Korrupsioni shpjeguar të rinjve që e kanë për zemër të ardhmen e vendit të tyre

113 563 lexime

77,309FansaPëlqeje

Nga Roland Qafoku

Korrupsioni kutërbon. Korrupsioni është mëma e të gjitha të këqijave. Korrupsioni është dramë ekonomike. Korrupsioni helmon shoqërinë. Korrupsioni vjedh të varfrit për t’u dhënë të pasurve. Korrupsioni vjedh demokracinë dhe i hap një plagë asaj. Korrupsioni është sëmundje e rëndë shoqërore. Korrupsioni i merr frymën ekonomisë. Korrupsioni për disa është mënyrë jetese. Korrupsioni vjedh të ardhmen. Korrupsioni është krim i të rriturve dhe jo i studentëve dhe i nxënësve. Korrupsioni shkatërron natyrën e bukur.

Nuk ka asnjë përkufizim më të saktë, më konkret, më krahasues, më përshkrues se këto 12 fjali. Madje, ky përkufizim mund të vazhdojë shumë më gjatë, por Raffaele Cantone dhe Francesco Caringela nuk janë mjaftuar duke e sjellë atë si një formulë empirike. Dy italianët e njohur kanë bërë epikrizën e plotë të sëmundjes më të rëndë dhe më me pasoja që ka një shoqëri. Në librin “Korrupsioni shpjeguar të rinjve që e kanë për zemër të ardhmen e vendit të tyre”, i pari komisar policie dhe i dyti kryetar i Autoritetit Kombëtar të Antikorrupsionit, kanë skanuar shumicën e casus-eve që kanë ndodhur vitet e fundit në Apenine, pasojat e mëdha që kanë sjellë, por edhe arsyet dhe, ç’është më e rëndësishmja se si dilet nga kjo situatë e helmuar. Është një libër i shkruar për Italinë, por kur e lexon të duket sikur është shkruar për Shqipërinë.

Korrupsion në politikë. Korrupsion në shëndetësi. Korrupsion në arsim. Korrupsion me tenderë. Korrupsion në menaxhimin e plehrave. Korrupsion në ndërtim. Korrupsion me rindërtimin e pasojave nga tërmeti. Si një abetare e njohjes së korrupsionit deri në rrënjë, korrupsioni italian ngjan si dy pika uji me korrupsionin shqiptar, aq sa të shtyn të hamendësosh nëse e morëm ne nga Italia, apo Italia e kopjoi nga ne. I vetmi ndryshim është se në Itali janë me dhjetëra procese, me qindra të arrestuar dhe me dhjetëra e qindra vjet burg për zyrtarë, gjyqtarë, profesorë e deri ministra e kryeministra.

Vetëm operacioni “Duart e pastra” ose “Tangentopoli” në vitin 1992, në Milano solli supergoditje ndaj atyre që cilësoheshsin deri në ato momente të paprekshëm. Prokurori Antonio Di Pietro u bë i famshëm, sepse arrestoi Mario Kiezën, drejtorin e Azilit Shtetëror, i njohur në Milano me emrin “Baggina”. Por jo vetëm kaq. Procesi XXL u shoqërua me 3200 persona të hetuar, 2575 të nxjerrë para drejtësisë dhe 577 të dënuar, mes tyre kryeministra, ministra, kryetarë partish, kryebashkiakë etj. Të gjitha këto vetëm nga gjykatësit milanezë, aq sa pati një ndryshim të thellë në piramidën politike, saqë u tha se mbaroi Republika e Parë dhe nisi Republika e Dytë.

Ndërsa në Shqipëri, edhe pse korrupsioni është në çdo qelizë, jeta vazhdon me një korrupsion të ri. Këtu kemi një panoramë që ka për të denjë titullin: Nga korrupsioni vijmë në korrupsione shkojmë. Duket sikur të gjithë janë të korruptuar dhe kjo sjell atë perceptim se kur je vetë pis, nuk të shkon mendja se ka edhe njerëz të pastër.

Megjithatë, ky libër model ka vlerë për vendin tonë se si mund të dilet nga kjo situatë. I përkthyer mjeshtërisht nga Alina Karaulli dhe botuar nga Shtëpia Botuese “Pegi”, botimi i këtij libri është bërë i mundur nga “AK Invest-Money Gram” me konceptin se drejtuesi i saj, Ilir Adili, mbështet përherë botime kaq të vlefshme për lexuesit.

Po si penetron korrupsioni në një shoqëri? Si i tërheq zyrtarët? Si funksion ai dhe si realizohet? Si ta kuptojmë korrupsionin dhe me cilin fenomen natyror mund ta krahasojmë atë që të mund të kuptohet më mirë.

Të dy autorët kanë bërë edhe një përkufizim tjetër mbështetur në këto pyetje. Sipas tyre, imazhi që përshkruan më së miri korrupsionin është ai i një lumi karstik, pra ai lumë që për segmente të gjata zhytet dhe askush nuk e sheh, vetëm për të dalë herë pas here, me forcën shpërthyese të një rrjedhe ujore të rrëmbyeshme. Gjatë periudhës kur lumi zhytet në tokë, të shumtë janë ata që bëjnë çmos ta shpërfillin ekzistencën e tij. Shpesh shtiren sikur nuk e dinë që lumi është i fshehur, por ai ekziston që ç’ke me të.

Dhe pasoja më e rëndë që sjell korrupsioni është dëshpërimi më i madh që mund ta pushtojë shoqërinë, është dyshimi se të jetosh me ndershmëri, është e kotë. Sepse mbi të gjitha, për të fituar një tender, duhet të vajisësh një rrotë që është një politikan. Edhe Corrado Alvaro që ka nxjerrë këtë perlë nga repertori i vet nuk është shqiptar. Është një italian safi. Pikërisht mbi këtë bazë është mbëbshteir Francesco Caringella, dikur komisar policie dhe gjykatës penal në Milano gjatë procesit ”Me duar të pastra” dhe Raffaele Cantone, kryetar i Autoritetit Kombëtar të Antikorrupsionit.

Lexo edhe :  Infektohet me Covid-19 drejtori i Policisë së Shtetit, Ardi Veliu

Po përse dy autorët e quajnë korrupsionin që bëjnë të rriturit si pengesë për të ardhmen e të rinjve? Konkluzioni që ata nxjerrin është se korrupsioni i pengon të rinjtë të afirmohen në Itali, në bazë të meritave të tyre dhe i detyron ta kërkojnë gjetkë udhën drejt lumturisë. Nuk është rastësi që në shtetet më të korruptuara rritet papunësia e të rinjve, bëhen më pak fëmijë, shtohet braktisja e shkollës, regjistrohet një rritje e arratisë së trurit të vendit jashtë, ulet numri i të rinjve që vijnë nga vendet e tjera, zhduken kapitalet e huaja, përhapet pesimizmi. Dhe një vend që nuk ka shpresë, nuk është i përshtatshëm për të rinjtë.

Po përse ka dallime të korrupsionit me krimet e tjera? Sepse një vjedhje, grabitje dhe vrasje është e lehtë t’i zbulosh, sepse përherë ka një viktimë. Ajo vetë ose të afërmit janë të interesuar ta denoncojnë këtë krim. Ndërsa korrupsioni nuk ka viktimë. Ose, më saktë, viktimë është shteti dhe jo një individ, që mund të ketë interes për të denoncuar. Dhe ligjet që e përbëjnë atë janë tregues edhe më i keq, sepse nuk janë problem ligjet, por zbatimi i tyre. A doni të dini se çfarë mendojnë për ligjet disa dijetarë dhe koka të mençura. “Shumë ligje, shumë korrupsion”, paralajmëronte gjykatësi romak Cornelli Taciti. “Ligjet e tepërta nuk thonë kurrë asgjë”, deklaronte dramaturgu irlandez Berndard Show. “Ligjet e shumta dhe komplekse janë fatkeqësi publike”, shtonte Einaudi. Mjaftojnë këto tri thënie për të kuptuar ata që bërtasin se duhen ndryshuar ligjet.

Dhe tani vijmë te kulmi i kulmeve në aferat korruptive. E para te përpunimi i plehrave dhe e dyta te rindërtimet nga tërmeti. Autorët përkufizojnë se ekomafia është benzina kryesore që mundëson lulëzimin e bizneseve të mëdha. E për më shumë se kaq, plehrat janë flori. Por më fitimprurëse rezultojnë emergjencat sociale. E ashtuquajtur mafia kryeqytetase, korrupsioni në komunën e Romës kaloi çdo parashikim kur dolën në dritë përgjime telefonike të dy biznesmenëve natën e tërmetit në Aquilla, ku u bashkuan katastrofa mjedisore, krimi dhe korrupsioni që natën e tërmetit qeshnin pa pikë turpi, para një qyteti të katandisur në një grumbull gërmadhash. Pse? Sepse ishin të bindur që nga rindërtimi i banesave do të fitonin lumenj parash.

Nuk ka ndodhur kurrë më parë që për këtë plagë të shoqërisë, më 21 mars 2015, papa Françesku t’u drejtohej besimtarëve me fjalët: Një i krishterë që e bën të vetin korrupsionin, nuk është i krishterë. Për të kujtuar fjalët e një pape tjetër që hodhi tezën besimtare: Mëkatarë po, të korruptuar jo, duke vijuar me fjalët lapidare se korrupsioni është e kundërta e krishterimit. Dhe vijmë sërish te plaga më e madhe, ajo e arratisjes së të rinjve nga vendi, ku nuk mund të jetojnë dot, duke kujtuar thënien e Jim Morrison-it se në këto kohëra, arratia është i vetmi mjet për të ëndërruar ende.

A e dini se 50 mijë të rinj italianë regjistrohen çdo vit në universitete të huaja, si në Britani dhe SHBA? Dhe a e dini se cila është arsyeja? Autorët e kanë gjetur përgjigjen: Pse të mbaj mbi supe përgjegjësinë e një vendi që nuk rritet, i zhytur në korrupsion që nuk i financon universitetet. Çdokush sot në politikë justifikohet duke thënë se sot bota është e lirë dhe çdokush mund të shkojë të jetojë ku të dojë.

Por analizën e bën Antonio Iavarone-s i cili thekson: Është e drejtë të bësh përvoja jashtë vendit, por kur një studiues shfaq talentin e tij, duhet ta kthejmë në atdhe. Te ne janë më të mirët, ata që hasin vështirësitë më të shumta. E dinë që janë më të zotët dhe presin më shumë. Por që të kthehen duhet t’i nënshtrohen të fuqishmit të radhës dhe t’i deklarojnë besnikëri këtij apo atij. Dhe sigurisht që kjo lidhet më të rinjtë, atyre që u është vrarë shpresa dhe që ikin nga atdheu i korruptuar, sepse nuk gjejnë të ardhme.

Të rinjtë dhe vetëm ata janë viktima të korrupsionit, sepse ky ves, kjo plagë dhe kjo sipërmarrje e keqe është vepër e të rriturve. Se në fund të fundit, drejtësia është besimi te drejtësia. Ky libër vërtet është një abetare. Lexojeni!

Të fundit

Sakrificat që një grua nuk duhet t’i bëjë kurrë për një burrë

Shpesh, duke u përpjekur të mbajnë një marrëdhënie dhe t’i pëlqejnë një burri, gratë bëjnë disa lëshime dhe sakrifica,...

Di Maio flet shqip: Drejt Europës së përbashkuar. Rama: Shqipe perfekte me dialekt napolitan

Ministri i Punëve të Jashtme dhe Bashkëpunimit Ndërkombëtar Italian, Luigi Di Maio në mbyllje të fjalimit të tij gjatë konferencës së përbashkët me kryeministrin...

SHBA i kujton ish-kryeprokurorit Llalla vendin në “listën e zezë” të DASH-it

Ish-kryeprokurori Adriatik Llalla është shpallur i pandehur nga vendimi i djeshëm i Gjykatës së Posaçme, si dhe hoqi sekuestron e pasurisë. Pas këtij vendimi ka...

Krishtlindje: Dekorimet më në modë për një shtëpi festive

Qirinj, drita, shirita dhe shumë më tepër: mjafton një prekje e vogël e krijimtarisë për t'i bërë Krishtlindjet në shtëpi edhe më të veçanta...

Këngën e Krishtlindjeve këtë vit Mariah Carey s’do ta këndojë vetëm

Apple TV + dhe Mariah Carey kanë njoftuar se festat këtë vit do të mbërrijnë zyrtarisht me një prodhim epik të titulluar "Mariah Carey's...

Lajme të tjera

Web TV