Martiri Sadik Bejko

113 563 lexime

124,178FansaPëlqeje

Nga Edison Ypi

Sadik Bejko nuk është vetëm ai qytetari i urtë që njohim, ai bashkëbiseduesi i këndshëm, poeti i ndjeshëm, studiuesi rigoroz, pedagogu perfeksionist. Sadik Bejko është ku e ku më tepër. Sadik Bejko është një vuajtës i paepur, një martir i pamposhtur që mes flakëve të ferrit ka kaluar për së gjalli. Më 1972 martiri Sadik Bejko nuk bëri poezi për garat socialiste, traktorët që çanin ugaret, kapitalistët dhe revizionistët që Shqipërinë e zheleve dhe bunkerëve e kishin halë në sy. Martiri Sadik Bejko, 50 vjet të shkuara shkroi një poezi kushtuar një femre, “Ditët Everest të jetës sime”. Pra, ditët më të larta, ditët më të lumtura, ditët e ekstazës së jetës, ato ditë kur një të dashuruari i duket sikur ka hipur mbi Everest, dhe prej majës më të lartë të botës i flet njerëzimit. Ndërkohë që ushtria e poetëve dhe regjimentet e shkrimtarëve ditët më të lumtura dhe ekstazën e jetës nuk ja kushtonin asnjë femre, por vetëm diktatorit, martiri Sadik Bejko bëri të kundërtën. Bëri atë që nuk duhej ta bënte. Ra në prehër të armikut. Brodhi pas fustaneve të zuskave. Harroi kauzën. Fjeti mbi dafina. Me këto kujtoi se na e hodhi. Vgjilencën e proletarëve, syçeltësinë e spiunëve, smirën e inatçinjve, zilinë e intrigantëve, kujtoi se e mposhti. Pra, i tha belasë bujrum.

E çë? E ç’e gjet’ Shqipërinë krenare nga rebelimi i një poeti? E ç’u bë?

U bë ajo që në errësirën e bodrumeve të Bibliotekës Kombëtare, një arkivist, një zhuls, një anonim, një Ebu Qerim nga lukunia e lakenjve të papërtuar të regjimit, një që poezinë në fjalë nuk e lexoi (e ç’rëndësi ka poezia, femrat me fustanet e shkurtra dhe breçkat e tyre të ngushta, moda dhe të tjera, ato janë sende të kota, rëndësi ka partia, vigjilenca, revolucioni) skuthit të bodrumeve iu duk e pabesueshme që një poet, jetën e tij, ditët e jetës së tij, t’i lidhte me një mal të lartë diku në Indi. Ky titull nuk ka kuptim. Ai titull nuk bën sens. Kemi të bëjmë me një absurd, një lajthitje të këtij të lojturit që e ka shkruar, tha pisi me vete, poeti ditët nuk ia fal një mali sado të lartë. Poeti dhe populli ditët ia falin udhëheqësit që jeton më gjatë se mali më i lartë. Kështu, Ebu Qerimi i bodrumeve të Bibliotekës, me iniciativë proletare dhe zell revolucionar, për ta bërë “Everestin” “Enver” dhe “Enverin” “Everest”, titullin e ndryshoi. Nga “Ditët Everest të jetës sime”, në përputhje të plotë me përfytyrimin e vet halucinant të një spiuni bodrumesh, e bëri; “Ditët Enver të jetës time”. Pra ditët, dhe krejt jetën time, ia fal Enverit. O tmerr!

Lexo edhe :  Rasti Goro dhe konspiracioni qesharak kundër SPAK

Kaloi gjymsë shekulli.

Për të tilla dhe të tjera, martirin Sadik Bejko e detyruan të punojë nëpër kantiere dhe miniera ku spiunët dhe vigjilentët nuk iu ndanë asnjë çast. Nuk i ra ferrit pash m’pash Migjeni. Nuk punoi Migjeni nëpër miniera sovjetike dhe kantiere kineze. Migjeni lindi shëndetlig. Vajti në Pukë për ajër të pastër. Iku në Itali me u shëru. Lula t’Vocërr dhe femra që shiten duke thirr rrugëve “A do qymyr Zotni?” ka pa numërim sot e ksaj dite Londra, Parisi, Roma. Ferrit milimetër për milimetër, kryq e tërthor e rrethepërqark, i ra me dhjetëra vite martiri Sadik Bejko. Gjatë gjysmë shekulli martiri Sadik Bejko dhe askush tjetër nuk dinin çfarë kishte bërë Ebu Qerimi në errësirën e bodrumeve të Bibliotekës Kombëtare. Makabriteti grafologjik i Ebu Qerimit nuk do të ishte marrë vesh kurrë. Kur një ditë të bukur, një tjetër dishepull i krimit, censurës, deformimit, një lloj Lej Feni lindur në vitet ’80, një majmun me shtresa si qepë me cipën e sipërme oksidentale, një më bosh se boshi, një Horror Vacui rrethuar me konferenca, katedra, takime, një çapaçul modern, një gjym llamarine që godet veten e vet për me bo sa më tepër zhurmë dhe me ra sa më tepër në sy, një gjytyrym ngrehaluc nga ata që ke frikë t’ua përmendësh emrin se i bën të famshëm, bëri të njëjtën gjë si Ebu Qerimi.

Lej Feni revolucionar shqiptaresk, si i betuar para varrit të diktatorit për të mos e lënë martirin Sadik Bejko asnjë çast të qetë gjatë gjithë jetës së vet, në mënyrë të paramenduar, i futet të gërmojë e të gjejë një krim komprometues bërë në të kaluarën. Rrëmoi e rrëmoi Lej Feni ynë, gjeti titullin e ndryshuar të kontrafigurës së vet, inkuizitorit mesjetar Ebu Qerim. Vetëm titullin. Poezinë nuk e lexoi. Nuk ka rëndësi leximi. Rëndësi ka kallëzimi, spiunimi, denoncimi. Me ngutin karakteristik prej spiuni të lindur, atypëraty e akuzon martirin Sadik Bejko për hiç më pak se ka shkruar një poezi për diktatorin. E të tjera e të tjera. Boll me ndyrësira se vjen e vjella. Nga Ebu Qerimi te Lej Feni, në një vend të bukur, të pasur, dhe të mallkuar, e tmerruar në çdo çast të saj, jeta e martirit Sadik Bejko nuk mund të rrëfehet veçse me sy të përlotur.

Të fundit

Meloni zbulon bisedën me Makron për propozimin e dërgimit të trupave në Ukrainë

Kryeministrja italiane Giorgia Meloni ka zbuluar se i shprehur presidentit francez Emmanuel Macron mospajtimin e saj me komentet e...

Itali/ Ngarkesa 1 ton shkëputet nga vinçi dhe zë poshtë shqiptarin , humb jetën në vend

Një shqiptar 52-vjeçar ka humbur jetën në Itali ditën e sotme pasi një ngarkesë me materiale elektrike, me peshë rreth një ton, u shkëput...

‘Me floririn e Kërrabës ka minierë në Kongo’/ Avokati për Ilir Metën: I sëmurë psiqik…

Avokati Idajet Beqiri tha në Studio Live se Ilir Meta mori floririn e Kërrabës dhe tashmë ka blerë një minierë zinku në Kongo, me...

Gruaja përballet me burg pasi tha se ‘salca e domateve është tepër e ëmbël’ (FOTOT)

Një vajzë përballet me deri në shtatë vite burg pasi dha një vlerësim kritik online ndaj një produkti ushqimor në Nigeri. 39 vjeçarja Chioma Okoli,...

Çfarë po ndodh? Dy bashkëpunëtorët më të ngushtë të Mitsotakis japin dorëheqjen

Ky zhvillim vjen në një moment kur në parlament debatohet rreth mocionit të mosbesimit ndaj qeverisë që kanë dorëzuar 4 parti opozitare me nismën...

Lajme të tjera

Web TV