Veliaj i dorëzon kontratën e dhurimit, Kryepeshkopi Anastas: “Përgëzime për punën në Tiranë!”
Ashtu si shumë objekte të tjera kulti në Shqipëri, të cilat ende sot nuk janë pajisur me një certifikatë pronësie, edhe Kisha e Shën Prokopit në Tiranë nuk e dispononte një dokument të tillë, çka mbante peng edhe projektin për rikthimin në identitet të saj.
Pas vendimit unanim të Këshillit Bashkiak të Tiranës, kryebashkiaku Erion Veliaj, i dorëzoi dokumentin që i jep pronësinë e tokës mbi të cilën është ngritur, Kishës së Shën Prokopit, në Parkun e Liqenit Artificial të Tiranës.
Kjo i hap rrugën edhe rindërtimit të objektit fetar, që daton plot 240 vite më parë. “Besoj se është një bekim i madh për të gjithë, e jo vetëm për ju që shërbeni në Kishën e Shën Prokopit, apo komunitetin ortodoks.
Perëndia na ka dhënë vullnetin të shërbejmë me dinjitet dhe ta bëjmë atë si duhet,” u shpreh mes të tjerash Veliaj, gjatë dorëzimit të kontratës së dhurimit Kryepeshkopit të Tiranës, Durrësit dhe të gjithë Shqipërisë, Anastasit.
Fortlumturia e Tij, Kryepeshkopi Anastas, duke i shprehur mirënjohjen e tij kryebashkiakut Veliaj, e përgëzoi në veçanti atë për transformimin që po kryen në Tiranë.
“Përgëzime për punën këtu në Tiranë,” tha ndër të tjera ai. Në vitin 1967, edhe Kisha e Shën Prokopit pësoi fatin e të gjitha objekteve të tjera të kultit. Ajo u gjymtua dhe në vend të saj u ngrit kafe-restorant “Liqeni”.
Por edhe pas rikthimit të funksionit të mëparshëm, 30 vite më vonë, kjo kishë ende sot nuk ka arritur dot të marrë pamjen dhe as lavdinë e dikurshme.
Bashkia e Tiranës, përmes projektit të saj, do të rikthejë në identitetin e saj të hershëm Kishën e Shën Prokopit, pjesë e rehabilitimit të një tjetër xhevahiri në Tiranë.
la.mi/Fjala.al