Këshilli i Ministrave ka miratuar sot paketën për rimbursimin e barnave për trajtimin në shtëpi të personave të sëmurë me koronavrius.
Rimbursimi do të behet sipas dy skemave, në përputhje me formën e sëmundjes.
Sipas vendimit, për formën e lehtë të sëmundjes, vlera e rimbursimit do të jetë jo më shumë se 1650 lekë të reja.
Ndërsa për formën e mesme të sëmundjes, rimbursimi do të jetë jo më shumë se 10900 lekë të reja.
Do të jetë mjeku i familjes që, për personat e infektuar, në përputhje me formën e sëmundjes, do të lëshojë recetën me rimbursim.
“MIRATIMIN E PAKETËS SË BARNAVE PËR TRAJTIMIN AMBULATOR NË BANESË TË PERSONAVE TË DIAGNOSTIKUAR ME COVID-19, QË DO TË FINANCOHET NGA FONDI I SIGURIMIT TË DETYRUESHËM TË KUJDESIT SHËNDETËSOR
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 6, të nenit 10, të ligjit nr.10383, datë 24.2.2011, “Për sigurimin e detyrueshëm të kujdesit shëndetësor në Republikën e Shqipërisë”, me propozimin e ministrit të Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
- Rimbursimin e paketës së barnave për trajtimin ambulator në banesë për personat e diagnostikuar me COVID-19 nga Fondi i Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor.
- Paketa e barnave për trajtimin ambulator në banesë të pacientëve të diagnostikuar me COVID-19 përbëhet nga dy skema trajtimi, në përputhje me formën e sëmundjes, sipas udhëzuesit të miratuar nga Komiteti Teknik i Ekspertëve.
- Vlera e rimbursimit të paketës së barnave për skemën 1 të trajtimit (forma e lehtë) do të jetë jo më shumë se 1 650 (një mijë e gjashtëqind e pesëdhjetë) lekë.
- Vlera e rimbursimit të paketës së barnave për skemën 2 të trajtimit (forma e mesme) do të jetë jo më shumë se 10 900 (dhjetë mijë e nëntëqind) lekë.
- Mjeku i familjes, për personat e testuar pozitiv për Sars-Cov-2 (të konfirmuar nga institucionet shëndetësore publike përgjegjëse), në përputhje me formën e sëmundjes dhe indikacionet e përcaktuara në udhëzuesin e miratuar nga Komiteti Teknik i Ekspertëve, lëshon recetën me rimbursim, sipas rregullave të përcaktuara nga Fondi i Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor.
- Për diagnozën COVID-19, e gjithë popullata konsiderohet përfituese nga skema e sigurimeve shëndetësore, duke u regjistruar dhe identifikuar si e siguruar.
- Efektet financiare për zbatimin e këtij vendimi do të përballohen nga buxheti i Fondit të Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor.
- Ngarkohen Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale dhe Fondi i Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.”, thuhet në vendim.
Pa.Va/Fjala.al