u ishte shtypur besimi në Zot e fe, e kishin të vështirë t’ua besonin fëmijët e tyre disa të panjohurve të cilët pretendonin të kishin qëllime të mira dhe besimin në Zot.

Familjet e para që u hapën dyert këtyre njerëzve dhe qëllimeve të tyre të panjohura, ishin disa familje katolike të shpërngulura nga Shkodra në Lushnjë dhe që kishin ushqyer besimin në Zot fshehurazi, e kundër sistemit komunist. Pak e nga pak, vit pas viti, qendra frekuentohej gjithmonë e më shumë nga grupmosha të ndryshme fëmijësh.

Don Giuseppe drejton dhe organizon me ndihmën e profesorëve dhe animatorëve kurse të profileve të ndryshme që prej vitit 2007. Vinte nga një eksperiencë shumëvjeçare pune edukuese me të rinj të grupmoshave të ndryshme dhe kjo ndoshta do ta bënte më të lehtë punën e tij në këtë komunitet.

“I kam mëshuar fort asaj që kam besuar gjithnjë: T’i ndihmojmë njerëzit të rriten, por të rriten bashkë me të tjerët”, – shpjegon në këtë mënyrë arsyen se përse aktiviteti i tij është fokusuar te grupmoshat e reja dhe fëmijët.

“Jam përpjekur të harroj që jam italian, sepse duhej të jetoja në Shqipëri dhe me shqiptarët. Kisha me vete gjithë eksperiencën time që duhet ta përshtatja me kulturën dhe zakonet tuaja, kështu që shumë prej zakoneve të mia i ‘kyça’ diku”, – shprehet ai për mënyrën se si iu desh të përshtatej për t’i ardhur në ndihmë vetes dhe komunitetit ku do të shërbente.

Don Giuseppe tregon se mungesa e infrastrukturës ishte një problem shumë i madh në vitet e para dhe ia vështirësonte punën që duhet të bënin për të ndihmuar familjet në nevojë. Ky ishte një tjetër mision që duhej ta përmbushte përveç punës edukuese me të rinjtë. Fillimisht ai dhe shumë vullnetarë, kryesisht të moshave të reja që iu bashkuan kishës katolike në misionin e tyre fisnik, kishin në qendër të vëmendjes njerëzit me aftësi të kufizuara.

“Ishte shumë e vështirë gjetja dhe ofrimi i ndihmës për këtë kategori, pasi nuk flasim vetëm për njerëzit me aftësi të kufizuara që jetonin në qytet, por ishte sfidë më vete të gjenim ata “të harruarit”. Në fshatra ku nuk kishte rrugë makine ose që makina kalonte me shumë vështirësi dhe për t’i transportuar këta njerëz që përveç problemeve shëndetësore ishin të zhytur në varfëri duhej të paktën 2 orë drejt qytetit”. – tregon për vështirësitë e para që ka hasur.

Lexo edhe :  Kur trupi "qan për ndihmë", këto janë simptomat që tregojnë se keni shumë toksina

Por, duke parë dhe prekur çdo ditë problemet dhe varfërinë e këtij komuniteti, dëshira për të ndihmuar bëhej më e madhe dhe më i madh bëhej edhe grupi i vullnetarëve të rinj që frekuentonin qendrën edukuese dhe argëtuese në të njëjtën kohë.

Një qendër e cila frekuentohet në të gjitha periudhat e vitit nga fëmijë dhe të rinj të moshave 6-18 vjeç. Këto aktivitete jashtëshkollore kanë për synim të edukojnë brezin e ri me një tjetër kulturë, atë të jetuarit në një komunitet të shëndetshëm, ku shpesh do t’u duhet të jenë tolerantë dhe bashkëpunues.

Fëmijët kanë mundësi të ndjekin falas kurse të gjuhëve të huaja anglisht e italisht, të shprehin talentin e tyre në aktrim e kërcim. Kanë në dispozicion të plotë një fushë të madhe futbolli dhe kanë mundësi të frekuentojnë kampe verore gjatë periudhës së pushimeve.

“Patjetër që e dija rëndësinë e asaj që bënim të gjithë së bashku, punë e cila frytet e saj do t’i jepte vite më vonë, kur këta fëmijë të rriteshin dhe të merrnin në dorë jetën e tyre, por jam bindur edhe më shumë kur rastësisht kam takuar një djalë i cili tashmë ishte burrë. Gjatë bisedës që kam zhvilluar me të më ka thënë : “Jam ky që jam vetëm falë jush. Ndërkohë që shokët e mi luanin me bomba, unë luaja futboll”. Ky ka qenë një moment ku jam kthyer pas në kohë dhe kam besuar edhe më shumë në atë që kemi bërë me shumë dashuri për Shqipërinë”, – shprehet nostalgjik dhe krenar në të njëjtën kohë.

Ndërkohë që biseda rridhte normalisht nëpër kujtimet e 12 viteve të fundit, don Giuseppe më fton duke më orientuar me sy të shikoj një fotografi e cila ishte e varur pas shpinës sime. Në një sallon të thjeshtë dhe me mobilie modeste ku po zhvillonim bisedën tonë, ishte varur ndër të tjera një fotografi e 3 djemve jo më shumë se 10 vjeç. Fotografi e shkrepur në vitin ‘96 që tregonte pafajësinë dhe sytë e qeshur të këtyre djemve, ndonëse në varfëri të madhe.

“Kështu i kemi gjetur, me pantallona të mëdha që për pak mund t’u binin në fund të këmbëve, me një fetë buke në dorë dhe duke luajtur me top”, – më shpjegon me keqardhje për foton, duke më thënë ndër të tjera me modesti që ai thjesht ka vazhduar një punë që e kanë nisur vëllezërit e tij don Zeno dhe don Pietro, të vendosur në Lushnjë prej vitit ‘94.

Sot në moshën 67-vjeçare don Giuseppe mendon se rrugëtimit dhe misionit të tij në Shqipëri i ka ardhur fundi. Duke shpresuar se kjo traditë dhe punë e krijuar gjatë gjithë këtyre viteve të vazhdojë me të njëjtat ritme, dhe pse jo më mirë, do të përshëndetet me vendin tonë dhe komunitetin ku ka jetuar për shume vite.

Së shpejti do të rikthehet sërish në vendin e tij, duke lënë një pas vend shumë të dashur ku ka shërbyer për 12 vite dhe duke marrë me vete një eksperiencë të veçantë dhe kujtime shumë të bukura.

la.mi/fjala.al

 

Të fundit

Vaji i peshkut, a është zgjidhja e duhur për stresin dhe depresionin?

Ekspertët janë të mendimit se suplementët e vajit të peshkut mund të lehtësojnë simptomat e depresionit në njerëz të...

Tre shenjat e horoskopit që u japin gjithnjë para borxh miqve

Nëse i jepni një shoku apo shoqeje vetëm ca lekë borxh sepse ka harruar portofolin në shtëpi, kjo është tjetër gjë krahasuar me disa...

Meta sjell Llama 3: Çfarë ofron modeli më i ri i inteligjencës artificiale?

Meta Platforms ka lëshuar për përdorim versionet e para të modelit të tij më të ri të madh gjuhësor, Llama 3, dhe një gjenerues...

Sula ngre alarmin: Ulet numri i kafshëve në Shqipëri, po mbarojnë produktet vendase

Pak ditë më parë denoncova se si qumështi që vjen nga Hungaria po zëvendëson atë vendas dhe blegtorët në Shqipëri po braktisin fshatin e...

Burgoset fansja pasi përndoqi Harry Styles, i dërgoi 8000 letra

Një grua që i dërgoi këngëtarit Harry Styles rreth 8000 letra në më pak se një muaj, është burgosur. Myra Carvalho, 35 vjeçe, mbërriti...

Lajme të tjera

Web TV