Nga Tirana tek Durrësi, qytetet me rekord familjesh të ikura jashtë vendit

113 563 lexime

124,178FansaPëlqeje

Anketa e madhe e emigracionit, e zhvilluar vitin e kaluar nga INSTAT, në rreth 20 mijë familje në të gjithë vendin, ka gjetur se, gjatë periudhës 2011-2019, ka emigruar jashtë 13% e popullsisë ose mbi 360 mijë persona. Tirana, me emigrimin më të madh të familjeve, ndërsa Shkodra, Fieri, Durrësi, me humbjet më të mëdha të popullsisë. Kukësi ka normat më të larta të ikjes së popullsisë, jashtë dhe brenda vendit. 53% e të ikurve janë me arsim të mesëm ose të lartë. Shumica, të rinj. Gati 60% e të ikurve rendisin varfërinë si arsye

Shqipëria është duke përjetuar zhvillime alarmante në humbjen e popullsisë, për shkak të emigracionit të lartë. Edhe pas tri dekadash nga ndryshimi i sistemit, flukset emigratore janë të larta, duke e vënë perspektivën e zhvillimit të vendit në një rrugë pa krye.

Shifrat zyrtare tregojnë se gjatë vitit 2011-2019 janë larguar nga vendi mbi 360 mijë persona, ose 13% e popullsisë banuese në vitin 2011. Rezultatet dolën nga anketa e madhe e emigracionit që zhvilloi INSTAT, në bashkëpunim me donatorët në rreth 20 mijë familje vitin e kaluar (prill-korrik 2019). Anketa ka zbuluar një fakt të frikshëm në dekadën e kaluar, pasi fenomeni është zgjeruar në emigrimin e së gjithë familjes. Gjatë 10-vjeçarit të fundit janë larguar nga vendi 6,6% e familjeve, gjithsej 49,500 të tilla, ndërsa në vitet 2001-2011 ishin larguar 4.4% e njësive familjare.

Në totalin e familjeve të larguara jashtë, numrin më të madh e ka Tirana, ku raportohet se janë larguar 10,3% e totalit të qarkut, ndërsa qarqet me humbjet më të mëdha të popullsisë janë Kukësi dhe Tropoja në Veri, Durrësi dhe Elbasani në qendër dhe Fieri në Jug.

Anketa ka zbuluar se kushtet ekonomike, duke përfshirë varfërinë, papunësinë dhe nënpunësimin, të ardhurat e ulëta nga punësimi, kushtet e vështira të jetesës, mbrojtja e kufizuar sociale dhe borxhet janë faktorët kryesorë për emigrantët shqiptarë.

Përveç këtyre faktorëve bazë, një tjetër shtysë është e ardhmja e fëmijëve. Përveç tyre, ka edhe të tjerë faktorë, si mangësitë dhe cilësia e ulët e shërbimeve të kujdesit shëndetësor, strehimi, konfliktet dhe siguria fizike që shkaktojnë stres të vazhdueshëm psikologjik, përfshi cilësinë e ulët të arsimit. Për disa nëngrupe (p.sh. romët dhe egjiptianët), një faktor shtesë është diskriminimi. Pjesa dërrmuese e personave që emigrojnë janë të rinj, ndërsa 14% e tyre ishin me arsim të lartë. Largimi i burrave ishte 200% më i lartë se ai i grave.

Që në fillim të viteve 1990, migracioni ndërkombëtar dhe ndikimi i tij ekonomik, politik e shoqëror mbeten çështje thelbësore në Shqipëri. Shqipëria është mes vendeve kryesore në botë për shkallën dhe intensitetin e migracionit ndërkombëtar. Ndërkohë, kërkimi i azilit është një dukuri relativisht e re për vendin dhe ka nisur të raportohet në statistikat europiane që prej fillimit të udhëtimit pa viza në zonën e Schengen-it.

Nga viti 2010 deri në shtator të vitit 2019, rreth 193 000 shtetas shqiptarë u regjistruan si azilkërkues për herë të parë në vendet e BE-së. Dukuria arriti pikën kulmore në vitin 2015, kur kërkuan azil rreth 67 000 shtetas shqiptarë, për t’u ulur më tej, si rezultat i procedurave të përshpejtuara të shqyrtimit të kërkesave të azilit, rregullave më rigoroze të migracionit dhe normave më të ulëta të pranimit. Përveç emigracionit jashtë, edhe 200 mijë persona kanë migruar brenda vendit.

Lexo edhe :  "Vanity Fair": Arsyet pse duhet të vizitoni Tiranën

Tirana humb 10% të familjeve, Shkodra, Fieri dhe Durrësi, të parat për emigracionin e lartë

Gjeografia e emigracionit në dekadën e fundit ka prekur edhe qarqet me nivelin më të lartë të jetesës siç është Tirana, Fieri dhe Durrësi, ku të ardhurat mesatare të familjeve janë përgjithësisht mbi mesataren kombëtare. Anketa ka gjetur se, qyteti i Shkodrës pati nivelin më të lartë të emigracionit në raport me popullsinë e qarkut. Gjatë periudhës 2011-2019, ka emigruar 16.7% e popullsisë së qytetit, rreth 36 mijë persona, nga të cilët 15,700 janë emigrime familjare.

Pas Shkodrës, Fieri renditet i dyti për nivelin e lartë të emigracionit në raport me popullsinë. Në dekadën e fundit ka emigruar nga Qarku i Fierit 15,5% e popullsisë, ku 5% e tyre ishin të grupuar në familje. Nga Qarku i Fierit, i cili është dyti për nivelin e lartë të jetesës pas Tiranës, janë larguar mbi 48 mijë persona.

Vendin e tretë e zë Qarku i Durrësit, i cili ka humbur 14.1% të popullsisë në dekadën e kaluar, ku popullsia është pakësuar me mbi 37 mijë persona.

Tirana zë vendin e katërt për nivelin e lartë të emigracionit në total. Popullsia e Qarkut të Tiranës është pakësuar me 13.7%, ose me 102 mijë persona gjatë 2011-2019, por 77 mijë persona kanë migruar të grupuar në familje. Anketa ka zbuluar se Tirana ka emigracionin më të lartë të njësive familjare krahasuar me qarqet e tjera. Gjatë periudhës, 10.3% e familjeve të qarkut kanë emigruar.

Në vend të pestë për emigrim të lartë vjen Elbasani, ku ka emigruar 12.5% e popullsisë banuese e regjistruar më 2011, ku 5.2% e tyre ishin të grupuar në familje.

Në vendin e gjashtë, Qarku i Kukësit i cili ka humbur në emigrim 12.4% të popullsisë gjatë dekadës, më shumë se 10 mijë persona, por ky qark është prekur shumë edhe nga migrimi brenda vendit i popullsisë.

Norma më të ulëta të emigracionit kishin Qarku i Lezhës, Korçës dhe Gjirokastrës, të cilët humbën përkatësisht 7, 9,6 dhe 9.2% të popullsisë. INSTAT gjeti se një numër i përgjithshëm prej 67,535 emigrantësh kishte ikur nga 1 janari 2018 deri më 15 korrik 2019. Më tej, 360 699 persona kanë emigruar që nga viti 2011 dhe përbëjnë numrin total neto të emigrantëve për periudhën 2011-2019, vë në dukje studimi.

Sipas anketës, fluksi emigrator mbizotëronte kryesisht mes familjeve që kanë emigruar tërësisht. Kësisoj, 6,6% e familjeve që emigrojnë në tërësi përbëjnë 6,5% të popullsisë totale të regjistruar më 2011. Ndërsa emigrantët që kanë emigruar veçmas pa familjen zunë 15.5% të emigranteve gjithsej gjatë 2011-2019 dhe shënuan një fluks dalës prej 6,4% të popullsisë. Tirana është rast i veçantë, ku 10,3% e të gjitha familjeve që kanë emigruar tërësisht ose 10,4% e popullsisë, janë larguar nga prefektura. Në të njëjtën kohë, përqindja e emigrantëve nga familje me emigrim të pjesshëm ishte tri herë më e ulët ne Tiranë.

Edhe për dekadën e kaluar, flukset më të mëdha që u vrojtuan ishin drejt Greqisë, Italisë dhe Gjermanisë. Për të gjitha destinacionet, anketa gjeti se, 120,754 persona u larguan për në Itali dhe nuk ishin kthyer deri në vitin 2019. Greqia priti 92,159 emigrantë dhe 40,468 u larguan për në Gjermani. Pjesa tjetër ndahet mes vendesh të tjera./Monitor/

Të fundit

Dallimet mes fëmijëve që lexojnë në letër dhe atyre që lexojnë në ekrane digjitale

Në një kohë dhe epokë ku gjithçka po shkon drejt digjitalizimit, studuesit kanë vendosur të kuptojnë si ndikon leximi...

Ndryshon paga për disa kategori/ Sa do jetë rritja për mjekët, infermierët dhe mësuesit

Reforma e ndërmarrë nga qeveria gjatë vitit 2023 për rritjen e pagave do të finalizohet deri në fund të 2024. Vendimi “Për miratimin e...

‘Zien’ toka, dy lëkundje të forta tërmeti në vendin fqinjë, ja sa ishte magnituda

Një tërmet është ndjerë në Athinë, në brigjet e Peloponezit, pranë ishujve Strofades. Sipas informacioneve të para, intensiteti i lëkundjeve ka qenë 5.6 e shkallës...

Nëse keni probleme me gjumin, ju mund të vuani nga këto 5 çrregullime

A e keni vënë re sesa keq ndiheni të nesërmen, pasi keni fjetur keq një natë më parë? Djersë të ftohta, minuta të tëra...

“3 fakte qesharake”/ Luarasi-Bardhit: Do të të kisha ngelur në klasë

Akuzat e kreut të PD Gazment Bardhi ndaj vëllait të kryeministrit Olsi Rama kanë ngjallur debat  në studion e “Opinion” në Tv Klan. 3 elementë...

Lajme të tjera

Web TV