Shalondë: Kam pritur më tepër nga Kosova

113 563 lexime

124,178FansaPëlqeje

Trajneri i Kosovës në futboll, Bernard Shalondë, e ka pranuar se ka pritur më shumë prej ekipit të tij në edicionin e dytë të Ligës së Kombeve të UEFA-s. Pos pikëve të pakta, ai ka thënë se edhe mënyra e lojës nuk ka qenë ajo që e ai kishte synuar në këtë turne të dytë kontinental të përfaqësueseve. Javën e kaluar Kosova e mbylli edicionin e dytë të Ligës së Kombeve në vendin e 3-të të grupit e 3-të të Ligës C, me pesë pikë të grumbulluara pas gjashtë ndeshjeve të luajtura. Dhe Shalondë thotë se do të pranonte që Kosova të kishte marrë të paktën edhe 3 pikë më shumë, duke aluduar se përfaqësuesja ka merituar fitoren në ndeshjen e parë ndaj Moldavisë, të luajtur në Itali dhe një barazim ndaj Sllovenisë, ndeshje të cilën “Dardanët” e humbën 2-1 me 11-metërshin e dhënë në kohën shtesë.
Ai ka vërejtje në lojën e Kosovës, sidomos në fazën sulmuese. “Është e qartë që kam pritur më shumë, ka deklaruar ai për mediat e Prishtinës. – Nuk është çështja vetëm tek problemi i pikëve, por edhe tek mënyra e lojës. Nuk kërkoj rezultate, por progres. Përfundimisht, nuk ishte një kohë e mirë për të gjithë, për shkak të virusit që ka ndikuar negativisht. Ka qenë e mundur ta fitonim ndeshjen e parë në Itali kundër Moldavisë, si dhe të barazonim së fundi me Slloveninë, pasi ai nuk ishte 11-metërsh. Nëse do t’i merrnim këto rezultate, do të ishte mirë. Megjithatë, loja nuk më ka kënaqur. Kemi patur probleme këtë vit, sidomos me repartin sulmues, ku nuk kemi shënuar shumë gola.”
“Është e qartë që kishim probleme të ndërtonim raste për shënimi dhe këtë e dimë të gjithë”, – ka pohuar zvicerani, sipas të cilit, fitorja e fundit në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë ishte më se e nevojshme për Kosovën, që vinte pas një vazhde prej 10 ndeshjesh pa fitore. Atij i vjen shumë keq që nuk pati mundësi ta udhëhiqte ekipin nga stoli, por u detyrua që ndeshjen ndaj Moldavisë, të fituar me rezultatin 1-0, ta shikonte dhe drejtonte nëpërmjet televizorit. Në asnjërën prej 3 ndeshjeve të këtij muaji, Shalondë nuk ishte në gjendje ta drejtonte Kosovën për shkak se rezultoi pozitiv me virusin korona. Në 3 testet e kryera para ndeshjes me Shqipërinë, ai rezultoi pozitiv dhe ishte i detyruar të izolohej në një hotel në Durrës dhe të mos ishte në stol as në atë takim dhe as në ato ndaj Sllovenisë dhe Moldavisë.
Të premten, ai është kthyer në shtëpi, ku po qëndron i vetizoluar me rekomandimin e mjekut. “Ishte shumë periudhë e rëndë për mua që të qëndroja në hotel, nuk e kam pritur një gjë të tillë, – ka zbuluar 69-vjeçari. – Por kjo situatë ndodhi pasi virusi është armik i padukshëm dhe më duhej ta pranoja. Jemi munduar të bënim më të mirën nga distanca, me kontakte me stafin nëpërmjet telefonatave dhe videove, por nuk ishte aspak e lehtë. Isha shumë nervoz para ndeshjes me Moldavinë, sepse kam menduar se do të ishte më mirë ta udhëhiqja ekipin, por në fund ekipi dha një përgjigje të mirë.” Trajneri këmbëngul se nuk ka pasur fare simptoma, ndërsa shton: “Fitorja me Moldavinë ishte shumë e rëndësishme, pasi kishim nevojë ta mbyllnim këtë vit në mënyrë pozitive pas të gjithave që na ndodhën.”
Përtej kapërcimit të infektimit me virusin “Covid-19”, Shalondi thotë se problemet te Kosova nisën në muajin shtator kur edhe filluan ndeshjet e edicionit të dytë të Ligës të Kombeve. Kosova u promovua në një nivel më të lartë të kësaj veprimtarie, nga Liga D në Ligën C. Trajneri me përvojë thotë se përfaqësuesja e “Dardanëve” periudhën më të vështirë e pati një muaj më vonë, kur edhe edhe në gjysmëfinale të “play-off”-it për kualifikimin për në “Euro 2020” përballë Maqedonisë së Veriut, e cila u shpall kështu fituese e “play-off’-it të Ligës D dhe vitin e ardhshëm do të marrë pjesë për herë të parë në fazën finale të Kampionatit Evropian. “Ne e dinim se do të kishim probleme por ato nisën nga muaji shtator kur edhe erdhi ndeshja e parë me Moldavinë në Itali”, – pohon helveti.
“Një pjesë e lojtarëve erdhën me vetura dhe, pas asaj ndeshjeje, u kthyen nëpër klubet e tyre për t’i shpëtuar karantinimit, – ka rrëfyer ai. – Që nga ajo kohë ne nuk arritëm kurrë të stërvitemi me të gjithë ekipin. Pastaj, në tetor përjetova periudhën më të vështirë ndonjëherë. Patëm shumë telashe me infektimin dhe dëmtimin e lojtarëve, që për fat të keq erdhën pikërisht para ndeshjes së rëndësishme me Maqedoninë e Veriut. Problemi në këtë fushatë eliminatore ishte se nuk u treguam të rrezikshëm për kundërshtarët, ndonëse ekipi ka luftuar. Mirëpo duhet ta harrojmë këtë periudhë sa më shpejt që të mundemi, ta pranojmë këtë situatë dhe të bëhemi gati për ndeshjet tjera që të kemi rezultate më të mira, lojë më sulmuese dhe raste për shënim”.
Krahas telasheve me virusin dhe dëmtimet, që e bënë të pamundur që ekipi të jetë i kompletuar, Shalondë thotë se duhet pasur parasysh se Kosova e kishte një grup shumë të fortë në Ligën C të Ligës së Kombeve. Sipas tij, dallimi ishte i madh në krahasim me Ligën D ku Kosova luajti më herët. “Kemi pasur një grup të fortë, ndoshta më të vështirin në Ligën C, me ekipet si Sllovenia e Greqia dhe duhet të pranojmë se kishte dallim në cilësi me Ligën D, – ka kujtuar trajneri. – Nuk kemi marrë shumë pikë, por duke pasur parasysh grupin tonë nuk mund të them se ishte keq edhe pse kam pritur më shumë. Nuk është problemi i përvojës sepse kemi pasur përvojë të mirë në eliminatoret e rregullta. Për mua ishte një kohë e veçantë në Eliminatoret e Evropianit ku sulmi luante me besim të madh dhe ekipi aplikonte një futboll të freskët.”
“Këtë herë nuk ishte njëjtë, por besoj në gjëra më të mira në të ardhmen dhe hap pas hapi të vazhdojmë tutje”, – ka shtuar veterani, i cili ka folur edhe për shortin e Eliminatoreve të Kampionatit Botëror “Katar 2022” që do të hidhet më 7 dhjetor 2020. Kosova është në vazon e pestë dhe trajneri pa dyshim që pret kundërshtarë të fortë në grup, të paktën dy përfaqësuese të mëdha të Evropës. Vazoja e parë përbëhet prej ekipeve si Belgjika, Franca, Anglia, Portugalia, Spanja, Kroacia, Italia, Gjermania e Holanda, ndërsa në vazon e dytë janë Zvicra, Polonia, Uellsi, Turqia, Suedia e Ukraina ndër të tjera. “Shorti për Botëror? Me siguri se do të jetë shumë i vështirë për shkak se do të kemi në grup kundërshtarë të fortë, përfshirë këtu ekipe të mëdha të Evropës, – ka thënë trajneri i Kosovës. – Mirëpo, kjo nuk duhet të na frikësojë aspak.”
“Përkundrazi, këto eliminatore duhet t’i shfrytëzojmë për t’u zhvilluar edhe më shumë si ekip dhe për të luajtur ndeshje të mira, – ka vijuar ai. – Pa dyshim që na nevojiten ndeshje të tilla, tri me ekipe të nivelit tonë dhe dy shumë të forta.” Trajneri zviceran shpreson që situata të përmirësohet sa më shpejt me virusin dhe prej vitit të ardhshëm kur të nisin eliminatoret e Botërorit “Katar 2022” në muajin mars, të jetë lejuar kthimi i tifozëve në tribuna. Ai këmbëngul se tifozët i kanë munguar shumë ekipit këtë vit, teksa thotë: “Për mua dhe Kosovën është problem i madh të luajmë pa tifozët. Nëse luajmë me tifozë në Prishtinë, atëherë jemi krejtësisht ekip tjetër. Ishte e mërzitshme t’i shohësh tribunat e zbrazëta dhe tifozët më mungojnë shumë. Të shpresojmë që situata të përmirësohet por njëkohësisht duhet të adaptohemi për të ardhmen.”
“Tashmë kemi pak kohë dhe të shohim se çfarë na pret”, – shton Shalondë, që në fund ka folur edhe për futbollistët e rinj, të cilët, sipas tij, gjithmonë e kanë derën hapur te Kosova. Ai ka mbetur i kënaqur me debutimin e mbrojtësit Betim Fazliji dhe thotë që duhet t’i rregullohet dokumentacioni sa më shpejt për ta pasur në dispozicion. Fazliji u ftua për ndeshjet e këtij muaj por në mungesë të dokumentacionit luajti vetëm miqësoren kundër Shqipërisë, që Kosova e humbi 1-2. Trajneri tha se Kosova duhet të marrë edhe lojtarë tjerë të rinj sikurse Fazliji, duke lënë të hapur mundësinë që vitin tjetër “Dardanëve” t’iu bashkohen edhe Andi Zeqiri që luan tek Brajtoni në Angli, Bastien Toma, tek Genku në Belgjikë dhe Mërgim Berisha, tek Salzburgu në Austri.
Zeqiri e Toma aktivizohen te përfaqësuesja e Nën-21-vjeçarëve të Zvicrës, ndërsa Berisha te përfaqësuesja e Nën-21-vjeçarëve të Gjermanisë. Zeqiri e Berisha janë sulmuesë, kurse Toma, mesfushor. “Lojtarë të rinj në të ardhmen do të ketë sikurse Fazliji dhe duhet të shohim se kë mund ta marrim. E dimë që kemi lojtarë që luajnë tek Nën-21-vjeçarët e Zvicrës dhe Gjermanisë, por duhet të presim derisa të përfundojë faza finale e kësaj grupmoshe në muajin qershor dhe pastaj gjithçka është e mundur. Kemi folur me të gjithë kandidatët potencialë dhe do të shohim. Duhet pasur parasysh se po kërkojmë cilësi dhe jo vetëm numër. Kështu që duhet të presim”, – ka përfunduar trajneri i Kosovës në futboll, Bernard Shalondë.

Të fundit

Detaje të reja nga vrasja e Pëllumb Metës/ Arma u ble 1 ditë para krimit, tjetër person..

Rreth një muaj më parë, opinioni publik u shokua nga një ngjarje e rëndë e ndodhur në Shënavlash të...

Porositi ekzekutimin e ish-bashkëshortes, jepet pretenca për avokatin Alban Bengasi

Prokuroria ka kërkuar këtë të enjte 6 vite e 6 muaj burg për avokatin Alban Bengasi i cili akuzohet se ka porositur eliminimin e...

Gazetarja Anduena Llabani: Jam ngacmuar nga politikanë dhe personazhe të botës së krimit

Flirtet dhe ngacmimet në sferën politike, e kudo, kundrejt personazheve vajza dhe gra, kanë ndodhur dhe mesa duket ende vazhdojnë të bëhen nga persona...

“Listat e kandidatëve, në mars”, Basha gënjen sërish, nuk nxori asnjë emër

“Dhe brenda 31 marsit, 140 kandidatë për deputetë të Partisë Demokratike gati për procesin zgjedhor, në çdo moment”, zotohej Basha. Shumë ndoshta prisnin që të...

Arrestimi i ish-drejtorëve të Bashkisë/ SPAK me njoftim zyrtar, ja për çfarë akuzohen

Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, mbi bazën e verifikimeve të kryera kryesisht, ka filluar hetimet lidhur me procedimin penal nr.75,...

Lajme të tjera

Web TV