Ministrja e Financave, Anila Denaj e cilësoi pozitiv faktin që Rama dhe Duka u ulën në tavolinë për të diskutuar mbi ngërçin në Kategorinë Superiore, por frenoi entuziazmin duke thënë se palët janë ende në fazën e negociatave.
Në një lidhje direkte në studion e emisionit “Sport News”, ministrja u shpreh se ligji i sponsorizimit është një rrugëtim më i qëndrueshëm.
“Me Ligën e Futbollit ndahemi me skemën se si të bëhet sponsorizimi. Ne i qëndrojmë metodologjisë së biznesit, të cilat kanë interes që të sponsorizojnë, të ndjekin Ligjin e Sponsorizimit dhe elementë të veçantë të tij të cilët po përmirësohen edhe me këtë alternativë të tretë, për të nxitur investimet. Ndërsa, Liga ka kërkuar edhe më herët, që një pjesë të shkëputet automatikisht nga tatimi i fitimit dhe të kalojë për sportin në përgjithësi dhe futbollin në veçanti. Ne mendojmë që ligji i sponsorizimit është një rrugëtim më i qëndrueshëm, më i saktë dhe më transparent. Ne i mbetemi këtij opinioni si Ministri Financash”, deklaroi Denaj.
E pyetur në lidhje me faktin që presidenti i FSHF-së, Duka, është shprehur se propozimi i qeverisë nuk prodhon asnjë të ardhur ose prodhon vetëm teorikisht, ajo u përgjigj: “Unë nuk mund të debatoj në distancë me zotin Duka. nëse do të ishte në tavolinë me ne, sigurisht që do të debatonim. Ai kishte nisur persona të tjerë përfaqësues, të cilët ishin të mendimit ndryshe”.
Prej kohësh, Kategoria Superiore është në bojkot për shkak të mosmarrëveshjeve me qeverinë. Këta të fundit kanë caktuar negociator Fidel Yllin për të arritur një marrëveshje në mënyrë që futbolli të rikthehet sërish.
Pa.Va/Fjala.al