Rimëkëmbja nuk arrihet pa mundur pandeminë

113 563 lexime

106,048FansaPëlqeje

Ekskluzive/Nga Eduard Gjokutaj

Rimëkëmbja e qëndrueshme ekonomike nuk mund të arrihet nëse nuk mundim pandeminë. Është e nevojshme që koha e veprimit të kuptohet se ka shumë ndikim në këtë luftë ndaj COVID-19. Në këtë kohë që po hyn në një dimër mjaft dëshpërues përsa lidhet me humbjen e jetëve, me infektimin që po fiton territor ditë për ditë, si dhe me panikun që shoqëron këtë fushatë pandemie të veprojmë të gjithë së bashku, duke harruar mdaje edhe se po na vijnë zgjedhjet politike për pak kohë.

Përparësia kryesore e politikës tani është lufta ndaj Covid-19 sipas mundësive dhe shanseve për ndihmë që ka secili. Megjithatë, veprimet kryesore dhe adresuese i mbeten buxhetit dhe vendimarrjes së qeverisë, pasi kjo situatë që tashmë po rikthehet të pushtojë edhe njëherë ditët e gjithsecilit kërkon shpenzime publike për trajtimin e të prekurve, testimin e të infektuarve dhe gjurmimin e kontakteve si një nga momentet më të rëndësishëm se kurrë deri më parë.

Ky vit që do të hyjë duhet të jetë viti që duhet ti japë fund luftës me krizën shëndetësore dhe ekonomike, që ka shkaktuar pandemia, të shërbejë për rimëkëmbjen e ekonomisë dhe të japë një tjetër trajtë gjithë hapësirës ekonomike. Kjo do të thotë që të rriten përpjekjet për blerjen dhe shpërndarjen e këtyre zgjidhjeve shëndetësore, veçanërisht në zonat e varfra.

Kjo gjithashtu nënkupton që pas heqjes së kufizimeve fiskale për të gjitha mallrat dhe shërbimet mjekësore, përfshirë edhe ato që lidhen me vaksinat, të monitorohet dhe drejtohet vëmendja te sektori shëndetësor publik dhe privat. Në disa raste lehtësirat fiskale të ndërmarra nga qeveria kanë përfunduar në disfavor të uljes së kostos për njerëzit. Sistemi shëndetësor është në një përballje me një situatë të pasigurt kryesisht për shkak të aftësisë buxhetore të kufizuar për t’iu përgjigjur krizës.

Pasiguritë ekonomike dhe financiare mbeten të larta, të shprehura edhe në parashikime që tejkalojnë mundësitë e një buxheti në kohë normale.  Për më tepër, shumë nga mbështetja e politikës fiskale tani gradualisht po zbehet. Shumë linja ndihme sociale anticovid, të tilla si transferimet e parave në shtresa në nevojë, mbështetja për mbajtjen e punës dhe përfitimet e rritura të papunësisë pritet të mos jenë më kryefjala e buxhetit deri në fund të vitit tjetër. Ndërkohë, humbjet e vendeve të punës nga kriza parashikohet të jenë të vijueshme.

Sipas të dhënave zyrtare, vetëm gjatë 9 muajve të vitit 2020 përllogariten se kanë humbur deri në 33 mijë vende pune dhe vlerësohen të rrezikuara dicka më tepër se ky numër edhe pse rihapja e ekonomisë ka rikuperuar një numër deri në 20 mijë vende pune. Tashmë buxheti i vitit 2021 është miratuar duke dëgjuar pak nga komentet e gjithëseicilit nga ne dhe duke dëgjuar shumë herë më tepër kërkesat buxhetore të institucioneve të qeverisë. Gjithsesi ka vend për mbështetje të mëtejshme fiskale vitin e ardhshëm përtej asaj që është buxhetuar aktualisht.

Për buxhetin e 2021, i cili miratohet në kushtet e një hapësire ​​të kufizuar fiskale do të jetë thelbësore të caktohet përparësi që diktohen nga pandemia dhe të rialokohen shpenzimet për të mbrojtur më të prekshmit. Kufizimi i likujditeteve për konsum nga njerëzit ishte duke u bërë serioze para se ekonomia e gjithsecilit prej tyre të goditej nga efektet e Covid-19. Nga Ministria e Financave përmendet se Tetori 2020 regjistroi një qarkullim të mallrave dhe shërbimeve të ngjashëm me Tetorin 2019.

Ky fakt tregon ndër të tjera, se ekonomia më së paku po grumbullon edhe rezerva për dimrin e pasigurtë që po hyn për pak. Ndërkohë, vlera e punës është ulur në tërësi, për shkak se ekonomia nuk shënon rritje por zbritje dhe kjo kosto pasohet direkt më shumë te vlera e punës, se sa te vlera e kapitaleve. Nëse ndalon rrjedha e të ardhurave pqër njerëzit kjo përkthehet de facto në frenimin e fluksit të shpenzimeve. “Kjo krizë është një garë midis furnizimit dhe kërkesës”, thotë profesor Surico.

“Në pamje të parë duket si një goditje klasike e anës së furnizimit, pasi prishja e zinxhirit të furnizimit, e ndjekur nga karantina dhe distancimi social zvogëlojnë numrin e orëve të punës. Por pasiguria në shëndetin e njerëzve, në financat e tyre dhe perspektiva e biznesit frenon shpenzimet e njerëzve dhe si pasojë goditet edhe krahu i kërkesës”.

Në këtë mënyrë ky recesion duhet të diktonte uljen e çmimeve të mallrave dhe shërbimeve. Mjerisht, ky fenomen nuk ka ndodhur apo po ndodh në Shqipëri. Madje çmimet e shërbimeve shëndetsore të sektorit privat në disa raste janë duke u rritur ndjeshëm.

Ky është fundi i historisë kapitaliste normale, për të justifikuar lehtësitë fiskale në funksion të uljes së çmimeve, pasi tregu jonë privat nuk e transmeton këtë politikë në të njëjtin drejtim me vendimin e qeverisë. Megjithatë, për një pjesë të mirë të ekonomisë, në rast mbyllje do të ulet edhe furnizimi me mallra dhe shërbime, pasi konsumatorët (punëtorët) do të jenë të detyruar të ulin konsumin edhe më tej.

Bizneset tashmë janë të kujdesshme për të investuar, por gjithashtu ato nuk kanë fonde për ta bërë këtë. Disa sektorë po goditen më shumë se të tjerët. Nëse supozojmë një rënie prej 6.4% të PBB-së në vitin 2020 dhe kjo do të pasohej edhe në fillimin e vitit 2021 (në rast bllokimi deri dy- tre muaj), rënia ekonomike mund të vijojë të përkeqësojë treguesit edhe më tej se parashikimi.

Lexo edhe :  Mbyllja e fushatës në Tiranë/ Rama: I kërkoj falje Zahos që nuk e mora, por Linda...

Për krahasim, prodhimi i përgjithshëm bruto në vitin 1997 ra me -10.9%. Në krahasim me atë që kemi provuar deri më tani ky rekord i vitit 1997 (pas atij të vitit 1991) ende nuk është arritur, por asnjë nuk ka mundësi të llogaritë se si do të shkojë deri në fund të kohëzgjatjes së pandemisë.

Ashtu si ekonomia, e cila nuk vuan njësoj efektet, po ashtu edhe punonjësit nuk vuajnë njësoj këto efekte nga pandemia. Përfituesit më të mëdhenj ka të ngjarë të jenë ata që janë në gjendje të punojnë nga shtëpia, apo të shpenzojnë pak orë pune për të arritur objektivat e tyre. Punonjësit e pakualifikuar janë pjesa që përfiton më pak, ose humb më shumë nga kjo situatë.

Ata janë pjesa më vulnerable që hyjnë në punë dhe pushohen nga puna në rastin më të parë kur përkeqësohen situatat dhe mundësitë ekonomike të bizneseve. Nëse duam të shfrytëzojmë dhe rritim potencialin e plotë të ekonomisë dixhitale që ka filluar me disa nisma nga qeveria, ne duhet të mbështesim punonjësit me skema të mëdha trajnimi, që të kalojnë nga sektorët ekonomikë me tkurrje sot dhe në vijim drejt sektorëve në zgjerim dhe me perspektivë për të ardhmen.

Shpenzimet sociale janë absolutisht thelbësore, përfshirë investimet e rritura në trajnim, riaftësim dhe arsim me cilësi më të lartë.  Ndikimi pandemisë po ndihet jo vetëm në treguesin e PBB-së, por edhe në jetën e njerëzve. Ne tashmë kemi parë një rritje të madhe të kërkesës për shërbime të shëndetit, por për ato mendore ende nuk dihet se sa është rritja e kërkesës.

Nivelet e stresit për njerëzit në shtëpi me fëmijë, për ata që përpiqen të punojnë dhe në shtëpi edhe në shkollë, mund të jenë të larta. Konsumi i alkoolit duket se ka pësuar rritje, pasi në mungesë të të dhënave për importet, për prodhimin dhe konsumin, duke u nisur nga të dhëna indirekte, si ai i çmimeve më të larta se më përpara tregon një rritje të kërkesës pasi tendenca e çmimeve në vendin tonë rritet sa herë ka rritje konsumi.

Ekstremiteti i situatës kërkon masa politikash fiskale dhe monetare të konsiderueshme dhe në shkallë të gjerë. Kjo përkthehet në më shumë shpenzime për shëndetin publik, pasi vetë situata i ka bërë të pashmangshme këtë kateghori shpenzimesh. Lehtësimet tatimore dhe përjashtimet tatimore janë provuar në nivel vendor, por edhe qendror. Normat e interesit janë ulur dhe ekziston mundësia e lehtësimit sasior edhe pse kjo temë mbetet ende tabu në diskutimin mes ekspertëve në masë të gjerë.

Ndërsa qeveria ka mundësi shumë të vogla për të vendosur para të gatshme në duart e njerëzve, të cilat ata ti shpenzojnë, tema e hedhjes së parave në qarkullim në përmasa jashtë të zakonshmes mund të jetë shenja më e mirë dhe reale e optimizimit të kërkesës konsumatore.

Kjo qasje mund të krahasohet me një kartë debiti të parapaguar e cila skadon në fund të pandemisë duke orientuar ndërkohë shpenzimet e njerëzve jo sipas përcaktimit nga dhënësi i kartës, por nga nevojat e përditshme. Është njësoj si një ekspertiment, që nuk ka gjasa të krijohen kushtet për ta testuar për shumë kohë të ardhme.  Borxhi nuk duhet të na trembë pasi rritja përfundimisht do të rivendosë financat publike, nëse pasohet edhe nga vendimarrja koha për të shtypur para.

Frika nga ky vendim mendoj se mund të justifikohet nga fakti se problem është deflacioni, jo inflacioni. Banka qendrore mund të rrisë normat e interesit dhe të tërheqë likuiditetin në kohën e duhur duke krijuar skenarët e gatshëm për t’u përballur me çdo presion inflacionist. Ndërkohë, nëse financat publike nuk bashkëveprojnë apo menaxhojnë keq pjesën e tyre të zbatimit kjo mund të çojë në hiperinflacion, por ky nuk është shqetësimi që të justifikojë pasivitetin dhe pritshmërinë.

Borxhi publik me një rekord të lartë është një nga trashëgimitë kryesore të krizave. Adresimi i kësaj sfide për një periudhë afatmesme do të jetë kritik, përfshirë një rimarrje prej politikës së taksave për të mobilizuar të ardhurat në një mënyrë të drejtë. Por për Shqipërinë me barrë të madhe borxhi dhe barrë të ulët të taksave kërkohet veprim tani, duke përfshirë qasjen për më shumë grante, kredi koncesionare dhe lehtësim të borxhit nga efektet e këtyre veprimeve.

Në këtë gjithpërfshirje, nga ana tjetër duhet të vazhdojnë përpjekjet për të forcuar tregtinë e bazuar në rregulla, për të nxitur një sistem rajonal të taksimit, ku të gjithë paguajnë pjesën e tyre të drejtë dhe ndër të tjera nevojitet të forcohet rrjeti i sigurisë financiare. Pa këto, pabarazia do të përkeqësohet dhe ekonomia rajonale do të përballet me sfida edhe më të mëdha në periudhën në vazhdim. Megjithatë, çfarëdo politike prioritare të zgjidhet, ato duhet të jenë tani dhe të shprehura si paketa gjithpërfshirëse dhe jo si veprime të shkëputura. Një humbje përtej 10% e PBB-së është një goditje e jashtëzakonshme.  Dikur ishte e nevojshme politika për të rregulluar ciklin ekonomik, por tani është ekonomia ajo më e nevojshmja për të provuar dhe rregulluar problemet e politikës.

l.m/Fjala.al

 

 


Të fundit

Shokon Xhelal Mziu: Kemi ngritur grupet tona dhe çdo person i dyshimtë do ta pësojë njëlloj si ai i Elbasanit

Një ngjarje e rëndë tronditi Elbasanin dy ditë më parë (21 prill 2021) ku mbeti i vrarë me armë...

Gjesti i turpshëm para grave dhe vajzave, ja si justifikohet Lulzim Basha

Bëri 'xhiron' dje në rrjetet sociale një video e kreut të PD-së, Lulzim Bashës, teksa bënte një gjest aspak të hijshëm, në sy të qindra grave...

PS mbyll fushatën në Tiranë/ Rama tregon arsyet se përse duhet mandati i tretë

Partia Socialiste mbylli fushatën për Qarkun e Tiranës, tre ditë para zgjedhjeve të 25 prillit. Kryeministri Edi Rama tha se mandati i tretë duhet...

Lajme të tjera

Web TV