Politika në përplasje/ Raporti i Dick Marty, Komisioni i Posaçëm dhe “përkthyes” Basha…

113 563 lexime

106,048FansaPëlqeje

Nga Fernada Cenko

Përballja e ish-drejtuesve të UÇK-së në Hagë dhe tollovia politike në Tiranë. Si do të ndikojë Komisioni i Posaçëm Parlamentar i kërkuar nga mazhoranca dhe “akuzat morale” ndaj Bashës si përkthyes i hetuesve ndërkombëtarë që kërkonin në Kukës dhe Mat burgjet e UÇK-së dhe “shtëpinë e verdhë”… Analizojnë për gazetën “Fjala”, Lorenc Vangjeli dhe Spartak Ngjela.

-Ish-ambasadori i Shqipërisë në Francë, Ylljet Aliçka për librin e Karla de Ponte për “trafik organesh” në vitin 2008: Viktimat e Kosovës e kanë ende të pathënë fjalën e tyre të fundit.

Ndërsa në Gjykatën Ndërkombëtare të Hagës katër ish-drejtues të UÇK-së, Hashim Thaçi, Jakup Krasniqi, Kadri Veseli dhe Rexhep Selimi po përballen me akuzat për “krime lufte” në vitet 1998-1999, Tirana politike është futur në një sherrnajë që më shumë duket se shërben për interesa ngushtësisht partiake në prag fushate, sesa një nismë që po “lobon” për pafajësinë e personazheve të rëndësishëm të luftës dhe politikës në Kosovë. Në ditën kur Thaçi me shokë përballej me drejtësinë, kryeministri Rama dhe homologët e Serbisë dhe Maqedonisë së Veriut u takuan për vijimin e bashkëpunimit në të ashtuquajturën “Minichengeni Ballkanik”.

Kjo u bë shkas që opozita të sulmonte Ramën duke i kujtuar se po takohej me ish-ministrin e Milosheviçit në kohën kur “vëllezërit kosovarë” përballeshin me Hagën. Vetëm kjo shkëndijë mjaftoi që Rama t’i “përvishej” kryedemokratit Basha duke i kujtuar se kishte qenë përkthyer i hetuesve të huaj që nën aureolën ndërkombëtare, kërkonin në Shqipëri burgjet e UÇK-së apo shtëpi në fshatin e humbur të Matit që sipas tyre ishin kthyer në “spital trasnplantesh”…!

Të dyja çështjet një stisje e pakuptimtë, që në fund edhe në gjykatën ndërkombëtare dolën të pavërteta, por në politikën tone e shkuar quhet “e ardhme”. Në këto momente politike, vetë Basha nuk do të donte të kujtonte të shkuarën e tij, që ndonëse nuk i vishet asnjë përgjegjësi juridike, sot i kërkohet një “përgjegjësi morale” si përkthyer i dikurshëm, qoftë kjo e ardhur edhe nga imoraliteti ynë politik i 30 viteve.

Mazhoranca ka marrë një nismë për krijimin e një Komisioni të Posaçëm Parlamentar për raportin famëkeq të Dick Marty-n, ku krijoi një histori për “shtëpinë e verdhë” në Mat, që sipas tyre kishte shërbyer për transplantin dhe më pas trafikimin e organeve të robërve serbë nga UÇK.

Përkthyes i hetuesve që shkuan në atë banesë, apo edhe kërkonin burgje në Kukës thuhet se ishte Lulzim Basha, në atë kohë i ingranuar në Kosovë me administratën e UNMIK-ut. Vëtë Basha, në një dalje publike ditën e djeshme, ndonëse nuk e specifikoi çështjen për të cilën po sulmohet tha se gjithçka ishte gënjeshtër. “Po ta them qartë dhe prerë, të gjitha akuzat e tua janë shpifje dhe mashtrime për të larguar vëmendjen nga skandalet dhe dështimet e tua që po i paguajmë me jetë njerëzish”-tha kreu i PD-së.

Në fakt komisioni i posaçëm që po trumbeton mazhoranca nuk ka asnjë vlerë juridike dhe politike ndërkombëtare, por po shërben si një material i bollshëm për tu përdorur politikisht për zgjedhjet, kur kanë mbetur edhe pak muaj nga 25 prilli i vitit të ardhshëm.  A më shumë që edhe vetë Basha, po shfaq një kompleksitet…

Lorenc Vangjeli: Basha në rrethim, mes helmit të Ramës që e provokon dhe Ballës që i kërkon hetim

Taulant Balla kërkon ngritjen e një Komisioni të Posaçëm Parlamentar për raportin e Dick Marty-n. Për se kjo nisme e mazhorancës dhe sa vlerë politike apo juridike ka kjo nismë?

-Kjo është lëvizja klasike politike, në të cilën ka rëndësi jo rezultati, por procesi. Jo destinacioni, por rruga drejt tij. Pavarësisht se çfarë thuhet, si justifikohet kërkesa, si gjykohet qëllimi dhe konteksti kohor në të cilin ajo bëhet, ngritja e një komisioni të tillë hetimor është  thikë me vetëm dy presa për objektin real të tij, kryetarin e opozitës Lulzim Basha.

Për një pafundësi arsyesh, qoftë juridike, qoftë morale, Lulzim Basha nuk është fajtor për atë që ka ndodhur pothuaj 15 vjet e kusur më parë. As nuk kishte rol dhe as nuk ishte në gjendje të ndikonte në rrjedhën e atyre ngjarjeve. Ishte një djalosh 30-vjeçar, që në rastin më të keq, mund të ketë dëshmuar zell shumë më shumë ndaj punës së tij të përditshme dhe rrogës së përmuajshme, sesa të ketë gjykuar se puna e tij i sillte ndonjë dëm vendit të tij. Komisioni hetimor është shfaqja-grackë, në të cilën ai ka vetëm një shans të shpëtojë: të dalë i humbur në të gjitha rrethanat.

Zoti Basha humbet si në rastin kur do të thotë ai vetë dhe të tijtë që nuk e njohin këtë krijesë të dobët të Rama-Ballës. Se kanë dalë nga parlamenti sepse nuk i njohin legjitimitetin atij. Ai do ta refuzojë totalisht komisionin hetimor dhe kjo është ajo që do të ndodhë. Por ky refuzim do të jetë karburanti që do të shërbejë për ditë të tëra për makinerinë e maxhorancës që do ta akuzojë për fajtor, si në rastin e vrasjeve në Bulevard, që do t’i kujtojë shmangiet e tjera nga hetimi, si në rastin e rrugës së Kombit dhe si të papërgjegjshëm, si në rastin e drejtimit të bashkisë së Tiranës me mandat të grabitur.

Ekziston si probabilitet, por nuk ka asnjë shans të ndodhë, që zoti Basha të shpjegojë vetë rrethanat dhe rolin fare minor që ka pasur në një histori të tillë. “Terxhumani”, nuk ka faj”, nëse citohet lirisht Kadareja tek Dimri i Madh. Faji i Lulzim Bashës si ish-përkthyes është se e prezantoi veten në Tiranë, si “shpikës” i gjuhës së ndërkombëtarëve në Kosovë. Në një rast të tillë ai thjesht ka mëkatin e të qënit mitoman, si shumë nga ata shqiptarë të tjerë krejt të pafajshëm, që mbas kthimit nga emigracioni, tregojnë histori me miliona të fituara, me dhjetra miliona të shpenzuara në histori dashurie dhe me universitete që shkulnin leshtë e kokës për gjenialitetin e riatdhesuar.

Pra, në të dy rastet, me një zinxhir të tillë të kalkuluar ngjarjesh, shkak-pasojë, Balla i ka të gjitha arsyet që t’a plotësojë me një rresht simpatik antiLul CV-në e tij përpara Edi Ramës dhe Edi Rama ka një subjekt më shumë për tëitter.

-Në Hagë po zhvillohet procesi gjyqësor ndaj katër drejuesve të UÇK, Hashim Thaçi, Jakup Krasniqi, Kadri Veseli dhe Rexhep Selimi të akuzuar për krime lufte. Një prej akuzave janë edhe materialet për raportin e Dick Marty. Kush do të jetë fati i tyre dhe sa vlerë ka qëndrimi i komisionit të posacem parlamentar shqiptar?

-Nuk kanë dhe nuk mund të kenë asnjë lidhje me njëri-tjetrin. Nëse të huajt, sidomos në rastin e gjykatave, do të dëgjonin se çfarë llahtarish thonë shqiptarët për njëri-tjetrin, nëse do të kishin ndonjë vlerë morale dhe juridike akuzat e përbindshme që në Tiranë dhe në Prishtinë politikanët i drejtojnë njëri-tjetrit, ata do të ishin më fajtorë se nazistët në Nuremberg.

Fatmirësisht, kjo nuk ndodh dhe fatmirësisht shumëçka thuhet në Tiranë e Prishtinë nga shumica e politikanëve shënohet nga burokratët e ambasadave si indicije dhe komentohet si barsaletë nga diplomatët.  Sot, e gjithë elita e çlirimtarëve është nën proces dhe ky është një lajm i lig. Por si të gjitha të këqiat, kjo e ligë do të sjellë gjithashtu në të gjitha rastet një rezultat pozitiv. Me shumë gjasa asgjë nga akuzat nuk do të verifikohet dhe Thaçi dhe ish-bashkëluftëtarët e tij, me të cilët shpesh u nda dhunshëm në paqe, do të fitojnë një çertifikatë pafajësie.

Dyshimet penale mbi ta, me gjasë kanë qenë një barrë që i ka shoqëruar në vitet e paqes, duke i bërë ndoshta edhe të shantazhueshëm, edhe vulnerabël në rrethana të caktuara. Në këto kushte ka vetëm një rrugë: procesi duhet të shkojë deri në fund. Edhe në skenarin më të zi, nëse provohet fajësia e tyre, ky është një akt që nuk cënon as UÇK-në dhe as kapitullin e fundit të varrosjes së ish-Jugosllavisë nacionalkomuniste.

Në Kosovë nisi dhe në Kosovë u mbyll ai eksperiment i dështuar gjeopolitik që kërkoi të ngrejë dhunshëm një çati të përbashkët mbi realitete të ndryshme etnike e më gjerë. Nga ana tjetër, disa ide që hidhen nga Tirana dhe Prishtina, të cilat sugjerojnë tërheqjen e njëanshme të Kosovës nga juridiksioni i gjykatës së Hagës, kanë më pak vlerë se një lëkurë bananeje e shkelur. Që nuk vlen si ushqim, por mund të kushtojë një rrëzim. Ajo është kura idiote që nuk shëron problemin siç pozojnë “patriotët” e zemëruar me ndërkombëtarët, por vret pa mëdyshje pacientin lokal.

-Kryeministti Rama ka atakuar së fundmi liderin e PD Lulzim Basha për “përgjegjësi morale”, sepse, sipas tij ka qenë përkthyes i hetuesve ndërkombëtar që kryen ekspertiza në Kukës dhe në Mat për çështje të cilat po përballen me akuza edhe ish krerët e UÇK-së. Si e komenton këtë përplasje?

Lulzim Basha, në mënyrë shumë të çuditshme, ka një përqasje fatale me ekstremet që afron fati. Me fatin e mirë që i ka dhënë një karrierë të jashtëzakonshme politike që as vetë nuk e kishte menduar dhe fatin e lig që i ka rezervuar takime fatale që në një vend normal, do të kishin varrosur çdo karrierë politike.

Formalisht Rama ka të drejtë. Qoftë dhe vetëm si dëshmitar, qoftë dhe vetëm si një vidë e parëndësishme e një mekanizmi që as sot nuk kuptohet si ka funksionuar, prania e zotit Basha në misionet faktmbledhëse në Shqipëri, nuk është gjë e mirë. Ajo mund të shërbejë si shkak për të mos e zënë ndonjëherë gjumi, si makth për t’u zgjuar herë pas here nga gjumi, por nuk krijon asnjë ngarkesë morale që t’i vrasë gjumin. Puna në ato organizata ndërkombëtare nuk është turp, siç duan të thotë ca për hir të hesapeve të sotme. Përkundrazi!

Ato nuk kanë qenë armiq as të Kosovës dhe as të shqiptarëve. Kur Rama e provokon me kinse përgjegjësinë morale, thjesht bën politikë. Dhe politikisht ai e ka rrethuar kundërshtarin e tij me një rreth të fortë akuzash duke nisur, sipas kryeministrit, me maninë e tij për të futur dorën në xhepin e shtetit, (rruga e Kombit), kryerjen e krimit penal, (pushkatimi pa gjyq i demonstruesve), përfitues i mallit të grabitur, (bashkia e Tiranës), financues dhe përfitues nga lidhje të dyshimta me rusët (paratë e lobimit në SHBA), shantazhues i bizneseve të mëdha (betejat me oligarkët dhe vilat e tij të supozuara). Kjo është mënyra e Ramës që duket se parapërgjigjet: qeverisjet janë vulnerabël nga korrupsioni dhe si të tilla ato korrigjohen nga votuesi, por problem më i madh është opozita e korruptuar që vret shpresën e votuesit!

I gjithë ligjërimi i Ramës me subjekt Bashën, në mënyrë paradoksale, megjithatë nuk ngjan si betejë për jetë a vdekje. Si sfidë që Rama ja drejton Bashës. Në fakt ka diçka që nuk bind në tonin, në teatralitetin, në batutën e zgjedhur e të hedhur që e shndërron të gjithë luftën në tjetër gjë. Kjo është e gjithë arsyeja që e bën duelin mes kryeministrit dhe mtonjësit të mos ketë shijen dhe zhurmën e shpatës në mish, por të ngjajë më shumë si një tentativë dashurie me dhunë! Kur njëri ndjek pas tjetrin se do dhe tjetri që ikën me vrap që ta shohin të tjerët kur bën sikur nuk do!

 Spartak Ngjela: Komisioni i Posaçëm Parlamentar pa sens, ka një prishje të ekuilibrit të Ramës në lidhje me Thaçin

 –Taulant Balla kërkon ngritjen e një Komisioni të Posaçëm Parlamentar për raportin e Dick Marty-n. Përse kjo nismë e mazhorancës dhe sa vlerë politike apo juridike ka kjo nismë?

Lexo edhe :  “Djali më i mirë i Kavajës”/ Balla takon Cikalleshin: Do fitojmë me San Marinon, siç do fitojmë edhe më 25 Prill me Lulin

-Është budallallëk, sepse nuk ka lidhje juridike midis raportit të tij dhe parlamentit shqiptar. Ka një prishje të ekuilibrit të Ramës në lidhje me Thaçin, e cila krijon pikëpyetje, sepse Thaçi ka qenë për ndërrimin e territoreve. Për të mos t’i hyrë dyshimeve pa prova, këtë çështje duhet ta analizojmë vetëm me karakter politik. Në funksion të kësaj, kemi të drejtë kur themi që politika Thaçi, dhe pas saj, politika Rama për marrëdhënien Kosovë – Serbi është e vjetër dhe pa kuptim në sensin pozitiv, në lidhje me botën shqiptare në Ballkanin Perëndimor.

Shenjat janë që, ardhja e Biden në pushtet si president i SHBA-së, ka çorientuar shumë Beogradin dhe Moskën. Po shqiptarët, çfarë kanë? Kuptohet se kanë merakun e Thaçit, në një kohë që Thaçi do shkojë në një gjykatë ndërkombëtare. Pyetja që ngrihet këtu është: kush ja ka bërë denoncimin Thaçit dhe krerëve të tjerë të UÇK-së për vrasje në formë terroriste? Ne e dimë ndërkohë që e kanë bërë shqiptarët, por, në funksion të Beogradit, mos e neglizhoni që mund të na dalë edhe ndërrimi i territoreve. E ku hyn Dick Marty-n këtu? Askund. Bota shqiptare në Ballkanin Perëndimor do ta ketë në ndihmë Gjykatën Speciale të Hagës, edhe nëse jep fajësi për Thaçin dhe të tjerët, edhe nëse jep pafajësi për ta.

Të dyja rastet janë në favor të botës shqiptare në Ballkanin Perëndimor. Kurrë mos u shqetësoni për një vendim gjykate, pa u dhënë ende nga vetë gjykata. Vendim gjykate, profesionalisht, do të thotë vendim i mbështetur në prova. Kjo është arsyeja që një mendje e rregullt brenda karakterit shtetëror duhet të presë provat, dhe pastaj të diskutojë.

-Në Hagë po zhvillohet procesi gjyqësor ndaj katër drejtuesve të UÇK-së, Hashim Thaçi, Jakup Krasniqi, Kadri Veseli dhe Rexhep Selimi, të akuzuar për krime lufte. Një prej akuzave janë edhe materialet për raportin e Dick Marty. Cili do të jetë fati i tyre dhe sa vlerë ka qëndrimi i Komisionit të Posaçëm Parlamentar shqiptar?

-Nuk ka lidhje fare Komisioni i Hetimit Parlamentar, sepse nuk është i të njëjtit sens të së drejtës. Siç e thamë dhe më lart, krerët e Partisë Socialiste paskan humbur ekulibrin. Pse???

-Kryeministri Rama ka atakuar së fundmi liderin e PD-së Lulzim Basha për “përgjegjësi morale”, sepse, sipas tij ka qenë përkthyes i hetuesve ndërkombëtarë që kryen ekspertiza në Kukës dhe në Mat, për çështje, të cilat po përballen me akuza edhe ish krerët e UÇK-së. Si e komenton këtë përplasje?

-Është tendencë politike pa vlerë. Po the përkthyes, do të thotë që nuk jep vullnetin e tij, po vullnetin e atyre që përkthen. Në rast se paska dyshime që nuk ka përkthyer mirë Lulzim Basha, ne nuk po shohim ndonjë provë. Si mund të flitet kështu? E kuptojnë këta njerëz që të nxjerrësh përgjegjësinë për përkthyesin, duhet të kesh teksin që ka përkthyer?

Si mund të flasin këta lider të mëdhenj dhe të akuzojnë dikë që ka përkthyer shtrembër, pa pasur tekstin e përkthimit? Ku e ka zoti Rama tekstin e përkthimit që ta shikojmë se, Lulzim Basha ka përkthyer mirë apo jo? Por, edhe nëse ai nuk ka përkthyer mirë, pyetja tjetër është: përkthyesi Lulzim Basha e njeh mirë gjuhën e huaj që ka përkthyer, apo e di “shatra patra”? Edhe kjo është një arsye që nuk mund të fajësohet një përkthyes. Vetëm një mendje politike me hapësira të ngushta, akuzon një përkthyes që nuk ka përkthyer mirë, në një kohë që nuk dimë tekstin që ka përkthyer, ose fjalët, ose fjalimet që ka përkthyer.

Pastaj, e dini ju se, çfarë është një përkthyes? Ai është një rrogëtar, një njëri që ka shkuar për një rrogë se ka ditur gjuhë të huaj. Në qoftë se do të ketë akuzatorë për përkthimet e Lulzim Bashës si përkthyes duhet të jenë ata të cilëve ai iu kanë bërë përkthimin. Dhe këtu mbyllet gjithçka. Mendja ka një natyrë të veçantë. Jo çdo pasion mund të krijojë logjikë faktike.

Ylljet Alicka

VIKTIMAT E KOSOVES NUK E KANE THENE ENDE FJALEN E TYRE TE FUNDIT

Trafiku i organeve në Shqipëri-reagimi i ambasadorit shqiptar Ylljet Alicka

Në një nga librat e fundit botuar rishtazi nga Zonja Karla del Ponte, ish-prokurorja e Gjykatës së Hagës, ka parashtruar (sipas të thënave të dikujt ??!! se një veprimtari trafiku organesh të robërve serbë ka ngjarë në një fshat të prapambetur të Shqipërisë. Përfshi ambiguitetitn e këtij “zbulimi” të vonuar lidhur me burimin e informacionit, është i habitshëm fakti se deklarata e saj është pasuar nga një mobilizim i ethshëm mediatik, që, me sa duket, nuk buron vetëm nga sensacioni i përmbajtjes së kësaj deklarate.

Para disa ditësh akuza e mësipërme u formalizua madje nga një komision ad hoc i Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës, menjëherë pas një propozimi të delegacionit rus.Thënë ndryshe, akuza virtuale e një ish prokuroreje po ndjek rrugëtimin e saj institucional. Ndodh që një ekip gazetarësh të huaj vizitojnë banorin e fshatit të thellë shqiptar në lidhje me çështjen e transplantit të organeve dhe pasi i shpjeguan se çfarë kuptimi kishte transplanti dhe trafiku i organeve, ai nuk mundi ta fshihte habinë e tij mbi progresin që paska bërë shkenca për shërimin e qenive njerëzore, duke zëvendësuar organet e tyre!!

Kështu një familje e ndershme shqiptare u bë e famshme për shkak të një akuze poshtëruese lidhur me një aktivitet të hamendësuar kriminal. Sikurse ndodh rëndom, të vërteta ose jo, akuzat e zonjës del Ponte dhe jehona “spontane” e disa medieve ndërkombëtare, përfshirë Komisionin ad hoc të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës, kanë bezdisur e poshtëruar në terma vlerash, jo vetëm këtë familje dhe banorët e këtij fshati malor, por një komunitet të tërë shqiptar. Rrethanat  deshën që znj Del Ponte të zgjidhte  një vend të hamendësuar krimi, pra fshatin ku ajo përfytyron se ka ngjarë transplanti i organeve, në një zonë ku kam punuar si mësues fshati për thuajse një dekadë.

Pretendoj se i njoh  mirë potencialet teknologjike të këtij fshati,  pra jam më se i vetëdijshëm  për pabazueshmërinë  e akuzës, me shumë gjasë ashtu si dhe hartuesit dhe autorët e akuzës. Përse, atëherë, Znj del Ponte hodhi këtë blasfemi menjëherë pasi la mandatin e saj si prokurore, ndërkohë që ajo nuk kishte asnjë pengesë për të ndërmarrë një hetim gjatë mandatit të saj? Shqipëria ka qenë gjithnjë e hapur ndaj çdo instance të Gjykatës së Hagës, edhe pse shqiptarët kanë pasur gjithnjë vështirësi për të kuptuar  orvatjet e veshura me “objektivitetin e ashpër” të Znj del Ponte, duke dashur çdo herë të baraspeshojë fajësinë midis shqiptarëve dhe serbëve dhe, njëherazi të shmangë akuzën ndaj serbëve për gjenocid, duke e reduktuar këtë çështje  vetëm në nivel politik.

Po në këtë frymë Shqipëria ka përshëndetur gjestin e dorëheqjes së udhëheqësve kosovarë për tu dorëzuar përpara gjykatës së Hagës. Lind pytja, mos jemi përballë një improvizimi emocional të Znj del Ponte, apo përballë ndonjë nxitimi për të nxjerrë në pah të keqen pa e shqyrtuar më parë, duke dashur të nxjerrë fajtorët, pa marrë as mundimin për të ekzaminuar krimet? Apo ndofta Znj del Ponte nuk është aq e ndërgjegjëshme për të kuptuar të gjithë të keqen që ajo ka shkaktuar me këtë akuzë virtuale?

Me të drejtë thuhet se kush do të vrasë qenin, fillimisht e akuzon atë për tërbim.Nga ky fakt, na lind e drejta të mendojmë  se krimi po përpiqet edhe këtë herë të marrë theksin e virtutit. Në një kohë kur bota demokratike po bën çmos të eliminojë pengesat e ndryshme për të thjeshtëzuar bashkëjetesën serbo-shqiptare, sipas modeleve evropiane, akuza e mësipërme kontribuon më së shumti në një përjashtim të pakthyeshëm të shqiptarëve, nëpërmjet mohimit të njohjes  si dhe poshtërimit moral të tyre.

Nga ana tjetër Asambleja Parlamentare e Këshillit të Evropës nis një hetim mbështetur mbi këtë akuzë imagjinare, kryesuar nga një prej deputetëve më të dalluar antishqiptar, zviceriani Dik Marti, përmes procedurash të stërgjatura dhe gjithçka e financuar nga taksapaguesit e vendeve antere të Këshillit të Evropës, ku bën pjesë dhe Shqipëria. Hetim ky në një kohë kur e vërteta e katastrofës masive kosovare ende nuk është shpalosur në tërë dimensionin e saj të vërtetë dhe kur, jo rrallë, kujtimi dhe harresa shndrrohen në institucione manipulimi të së vërtetës, për ta mbuluar atë me tisin e harresës apo veshur me ngjyrat e virtytit.

A ka apo ka kjo Asamble të njëjtin vullnet për të zbuluar gjithë të vërtetën ende të panjohur të krimeve dhe gjenocidit të bërë në Kosovë, të atyre mijra viktimave të torturuar e të zhdukur, dhunimeve e masakrve të pangjara në historinë moderne të njerëzimit? Eshtë e qartë se gjithë këto procedura që do pasojnë dhe zgjatjesh pa fund të hetimeve do ndihmojnë për të rritur shtresën e pluhurit të harresës ndaj krimeve të vërteta dhe të fajtorëve të vërtetë në rajon.

Në tallazinë e betejave të perceptimeve të opinionit publik, duket qartë se kemi të bëjmë me përpjekje për të vënë shenjën e barazimit mes krimit të programuar serb dhe luftës për dinjitet dhe mbijetesë të viktimave kosovare. Përpjekje këto  për të penguar shtetin e ri të Kosovës, që lufton për të konsoliduar  identitetin e tij kulturor e shtetëror, për hapësirën e tij në Evropë për tu çliruar nga traumat e tij historike, vetëm përmes të vërtetave.  Atyre të vërtetave të cilat ndërgjegjja njerëzore, të paktën pas luftës së dytë botërore, duke se nuk po ka ende fuqi t’i perceptojë realisht.

A ka mundësi që Znj del Ponte të jetë e paaftë për të kuptuar se si dikush nga një aksh etni i çan barkun një gruaje shtatzënë nga një tjetër etni dhe para se ta therë e përdhunojë, e bën film erotik dhe i skalit mbi mishin e gjinjve nga një kryq; apo se si theret një fëmijë dyvjeçar dhe i pihet gjaku në sy të nënës së tij, … Këto nuk janë fantazi, por realitete dhe dëshmi që, qoftë për mungesë mjetesh komunikimi apo dhe për shkak të ndrojës dhe turpit që ka rëndom qenia njerëzore ndaj poshtërimit të vet,  bindesh fare lehtë se ende nuk ka dalë krejtësisht në vëmendje të opinionit publik ndërkombëtar tërë ai krim masiv, polimorf dhe i shumëfishtë, në një kohë kur me qëllim apo kinse spontanisht, me një mjeshtëri të përsosur manipulimi në fushën e përpunimit të opinionit publik, krimi i vërtetë përpiqet të fshihet, qoftë dhe duke iu kundërvënë me ngjallje dyshimi mbi një tjetër krim monstruoz hipotetik.

Të asaj mjeshtërie instrumentalizuese që ia doli mbanë të mobilizojë fuqinë karizmatike të turmave, të banalizojë urrejtjen dhe të shpikë “armikun objektiv” të kombit serb, nëpërmjet “vizioneve profetike” në lidhje me të ardhmen e ndritur të popullit serb në Ballkan. për të kaluar më pas në përqasje kokësprapthi të asaj që Peter Hndke e quan : “Universi serb i dhembjes”.

A do ti mjaftojë popullit shqiptar apo banorëve të fshatit të thellë malor një shfajësim nga ana e Znj del Ponte? Eshtë fort e mundshme që edhe kjo gjë të mos ndodhë, thjesht për inerci dhe traditë të modelit serb, që nuk denjoi kurrë të kërkojë falje për gjenocidin në Kosovë. Por historia i ka bërë shqiptarët,dhe jo vetëm ata, të kuptojnë se shpifja turbullon, por është e vërteta që qetëson. E këto mësime të historisë marrin një tjetër vlerë nëse rikujtojmë se urrejtja e shqiptarëve nuk është aq e rrezikëshme sa miqësia e tyre.

Ylljet Aliçka, Ambasador i Republike se Shqiperise ne France, Courrier des Balkans, Maj 2OO8.

Të fundit

Sekuestrimi i 49 kg kokainë në kontejnerin me banane, lihet në burg babai i Arbër Çekajt

Lihet në burg babai i Arbër Çekajt. Gjykata ka vendosur “arrest me burg” për 72-vjeçarin Selim Çekaj, pronar i...

Paralajmërohet rritja e çmimit të energjisë elektrike deri në 40%

Çmimi i energjisë elektrike shumë shpejt do të rritet në Kosovë. Pritet qe rritja e çmimit të shkojë deri në 40 për qind. Alarmin për...

Moderatorja e njohur vaksinohet live në studion e lajmeve, Genta Popa me lot në sy: Humba njeriun e dashur (FOTO)

Gazetarja e Top Channel, Genta Popa, është vaksinuar live gjatë edicionit të lajmeve të orës 3. Para se të bënte vaksinën, Popa kujtoi kunatin...

Nis vaksinimi i gazetarëve të terrenit / Manastirliu arrin në sheshin “Skënderbej”

Ka nisur vaksinimi i gazetarëve dhe operatorëve të terrenit, të cilët do të marrin vaksinën kineze, Sinovac. Në sheshin "Skënderbej" ka mbërritur edhe Ministrja e...

Tragjedia në Greqi/ ‘Babai im po diplomohej, ai do të ndalonte së ngjituri shtyllat’, flet vajza e 45-vjeçarit Bruka

24 orë pas tragjedisë që goditi fshatin Gymnos në Evia të Greqisë, me tre punëtorë që humbën jetën duke u goditur nga një rrymë...

Lajme të tjera

Web TV