17 Nëntor 1944/ Urdhëri: Tirana të merret me çdo kusht

113 563 lexime

124,178FansaPëlqeje

Dossier bazuar në kujtimet e ish-drejtuesve të Brigadës së Parë Sulmuese: Ziqiri Mero, Xhafer Peçi e Novruz Sulaj: Urdhri i Komandantit të Përgjithshëm: “Kryeqendra duhet marrë me çdo kusht”. Organizimi i brigadave në luftë ku dhanë gjakun 127 dëshmorë

Nga Leonard Veizi

…Tirana u çlirua…

Këto kanë qenë fjalët e para që Radiostacioni i vetëm shqiptar ka thënë më 17 nëntor të vitin 1944. Më pas është transmetuar Himni i Flamurit Kombëtar. Këto mbajnë mend mirë Ziqiri Mero, komisari partizan i Brigadës që mori pjesë për çlirimin Tiranës e Xhafer Peçi, ish-drejtues i një kompanie pjesëmarrëse direket në marrjen e Radio Tiranës.

Jo vetëm pika strategjike si Pallati i Brigadave, Banka e Shqipërisë, kompleksi i Ministrive, Komandatura, Centrali dhe burgjet, por dhe stacioni i vetëm radiofonik i Shqipërisë ishte një nga shënjestrat kryesore të njësive që do të sulmonin për çlirimin e Tiranës nga pushtuesi nazist.


Në këtë mënyrë kompanisë II të batalionit II të Brigadës së Parë Sulmuese iu dha detyra e marrjes me çdo kusht të zërit propagandistik, që prej 5 vitesh drejtohej nga pushtuesit. Por dhe nazistët, të cilët vazhdonin të kishin nevojë për ngritjen e moralit të ushtrisë së tyre, e kishin përforcuar mirë godinën e Radio Tiranës që në ato vite ndodhej te Rruga e Kavajës, pranë rrugës “Kont Urani”.

Në këtë mënyrë, sulmi për të marrë Radiostacionin e vetëm, bëhej edhe më i vështirë. Kështu Batalioni III, me komandant Xhelo Idrizin, Kompania I e Batalionit II, nën drejtimin e Hekuran Pobratit, kanë qenë mbështetëse në luftime. Por Kompania e II e Batalionit të II, nën drejtimin e Mane Sevranit, ka marrë pjesë drejtpërdrejt për marrjen e godinës.

Ndërsa Kompania I e Batalionit të I, e drejtuar nga Dalan Memushi, ka shkuar për përforcime. Në atë kohë, komanda gjermane në tërheqje e sipër kishte dhënë urdhër për hedhjen në erë të Radiostacionit. Xhafer Peçi kujton se mëngjesin e 17 nëntorit nga aerodromi i Tiranës erdhën 4 tanke të shoqëruara me rreth 150 trupa naziste, të cilët kishin vënë përpara të paktën 20 qytetarë të pafajshëm.

Forcat gjermane tentuan të merrnin godinën e Radiostacionit, ata vranë robërit duke i shkelur me zinxhirët e tankeve dhe hynë në katin e parë të godinës. Nga përleshja mbetën të vrarë një kolonel, një kapiten e një toger. Nga forcat partizane mbeti i plagosur vetëm borizani Haki Kapaj. Nga hedhja në erë, shpëtoi gjithashtu edhe centrali i qytetit, i cili ishte minuar nga trupat gjermane në tërheqje…

…Trupat gjermane të gruparmatës “E”, ku bënte pjesë edhe Korpusi XXI zotëronin Tiranën. Për të marrë kryeqytetin u luftua në çdo qoshe muri, shesh, rrugicë e dritare. Në këtë mënyrë, arena e luftimeve për të mbajtur me çdo kusht, apo marrë me çdo kusht kryeqendrën shqiptare, u bë tepër e egër.

Garnizoni gjerman i Tiranës, i përbërë prej 3000 veta kishte detyrë të mbronte qytetin për të siguruar tërheqjen e trupave naziste, që vinin nga Greqia e Maqedonia, duke ndjekur rrugët Strugë-Elbasan-Tiranë dhe Durrës-Shkodër. Në Tiranë kishte mbetur edhe një forcë me rreth 500 shqiptarë të mobilizuar.

Armiku në qytet kishte bërë fortifikime në ndërtesat kryesore, kazerma, centralin elektrik, etj., e kishte vendosur mina. Historia e 19 ditëve të luftës frontale për çlirimin e Tiranës, është ngritur në bazë të dëshmive të  ish-kundëradmiralit Ziqiri Mero, ish- zv/komisari i Brigadës I Sulmuese, ish-komandant të Gardës së Republikës, Xhafer Peçit dhe Novrus Sulajt, në atë kohë komandant kompanie.

Faza e parë

Plani i Komandës së Përgjithshme caktonte si detyrë kryesore çlirimin e Tiranës me çdo kusht, asgjësimin e forcave armike e mënjanimin e grabitjes e të shkatërrimit të qytetit nga gjermanët. Një grup artilerie gjendej në kodrat rreth Pallatit të Brigadave, një tjetër në Tiranën e Re, shumë mortaja të rënda e të lehta, një repart tankesh, ishin vendosur në kryqëzime të rrugëve.

Në urdhrin e Komandantit të Përgjithshëm, Enver Hoxha thuhej: “Duhet sulmuar Tirana dhe të merret me çdo kusht”. Mësymja në Tiranë do të bëhej nga dy forca kryesore. Në të parën, do të hynte në mësymje Divizioni I Sulmues, që në përbërje të tij ishin tri Brigada I, IV dhe XXIII, e cila kishte zëvendësuar Brigadën V, që kish shkuar në Kosovë, së bashku me Brigadën e III, për çlirimin e krahinës. Në fazën e dytë do futeshin në luftim dhe Brigadat VIII, X, XXIV.

Komandant i Divizionit ishte Mehmet Shehu, i cili organizoi shtabin operativ dhe drejtoi me aftësi të rrallë operacionin për çlirimin e kryeqytetit. Veprimet për çlirimin e Tiranës përbënin një operacion të kombinuar. Në kohën që Divizioni I dhe Brigadat VIII e X do të mësynin brenda në qytet e në periferi të tij, Brigadat II, XX, XV, XVII, XI e XII do t’i jepnin goditje armikut gjatë rrugëve që nga Qafa e Thanës-Elbasan-Tiranë, Tiranë-Shkodër, Elbasan-Durrës si dhe brenda në qytetet Elbasan, Peqin, Kavajë, Durrës.

Plani i luftës

Komanda e Divizionit I, forcat e të cilit vepronin rreth Tiranës, kishte më tepër se një muaj që punonte për të përgatitur me hollësi planin e mësymjes, në bazë të njoftimeve të marra nga qyteti dhe informacioneve që jepnin grupet e zbulimit, të cilat futeshin natën në Tiranë për të zbuluar përqendrimet dhe mbrojtjen e armikut. Ajo kishte caktuar drejtimet dhe detyrat e brigadave.

“Morali i partizanëve e kuadrove komanduese ishte tepër i lartë. Ata kishin fituar përvojë në aksione e shumta e prisnin me padurim të sulmonin nazistët. Por këtu kishte edhe një problem, se lufta në qytet e sidomos në qytete të mëdha kishte veçoritë e saj, të cilat nuk ishin të njohura siç duhet dhe për këtë veçanërisht ishin të preokupuar kuadrot; pra, në këtë drejtim njerëzit duhet të tregoheshin tepër të vëmendshëm. Por edhe ky shqetësim kaloi, në sajë të vendosmërisë, shkathtësisë, guximit e trimërisë që treguan partizanë e drejtues, duke përballuar me sukses gjatë luftimeve edhe çaste të paparashikuara e tepër të vështira”, është shprehur Ziqiri Mero.

Fillimi i mësymjes

Brigadës I iu caktua detyra të mësynte nga kodrat në lindje e verilindje drejt qendrës së qytetit. Brigada e IV do të bënte presion të vazhdueshëm mbi Tiranë nga ana e jugut dhe jugperëndimit dhe një pjesë e forcave të saj do të vepronte në rrugën Tiranë-Elbasan. Brigada XXIII do t’i jepte goditje armikut gjatë rrugës Tiranë-Shkodër. Mësymja filloi në orën 18.00 të 29 tetorit. Vështirësia më e madhe për partizanët e Brigadës I u paraqit tek kazermat e Xhenios (Akademia Ushtarake).

Lexo edhe :  Dashuri nën zjarr: Si i mbijetoi luftës në Kosovë një çift i përzier etnikisht

Aty kishte pozicione të fortifikuara. Gjermanët rezistuan për një kohë, por kur panë se do të rrethoheshin plotësisht, u detyruan të tërhiqen dhe kazermat ranë në duart e partizanëve, si dhe spitali civil e ushtarak që ishin pranë njëri-tjetrit. Duke kontrolluar ndërtesat e zëna, iu dorëzuan partizanëve 40 ballistë të armatosur që ishin fshehur. Luftime u zhvilluan në rrugët “Bajram Curri”, Tafajve, Shenasi, Dishnica, në Kodrën e Kuqe, Medrese, në postën pranë “Varrit të Bamit”, në rrugën “Hoxha Tahsim”, para sheshit “Avni Rustemi”.

Brigada e IV sulmoi në kodrat afër Pallatit të Brigadave dhe në Tiranën e Re. Pas 10 orë luftimesh Brigada I doli në rrugën e “Barrikadave”, armiku u tërhoq me nxitim dhe nuk mundi të vinte në zbatim planin për të hedhur në erë depot e ujit, spitalet, komandën e xhandarmërisë, etj. Fillimi i mbarë i mësymjes tregonte përgatitjen e divizionit për betejën e madhe, vendosmërinë e komandave e luftëtarëve për të çliruar Tiranën. Ky fillim i mbarë iu dha krahë partizanëve e ngjalli gëzim të madh në popullsinë e qytetit.

Zhvillimi i luftimeve

Në kujtimet e tij Xhafer Peçi ka rrëfyer: “Mësymja vendimtare do të fillonte në ora 16.00 të datës 11 nëntor. Më 12 nëntor Tirana buçiste nga zjarri i armëve të luftës. Armiku bënte përpjekjet e fundit për të rezistuar, me shpresë se mund t’i vinin në ndihmë forca që tërhiqeshin nga Greqia. Më 14-15 nëntor forcat e Brigadës I u takuan me ato të Brigadës IV dhe VIII në Rrugën e Kavajës.

Më 13 nëntor, në kulmin e ashpërsisë së luftimeve në qytet, erdhi lajmi se një kolonë ushtarake gjermane prej 6000-7000 veta, pasi kishte lënë Elbasanin, qe ndarë më dysh. Gjysma afrohej për Tiranë, ndërsa gjysma tjetër për Durrës. Komanda e Korparmatës dhe Shtabi Operativ kishin marrë masa që kolona armike të asgjësohej pa mbërritur në Tiranë. Kjo detyrë i qe ngarkuar Brigadës XVII dhe forcave kryesore të Brigadës IV e VIII.

Këto të fundit në qytet lanë vetëm nga një batalion. Një batalion i Brigadës së I do të zinte pozicione në hyrje të Tiranës. Më 14 e 15 nëntor kolona gjermane u godit nga forcat tona në Mushqeta, Bërzhitë e Ibë. Luftimet u zhvilluan të ashpra. Gjatë këtyre luftimeve mbetën të vrarë mbi 1500 nazistë, shumë të plagosur e të kapur rob.

Me ndihmën e tankeve mundën të vazhdojnë rrugën rreth 300 vetë, të cilët u goditën më pas. Në qytet mundën të hyjnë vetëm disa tanke. Këto forca ishin të Korpusit XXII dhe të Divizionit 133, që të tërhiqeshin nga Greqia. Asgjësimi i tyre ishte një fitore e madhe për partizanët që luftonin në Tiranë.

Situata për gjermanët ishte bërë tepër e vështirë. Ata përgatiteshin për t’u tërhequr, por nuk dinin nga të dilnin. Më 16 nëntor sulmet partizane vazhduan pa ndërprerë deri natën vonë. Armiku përpiqej të çante në ndonjë anë me tanke dhe më në fund, i përgjysmuar, mundi të dalë në një drejtim. Mëngjesin e 17 nëntorit përfundoi beteja për çlirimin e Tiranës”.

Nga rrëfimi i Novruz Sulajt: Si u morën burgjet

“Kompania që drejtoja mori si detyrë çlirimin e dy burgjeve të Tiranës, atij të vjetër (te rruga “Mine Peza”) dhe atij të ri pranë AQSH). Detyra e Batalionit V që kishte në përbërje 4 kompani kishte marrë urdhër të sulmonte nga Lapraka, për të përfunduar sulmin te Materniteti i Tiranës. Komandanti i këtij batalioni ka qenë Vehbi Hoxha (Hero i Popullit), nën/komandant, Idriz Seiti e komisar, Savë Kavaja.

Komanda e batalionit kishte ndarë detyrat për të katër kompanitë, ku kompania e katërt, e drejtuar nga, Novruz Sulaj, nënkomandant Reiz Muço e komisar Mehmet Tato morën urdhrin për të goditur me zjarr të përqendruar dy burgjet e Tiranës. Fillimisht ne sulmuam godinën e Kryqit të Kuq në Laprakë (sot Spitali Ushtarak) dhe pasi e morëm atë, u strehuam për t’u përgatitur në sulmet e mëtejshme.

Kompania e IV ishte pozicionuar në disa skuadra, ku njëra prej tyre depërtoi deri te godina ku sot ngrihet Fakulteti i Shkencave, por që në atë kohë ishin ndërtuar vetëm pjesa e bodrumeve dhe ishte rrethuar me një mur të lartë. Pikërisht aty, skuadra u zu në një pozicion të vështirë, pasi gjermanët sulmuan me të paktën tetë tanke. Por ka qenë një partizan nga Shishtaveci i Kukësit, i cili ishte i vetmi që përdorte një antitank dhe që u vra në luftime vetëm për të shpëtuar shokët e skuadrës.

Në datën 15 nëntor 1944, Kompania IV sulmoi burgun, i cili ndodhej atje ku sot është vendosur Rajoni Nr.2 i Policisë së kryeqytetit, në rrugën “Mine Peza”. Në luftimet e ashpra, unë mbeta i plagosur nga një plumb. Pas plagës që mora në këtë luftë, komandën për sulmin ndaj burgut të vjetër e mori nënkomandant Reiz Muça dhe komisar Mehmet Tato. Por kur kompania ishte përgatitur të ndeshej ashpër me trupat gjermane ka rezultuar se burgu mbahej nën mbikëqyrje nga forcat balliste. Por duke parë që rezistenca ishte e kotë, forcat balliste u dorëzuan menjëherë dhe burgu i vjetër u mor pa lufte. Gjatë luftimeve për çlirimin e Tiranës, nga kompania mbetën dy partizanë të vrarë”.

Bilanci i luftës

Në kujtimet e tij Ziqiri Mero thotë: “Lufta për çlirimin e Tiranës i kushtoi armikut më tepër se 2000 të vrarë, ndër të cilët 3 kolonelë të identifikuar, veç të plagosurve; më tepër se 300 robër, 25 topa në gjendje të mirë, përmbi 100 mitraloz, 200 automjete, 250 karro me material të ndryshëm, 120 kafshë të gjalla, 300 kafshë të vrara, municion, ushqime, veshmbathje të panumërta si dhe 4 tanke.

Veç këtyre shpëtuan pa u prekur centralet e elektrikut, stabilimentet e radios, ura e Farkës dhe e Erzenit si edhe të gjitha ndërtesat e mëdha të Tiranës që ishin të minuara. Në veprimet e spastrimit u arrestuan përmbi 400 kuislingë dhe të dyshimtë për bashkëpunim me okupatorin. Në luftën për çlirimin e qytetit dhe të popullit të Tiranës, ranë dëshmorë 127 partizanë dhe u plagosën 290 të tjerë. Ndër të vrarët ishin dy nënkomandantë batalionesh, dy komisarë kompanie, dy zv/komisarë kompanie, dy komandantë kompanie, dy, zv/komandantë kompanie dhe tre skuadër-komandantë”.

l.m/Fjala.al

Të fundit

Shqiptari arratiset nga burgu në Zvicër

ZVICËR- Një shqiptar nga Kosova është arratisur nga burgu në Wauwilermoos i Lucernit, ku ishte i dënuar me kusht. Ai...

Aplikacioni Telegram rrezikon bllokimin në Rusi, Kremlini: Po përdoret nga terroristët

Zëdhënësi i Kremlinit Dmitry Peskov ka deklaruar sot se aplikacioni i komunikimit Telegram dhe krijuesi i tij Pavel Durov duhet t’i kushtojnë më shumë...

Këshilli Bashkiak miraton bonusin e qerasë për familjet e Kombinatit

Këshilli Bashkiak i Tiranës miratoi listën e familjeve të Kombinatit, të cilat përfitojnë bonus qiraje pasi banesat e tyre u prekën nga procesi i...

Sterilizimi/ Ilir Beqaj zbulon detaje nga dosja hetimore: Kemi bërë kërkesë për…

Pas daljes nga SPAK ku u njoh me dosjen hetimore për Sterilizmin, ish-ministri i Shëndetësisë, Ilir Beqaj, i cili akuzohet për shpërdorim detyre, tha...

Ekspertët thonë jo! Nga tani mos qëndroni më zbathur në shtëpi, ja arsyeja e fortë

Pas një dite të gjatë me këpucët veshur me siguri gjithçka që doni të bëni është t’i largoni ato nga këmbët tuaja. Kjo për shkak...

Lajme të tjera

Web TV