Duke e krahasuar me rajonin dhe mesataren e Europës, Shqipëria ka incidencën më të ulët të prekjeve nga Covid19 për 100 mijë banorë. Deri më tani 646 persona kanë humbur jetën që nga fillimi i pandemisë. Ministrja Manastirliu: Kemi mortalitet më të ulët se mesatarja e vendeve të rajonit.
Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale Ogerta Manastirliu ka sjell një panoramë të situatës në vend që prej muajit mars kur u vendosën masat e para kundër përhapjes së COVID-19 në vend si dhe vendimet e qeverisë.
Nga të dhënat e deritanishme, 646 persona e kanë humbur betejën me koronavirusin, ndërsa java e 46 ka shënuar edhe rekordin më të zi. Manastirliu tha se aktualisht janë 29 837 raste me koronavirus në vend, ndërsa incidenca është 1042 raste për 100 mijë banorë. Ajo u bëri thirrje edhe njëherë qytetarëve që të respektojnë masat, në mënyrë që të kufizohet përhapja e virusit.
“Në këtë komunikim tashmë të përjavshëm me ju dua të ndalem shumë shkurt në situatën epidemiologjike në vend, në prezantimin e masave të ndërmarra deri tani në raport me masat kufizuese shtrënguese dhe masat në kuadër të strategjisë së rihapjes dhe vjeshtë-dimrit për të bërë një panoramë të plotë dhe gjithashtu të ndalemi në çfarë është aktualisht duke ndodhur në strukturat tona të kujdesit shëndetësor në programet për mbështetjen e popullatës dhe për të sqaruar ato pika kyçe për të cilat të gjithë qytetarët janë të interesuar për t’u njohur.
Aktualisht kemi të konfirmuara me diagnozën COVID-19, 29 837 raste në total, duke prodhuar një incidencë prej 1042 rastesh për 100 mijë banorë. Duke e krahasuar me rajonin dhe mesataren e Europës është më e ulët.
Shtimi i rasteve të konfirmuara ka shkaktuar një rritje të mesataresh javore, prej 429 raste në javën e 45 të pandemisë prej mbi 500 raste në javën e 46. 52% e rasteve janë femra, 48% janë meshkuj. Rritje e lehtë e rasteve aktive, në 526 raste për 100 mijë banorë. Për fatalitetet, aktualisht kemi 646 humbje jete.
Mortaliteti më i ulët se mesatarja e vendeve të rajonit. Java e 46 me një numër më të lartë fatalitetesh. Situata në spitale, në të 3 strukturat e dedikuara për rastet COVID, aktualisht kemi të zëna 420 shtretër. 15-20% shtretër të lirë. Struktura e katërt është gati në momentin që do të kemi një zënie të shtretërve në tre strukturat e para.
Vlerësoj gjithë punën e madhe që po bëjnë mjekët. Kemi ndërmarrë 13 masa ose ndërhyrje përgjatë gjithë kësaj periudhe 9-mujore duke filluar nga marsi me vendosjen e masave të izolimit, më pas dhe ashtu sikurse e pamë Shqipëria arriti të kufizonte marrjen e virusit. na dha kohë të përgatiteshim. Kemi tre dokumente të përgatitura nga ekspertët”, deklaroi Manastirliu.
786 raste të reja dhe 11 humbje jete në 24 orët e fundit
Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale në njoftimin e fundit konfirmon se në 24 orët e fundit, në vendin tonë janë kryer 2592 testime, nga të cilat kanë rezultuar pozitivë me virusin SARS COV2, 786 qytetarë.
Por fatkeqësisht, me gjithë përpjekjet e mjekëve, në 24 orët e fundit, kanë humbur jetën 11 qytetarë me Sars-Cov2 pozitiv në spitalet COVID: një 51 vjeçar dhe 64 vjeçare nga Shkodra, dy 62 vjeçar një nga Kavaja dhe një nga Vlora, një 65 vjeçar nga Kruja, një 69 vjeçar nga Berati, një 71 vjeçare nga Lushnja, një 74 vjeçar dhe një 75 vjeçar nga Fieri, një 81 vjeçare nga Gramshi, një 81 vjeçar nga Tirana.
Në 24 orët e fundit janë shëruar 349 qytetarë, duke e çuar numrin e të shëruarve 14,565 që nga fillimi i epidemisë. Aktualisht në 3 spitalet COVID, po trajtohen 424 pacientë, 11 në terapi intensive, nga të cilët 4 të intubuar.
Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale i drejtohet të gjithë qytetarëve që janë të konfirmuar ose në pritje të përgjigjes së testit, të qëndrojne të izoluar, duke respektuar detyrimin e vetekarantinimit.
Gjithashtu Ministria e Shëndetësisë ju bën apel qytetarëve të zbatojnë vendimet e Komitetit Teknik të Ekspertëve për kufizim me lëvizjeve dhe aktiviteteve pas orës 22:00 dhe vendimin për ndalimin e grumbullimeve me më shumë se 10 persona në ambiente të hapura apo të mbyllura. Për çdo shenjë të sëmundjes çdo pacient duhet të kontaktoni me mjekun e familjes.
Bino: Testet e shpejta në terren, maska do të mbahet edhe kur të dalë vaksina
Shefja e epidemiologjisë në Institutin e Shëndetit Publik, Silva Bino u kërkoi qytetarëve që të mbajnë maskën. Ajo tha se edhe kur të dalë vaksina, masat do të vijojnë dhe maska duhet të mbahet.
“Pavarësisht vendimeve, më e rëndësishme është që ne duhet të kuptojmë normalitetin e ri, duhet të mbajmë maskën. Maska do të mbahet edhe pas daljes së vaksinës, deri sa të shohim që do japë efekt.
Në momentin që do të kemi vaksinën, ajo mund të mbrojë ata që janë më të rrezikuar për të bërë forma të rënda, por përsëri këto masa do të vijojnë që të zbatohen deri kur vaksina të ketë impakt në transmetueshmërinë e sëmundjes” tha ajo. Kapacitetet për testet janë shtuar edhe me një tjetër laborator, tha më tej Bino.
“Aktualisht në rrjetin e ISHP-së, kemi tre laboratore, një bazë në ISHP, një i kërkimeve veterinare dhe i treti i cili është i lidhur me ISHP-në. Dhe pastaj kemi laboratorin e QSUT-të. Kemi 4 laboratore që po funksionojnë në rrjetin publik. Kemi edhe rrjetin e laboratorëve private”.
Në pritje të testit të shpejtë, Bino tha se “Do të jenë një revolucion, do të ofrojë testimin sa më afër qytetarit, që do të ndihmojë në izolimin dhe masat e menjëhershme të kontrollit. Janë teste që kryhen në terren” përfundoi Bino.
Kosovë/ Shënohen 14 viktima dhe 807 raste të reja
Kosova ka shfaqur një rritje të shifrave nga COVID-19 në 24 orët e fundit. IKSHPK njofton se 14 viktima u shënuan së fundmi si dhe 807 raste të reja. Në krahasim me një ditë më pare ka më shumë viktima e të infektuar nga COVID-19 teksa më shumë vdekje ka pas Ferizaj, 3 të tillë.
Nga ana tjetër sa i përket rasteve Prishtina kryeson me 349 sot ndjekur nga Ferizaj 55, Prizreni 53, Fushë-Kosova 44 e Gjakova 30. Numri total i rasteve pozitive është 32.022 raste nga 125.792 persona të dyshimtë në virusin SARS-CoV-2 dhe 874 raste të vdekjes. Gjatë 24 orëve të fundit, janë shëruar 677 pacientë derisa numri i përgjithshëm i të shëruarve deri më sot është gjithsej 19.024 raste, kurse numri i rasteve aktive është 12.124.
l.m/Fjala.al