Vendimi: Lufta kundër burokratizimit, nëpunësit 30 ditë në prodhim

113 563 lexime

124,178FansaPëlqeje

ARKIVI / Letra e Komitetit Qendror dhe vendimin e Byrosë Politike, mbi disa masa për organizimin e pjesëmarrjes së punonjësve të punës mendore, drejtpërdrejt në punën prodhuese.

 Nëse qëndronin nëpër zyra kish rrezik të “mykeshin”. Të paktën ky ishte mendimi i drejtuesve të lartë të partisë dhe të shtetit për pjesën e intelektualëve dhe burokratëve të fundviteve ‘60 në Shqipëri. Dhe që të mos “mykeshin” zyrave që në atë kohë ishin pa ajër të kondicionuar, u mor një vendim, meqenëse në atë kohë edhe Revolucioni Kulturor Kinez ishte nëpër këmbë.

Zbardhet dokumentacioni i plotë i vendimit nr.58, Byroja Politike e KQ të Partisë së Punës të Shqipërisë, mbi disa masa për organizimin e pjesëmarrjes së punonjësve të punës mendore, drejtpërdrejt në punën prodhuese, Byroja Politike e KQ, përmes një vendimi të datës 22.04.1967, për herë të parë lëshon disa masa për organizimin më të mirë të pjesëmarrjes së punonjësve të punës mendore drejtpërdrejt në punën prodhuese.

Në këtë kohë shpallen dhe aksionet e mëdha kombëtare dhe lokale. Nga njëra anë dukej se qëllimi ishte krejt pragmatist, që intelektualët të njiheshin më nga afër me jetën dhe punën e punëtorëve e të fshatarëve, për të luftuar “burokratizmin dhe ideologjinë borgjeze e revizioniste”. Kongresi i Pestë, i mbajtur në këtë periudhë, u bë flamuri i zbatimit të vendimeve të Byrosë Politike, duke i dhënë një format më të gjërë vendimet që mereshin nëpër zyra.

QËLLIMI

 Partia e Punës e Shqipërisë

Byroja Politike e KQ

Vendim Nr. 58 Datë 22.04.1967

Mbi disa masa për organizimin më të mirë të pjesëmarrjes së punonjësve të punës mendore drejtpërdrejt në punën prodhonjëse

1 – Mjekët dhe projektuesit gjysmën e kohës së punës prodhonjëse ta përdorin për punë të profilit të tyre në fshat në qendrën e punës ku do të kryejnë punën në prodhim.

2 – Arsimtarët që marrin pjesë në zbore, në kohën e punës drejtpërdrejt në prodhim, t’u llogaritet edhe puna në prodhim që bëjnë me nxënësit.

3 – Punonjësit e dobët fizikisht, por që nuk përjashtohen nga puna në prodhim, të caktohen në punëra më të lehta.

4 – Mbledhja e përgjithshme e kooperativistëve, në rast se dëshiron, mund të vendosë sanksione kundrejt atyre që nuk e kryejnë detyrën e caktuar për pjesëmarrjen në punën prodhonjëse, duke u zbritur nga shpërblimi ditët që ata nuk kanë kryer në prodhim, sikurse edhe mund të mos vendosi për një gjë të tillë.

5 – Brigadierët në kooperativat bujqësore kryejnë 150 ditë pune kalendarike në vit drejtpërdrejt në prodhim (duke kryer në një ditë kalendarike jo më pak se një ditë pune të normuar), dhe të shpërblehen sipas rregullores-tip të kooperativave bujqësore. Në qoftë se ata nuk e kryejnë detyrën e caktuar për pjesëmarrjen drejtpërdrejt në punën prodhuese, atëherë asambleja vendos që atyre t’u zbriten në fund të vitit, për llogari të shpërblimit, ditët e punës që ata nuk kanë kryer në prodhim.

6 – Në kooperativat bujqësore që kanë më pak se 100 hektarë tokë nën kulturë, si drejtuesit dhe punonjësit e administratës, ashtu edhe brigadierët, të punojnë çdo ditë në prodhim, bashkë me kooperativistët e tjerë, duke kryer gjatë vitit jo më pak se mesataren e ditëve të punës që kryejnë kooperativistët që ata drejtojnë dhe të shpërblehen sipas rregullores-tip të kooperativave bujqësore. Në qoftë se ata nuk e kryejnë detyrën e caktuar për pjesëmarrjen drejtpërdrejt në punën prodhuese, atëherë asambleja vendos që atyre, për llogari të shpërblimit, në fund të vitit t’u zbriten ditët e punës që ata nuk kanë kryer në prodhim, me përjashtim të ditëve që mungojnë për arsye të thirrjes me shërbim nga organet shtetërore dhe të partisë.

 

AQSH. Viti 1967

TOLERIMI

Gratë e martuara, 50% më pak punë prodhuese se burrat

“Në të gjitha rastet, qoftë për ndërmarrjet shtetërore, qoftë për kooperativat bujqësore, kuadrot gra të martuara, që janë me funksione drejtuese ose në aparatin administrativ, të marrin pjesë drejtpërdrejt në punën prodhuese në masën 50% më pak, në krahasim me ditët e punës që duhet të kryejnë burrat në prodhim. Komitetet dhe organizatat bazë të partisë, si dhe organet shtetërore, të ndjekin nga afër kryerjen e punës drejtpërdrejt në prodhim dhe në fund të vitit të shqyrtojnë përfundimet e arritura, me qëllim që të përgjithësohet më tej përvoja që do të fitohet për një organizim më të mirë të kësaj pune në të ardhmen. Byroja Politike shpreh bindjen se organizatat bazë të partisë dhe ato të masave, organet shtetërore dhe ekonomike si dhe gjithë punonjësit, do të marrin të gjitha masat për ta organizuar në mënyrë shembullore këtë punë dhe për të siguruar suksesin e plotë të saj në lëmin politik, ideologjik dhe ekonomik”.

 FJALA E ENVER HOXHËS

 Njerëzit e karrigeve, 30 ditë në prodhim

 Vetë Enver Hoxha, me autoritetin e Sekretarit të Parë të KQ të PPSH firmos vendimin e prillit të 1967 për nisjen e aksionit të madh kombëtar dhe lokal. Të gjithë kuadrot e punonjësit e punës mendore, ishin të detyruar të bënin 30 ditë pune në vit, drejtpërdrejt në prodhim. Nisma e parë e këtij vendimi bëhet Rrethi i Lezhës, ku kuadrot vendosin të bëjnë 100 ditë pune në vit, drejtpërdrejt në prodhim. Më poshtë botohet dokumenti i plotë i dalë nga Byroja Politike e KQ, firmosur nga Enver Hoxha dhe Hysni Kapo.

 Partia e Punës e Shqipërisë

Byroja Politike e KQ

 Vendim Nr. 58, datë 22.04.1967, “Mbi disa masa për organizimin më të mirë të pjesëmarrjes së punonjësve të punës mendore drejtpërdrejt në punën prodhuese!”.

Lexo edhe :  Tiranë/ Agjencia e udhëtimit mashtron qytetarët, u merr lekët dhe i lë pa biletë

 Organet e Partisë, të Shtetit dhe të ekonomisë, duke u mbështetur në orientimet e Byrosë Politike të vitit të kaluar për riorganizimin e punës fizike, bënë përpjekje që pjesëmarrja e kuadrove dhe e punonjësve të administratës në punën drejtpërdrejt prodhuese, të shërbente për edukimin revolucionar dhe kalitjen e tyre fizike, për t’u njohur më nga afër me jetën dhe punën e punëtorëve e të fshatarëve, për të luftuar burokratizmin dhe ideologjinë borgjeze e revizioniste.

Kuadrot dhe punonjësit tanë, jo vetëm që e mirëpritën riorganizimin e pjesëmarrjes drejtpërdrejt në punën prodhuese, por në luftë për të vënë në jetë vendimet historike të Kongresit të 5-të të Partisë, lindën edhe iniciativa të tjera revolucionare për zgjerimin e pjesëmarrjes së tyre në punën prodhuese. Me një vlerë të madhe dhe përmbajtje të thellë ideologjike është iniciativa e kuadrove drejtues dhe e punonjësve të administratës së kooperativës bujqësore të Trashanit, në Rrethin e Lezhës, për të bërë 100 ditë pune në vit drejtpërdrejt në prodhim dhe ajo e kuadrove drejtuese dhe e punonjësve me të cilën janë ngarkuar.

Rinia shkollore e studenteske, e cila vitin e kaluar u angazhua në një masë më të gjerë në punën fizike, sivjet ka ndërmarrë aksione të mëdha me karakter kombëtar dhe lokal. Për punonjësit e dikastereve e të institucioneve qendrore të Komiteteve të Partisë, të Komiteteve Ekzekutive, të organizatave të masave, për kuadrot ushtarake, për arsimtarët dhe gjithë inteligjencën, koha e pjesëmarrjes së tyre në punën drejtpërdrejtë në prodhim, si rregull të jetë 30 ditë në vit, kurse për gratë e martuara 15 ditë.

Si rregull, kuadrot kryesorë të organeve të Partisë, të Shtetit, të ekonomisë dhe institucioneve social-kulturore në qendër e në rrethe, të kryejnë punën drejtpërdrejtë në prodhim, kryesisht në fshat dhe në grupe të organizuara, në përbërjen e të cilave të jenë kuadro të sektorëve të profileve të ndryshme, me qëllim që atje ku do të venë të bëjnë punë prodhuese dhe njëkohësisht, të ndihmojnë për probleme politike, ideologjike, edukative, organizative, ekonomike dhe për shumë çështje të tjera që u paraqitën punonjësve ose banorëve të atyre qendrave, ku do të kryejnë punën në prodhim.

Aparati i Komitetit Qendror të Partisë dhe i Këshillit të Ministrave, të krijojnë disa grupe me kuadrot e tyre kryesore e te dikastereve për t’i dërguar në rrethe, zona ose qendra të caktuara, jo vetëm për të bërë punë në prodhim dhe punë politike, edukative e shoqërore me masat, por edhe për të studiuar çështje të caktuara që gjykohen të nevojshme. Në të njëjtën mënyrë të veprojnë edhe dikasteret (duke e koordinuar këtë çështje me komitetet ekzekutive), si dhe organet e partisë e të pushtetit në rrethe…

Sekretari i Parë i Komitetit Qendror të PPSH

Enver Hoxha

(AQSH. KQ i PPSH, viti 1967. Urdhri Nr. 353, datë 30.04.1967)

 LEZHA

Eksperimenti i parë

Për herë të parë, vendimin e Byrosë Politike “Për organizimin më të mirë të pjesëmarrjes së punonjësve të punës mendore drejtpërdrejt në punën prodhuese”. e vënë në jetë kuadrot drejtues dhe administrata e kooperativës bujqësore të Trashanit në Rrethin e Lezhës. Më pas, në këtë aksion u përfshinë të gjithë ata që futeshin në emërtimin “kuadro”.

Bashkë me kuadrot, puna e drejtpërdrejtë në prodhim përfshiu edhe rininë shkollore, të shkollave të mesme dhe atë studentore, të cilët dërgoheshin të punonin në aksione në mbarë vendin, me motivin “për t’u kalitur dhe edukuar me punën dhe vështirësitë”. Ndërsa mjekët do ta kryenin ndryshe këtë “kalitje” dhe “edukim”. Duke shkuar për të punuar për një kohë më të gjatë fshatrave dhe zonave të thella. Një gjë e tillë bëhej edhe për kuadro të tjerë, si mësues, agronomë, ekonomistë, inxhinierë etj.

 VKM

Nxënësit e studentët në prodhim

Edhe rinia në punë prodhuese. Në vendim nr. 40, datë 20.2.1970 të Këshillit të Ministrave mbi sistemin e ri arsimor, në pikën 5, “Puna prodhuese” tre nene përcaktojnë:

 Neni 12 – Puna prodhuese e nxënësve dhe e studentëve, krahasa qëllimeve edukative, të ketë dhe pikësynime politeknike dhe të japë mundësi për zbatimin e konkretizimin e njohurive teorike në praktikë për përvetësimin dhe pasurimin e këtyre njohurive. Në të njëjtën kohë ajo të shërbejë dhe për të kuptuar organizimin socialist të punës, për të fituar disiplinën proletare në punë, për t’u pajisur me kulturën dhe shprehitë e punës. Atje ku është e domosdoshme dhe e mundshme ajo të sigurojë edhe pregatitjen profesionale të nxënësve dhe studentëve.

 Neni 13 – Puna prodhuese e nxënësve dhe studentëve, si rregull, duhet t’i përshtatet kategorisë e llojit të shkollës dhe në të gjitha rastet të jetë punë efektive për të prodhuar vlera materiale të dobishme për shoqërinë. Në shkollat e mesme profesionale si dhe në fakultetet e kësaj natyre lidhja e mësimit me prodhimin bëhet mbi bazën e profesionit dhe specialitetit përkatës. Lidhja e mësimit me punën prodhuese në shkollat e mesme të përgjithshme, si dhe në shkolla të mesme profesionale e në shkolla të larta që nuk kanë lidhje të drejtëpërdrejtë me prodhimin bëhet mbi bazat e disa profesioneve masive të përafërta dhe, kur kjo nuk është e mundur, mbi bazën e një profesioni.

 Neni 14 – Puna prodhuese bëhet kryesisht në ndërmarrjet ekonomike dhe në kooperativat bujqësore, në fronte pune ku mund të sigurohet sa më mirë lidhja e mësimit me prodhimin. Puna në prodhim e nxënësve dhe e studentëve organizohet e drejtohet nga shkiollat, ndërmarrjet e kooperativat, duke ngarkuar për këtë qëllim persona të posaçëm, si nga shkolla, ashtu dhe nga prodhimi.

Përgatiti për botim: L. Veizi

Të fundit

OBSH: Transmetimi i gripit të shpendëve tek njerëzit mbetet një shqetësim i madh

Organizata Botërore e Shëndetësisë shprehu shqetësimin për përhapjen në rritje të variantit H5N1 të gripit të shpendëve te speciet...

Tiranë/ Djali e nxori në rrugë, nëna: Më ndihmoni, dua të vdes në shtëpinë time (VIDEO)

Esma Toluli është 86-vjeçarja, që prej 3 muajsh sorollatet sa në një hotel në tjetrin, pasi në apartamentin e saj në rrugën “Margarita Tutulani”...

Gjuha e ashpër e Metës ndaj Dumanit dhe SPAK, reagon ambasadori i BE Tiranë

Ambasadori i BE në Tiranë, Silvio Gonzato ka reaguar në lidhje me sulmet e kreut të PL Ilir Meta ndaj SPAK. “Sulmet ndaj gjyqësorit nuk...

Punimet në Rrugën e Arbrit, ARRSH del me njoftimin e rëndësishëm për qytetarët

Autoriteti Rrugor Shqiptar njofton se në vijim të punës për përfundimin e të gjitha punimeve të asfaltit ne Rrugën e Arbrit, do të ketë...

Falsifikoi vdekjen në 2021, miliarderi “arratiset” me dashnoren e tij në Moskë

Një miliarder që prej vitesh supozohej i vdekur mund të jetojë fshehurazi në Moskë me dashnoren e tij, raporton New York Post, duke cituar...

Lajme të tjera

Web TV