Futboll-Qeveri, një lojë pa top…

113 563 lexime

77,309FansaPëlqeje

Katër pikat e propozuara nga Liga Profesioniste ende në diskutim me qeverinë. Çfarë pritet të ndodhë në vijim dhe pikat e takimit mes kërkesave të dhjetë klubeve të Kategorisë Superiore të futbollit dhe përfaqësuesve të pushtetit qendror.

Prej disa javësh, teksa futbolli ishte sporti i parë dhe, deri më tani, i vetëm në Shqipëri që rifitoi “qytetarinë”, duke çarë “bllokadën” e epidemisë së virusit korona, dhe duke u rikthyer në fushat e blerta, topi nuk po rrotullohet.

Një listë e përmbledhur në 4 pika, e përcjellë nëpërmjet një organi të ri, siç është Liga Profesioniste e Futbollit (LFP), që i drejtohet qeverisë dhe politikës, i ka dhënë udhë një bojkoti të pashoq në “topkëmbën” shqiptare. Megjithatë, duket se palët tanimë po konvergjojnë në një të mesme të përbashkët për t’i hapur rrugë rikthimit të shumëdëshiruar.

Në mjediset e Ministrisë së Financave, në kryeqytet, është zhvilluar të martën edhe takimi i fundit midis përfaqësuesve të Ligës Profesioniste dhe qeverisë dhe, duke folur për mediat pas këtij takimi, deputeti Fidel Ylli, i ngarkuar nga ekzekutivi për të ndërmjetësuar u shpreh: “Sot (dje) kishim takimin e dytë me Ligën Profesioniste të Futbollit.

Ishte një takim ku në të shumtën e rasteve problemet e Ligës thuajse se janë të zgjidhura, kemi ngelur vetëm te problemi i Ligjit të Sponsorizimit. Edhe ministrja ishte shumë bashkëpunuese sot.” Një gjë të tillë e ka konfirmuar edhe presidenti i Ligës Profesioniste të Futbollit, Edvin Libohova, i cili ka qenë i pranishëm në këtë takim dhe pohoi se ishte një hap në drejtimin e duhur.

Është një hap pranë zgjidhjes. Problemet që u diskutuan ishin në 2 pjesë, në 3 pikat më pak të rëndësishme, për të cilat gjetëm gjuhën e përbashkët dhe do të kemi një prononcim nga Ministria e Financave së shpejti, – ka deklaruar ai.

Ndërkohë që për Ligjin e Sponsorizimit që është dhe “thembra e Akilit” e gjithë kësaj situate, debatuam duke propozuar dhe gjetur atë që do të jetë më e mirë”. “Ditën e premte do të kemi një përgjigje përfundimtare për një zgjidhje e cila do të pranohet edhe nga komuniteti i sportit dhe futbollit, për të filluar një epokë të re, – ka vijuar Libohova. – Futbolli do të fillojë mbasi ne të kemi një përgjigje e cila do t’i kënaqë kërkesat tona.

Nuk mund të them që do të fillojë këtë javë apo javën tjetër. Nuk morëm asnjë propozim nga ministrja, vetëm diskutim. Nuk ka një variant të miratuar, në tavolinë janë 2 varjante, ai ekzistues dhe ai i propozuar nga ne. Ekspertët, bashkë me ministren po diskutojnë se cili nga variantet i kënaq ekzigjencat tona.”

Ndërkaq, deputeti Ylli ka synuar që këto propozime të shtrihen përtej futbollit. “Kërkohet një konfirmim edhe nga qeveria për faljen e gjobave, – ka vijuar ai. – Në qoftë se do të bëhet kjo, do të bëhet me një ligj specifik në Parlament.

Lexo edhe :  Intervistë ekskluzive me Brigitte Bardot: "Unë mendoj se kjo pandemi nuk ka ndodhur rastësisht, as nga një pangolinë"

Kërkon një vendim politik, nuk mund të bëhet një falje vetëm për Ligën apo për futbollin, por do të bëhet për të gjitha bizneset. Ne mendojmë që përgjigjja përfundimtare do të jepet ditën e premte, mbasi ne të bisedojmë me kryeministrin, do t’i japim zgjidhje përfundimtare gjithë këtyre problemeve që Liga ka shprehur.”

Unë e kam thënë që në fillim, që kryeministri është shefi i qeverisë, por, në fund të fundit, kryeministri punon me stafet, – ka thënë deputeti socialist, që ka qenë qenë një nga promotorët e Ligjit për Sportin.

Nuk mund të marrë vendime pa u konsultuar me ministren dhe grupin e punës. Do të jetë një vendim që sportit do t’i vlejë për një afat të gjatë.” Megjithatë, Libohova ka theksuar se futbolli “këmbëngul te varianti i vet”. “Do të presim deri ditën e premte për të marrë një përgjigje, – ka theksuar kreu i LFP-së. – Akoma nuk ka dakordësi. Nuk është e lehtë, negociatat zgjatin.”

“Variantet ministrja do t’ia propozojë kryeministrit. Përgjigjen përfundimtare e presim nga kryeministri. Varianti që ka kërkuar Liga ka brenda elasticitetin për t’u diskutuar. Nuk mund të zgjidhen me një të rënë të lapsit.

Ministria do të paraqesë shumë shpejt qëndrimin e saj për zgjidhjen e 3 pikave, që janë të pranueshme nga komuniteti i sportit. Bojkoti vazhdon deri në përgjigjen përfundimtare që të kënaqë kërkesat tona”, – ka përfunduar presidenti i Ligës Profesioniste të Futbollit, Edvin Libohova, duke folur pas takimit në Ministrinë e Financave.

Por, për Yllin, debatet sjellin zgjidhjen e problemit dhe ai është i bindur që kjo situatë do të zhbllokohet shumë shpejt. “Kur flitet për financat, gjithë ministrat dhe këshilltarët debatojnë. Jemi në një vit të vështirë, tërmet, pandemi, biznese të rrënuara dhe qeveria ka vështirësi të mëdha. Janë zgjidhur 90% e kërkesave, ka ngelur vetëm Ligji i Sponsorizimit. Ka 2 variante, varianti ynë dhe i Ligës. Të dyja variantet konvergjojnë, vetëm duhet gjetur modaliteti se si do të zgjidhet”, – ka përfunduar ligjvënësi socialist, Fidel Ylli, pas takimit me Ligën Profesioniste të Futbollit në Ministrinë e Financave.

Përtej deklaratave të të dyja palëve, gjithçka ka mbetur pezull dhe shenjat nuk janë edhe aq të mira. Nga njëra anë është pohimi i kryeministrit Edi Rama se presionet nuk funksionojnë me të, por, nga ana tjetër, qëndron një front, çuditërisht, deri më tani i unifikuar i futbollit, që kërkon zgjidhje konkrete. E midis gjithë këtij ngërçi, të martën ka qarkulluar edhe ideja e një takimi midis vetë Ramës dhe presidentit të FSHF-së, Armand Duka, një takim që pritet të vërë “pikat mbi “i”.” Të mërkurën, përtej pritjes së ethshme, nuk ka dalë asgjë, as nga Kryeministria, as nga FSHF-ja. Ende nuk ka “tym të bardhë” nga oxhaku i futbollit dhe loja më popullore në Shqipëri, ende luan pa top…

la.mi/Fjala.al

Të fundit

Anketa/ Serbët duan luftë me Kosovën, 47% e tyre të gatshëm të marrin pjesë

52 % e serbëve të anketuar thonë se Serbia duhet të ndërhyjë ushtarakisht në Kosovë në rast të një...

“Boll me mashtrime”/ Skënder Brataj i përgjigjet Bashës: Nuk e luan topi që…

Mjeku Skënder Brataj ka hedhur poshtë këto akuzat e Lulzim Bashës për fshehjen e numrit të viktimave nga Covid19, duke thënë se opozita nuk...

4 dhjetori, “dita e gjykimit” për Joakim Lëvin, Federata Gjermane thërret në apel trajnerin

Federata Gjermane e Futbollit (DFB) shpall kalendarin e vlerësimit të punës së trajnerit me përfaqësuesen. DFB-ja ka njoftuar të hënën se ka nisur analiza e...

Rriten thirrjet online për ekstremizëm pas sulmit në Vjenë

Kur një i ri në Vjenë të Austrisë, me origjinë shqiptare, kreu një sulm terrorist duke vrarë katër persona, shumë shqiptarë e dënuan sulmin. Por,...

“O njeri kot”/ Plas sherri mes vajzave të “Përputhen”

Teksa puntatën e sotme në Përputhen u dha takimi mes Sindit dhe Mevlanit, u krijuan disa debate në studio. Melisa menjëherë pas pjesës së parë...

Lajme të tjera

Web TV