Ekskluzive/ Testet e BKH-së, “Rebelohen” 300 kandidatë, do të ankohen te Yuri Kim dhe SPAK-u

113 563 lexime

124,178FansaPëlqeje

300 kandidatët e skualifikuar në testet fizike në garën për përzgjedhjen e 60 hetuesve të BKH-së kanë hedhur akuza se kjo garë nuk ka qenë transparente. Për këto pakënaqësi, me anë të një peticioni ata pritet t’i drejtohen edhe ambasadës amerikane. Burime për gazetën “Fjala” shprehen se për sa u përket pretendimeve të tyre, kandidatët janë duke përgatitur një kallëzim penal edhe në SPAK. Shumica e të rrëzuarve në testet fizike ishin oficerët e policive gjyqësore. Referuar listës së fituesve, mësohet se asnjë nga OPGJ-të e SPAK-ut nuk arriti të kalojë në raundin tjetër.

Nga Elvis Myrta

Mbyllja e fazës së tretë për rekrutimin e 60 hetuesve që do të jenë pjesë e Byrosë Kombëtare të Hetimit, ka sjellë pakënaqësitë e para tek të skualifikuarit që shfaqën interes për t’u bërë pjesë e kësaj strukture. Në këtë fazë konkurruan 403 kandidatë që synonin të bëheshin pjesë e të ashtuquajturës “FBI-ja shqiptare”, por vetëm 103 prej tyre mundën të kalonin në fazën tjetër.

Të skaulifikuarit në këtë fazë nuk e kapërdinë lehtë “ngeljen në klasë”. Disa prej tyre, të kontaktuar nga gazeta “Fjala”, janë shprehur të pakënaqur, ku kanë theksuar se kjo fazë ka qenë jo transparente. Gjithashtu, ata janë shprehur se me anë të një peticioni do t’i drejtohen ambasadës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës, ku do të parashtrojnë ankesat dhe pakënaqësitë e tyre. Njëri nga 300 kandidatët e skualifikuar në testet fizike, u shpreh për gazetën “Fjala” se kandidatët e kualifikuar në testin logjik kanë marrë më pak pikë se kandidatët e skualifikuar.

“Ka nga ata persona që, edhe pse kanë arritur të marrin pikët minimale në testin logjik, kanë arritur të kualifikohen në fazën tjetër. Nuk mund të them nëse komisioni i monitorimit më ka ngrënë pikë apo jo gjatë testeve, por unë i kam kryer të gjitha ushtrimet e këtij testi”, është shprehur një nga të skualifikuarit.

Një tjetër nga kandidatët e eliminuar pretendon se në këtë fazë të garës nuk ka pasur transparencë, pasi kandidatëve nuk u janë bërë me dije kriteret e përcaktuara për sa u përket pragut të pikëve në disiplinat e testit fizik.

“Gjatë testeve neve nuk na është komunikuar se sa pikë ka një disiplinë. Pra, nuk e di se sa pikë kishin pompat, vrapimi dhe ushtrimet e tjera. Në fund të testit na është komunikuar se duhet të merrnim pikë në të gjitha disiplinat. Kjo fazë nuk ka qenë transparente”, tha për gazetën “Fjala”, një tjetër prej kandidatëve të skualifikuar.

Sipas informacioneve të siguruara nga gazeta, mësohet se kandidatët e skulifikuar janë duke përgatitur një kallëzim penal për manipulim të rezultateve, kallëzim të cilin në ditët në vijim do ta depozitojnë në SPAK. Ndërkohë, referuar listës që BKH-ja publikoi në faqen e saj zyrtare të fituesve, rezulton se në testet fizike nuk ka mundur të kalojë asnjë prej oficerëve të policisë gjyqësore të SPAK-ut, të cilët janë të njëjtët që kanë qenë edhe në ish-Prokurorinë për Krime të Rënda.

Sipas informacioneve që gazeta “Fjala” ka siguruar, këta të fundit kanë marrë më shumë se 12 pikë në testet e arsyetimit logjik. E njëjta gjë ndodhi edhe me oficerët e policisë gjyqësore që punojnë në Prokurorinë e Tiranës apo atyre të rretheve, që kishin aplikuar për t’u bërë pjesë e BKH-së, ku nuk kanë mundur të kalojnë testet fizike. Sipas informacioneve, këtë fazë e ka kaluar vetëm një OPGJ.

Fituesit

Aplikantët që kaluan me sukses testet fizike, vijnë nga profesione të ndryshme. Nisur nga emrat që BKH-ja ka publikuar në faqen e saj zyrtare, shumica e aplikantëve që janë kualifikuar në fazën tjetër vijnë nga shoqërie civile. Por nuk mungojnë edhe emra të njohur nga radhët e policisë, shumica e të cilëve kanë një eksperiencë disavjeçare në radhët e Policisë së Shtetit. Mes uniformave blu që janë bërë pjesë e kësaj gare ka edhe nga ata që janë me gradën komisar apo që kanë mbajtur pozicione drejtuese në polici. Ndër efektivët që janë ende në garë për t’u bërë pjesë e institucionit më të rëndësishëm të drejtësisë mund të përmendim Elton Kerlukun, i cili mban detyrën e shefit të zyrës kundër krimit kompjuterik në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit.

Gjithashtu, ende në garë është edhe Lindita Nushi, e cila ka qenë drejtoreshë e kufirit dhe migracionit. Por nuk mbeten pas as Bledar Halilaj, zv.shef i policisë kriminale, Julian Malaj, specilalist antiterrori; Fatbardh Kuliçi, zv.komandant i njësisë speciale antieksploziv në Policinë e Shtetit, nënkomisari Venetik Zhuli, Ervin Ballaci, që ka mbajtur detyrën e shefit kundër krimit në Elbasan apo edhe Fatbardha Menalla, Uskana Lleshi, Bledi Gjonaj, Sokol Xhibija e Altin Zeqiraj që janë efektivë policie në qytete të ndryshme të vendit. Gjithashtu, në garë janë edhe Bilbil Sulo e Algert Çekrezi, nga Akademia e Policisë. Por, përveç fushave të lartpërmendura, në garë janë edhe disa juristë.

Por pretendentët për t’u bërë hetues i BKH-së ka edhe nga radhët e Gardës dhe policia ushtarake. Në garë për 60 vende janë edhe disa sekretare të gjykatave të rretheve. Në këtë mënyrë testet fizike mundi t’i kalojë, Olivia Myftiu, e cila aktualisht punon si sekretare në Gjykatën Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar. Një tjetër kandidate është edhe Esmeralda Geca, sekretare në gjykatën e Kukësit dhe Anisa Duka, e cila punon si sekretare në Gjykatën e Gjirokastrës. Të gjithë fituesit që do të bëhen pjesë e institucionit më të ri të drejtësisë do të hetojnë krimin e organizuar dhe korrupsionin, ndërsa do të ketë një sërë sektorësh që do të merren me krimin financiar, deklarimet e pasurive, gjurmimin e parave etj. Për këtë arsye në BKH do të merren specialistë të fushave nga më të ndryshmet. Një tjetër element është se shumica janë të rinj e të reja, me ambicie që të bëhen pjesë e organit më të rëndësishëm në luftën ndaj korrupsionit.

Fazat që kanë kaluar deri më tani aplikantët

Numri i aplikantëve për t’u bërë pjesë e institucionit më të rëndësishëm të drejtësisë, ishte mjaft i lartë. Thirrjes për t’u bërë pjesë e Byrosë Kombëtare të Hetimit iu përgjigjën 653 persona.

Në fazën e parë aplikantët plotësuan një formular o- line, ku komisioni i vlerësimit mori për bazë vetëm kriteret bazë. Në fazën e parë kandidatët u vlerësuan në bazë të dosjes, nëse i kishin dorëzuar të gjitha dokumentet apo jo. Në këtë fazë të parë, përveç atyre që kishin mangësi në dokumentacion, u skualfikuan edhe ata kandidatë që nuk kishin eksperiencë dhe përvojë në polici dhe drejtësi penale.

Lexo edhe :  ''Koha që qytetarët të bëhen bashkë''/ Bardhi përkujton 26 Marsin: Të sjellim ndeyshimin

Kujtojmë që nga 653 persona që shfaqën interes për t’u bërë hetues të BKH-së, vetëm 424 prej tyre arritën të kalonin në fazën tjetër.

Në fazën e dytë kandidatët iu nënshtruan testit të arsyetimit logjik. Këtë provim kandidatët e zhvilluan më 14 tetor. Për shkak edhe të situatës së pandemisë, provimi u zhvillua në dy orare të ndryshme. Në orën 09:00 të mëngjesit, në provim hynë 200 kandidatët e parë, ku vetëm 7 prej tyre nuk mundën ta kalonin me sukses atë. Ndërsa në orën 14:00 për t’iu përgjigjur pyetjeve të këtij testi hynë 224 kandidatët e tjerë. Edhe ky grup iu përgjigj saktë pyetjeve, dhe vetëm 14 prej tyre nuk arritën të merrnin pikët minimale të këtij testi. Për kalimin në fazën tjetër çdo kandidati i nevojiteshin të paktën 12 pikë. Pra, nga 424 aplikantë që kaluan fazën e parë 403 kandidatë arritën t’u përgjigjeshin saktë pyetjeve, ndërsa 21 prej tyre nuk mundën të merrnin pikët minimale për të kaluar në fazën tjetër.

Faza e tretë ishte ajo e testeve fizike. Në këtë fazë kandidatët u testuan për aftësitë fizike që përfshinin testim në palosje, sprint 300 m, pompa dhe vrapim 2,4 km. Pas fazës së tretë nga 424 kandidatë që garuan për t’u bërë pjesë e Byrosë Kombëtare të Hetimit, vetëm 103 arritën të kualifikohen për në fazën tjetër. Por për t’u zgjedhur 60 emrat më të mirë që do të jenë pjesë e “FBI-së shqiptare”, kandidatët do të kalojnë edhe faza të tjera vlerësimi. Pas testimit për shkrimin e eseve që do të zhvillohet sot, kandidatët do të vlerësohen për pasurinë. Ata do t’i nënshtrohen një vetingu, ku do të deklarojnë çdo pasuri që kanë ata dhe të afërmit e tyre. Pas kësaj, kandidatët që do të përzgjidhen do t’i nënshtrohen testit të poligrafit ose makinës së të vërtetës. Plani është që në fund të këtij muaji të jetë mbyllur vlerësimi i kandidatëve dhe BKH-ja të dalë më një listë të plotë të emrave që janë përzgjedhur.

103 kandidatët për 60 vende, sot zhvillohet provimi me shkrim

Sot në Pallatin e Kongreseve kandidatët që kanë arritur të kalojnë me sukses tri fazat e para për t’u bërë pjesë e Byrosë Kombëtare të Hetimit do të testohen me shkrim. Aplikantët do t’i nënshtrohen një provimi të zgjeruar me shkrim që mat aftësitë e shkrimit të raporteve, si dhe nivelin e shkrimit dhe të leximit. 103 personat që do të “luftojnë” për 60 vendet e BKH-së, do të paraqiten në orën 08:00 të mëngjesit në ambientet e Pallatit të Kongreseve.

Në njoftimin e publikuar në faqen on line të BKH-së, thuhet se të gjithë kandidatët duhet të jenë të pajisur me maska, për shkak edhe të situatës së pandemisë. Kandidatët para se të hyjnë në testin me shkrim, do të regjistrohen duke paraqitur një dokument identifikimi me fotografi (pasaportë ose kartë identiteti). Dokumenti i identifikimit do të krahasohet me gjeneralitetet e parashikuara në listën emërore. Pasi të hyjnë në sallën ku do zhvillohet provimi, atyre do t’u jepen udhëzime për zhvillimin e testit. Kandidatët gjatë zhvillimit të testit me shkrim, në ambientin ku zhvillohet testimi, nuk lejohet të mbajnë telefona celularë, pajisje elektronike, libra ose shënime.

Gjithashtu, atyre nuk u lejohet asnjë lloj komunikimi me kandidatêt e tjerë, pasi kanë hyrë në ambientin ku zhvillohet testimi. Mosrespektimi i këtyre rregullave dhe udhëzimeve të tjera të dhëna nga vëzhguesit, do të rezultojnë në largimin e menjëhershëm të kandidatit dhe skualifikimin e tij, duke e ndërprerë garën për t’u bërë pjesë e Byrosë Kombëtare të Hetimit. Testi i esesë me shkrim zhvillohet për të demonstruar nivelin e aftësive në shkrim dhe këndim, përdorimin e MS Word, arsyetimin logjik dhe aftësinë për të artikuluar idetë me shkrim. Më pas ata do të intervistohen nga një komision që mat aftësitë e komunikimit verbal, si dhe aftësitë për t`i komunikuar idetë me efiçencë. Pas të gjitha këtyre testimeve, kandidatët fitues do të përballen me makinën e së vërtetës, e cila është edhe faza e fundit.

Yuri Kim: Procesi i vështirë, për të gjetur më të mirët

Ambasada amerikane në Tiranë, pas mbylljes së fazës së tretë për përzgjedhjen e kandidatëve për Byronë Kombëtare të Hetimit, atë të testeve fizike, reagoi në Twitter, duke uruar kandidatët që arritën të kalojnë në raundin tjetër. “Urime kandidatëve të cilët kaluan në raundin tjetër të procesit së përzgjedhjes për Byronë Kombëtare të Hetimit”, shkroi ajo.

Po ashtu, në postim ajo theksoi se jo të gjithë ia dolën, pasi procesi ishte i vështirë. “Jo të gjithë ia dolën, sepse procesi është i vështirë, por i domosdoshëm, për të gjetur më të mirët e Shqipërisë”, thuhet në njoftimin ambasadës amerikane.

Kujtojmë se mesditën e së premtes përfundoi procesi i testit për aftësitë fizike dhe përzgjedhja e kandidatëve që do ta vazhdojnë garën më tej. Përzgjedhja për 60 emrat që do të jenë pjesë e kësaj strukture po ecën me ritme të shpejta.

Sipas informacioneve që gazeta “Fjala” ka siguruar, institucioni më i ri i drejtësisë pritet të jetë plotësisht gati në fund të vitit dhe në fillim të vitit 2021 ai të nisë punën. Pas përzgjedhjes 60 hetuesit do të shkojnë në SHBA për trajnim. Më pas FBI-ja dhe Departamenti i Drejtësisë do të sjellin ekspertë në Tiranë, që do të zhvillojnë trajnime dhe do të instalojnë pajisje speciale që do të dhurohen nga SHBA-ja. Akademia e Trajnimeve, ku do të shkojnë hetuesit e BKH-së, ndodhet në Uashington dhe është një strukturë kombëtare me shërbime të plota, ku përfshihen salla konferencash dhe klasa, dhoma për të fjetur, vende për të pushuar, palestër, pishinë, bibliotekë dhe një sallë ngrënieje.

Hetuesit e BKH-së do të trajnohen atje për të identifikuar dhe luftuar tendencat e politikës, ekonomisë a të faktorëve të tjerë të jashtëm që ndërhyjnë në punët e brendshme të policisë. Trajnime do të ketë, po ashtu, edhe për të shmangur ndikimin e organizatave kriminale në radhët e policisë dhe të hetuesve. Shtetet e Bashkuara të Amerikës, jo vetëm do t’i trajnojnë hetuesit e BKH-së me metodat që përdor FBI-ja, por njëkohësisht do ta mbështesin strukturën e re edhe në anën logjistike. Byroja Kombëtare e Hetimit do të zëvendësojë Policinë Gjyqësore të Krimeve të Rënda. Ky organ do ketë akses në përgjime, në sistemet elektronike dhe në çdo gjë tjetër që konsiderohet e vlefshme për hetimet.

Të fundit

Rekord/ Biden mblodhi rreth 25 milionë dollarë në fushatën e tij në Nju Jork

Presidenti amerikan Joe Biden mori pjesë në një mbledhje fondesh për fushatën e tij presidenciale në Nju Jork së...

Rikthehet kaosi në kufirin me Shqipërinë, doganat greke paralajmërojnë grevë 48-orëshe

Nga data 2 prill në orën 08.00 të mëngjesit, për 48 orë, do të paralizohet lëvizja në pikat kufitare me Shqipërinë. Kjo pasi doganat...

Dasmë në Big Brother, Heidi dhe Romeo do të martohen

Heidi dhe Romeo pas një shkëputje të lidhjes së tyre u ribashkuan fill pas spektaklit të së martës, ku shkëmbyen puthje dhe përqafime. Dyshja simpatike...

Papa Françesku thyen traditën, lan dhe puth këmbët e grave të burgosura në Romë

Sot është e Enjtja e Madhe për besimtarët katolikë dhe ashtu siç e do tradita, Papa Françesku ka larë këmbët e 12 grave në...

Aplikacioni i motit bëhet viral, paguan pushimet tuaja nëse bie shi

Është e thjeshtë: Ju rezervoni një udhëtim, blini një ” WeatherPromise” dhe merrni një rimbursim nëse moti ju prish planet. “WeatherPromise” është një aplikacion i...

Lajme të tjera

Web TV