Lorenc Vangjeli: Rama dhe Meta do të jenë aty ku janë, Basha mund të mendojë për vitin 2025…

113 563 lexime

106,048FansaPëlqeje

Ekskluzive

Si po sillen tre liderët politik pesë muaj para zgjedhjeve të përgjithshme Parlamentare. Taktikat elektorale që po përdor Rama, Basha dhe Meta përballë qytetarëve të çorientuar e mbajtur nën trysni dhe agresivitet deri në ditën e zgjedhjeve. Çfarë pritet të ndodhë dhe nga mund të anojë pushteti… Flet për gazetën “Fjala”, analisti Lorenc Vangjeli.

Gjashtë muaj para zgjedhjeve të 25 prillit duket se të majtë dhe të djathtë kanë nisur fushatën. Pas zgjedhjeve lokale, duket se kjo fushatë është shumë agresive…

Në Shqipëri nuk mund të thuhet ka nisur fushata zgjedhore: fushata nuk mbaron kurrë! Eshtë cikël i pandërprerë. Dhe me një rezultat final të paralexuar që pa u hedhur ende vota në kuti dhe pa dalë ende vota nga kutia për t’u numëruar. Në mendësinë e opozitave në Shqipëri, qoftë të majtës së djeshme, qoftë të djathtës së sotme, ka vetëm dy alternativa për zgjedhjet: ose i fitojë ato, ose i ka vjedhur qeveria! Askush deri më sot nuk ka pranuar me dinjitet humbjen, askush nuk ka dashur të urojë fituesin, askush nuk ka kuptuar se një nga leximet më të rëndësishme të zgjedhjeve, një nga institucionet më të rëndësishme që legjitimojnë zgjedhjet, është opozita. Këtë insititucion askush nuk e llogarit, madje as fituesit e të drejtës për të qenë opozitë. Kjo është një nga arsyet se pse zgjedhjet janë kaq të ashpra në Shqipëri. Sepse fati i individit është jashtëzakonisht refraktar ndaj ngjyrës së qeverisjes. Vetëm për shkak të saj, dikush mund të ngryset i varfër dhe të gdhihet i pasur, mund të jetë i papunë i dëshpëruar dhe të ngjitet në maja befasuese karriere, mund të jetë analfabet funksional dhe të votojë ligjin për arsimin, mund të vetëkonsiderohet pre’ e trembur përpara gjumit dhe të zgjohet gjahtar krenar në mëngjez. Rezultati i zgjedhjeve është shumë më shumë se dëshira dhe nevoja njerëzore për të bërë tifo: është jetesë që ndryshon tërësisht për një përqindje të madhe të shoqërisë. Për pjesën më të zhurmshme dhe më të dukshme të saj. Për këto arsye, nuk ka asnjë çudi se pse ka dhe do të ketë kaq shumë agresivitet në fushata dhe në politikën shqiptare në përgjithësi.

Pothuaj në çdo fushatë beteja politike ka qenë mes dy forcave të mëdha politike PS-PD. Mos në këto zgjedhje kemi një luftë tre palëshe PS-PD-Presidencë?

Jo! Edhe pse në dukje politika shqiptare pozon si bipolare, edhe pse në thelb është bipolare në ndarjen skematike mes të majtës dhe të djathtës, faktori LSI ka krijuar një pol të tretë që është sjellë si pendul. Dhe si e tillë, LSI-ja ka diktuar natyrën e qeverisjes në 15 vjetët e fundit. Vizatoi humbjen e qartë të socialistëve në 2005-ën, kur nuk fitoi PD-ja, por humbi PS-ja. Kushtëzoi barazimin pothuaj matematik të votave në 2009-ën, kur nuk fitoi as PD-ja dhe as PS-ja dhe LSI-ja u soll si fituese. Riktheu në pushtet të majtën në 2013-ën duke humbur vetë, vetëm në 2017-ën. Pasiguria, paqartësia, dilemat dhe rradhët e ngjeshura të servilëve që rrethonin Ilir Metën në ato kohë dhe vetë dëshira e Ilir Metës për t’i përdorur ata si piedestal për veten, edhe pse nuk kishte pikën e nevojës për të, i dhanë LSI-së pozicionin e sotëm.

Zgjedhjet e dyzuara dhe të gabuara të saj gjatë gjithë dimrit dhe pranverës së 2017-ës, ishin nga shkaqet kryesore se pse Edi Rama, përkundër të gjitha shanseve tmerrësisht të vogla për të fituar, projektoi një triumf shumë më të madh vetjak. Në Shqipëri, edhe për shkak të numrit të vogël të banorëve në përgjithësi, edhe pse në politikë janë pothuaj të njëjtën njerëz në njëzet a tridhejtë vjetët e fundit, politikëbërja është shumë më shumë personale sesa parimore. Në këtë trekëndësh, PS-PD e Presidencë – duke nënkuptuar LSI-në me zyrën e kreut të shtetit – siç tentohet të vizatohet skena e ardhshme politike, ka një rëndësi të posaçme marrëdhënia mes individëve që i përfaqësojnë ato. Por nuk ka asnjë çudi, që Meta t’i besojë shumë më pak Bashës sesa Edi Ramës. Dhe Edi Rama të jetë më pranë Bashës që i kërcënon shumë më pak votat e veta të majta sesa Metës. Vetëm kryetari i PD-së duket i shkëputur nga vullneti i tij për të ndikuar në llogaritë e sotme dhe të nesërme.

Lexo edhe :  "Kjo nuk është shenjë e mirë"/ Rama flet pasi mori vaksinën dhe zbulon nëse ka patur shqetësime

Opozita e tij është e vetmja në këto vite pluralizëm që nuk ka mundur të ndërtojë një frymë fituese në vend, edhe pse përballë tij Rama është i tronditur nga tërmeti, po qeveris me maskë pandemie dhe ka krijuar distancën e natyrshme mes të thënit e të bërit. Djegia e mandateve, bojkoti i zgjedhjeve lokale, mënyra e zgjedhjes së listës së kandidatëve për deputet, pasiguria e sjelljes me aleatët, si dhe qasja me zigzage, politizimi, agresiviteti dhe reagimi me shumë paqartësi në qasjen ndaj pandemisë, janë “manita” që i japin shumë më shumë shanse Edi Ramës të bëjë hapin “tris” për veten. Fatkeqësisht, Basha edhe për shkaqe që nuk varen vetëm prej tij, nuk po sillet si kali që tërheq karron e luftës politike, por po i dëshmon problemet e tij si shkop në rrotat e kësaj karroje. Fushata e fundit ndaj të shkuarës së tij, edhe pse ka shumë cinizëm, edhe pse shumë paqartësi dhe të pavërteta, por edhe kundërpërgjigja e tij me shifrat e të vdekurve ndaj pandemia, do t’i kompromentojnë shumë shanset e tij në 2021-shin. Padyshim që Lulzim Basha nuk është kolaboracionisti i kohës së postluftës së Kosovës siç tentojnë të vizatojnë kundërshtarët e tij.

UNMIK-u ishte krijesë e çlirimtarëve dhe jo pushtuesve në Kosovë. Fatkeqësisht ai është mëkatari kryesor i dezertimit në kohë paqeje nga institucioni i opozitës parlamentare. Kjo është arsyeja kryesore që duke shpërthyer si kamikaz në themelet e sistemit në dimrin e 2019-ës kur dogji mandatet, ai u vetvra politikisht, por cënoi, traumatizoi dhe krisi edhe vetë themelet e sistemit.

 Agresiviteti i fushatës a nënkupton se një një nga tre personazhet mes Ramës, Bashës dhe Metës mund të rrezikojë largimin përfundimtar nga politika?

I vetmi politikan me peshë që ka ikur nga politika është Fatos Nano. Edhe ai i penduar thellësisht për atë që bëri, i shtyrë nga mospërfillja vite më parë. Kam përshtypjen se edhe mbas 2021-it, ai do të vazhdojë të jetë i vetmi politikan që iku dhe nuk u kthye më. Pavarësisht dëshirës së tij për të pasur duvak nuseje, qoftë dhe me çmimin e krushqisë me Berishën. Rama dhe Meta do të jenë sërish aty ku janë, pavarësisht vullnetit të tyre. Në rast humbjeje, Ramën sërish do ta lutin të qëndrojë në PS, edhe pse të gjithë të tjerët në heshtje, shumica dërmuese e bashkëpunëtorëve të hershëm dhe të punësuarve rishtaz prej tij në qeverisje, do të kujtojnë atë që ai e quan pasion të zjarrtë pune dhe ata ja gëlltisin si arrogancë. Ikën apo rri, kjo do të jetë dilema që do ta zgjidhë artisti tipik që përbuz mediokritetin dhe servilët dhe politikanit atipik që beson se ka për mision tharrjen e kënetave vanitoze në Tiranë.

Meta është lidhur në zinxhirët e premtimit të tij që mandati presidencial i mbaron në korrik 2022 dhe nuk do të dalë nga Presidenca, pavarësisht rezultatit. Në LSI mund t’i luteshin për rikthim, por koha nuk punon për nostalgjinë e ditës, por për kompleksin e mospërsëritjes së precedentit presidencial të Berishës: dorëheqje para mbarimit të mandatit. Kurse Basha, nëse humb sërish, do ta ketë historinë më të komplikuar. Askush nga ata që kanë mbetur në PD dhe askush nga ata që kanë ikur nga PD-ja, nuk kanë mundësi teorike ta largojnë nga zyra. Dhe ai, ndonëse me vështirësi, edhe po të humbë, mund të vazhdojë të qëndrojë në PD. Dhe do të ketë në dorë dy vendimmarrjet e vetme në partinë e tij: listën e deputetëve për zgjedhjet e 2025-ës dhe listën e targave të makinave që mund të parkojnë në oborrin e ish-SHQUP-it. Këto kompetenca nuk janë pak në Tiranë. Përkundrazi! Janë më të dobishme e fitimprurëse edhe sesa një biznes VIP, që nuk paguan fare taksa./r.g/fjala.al

Të fundit

Rama emëron Anastas Angjelin në krye të komisionit të Ekonomisë dhe Financave

Në prag të zgjedhjeve të 25 prillit Kryeministri Edi Rama, rivendos ekuilibrat në Partinë Socialiste, mes socialistëve të vjetër...

Habit 21-vjeçarja: Covid-19 më shpëtoi jetën

Një 21-vjeçare shprehet se i është mirënjohëse pandemisë së Covid-19 pasi sipas saj koronavirusi e ndihmoi që ajo të hiqte dorë nga alkoli dhe...

Edvin Kulluri: Zgjedhjet e 25 prillit pritet të jenë të lira dhe të rregullta

Edvin Kulluri bëhet i pari opozitar që parashikon se zgjedhjet e 25 prillit nuk priten të jenë me probleme. Gjatë intervistës  për  gazetarin Roland...

Ndërpritet papritur Për’Puthen, Fatjoni ngrihet për të goditur…

Një situatë jo e zakontë ka ndodhur në puntatën e kësaj të hëne në emisionin ‘Për’Puthen’, ku Fatjoni dhe Erisi janë përfshirë në një...

Humbi katër anëtarë të familjes, rrëqeth djali i madh i Blerim Avdijaj: Ndihem sikur jam në një film horror

Djali i madh i Blerim Avdijaj, Mirsadi ka rrëfyer detaje tronditëse për aksidentin tragjik i cili ndodhi ditën e enjte në Rrugën e Kombit. Katër...

Lajme të tjera

Web TV